2022
Barëra të Këqija dhe Fjalë të Pahijshme
Shtator/Tetor 2022


Barëra të Këqija dhe Fjalë të Pahijshme

“Përse të mos bëjmë një premtim familjar?” – pyeti mami.

mom and boy weeding together

“A mund të flasim?” – e pyeti Xhonasi mamin. Ai u ul në bar pranë vendit ku ajo po pastronte shtratin e luleve.

“Sigurisht. Çfarë po ndodh?” – pyeti mami. Ajo i hoqi dorashkat e saj të ndotura të kopshtit.

“Sot në shkollë disa fëmijë po thoshin një fjalë që unë nuk e dija. Ata qeshën kur e thanë atë”, – tha Xhonasi. “Mendoj se ishte fjalë e pahijshme.”

“Si u ndjeve kur e dëgjove fjalën?” – pyeti mami.

“Nuk më bëri të ndihesha mirë.”

Xhonasi ia pëshpëriti fjalën mamit. Ajo i tha se çfarë kuptimi kishte. Xhonasi kishte të drejtë. Nuk ishte fjalë e mirë.

“Por pse ajo është e pahijshme?” – pyeti ai.

“Është e pahijshme sepse është e pasjellshme dhe nuk tregon respekt. Kur përdorim fjalë si kjo, për Frymën e Shenjtë bëhet e vështirë që të jetë me ne. Fryma e Shenjtë po të tregonte se ishte e keqe. Ja pse nuk u ndjeve mirë përbrenda.”

Xhonasi u vrenjt. “Por fëmijët e tjerë dukej se po argëtoheshin. Përse isha unë i vetmi që u ndjeva në siklet?”

“Nga e di ti që fëmijët e tjerë nuk u ndien njësoj si ti?” – pyeti mami.

“Sepse ata të gjithë qeshën dhe buzëqeshën kur dikush e tha fjalën.” Xhonasi u ndje i pështjelluar.

“Nganjëherë njerëzit qeshin ose buzëqeshin kur ndihen në siklet”, – tha mami. “Dhe ndonjëherë kur ata dëgjojnë ose thonë shumë fjalë të pahijshme, kjo nuk i bezdis më. Por prapë, nuk është e drejtë t’i thonë ato fjalë. Ndodh njësoj si me këto barëra të këqija. Unë po i shkul që ta mbaj kopshtin të pastër dhe t’i lë bimët e mira të rriten.”

“Jam i lumtur që nuk e thashë fjalën”, – tha Xhonasi.

“Edhe unë”, – tha mami. “Jam krenare për ty. Dhe kam një ide. Përse të mos bëjmë një premtim familjar?”

“Të çfarë lloji?” – pyeti Xhonasi.

“Le të premtojmë që të përdorim fjalë të mira dhe jo fjalë të pahijshme. Mund të jetë një pakt familjar.”

Xhonasit i pëlqeu ajo ide. Ai dhe mami shtrënguan duart. Xhonasi u ndje mirë rreth premtimit që bëri me mamin.

“Tani, po sikur të më premtosh se do të më ndihmosh ta mbaroj pastrimin?” – pyeti mami. “Më pas të premtoj se do të të çoj në park.”

Xhonasi vuri buzën në gaz dhe mori një lopatë të vogël. “Dakord.”

Teksa e ndihmonte mamin, Xhonasi u ndje shumë më mirë. Ai e dinte se premtimi për të mos përdorur fjalë të pahijshme ishte një zgjedhje e mirë për familjen e tyre.

Ilustrimi nga Dan Widdowson