2021
Një Vepër e Madhe
Janar 2021


“Një Vepër e Madhe”, Për Forcën e Rinisë, janar 2021, f. 20–21.

Një Vepër e Madhe

Tema e Rinisë për Vitin 2021:
Doktrina e Besëlidhje 64:33–34

Zoti ju ka ftuar të bashkoheni me veprën “më të madhe” në tokë.1

Pamja
logoja e Temës së Rinisë për Vitin 2021

Ju të reja dhe të rinj të shkëlqyer jeni pjesë e diçkaje të mrekullueshme – ju po “ngrini themelin e një vepre të madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33). Kjo vepër e ndihmon Zotin, Jezu Krishtin, të kryejë misionin e Tij ndërsa ne marrim pjesë në mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit dhe ndërtimin e Sionit.

Bashkimi me Batalionin e Rinisë

Presidenti Rasëll M. Nelson e ka ftuar secilin prej jush të bashkohet në atë vepër si pjesë e “batalionit të rinisë së Zotit”2. Por çfarë është një batalion? Një batalion është një njësi e specializuar, e krijuar për të përmbushur detyra të veçanta së bashku. Kjo do të thotë se ju jeni pjesë e një njësie të specializuar për të zbuluar dhe përmbushur pjesën tuaj në veprën e madhe të Zotit.

Kur profeti ju ftoi që ta shihnit qëllimin e jetës suaj me një përqendrim te mbledhja e Izraelit, jeta juaj filloi të dukej si jeta e Moisiut. Moisiut, i cili u rrit si një princ i Egjiptit, iu desh të arratisej për të shpëtuar jetën e vet dhe më vonë qe i kënaqur me jetën e thjeshtë që bënte duke u kujdesur për delet. Por Zoti e thirri atë dhe i shpalli: “Unë kam një punë për ty” (Moisiu 1:6). Ati Ynë në Qiell dinte atë që Moisiu nuk e dinte: se me ndihmën e Perëndisë, Moisiu mund të ishte mjet vendimtar për shpëtimin e një kombi të madh – ai mund të bënte gjithçka.

Ju Mund të Sillni një Ndryshim

Ju mund ta pyetni veten: “Unë nuk jam Moisiu. A mund të sjell qoftë edhe një ndryshim në këtë botë?” Me raste, ne jemi ndier në të njëjtën mënyrë, por kemi jetuar mjaftueshëm gjatë aq sa për ta ditur se përgjigjja është “po”. Ne shohim të reja e të rinj të zakonshëm që po zgjedhin të mos jetojnë jetë të zakonshme. Ata kanë një ndikim të fuqishëm te njerëzit përreth tyre thjesht duke qenë qetësisht dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Ata po i zhvillojnë talentet e tyre dhe po i ndihmojnë familjet e tyre që t’ia dalin mbanë. Ju jeni thirrur nga një profet të “ngrini themelin e një vepre të madhe”. Kur i mirëbesojmë Jezu Krishtit dhe kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij, ne sjellim një ndryshim!

Nuk jeni të vetëm në këtë gjë. Kur bashkoheni me batalionin e Zotit, ju bashkoheni me një grup tejet të madh të rejash e të rinjsh anembanë botës. Ne qëndrojmë pranë jush, krah për krah, së bashku me prindërit, udhëheqësit dhe miqtë tuaj, apostujt dhe profetët dhe vetë engjëjt e qiellit, të gjithë duke u përpjekur fort për ta përmbushur veprën e Zotit së bashku (shih Doktrina e Besëlidhje 84:88).

Nga Gjëra të Vogla Vjen Ajo që Është e Madhe

Do ta ndërmarrim hap pas hapi. Zoti na fton të ndërmarrim hapa të vegjël e të thjeshtë teksa përfshihemi në këtë vepër të madhe (shih Doktrina e Besëlidhje 64:33). Veprime të vazhdueshme e plot besim do të na çojnë përpara dhe do të na ftojnë që ta zgjatim dorën dhe t’i ndihmojmë njerëzit që janë përreth nesh. Disa prej këtyre gjërave të thjeshta mund të përshtaten për ju personalisht, duke qenë se udhëtimi i çdokujt nuk do të jetë saktësisht njëlloj me të tjerët.

Lutuni që ta dini se kush jeni dhe të kuptoni rolin tuaj vetjak në planin e Perëndisë. Lutuni që të dini se çfarë gjërash të vogla e të thjeshta duhet të bëni çdo ditë. Ka të ngjarë që do t’ju duhet të dilni jashtë zonës suaj të rehatisë, por ndërsa jeni të gatshëm të veproni sipas nxitjeve që merrni, do t’ju jepet edhe më shumë.

Ashtu siç dha mësim Presidenti Nelson kohët e fundit: “Teksa kërkojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, përpjekjet tona që ta dëgjojmë Atë nevojitet të jenë përherë e më të qëllimshme. Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij.”3

Zoti do t’i Zmadhojë Aftësitë Tuaja dhe do ta Shtojë Gëzimin Tuaj

Ndërsa kërkoni zbulesë, Zoti do t’ju udhërrëfejë që të dini se si t’i përdorni talentet tuaja individuale dhe personalitetin tuaj për të shërbyer dhe për ta jetuar ungjillin. Ai do ta tendosë përfytyrimin, aftësinë krijuese dhe kapacitetin tuaj në mënyra që nuk do t’i kishit menduar kurrë si të mundura.

Ndërsa ia ofroni zemrën dhe mendjen tuaj të gatshme Zotit, ju do të zbuloni më shumë miq dhe mundësi të shtuara për të shërbyer. Kuptimi juaj për identitetin dhe qëllimin do të forcohet dhe ju do të gjeni gëzim.

Ndonjëherë ne mund të ndihemi të kënaqur të sistemohemi dhe t’i marrim me lehtësi gjërat, por Perëndia ka diçka tjetër në ruajtje. Ashtu siç Ai kishte një punë të madhe për Moisiun, Ai ka një punë të madhe edhe për ju. Mos u lodhni! Ne kemi besim të plotë te ju – në batalionin e rinisë së Zotit.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), f. 2, HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, f. 9, HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  3. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2020 (Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 89).

Shtyp në Letër