2021
Kauza e Madhe e Rivendosjes
Janar 2021


“Kauza e Madhe e Rivendosjes”, Për Forcën e Rinisë, janar 2021, f. 3–5.

Kauza e Madhe e Rivendosjes

Puna që filluan Jozef dhe Hajrëm Smithi, së bashku me kaq shumë njerëz të tjerë besnikë, vazhdon në Kishë sot.

Jozef dhe Hajrëm Smithi

Kur i riu Jozef Smith shkoi në pyll për t’u lutur, ai përjetoi një vegim të mrekullueshëm, i njohur sot si Vegimi i Parë.

Në këtë vegim, Shpëtimtari i tha Jozefit se mëkatet e tij ishin falur. Ai gjithashtu iu përgjigj pyetjes së Jozefit dhe tha se asnjë nga kishat në atë kohë nuk “pranohej nga Perëndia si kisha dhe mbretëria e tij”.

“Në të njëjtën kohë”, kujtoi Jozefi, “[unë] mora një premtim se plotësia e ungjillit në një kohë të ardhme do të më bëhej e njohur”1.

Vegimi i Parë

Pas këtij vegimi të lavdishëm, Jozefi doli nga Korija e Shenjtë për të filluar përgatitjen e tij për t’u bërë një profet i Perëndisë.

Moroni dhe Libri i Mormonit

Tre vjet më vonë, në vitin 1823, qiejt u hapën përsëri si pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e fundit. Një engjëll i quajtur Moroni iu shfaq atij dhe i tha “se Perëndia kishte një punë për [të] për ta bërë … [dhe që] një libër ishte fshehur, i shkruar mbi fletë të arta” i cili përmbante “plotësi[në] e Ungjillit të përjetshëm” (Joseph Smith – Historia 1:33–34).

Jozef Smithi duke marrë fletët e arta

Përfundimisht, Jozefi e mori, e përktheu dhe e botoi analin e lashtë, që sot njihet si Libri i Mormonit.

Vëllezër Besnikë

Vëllai i Jozefit, Hajrëmi, ishte gjithmonë përkrahës i vazhdueshëm i Jozefit. Gjatë jetës së tyre, Jozefi dhe Hajrëmi u përballën me turmat dhe përndjekjen së bashku. Për shembull, ata lënguan në kushtet më të mjerueshme në burgun e Libertisë në Misuri për pesë muaj gjatë dimrit të ftohtë të viteve 1838–1839.

Ndërkohë që përballej me përndjekje, Hajrëmi shfaqi besim te premtimet e Zotit, përfshirë një garanci se do të shpëtonte prej armiqve të vet nëse kjo do të ishte zgjedhja e tij. Në qershor 1844, Hajrëmit iu paraqit zgjedhja që të jetonte ose të jepte jetën e vet për t’i dhënë lavdi Perëndisë dhe për ta “vulos[ur] dëshminë e tij me gjakun e tij” – krah për krah së bashku me vëllanë e tij të dashur, Jozefin (shih Doktrina e Besëlidhje 136:39).

Një javë përpara se të vriteshin me gjakftohtësi, Jozefi i tha Hajrëmit ta merrte familjen e tij dhe të largohej. Ende kam emocion të madh teksa e kujtoj përgjigjen e Hajrëmit: “Jozef, nuk mund të të lë2.

Kështu Jozefi dhe Hajrëmi shkuan në Karthixh, ku u bënë martirë për kauzën dhe emrin e Krishtit. “Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!” (Doktrina e Besëlidhje 135:3; theksimi i shtuar).

Hajrëm dhe Jozef Smithi

Një Thirrje për Veprim

Ne duhet ta kujtojmë gjithmonë çmimin që paguan Jozef dhe Hajrëm Smithi, së bashku me kaq shumë burra, gra e fëmijë të tjerë besnikë, për të themeluar Kishën në mënyrë që ju dhe unë të mund të gëzojmë bekimet e shumta dhe të gjitha këto të vërteta të zbuluara që kemi sot. Besnikëria e tyre nuk duhet të harrohet kurrë!

Përpara vdekjes së tij në vitin 1844, Jozefi u shkroi shenjtorëve një letër plot gjallëri. Ishte një thirrje për veprim, e cila vazhdon në Kishë sot:

“Vëllezër [dhe motra], a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër [dhe motra]; dhe përpara, përpara drejt fitores! …

… Si rrjedhim, ne, si një kishë e si një popull dhe si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, le t’i ofrojmë Zotit një blatim me drejtësi” (Doktrina e Besëlidhje 128:22, 24; theksimi i shtuar).

Merrni parasysh se çfarë blatimi do t’i paraqitni Zotit me drejtësi në ditët e ardhshme. Jini të guximshëm – tregojini për të dikujt të cilit i mirëbesoni dhe më e rëndësishmja, ju lutemi gjeni kohë për ta bërë atë!

Unë e di se Shpëtimtari është i kënaqur kur i paraqitim Atij një blatim nga zemrat tona me drejtësi, ashtu siç Ai ishte i kënaqur me blatimin besnik të atyre vëllezërve të shquar, Jozef dhe Hajrëm Smithit, dhe të të gjithë shenjtorëve të tjerë besnikë.

Shënime

  1. Joseph Smith, “Church History”, Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 707; shih edhe josephsmithpapers.org.

  2. Joseph Smith, “History of Joseph Smith”, The Latter-day Saints’ Millennial Star, 19 prill 1862, f. 248; theksimi i shtuar.