“Bursa prej Kërpudhave”, Për Forcën e Rinisë, janar 2021, f. 6–7.
Bursa prej Kërpudhave
Çfarë mësimesh mund të merrja nga diçka aq e shpifur sa kërpudhat?
Nuk më pëlqejnë kërpudhat. Ajo erë dhe sipërfaqja kur e prek – nuk më pëlqejnë aspak! Por prindërit e mi filluan të kultivonin kërpudha kur isha fëmijë, kështu që ne i hanim ato për vakte çdo ditë. Gjatë periudhës së mbledhjes, unë i ndihmoja prindërit e mi deri natën vonë. Peshoja 200 gram kërpudha, i paketoja në një qese dhe i vija vulën pakos. Mbaj mend që argëtohesha ndërkohë që flisja me familjen time. Ishte pothuajse sikur të kishim një mbrëmje familjare çdo ditë.
Ajo gjithashtu siguronte të ardhura për familjen, kështu që ne duhej të ndihmonim. Por kishte dy anë negative: Së pari, një nga programet e mia të parapëlqyera televizive transmetohej në kohën kur duhej të punonim, kështu që nuk mund ta shikoja. Dhe së dyti, kur e mbaroja punën, duart më bëheshin të zeza nga kërpudhat, dhe ishte e vështirë ta hiqja qafe ngjyrën dhe erën me sapun. Kur isha fëmijë, ndonjëherë ankohesha për arsyen pse duhej të ndihmoja aq shumë çdo ditë.
Kërpudhat siguruan një të ardhur të mirë për njëfarë kohe, por përfundimisht çmimet ranë pasi numri i fermerëve të kërpudhave u rrit dhe prindërit e mi ndaluan së kultivuari kërpudha. Mendoja se ata kishin ndaluar vetëm ngaqë çmimet ranë, por kur u diplomova nga kolegji, mësova një fakt që më befasoi.
Prindërit e mi kishin filluar të kultivonin kërpudha për të kursyer fonde për kolegjin për mua dhe vëllezërit e mi. Ata kishin ndaluar vetëm sepse e kishin arritur shumën e tyre të synuar. Kur e mora vesh këtë, u ndjeva i turpëruar që ndonjëherë isha ankuar. Nuk e dija se po punoja për shpenzimet e mia të kolegjit në të ardhmen. Dhe mbi të gjitha, familja ime më kishte ndihmuar!
Isha ankuar vazhdimisht pa e ditur se po kultivonim kërpudha për bursën time. Ankesa ime ishte si ankesa e Lamanit dhe Lemuelit te 1 Nefi 2:12: “Dhe kështu Lamani dhe Lemueli … mërmëritën, sepse nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata”. Jam shumë e lumtur që Zoti më njeh mirë dhe më bekoi, pavarësisht nga ankesat e mia.
Nuk mendoj se do të më pëlqejë ndonjëherë që të ha kërpudha. Por, po të mos kishte kërpudha, unë faktikisht do të isha paksa i trishtuar, sepse nuk do të kisha mundësinë t’i kujtoja ato përvoja me familjen time. Për shkak të tyre, unë mësova t’i vlerësoja bekimet e mia dhe t’i mirëbesoja planit të Zotit – dhe të mos ankohesha! Kështu që, edhe pse nuk më pëlqejnë kërpudhat, tani i vlerësoj ato. Ato janë një simbol i rëndësishëm për mua që të kujtoj lidhjet e mia familjare.
Autori jeton në Shinagaua‑Siti, Japoni.