2021
Të Mësuarit e Gjuhës së Shpirtit
Janar 2021


“Të Mësuarit e Gjuhës së Shpirtit”, Për Forcën e Rinisë, janar 2021, f. 16–18.

Eja, Më Ndiq

Të Mësuarit e Gjuhës së Shpirtit

Zbulesa është si një gjuhë që secili prej nesh ka nevojë ta mësojë.

gjuha

Ilustrimi nga Michael Mullan

Të mësuarit e një gjuhe të re mund të jetë një punë e vështirë. Nëse e keni bërë ndonjëherë si lëndë gjuhën e huaj në shkollë ose jeni përpjekur ta mësoni vetë një gjuhë të huaj, ju mund ta dini këtë nga përvoja! Kërkon shumë punë dhe përkushtim. Mësova spanjisht në misionin tim, e cila ishte e vështirë fillimisht, por përfundimisht, me ndihmën e Shpirtit, ia mora dorën.

Më pëlqen të mendoj për zbulesën si një lloj gjuhe – gjuha e Shpirtit – të cilën secili prej nesh ka nevojë ta mësojë gjatë jetës së vet. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”1.

Kur mendoni për këtë, të mësuarit e një gjuhe të re dhe të mësuarit e gjuhës së Shpirtit kanë shumë gjëra të përbashkëta. Hidhuni një sy ngjashmërive vijuese – ato mund t’ju ndihmojnë vërtet që të mësoni më shumë rreth mënyrës se si të merrni zbulesë nëpërmjet gjuhës së Shpirtit.

Stilet e të Mësuarit

Kur mësojmë fillimisht një gjuhë të re, për njerëz të ndryshëm funksionojnë qasje të ndryshme, në mënyrë që t’u nguliten gjërat. Për mua, studimi i gramatikës dhe shkrimi i gjërave në letër më ndihmuan vërtet për ta mësuar spanjishten. Misionarë të tjerë parapëlqenin të ushtroheshin duke folur me shokun ose shoqen e tyre. Një qasje mund të ndihmojë më shumë sesa një tjetër – gjeni atë që funksionon më mirë për ju.

Po ashtu, jo të gjithë ne e ndiejmë apo e dëgjojmë Shpirtin në të njëjtën mënyrë. Merrni për shembull mamin tim. Për njëfarë kohe kur po rritesha, isha e shqetësuar se nuk mund ta ndjeja Shpirtin ngaqë kurrë nuk merrja nxitje në mënyrën që i merrte ajo. Ajo gjithmonë i përshkruante nxitjet si fjalë që i vinin në mendje. Kurrë nuk më kishte ndodhur kjo, kështu që mendoja se thjesht nuk mund ta ndieja Shpirtin. Por me kalimin e kohës kam zbuluar se Shpirti komunikon me mua më shumë nëpërmjet ndjenjave ose mbresave sesa nëpërmjet fjalëve. Ndjenjat e paqes, të gëzimit dhe dashurisë zakonisht shoqërohen me përvojën time të zbulesës.

Ashtu sikurse me stilet e të mësuarit, një mënyrë e të ndierit të Shpirtit nuk është më e mirë sesa një tjetër. Secili prej nesh është unik, kështu që Shpirti komunikon me secilin prej nesh ndryshe. Te Doktrina e Besëlidhje, ne mund të mësojmë për të gjitha llojet e mënyrave se si mund të na flasë Shpirti. Ai mund ta “ndriço[jë] mendjen t[onë]”, t’i “f[lasë] paqe mendjes [sonë]”, të na “th[otë] në mendjen t[onë] dhe në zemrën t[onë]” ose “të banojë në zemrën t[onë]” apo ne mund të ndiejmë një djegie në kraharorin tonë ose të “ndie[jmë] që është e drejtë”, si edhe shumë mënyra të tjera (shih Doktrina e Besëlidhje 6:15, 23; 8:2; 9:8).

Teksa i studiojmë shkrimet e shenjta dhe ushtrohemi për ta dëgjuar Shpirtin, ne mund ta dallojmë mënyrën se si na flet Ai.

Kërkoni Ndihmë

duart

Kur jeni duke mësuar një gjuhë, mund të jetë vërtet e dobishme të merrni ndihmë nga dikush që e njeh gjuhën. Librat dhe burimet e tjera sigurisht ndihmojnë, por të biseduarit me dikë që e flet gjuhën, e përshpejton procesin.

Kur duam të mësojmë më shumë rreth Shpirtit, ne mund të marrim ndihmë shtesë nëse pyesim njerëz të cilëve u mirëbesojmë – pjesëtarë të familjes, udhëheqës apo miq – për mënyrën se si e bëjnë atë. Por më e rëndësishmja, është të pyetim Atin Qiellor. Ne mund ta pyetim Atë për gjëra të tilla si për shembull, më shumë mundësi për ta dëgjuar Shpirtin ose ndihmë për të dalluar rastet kur marrim nxitje. Nëse jemi të përulur, i kërkojmë Atij që të na ndihmojë dhe kemi besim se Ai do të na ndihmojë të mësojmë se si ta ndiejmë Shpirtin, Ai do të na ndihmojë.

Shkruajini Gjërat në Letër

bllok shënimesh

Kur jeni duke mësuar një gjuhë, të shkruarit e gjërave në letër mund të jetë gjithashtu shumë e dobishme. Unë mbaja me vete një bllok të vogël shënimesh gjatë gjithë ditës për të shkruar fjalët e reja të fjalorit që i dëgjoja, dhe përpiqesha të shkruaja në ditar çdo natë në spanjisht, në mënyrë që të ushtrohesha. Ne nuk kemi kujtesë të përsosur, kështu që të shkruarit e gjërave na lejon të kthehemi për t’i rishikuar ato.

Jemi ftuar nga udhëheqësit tanë që t’i shkruajmë përshtypjet shpirtërore, në mënyrë që të mos i harrojmë ato.2 Shkrimi i gjërave të tilla mund të na ndihmojë me Shpirtin në dy mënyra: 1) Mund të na ndihmojë që t’i mbajmë mend nxitjet dhe ndjenjat pasi të ketë kaluar koha. Ndoshta një nxitje e kaluar do t’ju ndihmojë në të ardhmen ose thjesht mund t’ju kujtojë se Shpirti me të vërtetë ju ka folur. 2) Është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të ndjekur ecurinë se si e keni ndier Shpirtin në të kaluarën, në mënyrë që ta dalloni atë më mirë në të ardhmen. Në atë mënyrë, ju mund të filloni ta dalloni Shpirtin më qartë.

Vazhdoni ta Provoni!

duke lexuar shkrimet e shenjta

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, mos hiqni dorë. Edhe sikur ta keni dhuntinë e gjuhëve, ka shumë të ngjarë që nuk do ta mësoni një gjuhë të huaj në mënyrë të përsosur brenda natës. Ndërsa vazhdoni të ushtroheni dhe të punoni fort, ajo do të vijë, por ju duhet të keni besim dhe të vazhdoni të këmbëngulni.

Të mësoni të merrni zbulesë dhe të jeni më në harmoni me Shpirtin është në të vërtetë një përpjekje që zgjat gjithë jetën. Jam e sigurt që nëse i pyetni prindërit ose udhëheqësit tuaj të Kishës, ata do t’ju thoshin se ende po punojnë me këtë. Ndaj, mos u shkurajoni nëse mendoni sikur po ju kërkon ca kohë – nuk jeni vetëm ju! Të gjithëve na nevojitet kohë për mësuar një gjuhë të re. Ndaj jini të duruar, vazhdoni të përpiqeni dhe Zoti do të jetë atje për t’ju ndihmuar që të mësoni gjuhën e Shpirtit.