2023
Paqe për të Përballuar Stuhitë e Jetës
Mars 2023


“Paqe për të Përballuar Stuhitë e Jetës”, Për Forcën e Rinisë, mars 2023.

Paqe për të Përballuar Stuhitë e Jetës

Zoti Jezu Krisht ju thotë gjatë stuhive të jetës suaj: “Pusho[ni] dhe fashitu[ni]” [ose si te himni: “Paq[e], qet[ë]si”].

Pamja
Diter F. Uhtdorf

Plaku Uhtdorf me të rinj e të reja në lajmërimin për programin UBJ-Pathway Mbarëbotëror më 7 shkurt 2017.

Pasi kishte dhënë mësim gjithë ditën pranë bregut të detit, Zoti Jezu Krisht u sugjeroi dishepujve të Tij që të kalonin në anën tjetër të detit të Galilesë. Pasi u nisën, Jezusi gjeti një vend ku të pushonte në barkë dhe e zuri gjumi.

Shpejt qielli u errësua dhe “ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej” (shih te Marku 4:37).

Disa nga dishepujt e Jezusit ishin peshkatarë me përvojë dhe dinin se si të lundronin me barkë. Por stuhia u ashpërsua dhe ata filloi t’i zinte paniku. Barka dukej gati për t’u fundosur.

Mes gjithë këtyre ndodhive, Jezusi vazhdonte ende të flinte.

Ne nuk e dimë se për sa kohë u munduan dishepujt në stuhi, por në fund nuk mundën të prisnin më gjatë. Ata e zgjuan Jezusin dhe i thirrën: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” (Marku 4:38.)

Pamja
barkë në det

Ilustrimet nga Adam Howling

Stuhitë e Jetës

Të gjithë ne përballemi me stuhi të papritura në jetë. Ti mund të shohësh problemet në mbarë botën ose rrethanat e tua vetjake dhe të ndihesh i shqetësuar, i shkurajuar dhe i zhgënjyer. Zemra jote mund të jetë e thyer për vetveten ose dikë që e do. Mund të jesh i shqetësuar ose i frikësuar dhe të ndiesh se shpresa të ka braktisur përgjithmonë.

Në këto kohë, ti mund të thërrasësh fort si dishepujt e Jezusit: “Mësues, a nuk merakosesh që unë po marr fund?”

Kur isha në moshën tënde, njëri nga himnet e mia të parapëlqyera ishte: “M’sues, Furtuna po Shtohet”1. Unë mund ta përfytyroja veten në barkë kur “valët lart ja po ngrihe[shin]!” Pjesa më thelbësore dhe më e bukur e himnit vijon: “Era dhe valët do të binden Ty: Paq[e], qet[ë]si”. Pastaj vjen mesazhi i rëndësishëm: “S’ka uj’ të gëlltis’ anijen ku rri Zoti i detit, tokës dhe qiellit”.

Pasi dishepujt e Tij i thirrën për ndihmë, Jezusi “u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe” (Marku 4:39).

Nëse do ta mirëpresësh Jezu Krishtin, “Princi[n e] paqes” (Isaia 9:6), në barkën tënde, ti mund të gjesh paqe në mes të stuhive të trazuara dhe tmerruese që shtillen brenda teje dhe përreth teje.

Të njëjtat fjalë që Jezusi ia tha detit të Galilesë atë natë të stuhishme shumë kohë më parë, Ai t’i thotë ty gjatë stuhive në jetën tënde: “Pusho dhe fashitu” [ose si te himni: “Paq[e], qet[ë]si”].

Pamja
barka në stuhi dhe në paqe

Mbështetu te Fuqia e Tij Qetësuese

A mund ta përfytyrosh se si mund të jenë ndier dishepujt kur panë erën, shiun dhe detin që t’i bindeshin urdhrit të Mësuesit? Gjithçka që mundën të thoshin, ishte: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?” (Marku 4:41.)

Jezu Krishti është ndryshe nga kushdo që ka ecur ndonjëherë në këtë tokë. Ai erdhi për të na shpëtuar. Në kopshtin e Gjetsemanit, Ai pagoi çmimin për të gjitha mëkatet tona. Ai duroi gjithashtu të gjitha dhembjet dhe pikëllimet tona. Kjo vuajtje e madhe dhe e pafundme bëri që Atij t’i dilte gjak nga çdo pore e trupit (shih te Lluka 22:44; Doktrina e Besëlidhje 19:18).

Ajo që Zoti bëri nga dashuria e përkryer, shkon përtej aftësisë sime për ta kuptuar. Por unë e di se Ai e bëri këtë për mua, për ty dhe për çdo shpirt njeriu që ka jetuar ose do të jetojë ndonjëherë. Ai i dha të gjitha që ne të mund t’i marrim të gjitha.

Askush nuk do ta përjetojë ndonjëherë atë që vuajti Jezusi, por ti dhe unë do të kemi stuhitë tona të errëta dhe të hidhura me të cilat do të përballemi. Nëse do ta drejtosh zemrën nga Zoti, Ai do t’i qetësojë stuhitë e tua, sepse Ai i ka përjetuar të gjitha ato. Ai vuajti me kaq vetëmohim për ty dhe ka forcën për të të forcuar, dhënë zemër dhe bekuar.

Ai premton: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Mënyrat për të Pasur Paqe

Zoti Jezu Krisht të ka dhënë mënyra për ta ndier paqen e Tij. Ai tha: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” (Doktrina e Besëlidhje 19:23).

Mëso nga Ai duke e studiuar jetën dhe mësimet e Tij në shkrimet e shenjta. Lartësoje shpirtin me lutje. “Qëndro në vende të shenjta”, përfshirë tempullin (Doktrina e Besëlidhje 87:8; shih edhe 45:32).

Dëgjoji fjalët e Tij nga profetët e gjallë. Ndiqe udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Përdore dhuratën hyjnore të pendimit. Eja në Kishën e Tij për t’u shoqëruar, për të mësuar dhe për t’u ushqyer me fjalën e mirë të Perëndisë.

Ec në butësinë e Shpirtit të Tij duke e bërë shtëpinë tënde një vend ku mund të ndihet Shpirti i Tij. Ndihmoji të tjerët dhe shërbeji me gëzim Atij. Mbaj mend: “Kur të drejtën bën ke paqe”2. Përpiqu të qëndrosh besnik dhe të jesh “pasues paqësor[ i] Krishtit” (Moroni 7:3).

Nëse do të mësosh, dëgjosh dhe ecësh me Zotin, atëherë vjen premtimi i Tij i madh: Ti do të kesh paqen e Tij.

Besimi për të Qenë i/e Qetë

Me besimin te Zoti Jezu Krisht, ti mund të jesh i/e “qet[ë]” kur stuhitë e jetës vijnë tek ty. Paqja mund të mos jetë aq e menjëhershme sa ishte për dishepujt në detin e Galilesë, por Zoti do të të forcojë që t’i kalosh stuhitë me të cilat përballesh.

Miku/ja im/e i/e dashur, unë dëshmoj se Jezu Krishti jeton.

Ai të do.

Ai të njeh.

Ai të kupton.

Ai nuk do të të lërë pa ngushëllim në kohën tënde të nevojës.

Paqja e vërtetë vjen vetëm në dhe nëpërmjet Tij. Paqja e Tij është për të gjithë njerëzit që drejtohen tek Ai.

Shënime

  1. “M’sues, Furtuna po Shtohet”, Himne, nr. 55.

  2. “T’Drejtën Zgjidh”, Himne, nr. 150.

Shtyp në Letër