2023
Mënyra se si i Trajtoi Gratë Shpëtimtari
Mars 2023


“Mënyra se si i Trajtoi Gratë Shpëtimtari”, Për Forcën e Rinisë, mars 2023.

Mënyra se si i Trajtoi Gratë Shpëtimtari

Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit për të treguar dashamirësi dhe respekt ndaj grave në jetën tonë.

Pamja
Jezu Krishti dhe Maria Magdalena

Ilustrimet nga Rose Datoc Dall

Te Dhiata e Re, Jezu Krishti shpesh dha mësim gjëra të papritura. (Si në rastin: A supozohet që t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë?1)

Disa nga këto mësime binin ndesh me kulturën e kohës. Por Shpëtimtari nuk po përpiqej që të përshtatej me kohën. Ai po përpiqej të jepte mësim një ligj më të lartë dhe të na tregonte se si ta trajtojmë njëri‑tjetrin. Ai po vendoste një shembull të dashurisë që nuk ishte i kufizuar për një moshë, gjini ose kombësi të caktuar.

Në kohën e Jezusit, gratë trajtoheshin në përgjithësi si me rëndësi më të ulët. Dhe në disa kultura sot, gratë nuk trajtohen zakonisht me respekt. Ndoshta ti jeton në një vend të tillë. Nëse po, ti mund të japësh një shembull si të Krishtit për komunitetin tënd duke qenë dashamirës dhe i respektueshëm ndaj cilitdo – përfshirë vajzat dhe gratë në jetën tënde.

Pamja
gratë në kohën e Krishtit

Jezusi u Kujdes për Nënën e Tij

Mrekullia e parë në publik e Jezu Krishtit ishte kur ndihmoi nënën e Tij. Ajo ishte përgjegjëse për të ndihmuar për ushqyerjen e njerëzve në një dasmë. Kur mbaruan pijet, Jezusi e shndërroi ujin në verë që të kishte mjaftueshëm për të ftuarit.

Fjalët që përdori Jezusi për t’iu përgjigjur nënës së Tij në atë bashkëbisedim, mund të tingëllojnë të ashpra për veshët tanë në ditët e sotme: “Ç’ke me mua, o grua?” (Gjoni 2:4.) Por Jozef Smithi e qartësoi se Jezusi po e pyeste nënën e Tij se çfarë i nevojitej: “Grua, ç’dëshiron që unë të bëj për ty?”2 Dhe t’i thoje dikujt “grua” në atë kohë ishte një titull respekti. Në thelb, Ai po thoshte: “Zonja ime, çfarëdo që të më kërkosh me besim, do të ta jap”3.

Të shkojmë rreth tre vjet më pas. Pak përpara se Ai të vdiste në kryq, njëra nga gjërat e fundit që bëri Jezusi, ishte të sigurohej se dikush do të kujdesej për nënën e Tij.

Ai “i tha nënës së tij: ‘O grua, ja biri yt!’ Pastaj i tha dishepullit: ‘Ja nëna jote!’ Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet” (Gjoni 19:26–27).

Jezusi i Trajtoi me Respekt Gratë e Përjashtuara nga Shoqëria

Ne kemi të paktën dy shembuj të Shpëtimtarit që i trajton me respekt gratë të cilat ishin shpërfillur nga shoqëria.

Në kohën e Shpëtimtarit, shumica e judenjve i përçmonin samaritanët. Por kur Jezu Krishti takoi një grua samaritane te pusi, Ai e trajtoi atë me dhembshuri dhe respekt. Për më tepër, ndodhi ndërkohë që po bisedonte me të që Ai e zbuloi Veten si Shpëtimtari i premtuar!4 (Shih te Gjoni 4.)

Në një situatë tjetër, një grua u kap duke bërë një mëkat të rëndë. Sipas ligjit judeas, ajo duhej të vritej me gurë. Kur udhëheqësit e çuan këtë grua te Shpëtimtari, Ai u bëri atyre një pyetje që i bëri të ndalonin dhe mendonin. Ata nuk e vranë me gurë. Pastaj Shpëtimtari e ftoi të pendohej, duke thënë: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11).

Jezusi iu Shfaq Grave pas Ringjalljes së Tij

Pasi Jezusi u ringjall, Ai vizitoi së pari Maria Magdalenën, e cila po vajtonte te varri i Tij (shih te Gjoni 20:11–18). Gra të tjera, Joana, si dhe Maria, nëna e Jakobit, ishin ndër të parat që e morën vesh për Zotin e ringjallur. Engjëjt i ftuan që ato të jepnin dëshmi për atë që kishin parë. (Shih te Lluka 24:1–10.)

Pamja
gratë në kohën e Krishtit

Ne Mund ta Ndjekim Shembullin e Tij

Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur shembullin e respektit që kishte Shpëtimtari për gratë?

Profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka shumë përvojë në këtë fushë. Ai rriti nëntë bija dhe një bir me bashkëshorten e tij Denzelin. Pasi ajo vdiq, u martua me Uendi Nelsonin.

“Ne i respektojmë motrat, jo vetëm në familjet tona nga gjaku, por të gjitha motrat e mrekullueshme në jetën tonë”, – dha mësim ai.5

Le ta bëjmë këtë muaj, një muaj të guximshëm, të dashurisë dhe dashamirësisë si të Krishtit ndaj grave në jetën tonë. Ti je mjaftueshëm i fuqishëm sa ta ndryshosh botën, marrëdhënie pas marrëdhënieje!

Shënime

  1. Shih te Mateu 5:43–44.

  2. Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 2:4 [në variantin anglisht].

  3. Robert dhe Marie Lund, “The Savior’s Respect for Women”, Ensign, mars 2015, f. 51.

  4. Shih M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Ensign, prill 2002, f. 66.

  5. Russell M. Nelson, “Our Sacred Duty to Honor Women”, konferenca e përgjithshme e prillit 1999 (Ensign, maj 1999, f. 39).

Shtyp në Letër