2023
Jezu Krishti: Paqe mes Stuhive
Mars 2023


“Jezu Krishti: Paqe mes Stuhive”, Për Forcën e Rinisë, mars 2023.

Eja, Më Ndiq

Marku 4

Jezu Krishti: Paqe mes Stuhive

Ka ditë që mund të ndihesh sikur je hedhur tej nga stuhitë e jetës. Por Jezu Krishti ka fuqinë të të sjellë paqen që nuk do ta gjesh askund tjetër.

Pamja
Jezu Krishti duke urdhëruar detin që të qetësohet

Peace, Be Still [Pusho dhe Fashitu], nga Yong Sung Kim

Nga gjysma e vitit tim të fundit të gjimnazit, pata një surprizë të madhe. Prindërit e mi u thirrën të kryesonin në Misionin e Uruguait, Montevideo, që do të thoshte se ata do të shpërnguleshin në anën tjetër të botës me katër vëllezërit e motrat e mia më të vogla. Isha ndërkohë e stresuar për diplomimin nga shkolla e mesme, por tani do të frekuentoja universitetin krejt e vetme, me familjen time në një kontinent tjetër. Më kishte zënë tmerri.

Kalimi im nga shkolla e mesme për në universitet ishte tejet i vështirë për mua. Ndonëse isha e rrethuar nga shoqe dhome të mira dhe mijëra studentë, nuk isha ndier kurrë më e vetmuar se aq. Trysnia e shkollës ishte tepër e madhe. Nuk e dija se çfarë doja të studioja dhe lëndët m’u dukën sfidë më vete. Po kaloja edhe një vështirësi prej një marrëdhënieje manipuluese nga ana emocionale, gjë që ndikoi rëndë në shëndetin tim mendor. Frika për të ardhmen time më rëndoi emocionalisht.

Shpejt ndjenjat e mia nga depresioni, frika dhe vetmia e bënë të vështirë që jetoja normalisht. Madje edhe rutina e zakonshme më dukej e pamundur. Një mëngjes, po i kërkoja Atit Qiellor të më jepte forcë ta përballoja ditën. “Nuk vazhdoj dot kështu e vetme”, – u luta. Në një çast të rrallë qartësie mendore dhe emocionale, më erdhën në mendje fjalët: “Nuk ke përse”. Paqja më pushtoi mendjen. Stuhia në mendjen time u qetësua.

Muajt (dhe vitet) në vijim nuk ishin të lehta. Ndjenjat e mia të depresionit dhe vetmisë nuk u zhdukën menjëherë. Por për herë të parë, e kuptova vetë personalisht se çfarë do të thoshte të kesh një Shpëtimtar. E dija se Ai i kuptonte sfidat dhe dhembjen time. E dija se Ai ishte i vetmi që mund të më ndihmonte dhe e bëri.

Pas shumë vitesh, unë jam një misionare e kthyer, një e diplomuar nga universiteti dhe me një martesë të lumtur. Dhe e di se nuk do të kisha arritur asnjë nga këto synime nëse nuk do të kisha mirëbesuar te Zoti.

Pamja
e re

Fotografia nga Getty Images

Pusho dhe Fashitu

Jezusi ishte në gjumë në barkë me Apostujt e Tij kur erdhi një stuhi e madhe. Apostujt e zgjuan Jezusin, duke thënë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” (Marku 4:38.) Pikërisht atëherë kur ata menduan se do të vdisnin në stuhinë e furishme, Zoti u zgjua dhe “e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe” (Marku 4:39).

Sa herë në jetën tënde e ke pyetur veten: “A nuk merakosesh që unë po marr fund?” Nganjëherë, kur po kalon sfida të vështira, mund të jetë e lehtë të ndihesh i vetmuar dhe i braktisur. Mund ta pyesësh veten se përse Zoti nuk po i qetëson stuhitë e tua. Mund të duket sikur jeta jote nuk do ta arrijë kurrë atë “qetësi [të] madhe” për të cilën flitet në vargun 39.

Sidoqoftë, një pjesë e rëndësishme e kësaj historie është parimi që Shpëtimtari dha mësim më pas. Ai tha: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?” (Marku 4:40.) Në çastet e tyre të frikës dhe dëshpërimit, Apostujt e kishin harruar se me cilin ishin. Biri i Perëndisë, i cili kishte krijuar vetë tokën, po flinte në barkën e tyre. Përse duhet të kishin frikë ata?

Në mënyrë të ngjashme, Shpëtimtari ka fuqinë ta qetësojë çfarëdolloj stuhie në jetën tënde. Ai mund ta shërojë dhembjen tënde, t’i lehtësojë barrët e tua dhe të të japë dritë kur je në errësirë. Pjesa jote në këtë proces është të ushtrosh besim përherë e më të madh te Jezu Krishti.

Gjetja e Forcës nga Zoti

Të jetuarit me besim që shtohet mund të sjellë më shumë fuqi të Krishtit në jetën tënde. Kur Raxafimalaxa nga Madagaskari po përfundonte një vit të vështirë shkollor, i vdiq halla. Ai ishte i dërrmuar shpirtërisht. Ishte bërë thuajse e pamundur të përqendrohej gjatë shkollës. Ai po përgatitej që të bënte provimet e fundit të vitit. Ai u lut: “Të lutem ma hiq trishtimin dhe më jep forcë për të marrë pjesë nesër në provim”. Pasi u lut, Raxafimalaxa ndjeu se mori forcë. “Ndjeva sikur e harrova trishtimin”, – tha ai. “Perëndia më jep forcë që të bëj çdo gjë.”

Pamja
i ri

Është e rëndësishme të kujtosh se nganjëherë Zoti i qetëson stuhitë në jetën tënde dhe nganjëherë Ai të qetëson dhe ngushëllon ndërkohë që stuhia rreh furishëm. Kur ke besim tek Ai, ti gjithashtu mirëbeson te vullneti dhe koha e Tij. Ti beson se Ai do të të ndihmojë, pavarësisht se kur të vjen në të vërtetë paqja dhe qetësia.

Mirëbesimi te Koha e Tij

Një e re, e quajtur En, i njeh ndjenjat e frikës. “Unë përballem me ankthin e rëndë dhe simptomat e lehta të ADHD‑së”, – thotë ajo. “Nganjëherë kjo më bën të keqkuptohem nga të tjerët dhe është e vështirë të mbaj një këndvështrim të përjetshëm. Kohët e fundit lexova te Zanafilla rreth Sarës, e cila duhej të priste për dekada përpara se të bëhej me fëmijë. Kuptova se edhe mua mund të më duhej të prisja një kohë të gjatë për t’u shëruar. E di se Krishti nuk do të më braktisë kur kaloj gjendje ankthi. Ai është pranë për të më ndihmuar që ta kaloj atë.”

Pamja
e re

Zgjedhja për të mirëbesuar te Zoti nuk do të thotë se duhet t’i shpërfillësh sfidat e thella në jetën tënde. Megjithatë, do të thotë që duhet “të përqendrohe[sh] te madhështia e pafund, mirësia dhe pushteti i pakufizuar i Perëndisë t[ënd], duke i mirëbesuar Atij … me një zemër të gëzuar”1. Kur je i vetmuar, i trishtuar, në ankth ose duke pritur për bekimet e premtuara, kujto këtë pyetje: A po pret një “qetësi [të] madhe” me një zemër të frikësuar apo me zemër besnike?

Shtyp në Letër