2023
Të Bëhesh një Kampion i Vërtetë
Mars 2023


“Të Bëhesh një Kampion i Vërtetë”, Për Forcën e Rinisë, mars 2023.

Të Bëhesh një Kampion i Vërtetë

Felipeja është një nga më të mirët në botë për artet e luftimit, të tilla si karateja, xhudoja dhe MMA‑ja [artet e luftimit të përziera]. Por shërbimi në një mision është përparësia e tij numër një.

Pamja
i ri duke ushtruar arte të luftimit

Fotografitë nga Shirley Brito

Felipe F. nga Pará e Brazilit, nuk është një 18‑vjeçar si moshatarët e tjerë. Ai ka konkurruar në artet e luftimit të përziera (MMA) në kategorinë e profesionistëve, në ndeshjet e xhudos dhe karatesë. Dhe ai është shumë i mirë në atë që bën. Ai fitoi ndeshjen ndërkombëtare të MMA‑së “Njeriu i Hekurt”. Ai është 2 herë kampion i shtetit të Parás, nënkampion brazilian dhe nënkampion ndërkombëtar për xhudon. Ai është 10 herë kampion i shtetit të Parás, 10 herë kampion i Brazilit, kampion i Amerikës së Jugut, kampion i Pan‑Amerikës dhe 3 herë kampion për karatenë. Ua!

Pamja
i ri me çmimet

Arsyeja e Suksesit të Tij

Felipeja është trajnuar që kur ishte shtatë vjeç. Por ai beson se arsyeja më madhore për suksesin e tij është Perëndia. “Unë lutem gjithmonë për ndihmën e Zotit”, – thotë ai.

Gjatë kampionatit të tij të fundit pan-amerikan për karatenë, Felipeja nuk kishte shumë vetëbesim. Por më pas babai i dha një bekim priftërie. “Pas asaj u ndjeva më mirë mendërisht dhe ajo më ndihmoi ta fitoja kampionatin atë ditë. Dy ndeshjet e fundit i fitova, më mbeti vetëm një e dytë. Të gjithë mendonin se ishte e pamundur. Unë bëra një lëvizje të papritur që më ndihmoi të fitoja dhe për mua, e gjitha ishte për shkak të bekimit të babait tim.”

Pamja
i ri duke kërcyer lart dhe shkelmuar në arte të luftimit

I ati i ka dhënë atij shumë bekime përgjatë viteve. Felipeja e di se marrja e një bekimi nuk do të thotë gjithnjë se do të fitojë, por ai beson se Zoti mund ta ndihmojë atë që jetë i përqendruar dhe t’i përmirësojë talentet e tij. “Kjo më ndihmon të kem më shumë vetëbesim”, – thotë Felipeja. “Këtë gjë e di pavarësisht nga rezultati, dora e Zotit ishte atje.”

Pjesa tjetër e familjes ka qenë një mbështetje e madhe gjithashtu. Në një ndeshje të MMA‑së, Felipeja pa familjen e tij në shkallët e stadiumit. “Të gjithë ata ishin duke brohoritur emrin tim. Mbeta pa fjalë.” Ai shton: “Jam tejet mirënjohës për babanë dhe nënën time që më treguan shtegun e duhur”.

Pamja
familje duke ecur në mjedis të hapur

Felipeja ndien se ndjekja e atij shtegu e ka ndihmuar atë në sportin e tij. Miqtë e tij qeshin shpesh me të kur ai nuk bën gjërat që bëjnë ata. Por Felipes nuk i vjen keq. “Ashtu siç ungjilli sjell bekime, edhe sportet sjellin arritje! Mosshkuarja në festa me miqtë e mi dhe ngrënia e gjërave të duhura, që të dyja këto ndikojnë në rezultat.”

Pamja
familje gjatë një vakti

Vendimi për të Shërbyer në një Mision

Tani që Felipeja është 18 vjeç, ka një sërë mundësish. Ai u ftua së fundi të ofronte trjanim në një akademi të nivelit të lartë të MMA‑së dhe ai merr oferta nga administratorë në mbarë botën. Por së pari ai dëshiron që të shërbejë në një mision.

“Për mua, është një zgjedhje e lehtë”, – thotë ai. “Zoti është në vend të parë. Pjesa tjetër mund të presë, sepse Ai gjithmonë të bekon kur je i bindur.”

Vëllai më i madh i Felipes, Xhuniori, i cili nuk kishte shumë që ishte kthyer nga misioni, ishte pjesë e motivimit të tij. Ai i tha Felipes se nuk ka asgjë më të mirë sesa të shërbesh në një mision dhe se ai duhet të shkojë edhe nëse njerëzit përpiqen ta bindin që të mos shkojë.

Dhe ka pasur njerëz që i kanë thënë Felipes të rrinte. Shumë njerëz në rrethin e tij të gjerë familjar nuk janë anëtarë të Kishës. “Ata nuk e kuptojnë se shërbimi në një mision ka më shumë vlera se të bëhesh i pasur dhe me famë. Unë thjesht përpiqem ta jap mësim ungjillin kur ndodhem në këto çaste”, – thotë Felipeja. Dhe një nga ato çaste çoi në një përvojë të fuqishme misionare.

Kushëriri i Felipes kishte ndërruar jetë së fundi dhe daja i Felipes po mbante zi për vdekjen e të birit. Felipeja i tregoi dajës për planin e shpëtimit. Më pas daja e përqafoi dhe i kërkoi falje që i kishte thënë të mos shkonte në një mision. “Ai më tha se kisha dhuratën të prekja zemrën e njerëzve dhe se më duhej të shërbeja”, – kujton Felipeja. “Ishte çast i veçantë për mua kur dikush që nuk ia kishte idenë se për çfarë është një mision, të kuptonte qëllimin e tij të vërtetë.”

Ka pasur raste kur Felipeja nuk ishte i sigurt vetë për një mision. “Unë i lexoj shkrimet e shenjta çdo ditë dhe një natë kisha shumë dyshime për zgjedhjen time. Fillova të mendoja: ‘A të rri dhe të konkurroj pak më gjatë?’ Por pastaj lexova Librin e Mormonit për nefitët që filluan të bëheshin mosmirënjohës dhe krenarë. Jakobi u tha atyre se u nevojitej që ta vendosnin Zotin të parin. [Shih te Jakobi [LiM] 2:12–21.] Në atë çast unë nuk kisha asnjë dyshim për zgjedhjen time.”

Pamja
i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

“Sot e di se çfarë dua dhe e di se do të kthehem nga misioni im dhe të bekohem në njëfarë mënyre. Mund të vazhdoj sërish me MMA‑në ose diçka tjetër, por unë e di se Perëndia na jep atë që kemi nevojë.”

Fuqia e Kthimit të Përditshëm në Besim

Felipeja nuk ndihej gjithnjë aq i emocionuar dhe me vetëbesim për një mision – ose Kishën. “Kam pasur një rast në jetën time kur nuk kam qenë aq i fortë në ungjill dhe gjithnjë më dukej sikur diçka mungonte”, – thotë ai. “E njihni atë person që thjesht shkon në Kishë dhe nuk bën asgjë tjetër? Ky isha unë.” Pasi bisedoi me vëllanë e tij dhe peshkopin për të shërbyer në një mision, ai vendosi që të lutej dhe të lexonte çdo ditë shkrimet e tij të shenjta.

“Unë mendoj se ajo që më ndihmoi, ishte kthimi i përditshëm në besim. Unë u rrita në Kishë dhe për një kohë nuk kërkoja kthim në besim ngaqë isha rritur në një shtëpi me një besim fetar dhe mendoja se kjo ishte më se e mjaftueshme. Por tani po kërkoj çdo ditë për një dëshmi.”

Pamja
i ri me trajnerin e arteve të luftimit

Një Kampion për Shkak të Zotit

Felipeja e di se të zgjedhësh të drejtën nuk do të thotë se ai do të fitojë gjithnjë ose që gjërat do të shkojnë siç do ai. “Më kujtohet që shkova në një ndeshje duke menduar se isha i përgatitur dhe humba në raundin e parë. Një herë tjetër isha në shtëpi i dëmtuar. Më kujtohet që u zgjova herët, duke parë tavanin, duke vrarë mendjen a ia vlente e gjitha kjo. Nganjëherë thjesht doja të kthehesha nga ana tjetër dhe të flija por ngrihesha dhe shkoja në trajnim. Të jesh një kampion shkon përtej çastit të fitores. Është dikush që mposht [vështirësitë] çdo ditë, mposht çdo dështim, mposht çdo sprovë.”

Shpëtimtari është motivimi i Felipes për të mposhtur [vështirësitë] në të gjitha aspektet e jetës. “Nëse duam të bëhemi ashtu siç është Ai, ne kemi nevojë të bëjmë atë që bën Ai, duke u përpjekur gjithmonë të qëndrojmë të palëkundur, ta forcojmë veten dhe të mendojmë se çfarë do të bënte Ai. Kjo më frymëzon në veprimet e mia çdo ditë, që të jem si Ai. Kur shoh diçka që mund ta ndryshoj, lutem dhe kërkoj falje, duke u përpjekur që të jem më i mirë gjithmonë. Një kampion i vërtetë është ai person që bie shumë herë dhe madje në mes të shqetësimeve ngrihet dhe vazhdon përpara.”

“Unë jam një kampion për shkak të Zotit”, – thotë Felipeja. “Po të mos ishte për Të, as që e kam idenë se ku do të isha. Por jam i sigurt se nuk do të kisha gjithçka që kam sot. Të jetuarit e ungjillit më ka bërë një kampion në jetë dhe në sporte.”

Shtyp në Letër