2023
Parime të Përgjithshme, Zgjedhje Specifike
Mars 2023


“Parime të Përgjithshme, Zgjedhje Specifike”, Për Forcën e Rinisë, mars 2023.

Parime të Përgjithshme, Zgjedhje Specifike

Si i zbaton parimet e përgjithshme në situatat specifike të jetës tënde?

Pamja
e re nën një xham zmadhues

Ilustrimi nga Josh Talbot

Këtu janë tri citime nga tre profetë të ndryshëm. Shih nëse mund të pikasësh një temë të ngjashme:

“O, jini të urtë; çfarë mund të them më?”

“Unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat.”

“Unë u mësoj atyre parime të drejta dhe ata qeverisin veten.”

Duket sikur profetët na japin parimet e ungjillit të Zotit dhe më pas na e lënë neve në dorë për t’i jetuar ato. Ata nuk na i japin gjërat deri në hollësinë më të vogël. Pra, si t’i marrim mësimet e tyre dhe t’i vëmë në zbatim?

Si i Vë në Zbatim Mësimet e Profetëve?

Profetët na japin urdhërime nga Zoti. Ata na mësojnë gjithashtu parime dhe orientime që na ndihmojnë t’i vëmë në zbatim të vërtetat e përjetshme dhe urdhërimet – për shembull, si tek udhëzuesi Për Forcën e Rinisë.

Por anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndonjëherë vrasin mendjen për hollësitë – gjërat specifike që ne duhet të bëjmë për t’i jetuar më mirë parimet e ungjillit dhe urdhërimet. Për shembull, njerëzit mund të vrasin mendjen se çfarë lloj veshjeje saktësisht tregon respektin e duhur për trupat e tyre. Ose mund të vrasin mendjen se çfarë duhet të bëjnë saktësisht në ditën e Shabatit për ta mbajtur atë të shenjtë.

Parimet e përgjithshme mund të gjejnë zbatim në mënyra specifike të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, por ne mund të kërkojmë udhëzimin e Zotit kur i qasemi zgjedhjeve tona individuale që të mund t’i afrohemi më shumë Perëndisë.

Një Model i Dobishëm

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi njëherë se si u qasej ai zgjedhjeve për mbajtjen e ditës së Shabatit të shenjtë:

“Mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta” (konferenca e përgjithshme e prillit 2015 [Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 130]).

Mënyra se si Presidenti Nelson iu qas kësaj pyetjeje specifike, mund të na tregojë një model të përgjithshëm për bërjen e zgjedhjeve në lidhje me urdhërimet dhe orientimet. Ja tek është një mënyrë se si mund ta shprehësh atë:

Ti mund ta ndjekësh këtë model me cilindo urdhërim ose orientim – Fjalën e Urtësisë, mediat dhe argëtimin, muzikën, pastërtinë seksuale, madje edhe të dhjetën. Kërkon pak punë, por ia vlen.

Teksa i studion këto gjëra, ti mund të lexosh se çfarë thonë shkrimet e shenjta dhe profetët bashkëkohorë për to, përsiat dhe lutiu Atit Qiellor. Fryma e Shenjtë pastaj mund të të ndihmojë dhe frymëzojë që të bësh zgjedhje të mira.

Po për Zgjedhjet e të Tjerëve?

Vërej se Presidenti Nelson nuk na tha se çfarë zgjedhjesh specifike bëri ai në ditën e Shabatit. Ai na tregoi se si mund t’i bëjmë vetë zgjedhjet tona. Ti mund të bësh shumë nga ato zgjedhje që bëri ai. Por qëllimi kryesor është të përpiqemi që t’i afrohemi më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet zgjedhjeve tona.

Nëse vë re dikë tjetër në Kishë që nuk i bën gjërat tamam si ti, nuk ke përse shqetësohesh për t’i korrigjuar. Siç tha njëherë Reina I. Aburto, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës: “Le ta ndjekim shtegun e Shpëtimtarit dhe ta rritim dhembshurinë tonë, ta zvogëlojmë prirjen për të gjykuar dhe të ndalojmë së qeni inspektorë të shpirtshmërisë së të tjerëve” (konferenca e përgjithshme e tetorit 2019 [Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 58]).

Ti mund t’i përqafosh parimet e drejta të dhëna mësim nga profetët. Mund t’i drejtosh të tjerët te Shpëtimtari, dashuria e Tij, dhembshuria e Tij dhe urdhërimet e Tij. Mund të lexosh udhëzuesin Për Forcën e Rinisë. Mund të përpiqesh të jetosh një jetë besnike si dishepull/e i/e Jezu Krishtit, të jesh një shembull i mirë dhe të tregosh përvojat e tua shpirtërore.

Nëse përqendrohesh te dashuria për Perëndinë dhe dashuria për të tjerët, ti do të udhërrëfehesh që të bësh zgjedhje të cilat do të të ndihmojnë ta bësh veten dhe të tjerët të lumtur.

Shtyp në Letër