Për Forcën e Rinisë
T’i Durojmë të Gjitha Gjërat
Korrik 2024


“T’i Durojmë të Gjitha Gjërat”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.

T’i Durojmë të Gjitha Gjërat

Fatkeqësia është pjesë e planit të Atit Qiellor. Por, çfarë bën ti kur fatkeqësia shfaqet krejt papritur?

burrë duke vrapuar përmes pyllit

Ilustrimet nga Paulina Wyrt

Atë mëngjes fatal, më shumë se një herë, qeshë i sigurt se do të vdisja. Të parit e gjithë atij gjaku, gjakut tim, që zhytej në thellësi të shtegut dhe të ndierit e egërsisë së ariut të murrmë tek më sulmonte me tërbim nga çdo anë me dhëmbët dhe kthetrat e tij, të gjitha së bashku më lanë me një ndjenjë tmerri dhe të pashpresë.

Një Mëngjes i Përkryer

Çfarë kontrasti dramatik veç dy orë përpara [ngjarjes]! Isha nisur gjithë gëzim për vrap në një shteg të shkretë, në njërën nga ditët më të bukura që kisha parë atë verë në vendin malor të Uajomingut perëndimor, në SHBA. Qielli kishte marrë një nuancë bluje të kobaltë [të shndritshme], lulet e egra mbulonin faqet kodrinore dhe ajri i mëngjesit ishte i freskët, por i këndshëm. Ishte një ditë e përkryer për të bërë një vrapim prej 24 kilometrash (15‑miljesh) në male.

Ky ishte një vrapim klasik stërvitor. Po përpiqesha të shtoja forcën dhe rezistencën time për një maratonë që do të zhvillohej vetëm dy muaj më pas. Vrapuesit e rritin forcën duke bërë vrapime të përsëritura në distanca të shkurtra. Kjo të ngre rezistencën, e cila si rezultat forcon aftësinë ripërtëritëse.

Por nuk e mendoja kurrë se shpejt do të më duhej çdo grimë aftësie ripërtëritëse dhe fuqie që kisha, ngaqë do të isha në garë për jetën time.

Një Sulm i Papritur

Kur kthej kokën pas, duhej t’i kisha parë shenjat. Fundja, Zoti na thotë se Ai do të “[na i] kumtojë gjërat që do vijnë” nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë (Gjoni 16:13). Siç dha mësim Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë duke ju paralajmëruar qysh më përpara për rreziqet fizike dhe shpirtërore”. Dhe Ai e bëri këtë.

Vetëm pak minuta pasi kisha nisur vrapin, vështrova poshtë dhe vura re diçka. Zemra më doli vendit kur pashë përvijimin e pagabueshëm të gjurmëve të një ariu në shtegun me baltë përpara meje. Ishte një paralajmërim i qartë. Marrëzisht, arsyetova se një ari kishte kaluar vërtet në këtë anë, por tanimë do të isha i sigurt. S’kisha arsye për t’u shqetësuar, apo jo? Kështu që vijova vrapimin.

Më pak se një orë më vonë, arrita në majën e një kodre të vogël dhe mora të tatëpjetën drejt një lirishte të dendur me pemë. Mbasi mora një kthesë në fund të kodrës, dëgjova një tingull kërcëllitës aq të fortë, aq të ashpër, saqë m’i ngriti qimet e trupit përpjetë. Ndalova menjëherë dhe me ngadalë vështrova në anën time të majtë. Më pas ngriva i tmerruar. Tingulli, që e kuptova menjëherë që ishte thyerje degësh, po vinte me një shpejtësi të madhe. Pastaj, pashë një pamje që nuk do ta harroj kurrë – një ari i murrmë i rritur plotësisht duke u turrur sakaq drejt meje!

ari duke sulmuar

Sulmi i llahtarshëm që erdhi më pas duhej të ma kishte marrë jetën. Ky me siguri ishte një ari shumë i acaruar, të cilin e kisha befasuar teksa vrapoja teposhtë me kulmin e shpejtësisë drejt asaj lirishteje. Prapëseprapë, në atë çast kur mendova se vdekja ishte e sigurt, erdhi lutja më e sinqertë e jetës sime. Më pas mëshirat ndërhyrëse të qiellit zbritën.

Në mënyrë të pashpjegueshme, ariu e ndali sulmin e tij të pamëshirshëm dhe ia mbathi drejt pyllit. Ky qe lajm i mirë! Lajmi i keq ishte se kisha marrë 16 plagë të rënda nga dhëmbët dhe kthetrat e ariut dhe isha i vetëm në pyll, i mbuluar me gjak dhe 18 kilometra (11 milje) larg nga rruga më e afërt e parkut, pa ndihmë rreth e rrotull.

Një Çast Vendimi

Befas e gjeta veten në një pikë kulmore vendimi të jetës sime. Nëse nuk e ke pasur një çast të tillë, të jesh i sigurt se do ta kesh. Fatkeqësia është pjesë e planit të Atit Qiellor. Për fat, sulmi nga një ari nuk është, të paktën për shumicën prej nesh! Por, në një pikë të caktuar, mund të ndihesh i mbingarkuar nga çfarëdo fatkeqësie me të cilën po përballesh. Ajo është një ndjenjë e pashpresë që Zoti në një rast e përshkroi qartësisht si vetë “grykat e ferrit” që “shqyejnë gojën për ty” (Doktrina e Besëlidhje 122:7).

Në këto udhëkryqe krizash në jetën tënde, do të të duhet të marrësh një vendim. Mund të dorëzohesh, të rrëzohesh dhe të vdesësh; ose mund të mbledhësh disi të gjithë kurajën e forcën tënde dhe të luftosh me guxim, duke mirëbesuar se nëse do të bësh pjesën tënde, Zoti do të bëjë pjesën e Tij. Zoti ia shpjegoi qëllimin e mundimeve të jetës Jozef Smithit ndërkohë që ai ishte i burgosur në burgun e Libertisë: “Gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 122:7).

Edhe vërtet që përfiton prej tyre. Ato të gdhendin dhe të rafinojnë teksa bëhesh më i fortë dhe e ngre aftësinë ripërtëritëse. Kjo është arsyeja përse Zoti i tha Jozefit, dhe të thotë ty që të “qëndro[sh] në udhën tënde” përballë sprovave dhe fatkeqësisë (Doktrina e Besëlidhje 122:9). Teksa mbahesh fort në jetë, qoftë edhe me majat e thonjve të tu, ti do të zbulosh se edhe forca më e vogël e jotja përputhet më së miri me forcën e Zotit. Siç është premtuar, Ai është i “fuqishëm të shpëtojë” (2 Nefi 31:19).

Mbahu Fort

Kjo është pikërisht ajo që më ndodhi mua. Në vend që të dorëzohesha, vendosa të ngrihesha. Isha i vendosur të jetoja, gjë që nënkuptonte se më duhej të gjeja ndihmë. Duke u penguar udhës sime teposhtë shtegut për më shumë se një kilometër, më në fund u ndesha me të vetmit njerëz të tjerë për kilometra në pyll atë ditë. Ai takim i mrekullueshëm solli si përfundim shpëtimin nga një helikopter për zonat e shkreta, tri operacione jetëshpëtuese dhe një kuptueshmëri më të qartë të bekimit të të qenit i vendosur për të “qëndr[uar] në udhën t[ime]”.

Majkëll A. Dani në spital

Plaku Dan gjeti ndihmë, u shpëtua dhe bëri tri operacione jetëshpëtuese.

Kjo përvojë e ka rritur fuqinë, vendosmërinë dhe besimin tim. Ajo më forcoi gjithashtu dhe më përgatiti për t’i përballuar sfidat e tjera të jetës. Jam i sigurt se teksa i “duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë” (1 Korintasve 13:7), ti do ta ngresh aftësinë ripërtëritëse dhe forcën që të nevojitet për të përballuar sfidat. Do ta shohësh dorën e Zotit që të aftëson ndaj çfarëdo gjëje që të vjen në shteg, qofshin ato edhe vetë “grykat e ferrit”.