Për Forcën e Rinisë
Përvoja Ime me Zemër të Hapur
Korrik 2024


“Përvoja Ime me Zemër të Hapur”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.

Përvoja Ime me Zemër të Hapur

i ri

Ilustrimet nga Adam Nickle

Jam shumë i dhënë pas atletikës, veçanërisht basketbollit. Thjesht më pëlqen të konkurroj. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse m’u desh të përballesha me një operacion me zemër të hapur prej tetë orësh në moshën 14‑vjeçare.

Kisha lindur me një defekt në një nga valvulat e mia të zemrës. Në fillim, mjekët thanë se me gjasë do të më duhej të bëja një operacion kur të plakesha, pasi të dilja në pension, ndoshta. Por me kalimin e kohës, problemi u përkeqësua, kryesisht për shkak të mënyrës se sa me intensitet luaj në sporte.

Gjatë një vizite në vjeshtë, mjeku më tha se ndoshta do më duhej ta bëja operacionin vitin e ardhshëm ose pas dy vjetësh. Ndërkohë, në shkollë, bëja gara vrapimi në itinerare natyrore. Por në vend që shpejtësitë e vrapimeve të mia të përmirësoheshin, ato përkeqësoheshin. Kështu e kuptova që kishte diçka që vërtet nuk shkonte.

Ne shkuam për një vizitë te mjeku sërish në mars. Gjatë vizitës, ndjeva se duhej ta bëja operacionin edhe më shpejt nga sa e kishim planifikuar. Fillova të kisha një ndjesi të ngrohtë shpirtërore brenda meje. Ajo zbulesë vetjake më solli pak ngushëllim. Befas e dëgjova veten duke thënë se doja ta bëja operacionin sa më shpejt të ishte e mundur. Prindërit e mi kishin pak frikë në fillim, por u thashë atyre: “Unë jam i qetë. Sa shpejt mund ta bëjmë këtë?” E planifikuam operacionin për në muajin prill.

Në kohë të vështira, e di se Jezu Krishti është gjithmonë pranë meje. Mund t’i lutem gjithmonë Atit Qiellor dhe kjo gjë më ndihmon.

Kisha besim se çdo gjë do të shkonte mirë, por prapë dita e operacionit ishte e frikshme. E gjithë [situata] më tronditi në mënyrë të menjëhershme, teksa po ecja për në atë sallë. Më kujtohet se po dridhesha. Anestezisti im më ndihmoi vërtet në atë çast. Jam mirënjohës për të gjithë njerëzit që më ndihmuan gjatë gjithë asaj përvoje. Unë pata gjithashtu edhe ndihmë qiellore. Për shembull, e gjitha lagjja ime e kishës agjëroi për mua, dhe e ndjeva vërtet fuqinë e agjërimit dhe lutjes.

i ri në shtratin e spitalit

Fotografia me mirësinë e familjes Tomas

Këto kohë e kam shumë mirë zemrën. Po të mos e kisha bërë operacionin, mund të kisha vdekur brenda dy vjetësh. Tani, kam pritshmëri maksimale për jetën.

E gjithë kjo përvojë ma ka ndryshuar këndvështrimin. Çdo njeri e shoh ndryshe ndërsa kalojnë përmes sprovave të tyre. Kam ndjeshmëri më të madhe për ta. Nganjëherë e shoh dikë dhe ndiej se ata po përballen me diçka të vështirë dhe më pas shkoj e i ndihmoj.

Për mua, të jesh dishepull i Jezu Krishtit do të thotë vërtet që të jesh shembull për të tjerët dhe ta trajtosh gjithkënd siç do ta trajtonte Ai. Ne jemi të gjithë së bashku në këtë gjë. Perëndia është Ati ynë dhe ne jemi bijtë e bijat e Tij. Çdo njeri ka qëllim dhe vlerë. Ka shumë negativitet, ndaj përpiqem t’i ndihmoj njerëzit të buzëqeshin dhe të jenë pozitivë.

Unë dëshmoj se mund të marr udhërrëfim vetjak nga Zoti çdo ditë. Ai mund të më bëjë më të fortë si njeri dhe të më japë [aftësi] ripërtëritëse. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit (shih te Filipianëve 4:13).