“Askush në shkollë nuk ka të njëjtat standarde si unë. Si mund të zë shokë të mirë atje?”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.
Pyetje dhe Përgjigje
“Askush në shkollë nuk ka të njëjtat standarde si unë. Si mund të zë shokë të mirë atje?”
“Flit për interesat që i keni të përbashkëta. Nuk ke pse ta zbehësh dritën tënde. Thjesht duhet të jesh një adoleshent/e normal/e që e gjen veten te disa nga gjërat argëtuese që u pëlqejnë adoleshentëve të tjerë. Ndiq standardet e Jezu Krishtit dhe bëjua të qartë shokëve e shoqeve të shkollës standardet që ti ndjek.”
Xhemi En B., 18 vjeçe, Negros Oksidental, Filipine
“Gjej njerëz me [lëndë] mësimore, interesa, talente ose pasione të ngjashme. Ka njerëz të shkëlqyeshëm të besimeve të tjera, si edhe njerëz të mrekullueshëm që nuk janë të asnjë besimi. Ata sidoqoftë janë që të gjithë fëmijë të dashur të Perëndisë. Ndërsa vazhdon t’i mbash standardet, edhe kur shokët ose shoqet e tua nuk i mbajnë ato, shembulli yt mund t’i nxitë të tjerët të bëjnë zgjedhje më të mira.”
Lusi B., 15 vjeçe, Limë, Peru
“Ji i/e duruar dhe mendjehapur. Miqësia ka të bëjë me cilësinë, jo sasinë, dhe pasja e pak miqve të vërtetë mund të jetë më shpërblyese sesa të përpiqesh të përshtatesh me një turmë që nuk përputhet me vlerat e tua.”
Adedojin Alma O., 17 vjeç, Ousën, Nigeri
“Tregojua atyre standardet e tua. Nëse e dinë se cilat janë standardet e tua, do të jenë në gjendje t’i respektojnë ato. Mund t’i ftosh gjithashtu shokët e shoqet e tua të shkollës në Kishë dhe/ose në aktivitetet e Kishës për t’i ndihmuar që të kuptojnë më tepër rreth asaj që ti beson.”
Margaret P., 13 vjeçe, Teksas, SHBA
“Kam mësuar se mund të gjesh shokë e shoqe të mira nëpërmjet nxitjeve dhe thjesht duke qenë vetvetja. Nganjëherë do të vijnë njerëzit tek ti dhe nganjëherë duhet t’i mbash ti sytë hapur, por do të ketë njerëz që do të jenë shokë e shoqe të mira ose do të kenë nevojë për një shok apo shoqe të mirë si ti.”
Keiti R., 18 vjeçe, Nebraska, SHBA