“Kutia e Mirëqenies Emocionale”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.
Ndihmë për Jetën
Kutia e Mirëqenies Emocionale
Ja tek janë këshillat për të mbajtur një gjendje të shëndetshme emocionale.
Ty ndoshta mund të të vijnë në mendje shumë mënyra se si ta mbash trupin tënd të shëndetshëm teksa rritesh në moshë. Ti e di se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan dhe dëshirojnë që ti të kujdesesh për trupin tënd. Dhe “kujdesi për trupin t[ënd] përfshin kujdesin për shëndetin t[ënd] mendor dhe emocional” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 29). Këtu janë gjërat që mund të bësh për ta ndihmuar veten që të jesh në gjendje të shëndetshme emocionale gjithashtu!
-
Lidhu me të tjerët. Veçanërisht kur ndihesh i/e trishtuar, ti mund të duash të rrish vetëm. Nuk është problem për një pjesë të kohës, por është gjithashtu e rëndësishme që të shpenzosh kohë me njerëz që të lartësojnë moralisht. Izolimi pothuajse i bën gjithnjë sfidat më të vështira.
-
Shprehi emocionet e tua. Praktiko të jesh i/e sinqertë rreth asaj se çfarë po ndien. Flit për emocionet e tua në një mënyrë specifike. Dhe vërtet, nuk ka gjë të qash! Mendo për rastin kur Jezusi qau (shih te Gjoni 11:32–35).
-
Kuptoje se ndjenjat janë informacione. Ndonëse mund të jenë të sikletshme, ndjenjat në vetvete nuk mund të të lëndojnë. Përpiqu t’i përcaktosh emocionet dhe të dallosh se çfarë ato po të tregojnë.
-
Praktiko aftësitë e përballimit. Kur të jesh i/e trishtuar apo i/e zemëruar, mëso t’i kontrollosh ato emocione në një mënyrë të shëndetshme. Për shembull, për shumë njerëz është e dobishme të bëjnë shëtitje, të dëgjojnë muzikë, të vizatojnë, të luten ose të shkruajnë në ditar.
-
Lëri ndjenjat e sikletshme të vijnë e të shkojnë. Merr frymë thellë dhe imagjino retë që po kalojnë përmes qiellit, ose ujin e lumit që rrjedh. Pranoji mendimet dhe ndjenjat e tua dhe përpiqu që t’i lësh të largohen.
-
Vazhdo ta ushqesh shpirtin. Shkrimet e shenjta, himnet, lutja, kisha, të gjitha këto gjëra ndihmojnë për të ta forcuar shpirtin, gjë që do të të ndihmojë të jesh i/e shëndetshëm/me nga anët e tjera.
-
Përpiqu të qëndrosh i/e shëndetshëm/me fizikisht. Shëndeti ynë emocional dhe shëndeti ynë fizik janë të lidhur. Ngrënia e ushqimeve me veti ushqyese, fjetja mjaftueshëm dhe zhvillimi i një zakoni të ushtrimit fizik do të të ndihmojnë të jesh më i/e shëndetshëm/me emocionalisht teksa rritesh.
-
Kërko ndihmë kur ke nevojë. Trupi ynë nganjëherë ka nevojë për ndihmë profesionale që të jetë i shëndetshëm dhe mirë. Këto burime janë një bekim nga Ati Qiellor, i cili dëshiron të na ndihmojë. Në mënyrë të ngjashme, ne nganjëherë mund të kemi nevojë për ndihmë nga mjekët dhe këshilluesit për të qenë mirë emocionalisht. Nëse ndihesh i/e trishtuar për një kohë të gjatë, ose nëse ke mendime për ta lënduar veten, të lutemi që t’i kërkosh ndihmë një të rrituri. Nuk ka pse ta kalosh këtë gjë i/e vetëm/me! Shfrytëzoji të gjitha bekimet që Ati Qiellor i ka vënë në dispozicion për ty.