“Më Pëlqen Shumë të Mësoj, Më Pëlqen Shumë të Flas për Ungjillin”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.
Më Pëlqen Shumë të Mësoj, Më Pëlqen Shumë të Flas për Ungjillin
Për Liamin N. nga Danimarka, ungjilli është pjesë e një jete me argëtim dhe përmbushje.
Shkollën apo pasionet? Punën apo argëtimin? Ndoshta ka një pyetje më të mirë: Pse të [tërhiqesh e] vendosësh vetëm për njërën? Kur mundet, Liami N. 14‑vjeçar nga Danimarka përpiqet të gjejë një baraspeshë të mirë.
“Më pëlqen shumë të luaj në instrumente”, thotë ai. “Luaj në kitarë, bateri, kitarë bas, piano dhe ukulele [kitarë havaiane]. Mendoj se luajtja e muzikës është një mënyrë e mirë për të shprehur ndjenjat e mia. Më pëlqen gjithashtu të luaj për të tjerët që t’i bëj ata të lumtur.”
Kur nuk është duke u argëtuar me muzikën, Liamin mund ta gjesh duke luajtur futboll, basketboll ose shah me miqtë e vet. “Më pëlqen gjithashtu shkenca dhe astronomia”, thotë ai. “Është gjë e bukur të shohësh se si çdo gjë lidhet. Perëndia i ka krijuar të gjitha dhe kjo është e mrekullueshme.”
Përveç pasioneve të tija, Liami gjen kohë që të punojë fort, ose duke shpërndarë gazeta rrotull lagjes së tij të banimit ose duke studiuar për shkollën.
Liami po mëson se si t’i baraspeshojë gjërat që duhet të bëjë dhe gjërat që dëshiron të bëjë. Ai mund të jetë i ngarkuar, por ka një gjë për të cilën ai gjen kohë çdo ditë – ungjillin e Jezu Krishtit.
Një Synim Pesëminutësh
“Së fundmi vendosa që do të lexoja të paktën një kapitull nga Libri i Mormonit, vetëm një kapitull, veçse çdo ditë”, thotë Liami. “Mua kjo më merr ndoshta pesë minuta. Por më jep një hov më të madh, ndaj jam i gatshëm ta pranoj atë sfidë.”
Leximi i shkrimeve të shenjta çdo ditë e ka ndihmuar Liamin më shumë nga sa mendonte ai që do të ndihmonte. “Nganjëherë kur kaloj një ditë të keqe, leximi i diçkaje ngushëlluese mund të ma rikthejë humorin. Por nëse ka qenë një ditë e mirë, leximi mund të më kujtojë gjithashtu që të jem mirënjohës që gjërat po shkojnë mirë. Jam i lumtur që kam qenë në gjendje t’i përmbahem synimit tim.”
“Cili Vallë Nuk e Do Gëzimin?!”
Liami është mirënjohës për përkrahjen teksa ai përpiqet të gjejë kohë për ungjillin. “Unë, motra e vëllai im jemi të vetmit anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në shkollën tonë, kështu që shumë prej shokëve të mi të ngushtë nuk janë anëtarë. Por besoj se kemi një komunitet vërtet të mirë në Kishën në Danimarkë. Gjithsecili e njeh sadopak tjetrin dhe është bukur kur mblidhemi të gjithë së bashku.”
Pasja e miqve me standarde të ndryshme mund të jetë e vështirë nganjëherë. “Danimarka është një vend ku shumë të rinj pinë alkool që në moshë të re”, shpjegon Liami. “Mund të jetë e vështirë si adoleshent t’u thuash ‘jo’ gjërave të atilla.” Por Liami përpiqet të jetë i hapur rreth asaj që beson, në mënyrë që të tjerët të mund t’i kuptojnë më mirë zgjedhjet e tij.
“Nganjëherë në shkollë kur kemi pasur orë mësimore rreth krishterimit, mësuesit ose miqtë më kanë pyetur rreth besimit tim. Jam përpjekur t’ua shpjegoj sa më mirë që mundem”, thotë Liami. “Kam ftuar gjithashtu njërin nga shokët e mi të ngushtë në pagëzimin tim. I dhashë atij dhe nënës së tij një Libër të Mormonit dhe bisedova me ta rreth disa prej gjërave që besoj. U takon atyre të vendosin se çfarë të bëjnë me të. Ndjeva se bëra gjënë e duhur që i ftova të tjerët të ndiejnë të njëjtin gëzim si unë, ngaqë cili vallë nuk e do gëzimin?!”
T’ia Nisësh me Miqësi
Liami e di se të shpjeguarit e asaj që ai beson ose dhënia e një Libri të Mormonit një shoku, nuk është e vetmja mënyrë për të qenë një dishepull i Jezu Krishtit. Nganjëherë ftesa ndaj të tjerëve për ta ndier gëzimin e ungjillit fillon thjesht me një miqësi dhe dashuri të çiltër.
“Më pëlqen vërtet historia e Amonit në Librin e Mormonit”, thotë Liami. “Mendoj se është mbresëlënës fakti që ai nuk shkon drejt e te mbreti Lamoni dhe i thotë: ‘Do të dëgjosh atë që unë besoj’, por pa kuptuar ai bëhet mik me të deri në pikën sa mbreti e pyet praktikisht Amonin: ‘Si mund të jesh kaq i hatashëm?’”
“Edhe ne mund të ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët”, thotë Liami. “Ndoshta ata do të vijnë te ne dhe do të na pyesin se çfarë na e jep atë forcë më të madhe.”
Një Bekim për Jetën
Liami e ndien vërtet se të jetuarit e ungjillit i ka dhënë atij forcë më të madhe. Kjo ia ka bekuar atij jetën edhe më shumë se loja e shahut, muzika, sportet ose çdo gjë tjetër e mirë së cilës ai i kushton kohë.
“Jam mirënjohës që kam ungjillin në jetën time ngaqë nuk mendoj se do të isha i njëjti person pa të”, thotë ai. “Ndiej se Zoti më njeh më mirë nga sa e njoh unë veten. Unë e di që Perëndia dhe Krishti jetojnë. Ata na e tregojnë udhën nëpër të cilën duhet të shkojmë dhe na ndihmojnë të jemi më të mirë.”