Për Forcën e Rinisë
Nga Rrëzimi drejt Triumfit
Korrik 2024


“Nga Rrëzimi drejt Triumfit”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2024.

Nga Rrëzimi drejt Triumfit

Nuk duhet të dorëzohesh kurrë, edhe kur bie. Më beso!

Pamja
vrapues duke kaluar vijën e përfundimit

Fotografi nga Kampionatet [në Stadium të] Hapur të 2023‑it të USATF‑it dhe Tojotës më 8 korrik 2023, nga USATF [(Shoqatat e Atletikës) në Pistë e Fushë të SHBA‑së]

Në vitin 2022, garova në 3 000‑metërshin me pengesa në kampionatet kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gara përbëhet nga shtatë xhiro e gjysmë rreth pistës së vrapimit dhe ka pesë pengesa druri në çdo xhiro që duhet t’i kapërcesh, përfshirë edhe një pengesë përpara një pellgu me ujë.

Kisha bërë dy xhiro në garë kur djali para meje u pengua dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai e kapërceu pengesën, porse unë jo, unë rashë.

U ngrita disi ngadalë ngaqë ndjeva një humbje vetëbesimi. Mendova: “A të heq dorë dhe të dal fare nga pista e vrapimit?” Por isha i përgatitur. E kisha vendosur që më parë se do ta vazhdoja garën edhe nëse do të bija, ndaj fillova sërish të vrapoja. Prapë doja që të jepja gjithçka mundesha, edhe nëse nuk fitoja.

M’u deshën dy xhiro para se madje të arrija djalin në fund të grupit të vrapuesve kryesues. Pas pak kishim tre xhiro për të bërë dhe më pas dy xhiro për të bërë. Fillova të mendoja se mund të isha në gjendje t’ia dilja për në treshen e parë. Por isha tepër i lodhur dhe më parakaluan ca djelmosha, ndërkohë që kishte mbetur vetëm një gjysmë xhiroje. Isha në vend të katërt, por më pas bëra një kapërcim të fundit vërtet të mirë të pengesës me ujë. Dhe mendova: “S’më besohet! Mund ta fitoj vërtet këtë garë!”

Teksa përfundova 50‑metërshin e fundit, e kuptova që do të fitoja. Dukej tepër joreale. Mendova: “Uau, po e fitoj vallë vërtet këtë garë pikërisht tani?” Dhe e fitova. E fitova garën pasi rashë.

Më vonë, kuptova se ka disa mësime që mund të nxjerrim nga ajo që ndodhi.

1. Ji i Duruar me Veten

Kur rashë, doja ta rikapja pozicionin e mëparshëm sa më shpejt që të ishte e mundur. Por më duhej t’i vija një ritëm vetes që të mos rraskapitesha në mënyrë të menjëhershme. Është një shkrim i shenjtë që thotë: “Le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh” (Hebrenjve 12:1). Në jetë, nuk të duhet të kesh sukses përnjëherë. Nganjëherë duhet pak kohë.

2. Vazhdo Përpara

Është normale të ndihesh sikur do që të dorëzohesh nganjëherë. Kur rashë, nuk mendova se mund të fitoja, por vendosa të vazhdoja. Ka gjithmonë shpresë kur rrëzohesh, thjesht duhet të ngrihesh dhe ta provosh sërish. Shpëtimtari do të të ndihmojë përmes sfidave që ke. Mbahu fort tek ajo që e di se është e vërtetë dhe shko tek të tjerët dhe kërkoju atyre ndihmë. Në fund gjërat do të bëhen më mirë.

3. Mbështetu te Jezu Krishti

Nuk kisha garanci se do ta fitoja garën pasi rashë. Por kur “biem” nga pikëpamja e ungjillit, kur bëjmë gabime ose mëkatojmë, ne gjithmonë mund të vijmë tek Krishti, të pendohemi vërtet dhe të marrim falje. Ai do të na ndihmojë të ngrihemi sërish. Ne kemi potencial të madh, potencialin për të qenë më të mirë, për të bërë më mirë. Edhe nëse biem në mënyrë të herëpashershme, në qoftë se vazhdojmë të pendohemi dhe të përpiqemi që ta ndjekim Shpëtimtarin, atëherë Ai premton se mund ta fitojmë garën e jetës.

Shtyp në Letër