2010–2019
Kthehuni në Besim
Tetor 2013


11:33

Kthehuni në Besim

Kthimi i vërtetë në besim ndodh ndërsa vazhdoni të veproni në përputhje me doktrinat të cilat e dini se janë të vërteta dhe i mbani urdhërimet, dita-ditës, çdo muaj. 

Vëllezër dhe motra, sa përvojë përulëse është të qëndrosh tek ky podium ku kanë qëndruar kaq shumë heronj të jetës sime. Do të dëshiroja të ndaja me ju disa nga ndjenjat e zemrës sime dhe t’ia drejtoja ato në mënyrë të veçantë rinisë.

Një nga heronjtë e mëdhenj nga Dhiata e Vjetër ishte profeti luftëtar Jozueu. Ai iu bëri këtë ftesë fëmijëve të Izraelit, të cilët i udhëhiqte: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, … sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit”1. Deklarata e Jozueut tregon kthim të vërtetë në besim tek ungjilli. Për Jozueun dhe për të gjithë ne, kthimi në besim te parimet e ungjillit vjen përmes të jetuarit me drejtësi të parimeve të ungjillit dhe të qenit të vërtetë ndaj besëlidhjeve tona me Zotin.

Dëshiroj të tregoj një rrëfim të kthimit në besim nga historia ime familjare për një tjetër heroinë timen. Emri i saj është Agnes Hogan dhe ajo dhe burri i saj u bashkuan me Kishën në Skoci në vitin 1861. Duke përjetuar përndjekje të madhe në mëmëdheun e tyre, ata imigruan në Amerikë me fëmijët e tyre. Disa vite më vonë, Agnesi mbeti e ve me tetë fëmijë për të mbajtur dhe punonte fort për t’i mbajtur të ushqyer dhe të veshur. E bija e saj 12-vjeçare, Izabela, qe mjaft me fat sa të gjente punë si shërbëtore për një familje të pasur, jo-shdm.

Izabela jetonte në shtëpinë e tyre të madhe dhe ndihmonte duke u kujdesur për fëmijët e tyre më të vegjël. Në shkëmbim të shërbimeve të saj, nënës së saj i paguhej çdo javë një pagë e vogël. Izabela shpejt u pranua si anëtare e familjes dhe filloi të gëzonte shumë prej të njëjtave privilegje të tyre, të tilla si marrja e mësimeve të vallëzimit, veshja e rrobave të bukura dhe frekuentimi i teatrit. Kjo marrëveshje vijoi për katër vjet, derisa familja për të cilën punonte Izabela u dërgua në një shtet tjetër. Ata kishin arritur ta pëlqenin aq shumë Izabelën sa iu qasën të ëmës, Agnesit, dhe i kërkuan leje që ta birësonin ligjërisht atë. Ata premtuan se do t’i siguronin arsimim të mirë, do të kujdeseshin që të kishte një martesë të volitshme dhe do ta bënin trashëgimtare të pronës së tyre me vetë fëmijët e tyre. Gjithashtu do të vijonin t’i jepnin pagesa Agnesit.

Kjo vejushë dhe nënë në vështirësi duhet të merrte një vendim të vështirë, por ajo nuk ngurroi për asnjë çast. Dëgjoni fjalët e mbesës së saj, shkruar shumë vite më vonë: “[Edhe] nëse dashuria e saj nuk do ta kishte detyruar të thoshte jo, ajo kishte një arsye akoma më të madhe – ajo kishte bërë gjithë atë rrugë nga Skocia dhe kishte kaluar vuajtje e sfida për Ungjillin, dhe nuk kishte qëllim, nëse do të qe njerëzisht e mundur, të linte një fëmijë të sajin të humbiste atë për të cilën ajo kishte ardhur aq larg që ta fitonte”2. Familja e pasur përdori çdo argument të mundshëm dhe vetë Izabela qau e u lut që t’i lejohej të shkonte, por Agnesi qëndroi e vendosur. Siç mund ta përfytyroni, Izabela 16-vjeçare u ndje sikur i ishte shkatërruar jeta.

Izabela Hogan është stërgjyshja ime dhe unë jam tepër mirënjohëse për dëshminë dhe bindjen që digjej aq me zjarr në zemrën e nënës së saj, të cilat nuk e lejuan që ta tregtonte anëtarësinë e të bijës në Kishë me premtimet e botës. Sot, qindra nga pasardhësit e saj, të cilët gëzojnë bekimet nga anëtarësia në Kishë, janë përfituesit e besimit të ngulitur thellë dhe të kthimit në besim të Agnesit.

Miq të rinj, ne jetojmë në kohë të vështira dhe vendimet që detyroheni të merrni çdo ditë, apo madje çdo orë, kanë rrjedhoja të përjetshme. Vendimet që merrni në jetën tuaj të përditshme, do të përcaktojnë atë çfarë ju ndodh më vonë. Nëse nuk keni ende një dëshmi dhe bindje të rrënjosur fort se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë, tashti është koha të bëni atë çfarë duhet për ta fituar atë bindje. Të vononi bërjen e përpjekjes së kërkuar për ta fituar atë lloj bindjeje, mund të jetë e rrezikshme për shpirtin tuaj.

Kthimi i vërtetë në besim është më shumë se sa thjesht të pasurit e një njohurie mbi parimet e ungjillit dhe përfshin shumë më tepër se sa vetëm të pasurit e një dëshmie mbi ato parime. Është e mundur të kesh një dëshmi për ungjillin pa e jetuar atë. Të qenit vërtet të kthyer në besim do të thotë se po veprojmë sipas asaj që besojmë dhe po e lejojmë atë që të krijojë “një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona”3. Te libërthi Të Vërtetë ndaj Besimit mësojmë se “kthimi [në besim] është një proces, jo një ndodhi. Ju ktheheni [në besim] si rezultat i përpjekjeve … të drejta për të ndjekur Shpëtimtarin.”4 Kjo kërkon kohë, përpjekje dhe punë. Katragjyshja ime kishte një bindje të fuqishme se ungjilli ishte më i rëndësishëm për fëmijët e saj sesa gjithçka që bota kishte për të ofruar në formën e pasurisë dhe të rehatisë, ngaqë ajo kishte sakrifikuar [e] duruar për ungjillin dhe e kishte jetuar atë. Kthimi i saj në besim erdhi nga të jetuarit e parimeve të ungjillit dhe të sakrifikuarit për to.

Ne duhet të kalojmë përmes po të njëjtit proces nëse dëshirojmë të fitojmë po atë lloj bindjeje. Shpëtimtari dha mësim: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime”5. Ndonjëherë përpiqemi ta bëjmë këtë së prapthi. Për shembull, ne mund të shfaqim këtë qasje: Unë do të jem e lumtur ta jetoj ligjin e të dhjetës, por së pari duhet të di nëse është i vërtetë. Ndoshta lutemi madje që të fitojmë një dëshmi për ligjin e të dhjetës dhe shpresojmë që Zoti do të na bekojë me atë dëshmi përpara se të kemi plotësuar ndonjëherë një mandat të së dhjetës. Vetëm se nuk funksionon në këtë mënyrë. Zoti pret nga ne që të ushtrojmë besim. Ne duhet të paguajmë rregullisht një të dhjetë të plotë dhe të ndershme në mënyrë që të fitojmë dëshmi për të dhjetën. Po i njëjti model zbatohet për të gjitha parimet e ungjillit qoftë ai ligji i dëlirësisë, parimi i thjeshtësisë, Fjala e Urtësisë, apo ligji i agjërimit.

Do të dëshiroja të tregoja një shembull se si të jetuarit e një parimi na ndihmon të arrijmë të kthehemi në besim lidhur me atë parim. Në vitet ‘60-të, isha një e re dhe e vetmja vajzë shdm në shkollën time të mesme. Qe një periudhë revolucionare e karakterizuar nga hedhja poshtë e parimeve morale tradicionale, nga përdorimi i drogës dhe një botëkuptim i tipit “gjithçka lejohet”. Shumë prej bashkëmoshatarëve të mi ishin njerëz të mirë, por qe e lehtë të binin pre e entuziazmit për këtë moralshmëri të re, e cila në fakt ishte thjesht imoraliteti i vjetër. Prindërit dhe mësuesit e mi në kishë më kishin ngulitur vlerën e trajtimit të trupit tim me respekt, të pasurit të një mendjeje të kthjellët dhe, mbi të gjitha, të mësuarit për ta vendosur besimin tek urdhërimet e Zotit. Mora vendimin t’i shmangia situatat ku e dija se do të ishte i pranishëm alkooli dhe t’i qëndroja larg duhanit dhe drogave. Kjo shpesh nënkuptonte se nuk përfshihesha në festa dhe dilja rrallë në takime. Përdorimi i drogës po bëhej gjithmonë e më i rëndomtë mes të rinjve dhe rreziqet nuk ishin aq të njohura mirë sa janë sot. Më vonë, shumë prej bashkëmoshatarëve të mi vuajtën nga dëmi i përhershëm prej drogave me ndikim në mendje ose ranë pre e varësive të rënda. Isha mirënjohëse që në shtëpi më ishte mësuar ta jetoja Fjalën e Urtësisë dhe fitova një dëshmi të thellë për atë parim të ungjillit ndërsa ushtrova besim dhe e jetova atë. Ndjenja e mirë që më erdhi nga të jetuarit e një parimi të vërtetë të ungjillit ishte Shpirti i Frymës së Shenjtë që më pohoi se parimi ishte i vërtetë. Ky [është çasti] kur fillon të ndodhë kthimi i vërtetë në besim.

Profeti Moroni, te Libri i Mormonit, dha mësim: “Unë do t’i tregoj botës se besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen; prandaj, mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”6. Në botën tonë, ku shpresa qëndron te marrja e kënaqësisë së menjëhershme, ne shpesh jemi fajtorë që presim shpërblim pa na u dashur të punojmë për të. Unë besoj që Moroni po na thotë se, së pari duhet bëjmë punën dhe të ushtrojmë besim duke e jetuar ungjillin, dhe pastaj do të marrim dëshminë se ai është i vërtetë. Kthimi i vërtetë në besim ndodh ndërsa vazhdoni të veproni në përputhje me doktrinat të cilat e dini se janë të vërteta dhe i mbani urdhërimet, dita-ditës, çdo muaj.

Kjo është një periudhë e lavdishme për të qenë i ri në Kishë. Ju jeni të parët që merrni pjesë në programin mësimor të rinisë Eja, Më Ndiq, i cili ka si një nga qëllimet e tij kryesore kthimin tuaj në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Është mirë të mbahet mend se pavarësisht se sa të frymëzuar mund të jenë prindërit tuaj dhe udhëheqësit e rinisë, “ju keni përgjegjësinë kryesore për kthimin [tuaj] personal [në besim]. Askush nuk mund të kthehet [në besim] në vend tuaj dhe asnjë nuk mund t’ju detyrojë për t’u kthyer [në besim]”7. Kthimi në besim ndodh kur jemi të zellshëm në bërjen e lutjeve tona, në studimin e shkrimeve tona të shenjta, në frekuentimin e kishës dhe në të qenit të denjë për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit. Kthimi në besim vjen ndërsa veprojmë sipas parimeve të drejta që mësojmë në shtëpitë tona dhe në klasë. Kthimi në besim vjen ndërsa bëjmë jetë të dëlira e të virtytshme dhe gëzojmë shoqërinë e Frymës së Shenjtë. Kthimi në besim vjen ndërsa e kuptojmë Shlyerjen e Jezu Krishtit, e pranojmë Atë si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë dhe e lejojmë Shlyerjen të veprojë në jetët tona.

Kthimi juaj vetjak në besim do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni të bëni besëlidhjet në tempull, të shërbeni në misione dhe të ngrini vetë shtëpitë tuaja të ardhshme. Ndërsa ktheheni në besim, ju do të keni dëshirë t’u tregoni të tjerëve atë çfarë keni mësuar dhe vetëbesimi e aftësia juaj për t’u dëshmuar të tjerëve me bindje dhe fuqi do të rritet. Kjo dëshirë për ta ndarë ungjillin me të tjerët dhe vetëbesimi për të dëshmuar me guxim janë rrjedhime të natyrshme të kthimit të vërtetë në besim. Shpëtimtari e mësoi Pjetrin: “Kur të jesh kthyer [në besim], forco vëllezërit e tu”8.

Ju kujtohet Jozueu, profeti luftëtar? Ai jo vetëm që ishte kthyer vetë në besim, por punoi pa u lodhur deri në fund të jetës së tij për t’i sjellë fëmijët e Izraelit te Perëndia. Ne lexojmë te Dhiata e Vjetër: “Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut”9. Një individ që ka përjetuar kthimin e vërtetë në besim, e përdor fuqinë e Shlyerjes dhe merr shpëtim për vetë shpirtin e tij apo të saj, pastaj përpiqet për të shfaqur një ndikim të fuqishëm mbi të gjithë ata që e njohin.

Të jetuarit e ungjillit dhe të qëndruarit në vende të shenjta nuk është përherë i lehtë apo i rehatshëm, por dëshmoj se ia vlen! Zoti e këshilloi Ema Smithin që t’i “l[inte] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[nte] gjërat e një më të mire”10. Dyshoj se nuk mund [as] të fillojmë ta përfytyrojmë pikërisht se sa të shkëlqyeshme janë ato “gjërat e një [bote] më të mir[ë]”!

Dëshmoj se kemi një Atë të dashur Qiellor, dëshira më e madhe e të cilit është që të na ndihmojë e të na bekojë në përpjekjet tona për ta jetuar ungjillin dhe për t’u kthyer në besim. Ai e ka thënë qartë se në qendër të vëmendjes së Tij dhe puna kryesore e Tij është “pavdekësia dhe jeta e përjetshme”11 për ne. Ai dëshiron të na marrë në shtëpi në praninë e Tij. Dëshmoj se, teksa veprojmë në përputhje me doktrinat e ungjillit dhe i vëmë ato në zbatim përditë, ne do të kthehemi në besim dhe do të bëhemi mjetet e përmbushjes së mjaft të mirave në familjet tona dhe në botë. Qofshim të gjithë të bekuar në përpjekjet tona të përditshme për ta arritur atë qëllim është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.