2010–2019
“Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”
Tetor 2013


18:16

“Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”

Ati ynë Qiellor, … e di se ne mësojmë, rritemi dhe bëhemi më të fortë teksa përballemi dhe u mbijetojmë sprovave që duhet të kalojmë.

Në ditarin tim sonte, do të shkruaj: “Ky ka qenë një nga sesionet më frymëzuese të çdo konference të përgjithshme që kam marrë pjesë. Gjithçka ka qenë e natyrës më të mrekullueshme dhe jashtë mase shpirtërore.”

Vëllezër e motra, gjashtë muaj më parë, ndërkohë që u takuam së bashku në konferencën tonë të përgjithshme, bashkëshortja ime e ëmbël, Frensisi, u shtrua në spital pasi kishte pësuar një rrëzim shkatërrues vetëm pak ditë më parë. Në maj, pas disa javësh përpjekjeje me guxim për t’i mposhtur dëmtimet e saj, ajo kaloi në përjetësi. Humbja e saj ka qenë e thellë për mua. Ajo dhe unë u martuam në tempullin e Solt-Lejkut më 7 tetor 1948. Nesër do të kishte qenë përvjetori ynë i 65-të i martesës. Ajo ishte dashuria e jetës sime, njeriu im i besuar dhe shoqja ime më e ngushtë. Të them që më mungon, as nuk fillon ta përçojë thellësinë e ndjenjave të mia.

Kjo konferencë shënon 50 vite që kur u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam ndier asgjë veç mbështetjes së plotë dhe tërësore të shoqes sime të ëmbël. Të panumërta janë sakrificat që ajo bëri në mënyrë që unë të mund ta përmbushja thirrjen time. Asnjëherë nuk dëgjova një fjalë ankese nga ajo duke qenë se më kërkohej shpesh të kaloja ditë e ndonjëherë javë larg prej saj dhe fëmijëve tanë. Ajo ishte një engjëll, me të vërtetë.

Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia, si dhe ato të familjes sime, për shprehjen e jashtëzakonshme të dashurisë që na ka ardhur që kur Frensis ndërroi jetë. Qindra kartolina e letra u dërguan nga e gjithë bota duke shprehur admirim për të dhe ngushëllime për familjen tonë. Ne morëm duzina kurora lulesh të mrekullueshme. Jemi mirënjohës për kontributet e shumta që janë ofruar në emrin e saj në Fondin e Përgjithshëm për Misionarët e Kishës. Në emër të atyre që ajo la pas, ju shpreh mirënjohje të thellë për shprehjet tuaja të mira e të ndiera.

Ngushëllimi më i madh për mua gjatë kësaj kohe të dhimbsur të ndarjes, ka qenë dëshmia ime për ungjillin e Jezu Krishtit dhe njohuria që kam se e dashura ime Frensisi jeton ende. E di se ndarja jonë është e përkohshme. Ne u vulosëm në shtëpinë e Perëndisë nga dikush me autoritet për të lidhur në tokë e në qiell. E di se një ditë do të ribashkohemi dhe nuk do të ndahemi më kurrë. Kjo është njohuria që më mban.

Vëllezër e motra, mund të merret me mend fare mirë se askush nuk ka jetuar ndonjëherë plotësisht i lirë nga vuajtja dhe pikëllimi, as nuk ka pasur ndonjë periudhë në historinë njerëzore që nuk ka pasur pjesën e vet të plotë të trazirave dhe të mjerimit.

Kur shtegu i jetës merr një drejtim mizor, vjen tundimi për të bërë pyetjen: “Përse mua?” Nganjëherë duket se nuk ka dritë në fund të tunelit, nuk ka lindje dielli që t’i japë fund errësirës së natës. Ne ndihemi të rrethuar nga zhgënjimi i ëndrrave të copëtuara dhe dëshpërimi i shpresave të zhdukura. Ne bashkohemi në shqiptimin e lutjes biblike: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad?1 Ne ndihemi të braktisur, zemërthyer, të vetmuar. Ne priremi t’i shikojmë fatkeqësitë tona vetjake përmes prizmit të shtrembëruar të pesimizmit. Ne bëhemi të paduruar për një zgjidhje të problemeve tona, duke harruar se kërkohet vazhdimisht virtyti qiellor i durimit.

Vështirësitë që na vijnë, na paraqesin provën e vërtetë të aftësisë sonë për të duruar. Një pyetje themelore mbetet për të marrë përgjigje nga secili prej nesh: A do të ligështohem apo do t’i shkoj deri në fund? Disa ligështohen ngaqë e gjejnë veten në pamundësi për t’u ngritur mbi sfidat e tyre. T’i shkosh deri në fund përfshin durimin deri në mbarimin e vetë jetës.

Teksa i përsiatim ngjarjet që mund të na ndodhin të gjithëve, ne mund të themi me Jobin e lashtësisë: “Njeriu lind për të vuajtur”2. Jobi ishte një burrë “i ndershëm dhe i drejtë” që “kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes”3. I prerë në sjelljen e tij, i begatë në pasurinë e tij, Jobi u përball me një provë që do të mund të kishte shkatërruar çdokënd. I zhveshur nga zotërimet e tij, i përbuzur nga miqtë, i prekur nga vuajtja, i lënduar nga humbja e familjes së tij, ai u nxit ta “mallko[nte] Perëndinë dhe [të] vdis[te]”4. Ai i bëri ballë këtij tundimi dhe deklaroi nga thellësia e shpirtit të tij fisnik:

“Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart”5.

“Unë e di që Shpëtimtari im jeton.”6

Jobi e ruajti besimin. A do të bëjmë ne të njëjtën gjë teksa përballemi me ato sfida që do të jenë tonat?

Kurdoherë që priremi të ndihemi të rënduar nga fshikullimat e jetës, le të kujtojmë se të tjerët kanë kaluar nga e njëjta rrugë, kanë duruar dhe më pas e kanë dalë fitimtarë.

Historia e Kishës në këtë periudhë ungjillore, periudhën e plotësisë së kohërave, është e mbushur me përvoja të atyre që janë përpjekur dhe që prapëseprapë kanë mbetur të patundur dhe kanë marrë zemër. Arsyeja? Ata e kanë bërë ungjillin e Jezu Krishtit qendrën e jetës së tyre. Kjo është ajo që do të na bëjë të durojmë pavarësisht nga ajo që na e pret rrugën. Ne prapëseprapë do të përjetojmë sfida të vështira, por do të jemi në gjendje të ndeshemi me to, t’u bëjmë ballë atyre me kurajë dhe të dalim fitimtarë.

Nga shtrati i dhembjes, nga jastëku i lagur me lot, ne ngrihemi drejt qiellit prej atij sigurimi hyjnor dhe premtimi të çmuar: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis”7. Një ngushëllim i tillë është i paçmueshëm.

Ndërsa kam udhëtuar kryq e tërthor nëpër botë duke përmbushur përgjegjësitë e thirrjes sime, kam arritur të di shumë gjëra – ku jo më pak e rëndësishmja është që trishtimi dhe vuajtja janë universale. Nuk mund të filloj të mas tërë dhembjen e pikëllimin që kam dëshmuar teksa kam vizituar ata që po ndeshen me hidhërimin, po përjetojnë sëmundje, po përballen me divorcin, po mundohen me një bir apo bijë të pabindur, ose po vuajnë pasojat e mëkatit. Lista mund të vazhdojë pa fund, sepse ka probleme të panumërta që mund të na ndodhin. Veçimi i një shembulli është i vështirë dhe prapëseprapë, kurdoherë që mendoj për sfidat, mendimet e mia shkojnë te vëllai Brems, një nga mësuesit e Shkollës të së Dielës në djalërinë time. Ai ishte anëtar besnik i Kishës, një njeri me zemër të artë. Ai dhe e shoqja, Seidi, kishin tetë fëmijë, shumë prej të cilëve ishin në po të njëjtën moshë si fëmijët në familjen time.

Pasi Frensisi dhe unë u martuam dhe u shpërngulëm nga lagjja, ne i pamë vëllanë e motrën Brems dhe pjesëtarët e familjes së tyre në dasma e varrime, si dhe në ribashkime të lagjes.

Në vitin 1986, vëllai Brems humbi të shoqen, Seidin. Edhe dy nga tetë fëmijët e tij ndërruan jetë me kalimin e viteve.

Një ditë, afro 13 vjet më parë, mbesa më e madhe e vëllait Brems më telefonoi. Ajo shpjegoi se gjyshi i saj kishte arritur ditëlindjen e tij të 105-të. Ajo tha: “Jeton në një azil të vogël, por takohet me të gjithë familjen çdo të diel, ku u zhvillon edhe një mësim nga ungjilli”. Ajo vazhdoi: “Të dielën e kaluar, gjyshi na lajmëroi: ‘Të dashurit e mi, unë do të vdes këtë javë. A do t’i telefononi Tomi Monsonit, ju lutem? Ai do të dijë se ç’duhet të bëjë.’”

I shkova për vizitë vëllait Brems pikërisht në mbrëmjen që pasoi. Nuk e kisha parë për shumë kohë. Nuk mund t’i flisja, sepse e kishte humbur dëgjimin. Nuk mund t’i shkruaja një mesazh që ta lexonte, sepse kishte e humbur shikimin. M’u tha se familja komunikonte me të duke ia marrë gishtin e dorës së djathtë e duke vijuar me gisht në pëllëmbën e dorës së tij të majtë emrin e personit që kishte ardhur për vizitë. Çfarëdo mesazhi duhej të jepej në po këtë mënyrë. E ndoqa procedurën duke ia marrë gishtin dhe duke germëzuar “TOMI MONSON”, emrin me të cilin ai më kishte njohur ngaherë. Vëllai Brems u gëzua dhe m’i mori duart dhe i vendosi në kokën e tij. E dija se dëshira e tij ishte të merrte një bekim priftërie. Shoferi që më kishte çuar te qendra e përkujdesjes, u bashkua me mua ndërsa vendosëm duart në kokën e vëllait Brems dhe i dhamë bekimin e dëshiruar. Pas kësaj, nga sytë e tij të verbër rrodhën lotë. Ai na i shtrëngoi duart në shenjë mirënjohjeje. Edhe pse nuk e kishte dëgjuar bekimin që i dhamë, Shpirti ishte i fortë dhe besoj se ai u frymëzua që të dinte se ne i kishim dhënë bekimin që i nevojitej. Ky njeri i ëmbël nuk mund të shihte më. Ai nuk mund të dëgjonte më. Ai ishte i mbyllur natë e ditë në një dhomë të vogël në një qendër përkujdesjeje. Dhe prapëseprapë, buzëqeshja në fytyrën e tij dhe fjalët që ai tha, më prekën në zemër. “Faleminderit”, tha ai. “Ati im Qiellor ka qenë shumë i mirë me mua.”

Brenda një jave, pikërisht ashtu siç kishte parashikuar, vëllai Brems ndërroi jetë. Ai nuk u kap kurrë tek ajo që i mungonte, përkundrazi, ai ishte përherë thellësisht mirënjohës për bekimet e tij të shumta.

Ati ynë Qiellor, që na jep kaq shumë gjëra në të cilat të gjejmë gëzim, gjithashtu e di se ne mësojmë, rritemi dhe bëhemi më të fortë teksa përballemi dhe u mbijetojmë sprovave që duhet të kalojmë. Ne e dimë se ka kohë kur do të përjetojmë pikëllim zemërthyes, kur do të hidhërohemi dhe kur mund të vihemi në provë deri në skajet tona. Megjithatë, vështirësi të tilla na lejojnë të ndryshojmë për më mirë, ta rindërtojmë jetën tonë në mënyrën që na mëson Ati ynë Qiellor dhe të bëhemi diçka ndryshe nga ajo që ishim – më të mirë seç ishim, më të kuptueshëm seç ishim, më të dhimbsur seç ishim, me dëshmi më të forta seç kishim më parë.

Ky duhet të jetë qëllimi ynë – të këmbëngulim e të vazhdojmë, po, por edhe të bëhemi më të përmirësuar shpirtërisht ndërsa e çajmë rrugën tonë përmes haresë dhe hidhërimit. Po të mos ishte për sfidat që duhen kapërcyer dhe problemet që duhen zgjidhur, ne do të mbeteshim pak a shumë siç jemi, me pak ose aspak përparim drejt synimit tonë të jetës së përjetshme. Poeti shprehu pak a shumë të njëjtin mendim në këto fjalë:

Trungu i mirë nuk rritet lehtë,

Sa më e fortë era, aq më të forta pemët.

Sa më larg qielli, aq më e madhe lartësia,

Sa më e dendur stuhia, aq më e madhe fuqia.

Prej shiut dhe dëborës, prej diellit e të ftohtit,

Rriten trungje të mirë te pemët e te njerëzit 8.

Vetëm Mësuesi i njeh thellësitë e sprovave tona, dhembjen tonë dhe vuajtjen tonë. Vetëm Ai na ofron paqe të përjetshme në kohë fatkeqësie. Vetëm Ai i prek shpirtrat tanë të torturuar me fjalët e Tij ngushëlluese:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”9

Qoftë nëse janë kohët më të mira apo më të këqijat, Ai është me ne. Ai ka premtuar se kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

Vëllezërit e motrat e mia, paçim një zotim ndaj Atit tonë Qiellor që të mos luhatet me vitet apo krizat e jetës sonë. Ne nuk duhet të na nevojitet të përjetojmë vështirësi që ta kujtojmë Atë dhe nuk duhet të çohemi drejt përulësisë përpara se t’i japim Atij besimin dhe mirëbesimin tonë.

U përpjekshim përherë që të jemi pranë Atit tonë Qiellor. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i lutemi Atij dhe ta dëgjojmë Atë çdo ditë. Ne vërtet na duhet Ai çdo orë, qofshin ato orë me diell apo me shi. Qoftë premtimi i Tij motoja jonë përherë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis”10.

Me gjithë fuqinë e shpirtit tim, dëshmoj se Perëndia jeton dhe na do, se Biri i Tij i Vetëmlindur jetoi e vdiq për ne dhe se ungjilli i Jezu Krishtit është ajo dritë përshkuese që ndriçon nëpër errësirën e jetës sonë. Qoftë përherë kështu, unë lutem në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.