2010–2019
Jini një Shembull dhe një Dritë
Tetor 2015


13:38

Jini një Shembull dhe një Dritë

Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, e jona do të jetë mundësia për të qenë një dritë në jetën e njerëzve të tjerë.

Vëllezër e motra, sa mirë është që të jem me ju përsëri. Siç e dini, që kur ishim së bashku në prill, ne jemi trishtuar nga humbja e tre prej Apostujve tanë të dashur: Presidentit Bojd K. Paker, Plakut L. Tom Peri dhe Plakut Riçard G. Skot. Ata janë kthyer në shtëpinë e tyre qiellore. Na merr malli për ta. Sa mirënjohës që jemi për shembujt e tyre të dashurisë si e Krishtit dhe për mësimet e frymëzuara që i kanë lënë për ne të gjithë.

Ne iu drejtojmë një mirëseardhje të përzemërt Apostujve tanë më të rinj, Plakut Ronald A. Rasband, Plakut Geri E. Stivenson dhe Plakut Dejll G. Renland. Këta janë burra të përkushtuar ndaj veprës së Zotit. Ata janë të kualifikuar mirë për t’i zënë pozicionet e rëndësishme në të cilat janë thirrur.

Kohët e fundit, ndërkohë që po i lexoja dhe përsiatja shkrimet e shenjta, dy fragmente kanë mbetur me mua në mënyrë të veçantë. Që të dy janë të shumënjohur për ne. I pari është nga Predikimi në Mal: “Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”. Shkrimi i dytë i shenjtë është një shkrim që më erdhi në mendje teksa përsiata kuptimin e të parit. Është nga letra e Apostullit Pal drejtuar Timoteut: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”.

Unë besoj se shkrimi i dytë shpjegon, gjerësisht, se si ne mund ta përmbushim të parin. Ne bëhemi shembuj për besimtarët duke e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi. Kur e bëjmë këtë gjë, dritat tona do të shkëlqejnë që t’i shohin të tjerët.

Secili prej nesh erdhi në tokë duke iu dhënë Drita e Krishtit. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai, ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.

Apostulli Pal rendit gjashtë tipare të një besimtari, tipare që do t’i lejojnë dritat tona të shkëlqejnë. Le ta shohim secilin.

Po i përmend dy tiparet e para së bashku – të qenit një shembull në fjalë dhe në sjellje. Fjalët që përdorim, mund të lartësojnë e frymëzojnë, ose mund të dëmtojnë e poshtërojnë. Në botën e sotme ka një tepri të blasfemisë, me të cilën duket se rrethohemi pothuajse nga çdo anë. Është e vështirë ta shmangim dëgjimin e emrave të Hyjnisë duke u përdorur në mënyrë rastësore dhe të pamend. Komente të vrazhda duket se janë bërë një përbërës kryesor i televizionit, filmave, librave dhe muzikës. Të shkëmbyera lirshëm janë vërejtjet shpifëse dhe retorikat zemëruese. Le t’iu flasim të tjerëve me dashuri e respekt, duke e mbajtur të folurën tonë të pastër dhe duke i shmangur fjalët ose komentet që do të lëndonin ose fyenin. Ndjekshim shembullin e Shpëtimtarit, i cili foli me butësi dhe mirësi gjatë gjithë shërbesës së Tij.

Tipari tjetër i përmendur nga Pali është dashuria [hyjnore], e cila është përcaktuar si “dashuria e pastër e Krishtit”. Kam besim se brenda sferës sonë të ndikimit ka njerëz që janë të vetmuar, njerëz që janë të sëmurë dhe njerëz që ndihen të shkurajuar. E jona është mundësia për t’i ndihmuar ata dhe për t’i ngritur shpirtrat e tyre. Shpëtimtari i solli shpresë të pashpresit dhe forcë të dobëtit. Ai shëroi të sëmurin; Ai e bëri të çalin të ecë, të verbrin të shohë, të shurdhin të dëgjojë. Ai madje e risolli të vdekurin në jetë. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Ai iu afrua me dashuri hyjnore çdo nevojtari. Teksa e ndjekim shembullin e Tij, ne do të bekojmë jetë, duke përfshirë vetë jetën tonë.

Më pas, ne duhet të jemi një shembull në sjelljet tona. Për mua kjo do të thotë të përpiqemi fort për të pasur në jetën tonë mirësi, mirënjohje, falje dhe vullnet të mirë. Këto cilësi do të na sigurojnë një shpirt që do ta prekë jetën e njerëzve përreth nesh. Ka qenë mundësia ime përgjatë viteve që të shoqërohem me individë të shumtë që e zotërojnë një shpirt të tillë. Ne përjetojmë një ndjenjë të veçantë kur jemi me ta, një ndjenjë që na bën të dëshirojmë të shoqërohemi me ta dhe ta ndjekim shembullin e tyre. Ata rrezatojnë Dritën e Krishtit dhe na ndihmojnë ta ndiejmë dashurinë e Tij për ne.

Për të ilustruar se si dallohet nga të tjerët drita që del prej një shpirti të dëlirë dhe të dashur, po ju tregoj një përvojë të shumë viteve më parë.

Në atë kohë, udhëheqës të Kishës u takuan me zyrtarë në Jerusalem që të binin dakord për një marrëveshje qiraje për tokën në të cilën do të ndërtohej Qendra e Kishës në Jerusalem. Me qëllim që të fitoheshin lejet e duhura, Kisha duhej të binte dakord që nuk do të ndërmerreshin përpjekje misionare nga anëtarët tanë që do të qëndronin në qendër. Pasi ishte bërë ajo marrëveshje, një nga zyrtarët izraelitë, i cili i njihte fare mirë Kishën dhe anëtarët e saj, vuri në dukje që ai e dinte se Kisha do ta nderonte marrëveshjen për të mos bërë punë misionare. “Por”, tha ai, duke iu drejtuar studentëve që do të qëndronin atje, “çfarë do të bëjmë lidhur me dritën që është në sytë e tyre?” Ndrittë ajo dritë e veçantë brenda nesh përgjithmonë, që të mund të dallohet dhe vlerësohet nga të tjerët.

Të jemi një shembull i besimit do të thotë që ne mirëbesojmë në Zotin dhe në fjalën e Tij. Do të thotë që ne e zotërojmë dhe që ne e ushqejmë besimin, i cili do t’i udhëzojë mendimet tona dhe veprimet tona. Besimi ynë në Zotin Jezu Krisht dhe në Atin tonë Qiellor do të ndikojë në gjithçka që bëjmë. Në mes të pështjellimit të kohës sonë, ndeshjeve të ndërgjegjes dhe trazirës së të jetuarit të përditshëm, një besim i qëndrueshëm bëhet një spirancë për jetën tonë. Mbani mend që besimi dhe dyshimi nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën mendje në të njëjtën kohë, sepse njëri do ta largojë tjetrin. Unë ritheksoj atë që na është thënë në mënyrë të përsëritur – që, me qëllim që ta fitojmë dhe ta ruajmë besimin që na nevojitet, është thelbësore që ne t’i lexojmë, t’i studiojmë e t’i përsiatim shkrimet e shenjta. Bashkëbisedimi me Atin tonë Qiellor nëpërmjet lutjes është jetik. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i lëmë pas dore këto gjëra, sepse kundërshtari dhe pasuesit e tij po kërkojnë pa pushim për një të çarë në armaturën tonë, një ndërprerje në besnikërinë tonë. Tha Zoti: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”.

Më së fundi, ne duhet të jemi të dëlirë, që do të thotë që ne jemi të pastër në trup, mendje dhe shpirt. Ne e dimë që trupi ynë është një tempull, për t’u trajtuar me nderim e respekt. Mendjet tona duhet të mbushen me mendime lartësuese e fisnikëruese dhe duhet të mbahen të çliruara nga ato gjëra që do t’i ndotin. Që të kemi Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne duhet të jemi të denjë. Vëllezër e motra, pastërtia do të na sjellë paqe të mendjes dhe do të na kualifikojë që të marrim premtimet e Shpëtimtarit. Tha Ai: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë”.

Teksa japim provë që jemi shembuj në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi, ne do të kualifikohemi që të jemi drita për botën.

Më lejoni t’ju them juve të gjithëve dhe veçanërisht juve, të rinjve, që teksa bota zhvendoset gjithnjë e më larg prej parimeve dhe udhëzimeve që na janë dhënë nga një Atë i dashur Qiellor, ne do të dallohemi prej turmës ngaqë jemi të ndryshëm. Ne do të dallohemi ngaqë vishemi me thjeshtësi. Ne do të jemi të ndryshëm ngaqë nuk përdorim fjalë përdhosëse dhe ngaqë nuk përdorim lëndë që janë të dëmshme për trupat tanë. Ne do të jemi të ndryshëm ngaqë iu shmangemi humorit të shpëlarë dhe fjalëve zhvleftësuese. Ne do të jemi të ndryshëm kur vendosim të mos i mbushim mendjet tona me zgjedhjet e medias që janë të pamoralshme e poshtëruese dhe që do ta largojnë Shpirtin nga shtëpitë tona dhe jeta jonë. Ne sigurisht do të dallohemi kur bëjmë zgjedhje lidhur me moralshmërinë – zgjedhje që i mbështetin parimet dhe standardet e ungjillit. Ato gjëra që na bëjnë të ndryshëm nga shumica e botës, gjithashtu na sigurojnë atë dritë dhe atë shpirt që do të shkëlqejë në një botë gjithnjë e më shumë të zymtë.

Është shpesh e vështirë të jemi të ndryshëm dhe të qëndrojmë të vetëm në mes të një turme. Është e natyrshme të kemi frikë se çfarë mund të mendojnë ose thonë të tjerët. Ngushëlluese janë fjalët e psalmit: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?” Kur e bëjmë Krishtin thelbin e jetës sonë, frika jonë do të zëvendësohet nga kuraja e bindjeve tona.

Jeta nuk është e përsosur për asnjërin prej nesh dhe me raste sfidat dhe vështirësitë që hasim, mund të bëhen rraskapitëse, duke shkaktuar që drita jonë të venitet. Megjithatë, me ndihmën nga Ati ynë Qiellor, të bashkuar me mbështetjen e njerëzve të tjerë, ne mund ta fitojmë sërish atë dritë që do ta ndriçojë vetë shtegun tonë edhe njëherë dhe do të sigurojë dritën që mund t’iu nevojitet të tjerëve.

Për ta ilustruar, po ndaj me ju fjalët prekëse të një vjershe të parapëlqyer, që e lexova fillimisht disa vite më parë:

Takova një të panjohur nëpër natë,

Llamba e tij më nuk shkëlqente.

Ndalova dhe atë e lashë

Nga e imja llambën e tij të ndizte.

Një furtunë më pas filloi

Dhe tërë botën tundi.

Dhe kur era mbaroi,

Llamba ime nuk ndriti.

Por me llambën që shkëlqente,

Tek unë i panjohuri sërish erdhi.

Flakën e çmuar e mbante

Dhe llambën time ndezi!

Vëllezërit dhe motrat e mia, mundësitë tona për të shkëlqyer na rrethojnë çdo ditë, në çfarëdo rrethane që e gjejmë vetveten. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, e jona do të jetë mundësia për të qenë një dritë në jetën e njerëzve të tjerë, qofshin ata pjesëtarët e vetë familjes sonë dhe miqtë tanë, kolegët tanë të punës, thjesht njerëz të njohur apo krejtësisht të panjohur.

Secilit prej jush, unë i them se ju jeni një bir ose bijë e Atit tonë Qiellor. Ju keni ardhur nga prania e Tij që të jetoni në këtë tokë për një stinë, që të pasqyroni dashurinë dhe mësimet e Shpëtimtarit dhe që ta lini të shkëlqejë me guxim dritën tuaj për t’u parë nga të gjithë njerëzit. Kur ajo stinë në tokë të ketë mbaruar, nëse ju e keni bërë pjesën tuaj, juaji do të jetë bekimi i lavdishëm i kthimit për të jetuar me Të përgjithmonë.

Sa siguruese sërish janë fjalët e Shpëtimtarit: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”. Për Të unë dëshmoj. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Ndërmjetësi ynë me Atin. Ai është Shembulli ynë dhe forca jonë. Ai është “drita që shkëlqen në errësirë”. Që secili prej nesh, që e dëgjon tingullin e zërit tim, të mund të marrë zotim se do ta ndjekë Atë, duke u bërë kështu një dritë shkëlqyese për botën, është lutja ime në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, Zotit, amen.