2010–2019
Përballja me Sfidat e Botës së Sotme
Tetor 2015


14:33

Përballja me Sfidat e Botës së Sotme

Zgjedhjet që ju bëni – misioni, arsimimi, martesa, karriera dhe shërbimi në Kishë – do të formojnë vendmbërritjen tuaj të përjetshme.

Shumë është shkruar dhe thënë rreth brezit të sotëm të të rinjve në moshë madhore beqarë. Kërkimet tregojnë se shumë i rezistojnë fesë së organizuar. Shumë janë në borxh dhe të papunë. Një pjesë e madhe e pëlqejnë idenë e martesës, por ngurrojnë ta bëjnë atë hap. Një numër në rritje nuk duan fëmijë. Pa ungjillin dhe drejtimin e frymëzuar, shumë po enden në udhë të panjohura dhe po humbasin rrugën.

Fatmirësisht, anëtarët të rinj në moshë madhore të Kishës ngelen mbrapa në këto prirje shqetësuese, pjesërisht sepse ata janë të bekuar me planin e ungjillit. Ai plan i përjetshëm përfshin mbajtjen fort pas shufrës së hekurit – kapjen pas fjalës së Perëndisë dhe fjalëve të profetëve të Tij. Ne duhet ta shtrëngojmë më fort shufrën e cila na drejton prapë tek Ai. Sot është “dit[a e] zgjedhje[s]” për të gjithë ne.

Si një djalosh, kur unë isha gati të bëja një zgjedhje të pamenduar mirë, babai im ndonjëherë do të më thoshte: “Robert, mblidhe veten dhe fluturo siç duhet!” Edhe ju e keni përjetuar këtë. Në të njëjtën mënyrë të thjeshtë, unë do të doja t’u flisja veçanërisht të rinjve – të rinjve tanë fisnikë – dhe të rinjve tanë fisnikë në moshë madhore, pasi “shpirti im kënaqet në thjeshtësi … që [ne] të mund të mësoj[më]”.

Ju po jetoni gjatë një periudhe kritike të jetës suaj. Zgjedhjet që ju bëni – misioni, arsimimi, martesa, karriera dhe shërbimi në Kishë – do t’i japin formë vendmbërritjes suaj të përjetshme. Kjo do të thotë që ju do të shihni gjithnjë përpara – të shihni drejt të ardhmes.

Kur isha pilot në forcat ajrore, mësova këtë parim: asnjëherë mos fluturo me paramendim brenda një stuhie. (Nuk do t’ju tregoj se si e zbulova atë.) Më mirë, fluturoni rreth saj, merrni një rrugë tjetër, ose prisni derisa stuhia të mbarojë përpara se të uleni.

Të dashur vëllezër të rinj dhe motra të reja në moshë madhore, unë dua t’ju ndihmoj të “fluturoni siç duhet” në stuhitë në grumbullim të ditëve të fundit. Ju jeni pilotët. Ju jeni përgjegjës të mendoni rreth pasojave të çdo zgjedhjeje që ju bëni. Pyeteni veten: “Nëse e bëj këtë zgjedhje, cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë?” Zgjedhjet tuaja të drejta nuk do t’ju lejojnë të dilni nga kursi.

Mendoni për këtë: Nëse zgjidhni të mos e merrni një pije alkoolike, ju nuk do të bëheni të alkoolizuar! Nëse zgjidhni të mos futeni kurrë në borxh, ju do të shmangni mundësinë e falimentimit!

Një nga qëllimet e shkrimeve të shenjta është të na tregojnë se si njerëzit e drejtë iu përgjigjen tundimeve dhe ligësisë. Shkurt, ata u shmangen atyre! Jozefi vrapoi larg nga gruaja e Potifarit. Lehi mori familjen e tij dhe u largua nga Jerusalemi. Maria dhe Jozefi u larguan për në Egjipt për t’i shpëtuar komplotit të lig të Herodit. Në çdo rast, Ati Qiellor i paralajmëroi këta besimtarë. Në mënyrë të ngjashme, Ai do të na ndihmojë të dimë nëse duhet të luftojmë, të largohemi, ose të pranojmë rrethanat tona në ndryshim. Ai do të na flasë nëpërmjet lutjes dhe, kur lutemi, ne do të kemi Frymën e Shenjtë, i cili do të na drejtojë. Ne kemi shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të gjallë, bekimet patriarkale, këshillën e frymëzuar të prindërve, udhëheqësve të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse dhe, mbi të gjitha, zërin e vogël, të qetë të Shpirtit.

Zoti do ta mbajë gjithmonë premtimin e Tij: “Unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”. Pyetja e vetme është, a do ta lejojmë ne veten tonë të udhëhiqemi? A do ta dëgjojmë zërin e Tij dhe zërin e shërbëtorëve të Tij?

Unë dëshmoj se, nëse ju jeni të gatshëm për Zotin, Ai do të jetë i gatshëm t’ju dëgjojë e t’ju ndihmojë. Nëse ju e doni Atë dhe mbani urdhërimet e Tij, ju do të keni Shpirtin e Tij që të jetë me ju dhe t’ju drejtojë. “Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë. … Me anë të kësaj ti do të dish, gjithë gjërat … të cilat çojnë në gjërat e drejtësisë.”

Me ato parime si themel, a mund t’ju jap disa këshilla praktike?

Shumë nga brezi i juaj po përballen me një borxh dërrmues. Kur isha i ri në moshë madhore, presidenti im i kunjit ishte një bankier investimi në Uoll Strit. Ai më mësoi: “Ti je i pasur nëse mund të jetosh i lumtur brenda mundësive të tua”. Si mund të arrihet kjo? Paguajeni të dhjetën dhe pastaj kurseni! Kur fitoni më shumë, kurseni më shumë. Mos bëni gara me të tjerët për të pasur lodra të shtrenjta. Mos blini atë që nuk mund ta përballoni.

Shumë të rinj në moshë madhore në botë po futen në borxh për të marrë një arsimim dhe zbulojnë se kostoja e shkollës është më e madhe nga ajo që ata mund të paguajnë. Kërkoni bursa dhe ndihma. Gjeni punësimin me kohë të pjesshme, nëse është e mundur, për t’ju ndihmuar të paguani me mënyrat tuaja. Kjo do të kërkojë disa sakrifica, por do t’ju ndihmojë të keni sukses.

Arsimimi ju përgatit për mundësi më të mira punësimi. Ai ju vendos në një pozicion më të mirë për të shërbyer e për t’i bekuar njerëzit rreth jush. Ai do t’ju vendosë në një udhë të të mësuarit të përjetshëm. Ai do t’ju forcojë për të luftuar kundër mosdijes dhe gabimit. Siç dha mësim Jozef Smithi: “Dituria i heq errësirën, pasigurinë dhe dyshimin; sepse këto nuk mund të ekzistojnë aty ku është dituria. … Në diturinë ka fuqi.” “Të jenë të mësuar është mirë, nëse ata dëgjojnë këshillat e Perëndisë.” Arsimimi do t’ju përgatitë për atë që është përpara, duke përfshirë martesën.

Sërish, a mund të flas hapur? Rruga që të çon drejt martesës, kalon përmes terrenit të quajtur dalje në takime! Dalja në takime është mundësia për bashkëbisedime të gjata. Kur ju dilni në takime, mësoni gjithçka mundeni për njëri-tjetrin. Filloni t’i njihni familjet e njëri-tjetrit nëse është e mundur. A janë qëllimet tuaja të përputhshme? A i keni të përbashkëta ndjenjat rreth urdhërimeve, Shpëtimtarit, priftërisë, tempullit, prindërimit, thirrjeve në Kishë dhe shërbimit ndaj të tjerëve? E keni vëzhguar njëri-tjetrin nën stres, duke iu përgjigjur suksesit dhe dështimit, duke i bërë ballë inatit dhe duke u përballur me pengesa? A i nënvlerëson të tjerët personi që po dilni në takime apo i frymëzon ata? A është qëndrimi e fjalori dhe sjellja e tij apo saj ajo me të cilën do të donit të jetonit çdo ditë?

Megjithatë, askush nga ne nuk martohet me dikë të përsosur; ne martohemi me dikë me potencial. Martesa e duhur nuk ka të bëjë vetëm me atë që dua unë; ka të bëjë me atë që ajo – e cila do të jetë shoqëruesja ime – do dhe ka nevojë që unë të jem.

Duke folur hapur, ju lutem mos dilni në takime gjatë gjithë të 20-ve tuaja vetëm për “t’ia kaluar mirë”, duke e vonuar kështu martesën për hir të interesave dhe veprimtarive të tjera. Përse? Sepse dalja në takime dhe martesa nuk janë vendmbërritja përfundimtare. Ato janë porta për të hyrë atje ku ju dëshironi të shkoni përfundimisht. “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij.”

Përgjegjësia juaj tani është të jeni të denjë për njeriun me të cilin doni të martoheni. Nëse dëshironi të martoheni me një njeri të dobishëm, tërheqës, të ndershëm, të lumtur, punëtor, shpirtëror, jini ai lloj njeriu. Nëse ju jeni i tillë dhe nuk jeni të martuar, jini të duruar. Priteni Zotin. Unë dëshmoj se Zoti i njeh dëshirat tuaja dhe ju do juve për përkushtimin tuaj besnik ndaj Tij. Ai ka një plan për ju, qoftë në këtë jetë apo në tjetrën. Dëgjojeni Shpirtin e Tij. “Mos kërkoni të këshilloni Zotin, por merrni këshilla nga dora e Tij.” Në këtë jetë apo në tjetrën, premtimet e Tij do të përmbushen. “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni.”

Nëse nuk keni burime të bollshme, mos u merakosni. Një anëtar i mrekullueshëm i Kishës së fundi me tha: “Unë nuk i rrita fëmijët e mi me para; unë i rrita ata me besim”. Ka një të vërtetë të madhe në atë fjali. Fillojeni ushtrimin e besimit tuaj në çdo fushë të jetës suaj. Nëse nuk e bëni, ju do të vuani atë që unë e quaj “atrofi besimi”. Vetë forca e nevojshme për ta ushtruar besimin tuaj do të pakësohet. Pra ushtroni besimin tuaj çdo ditë dhe ju do të jeni “gjithnjë e më të fortë … dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit”.

Për të qenë gati për martesën, sigurohuni që jeni të denjë për të marrë sakramentin dhe për të mbajtur një rekomandim tempulli. Shkoni në tempull rregullisht. Shërbeni në Kishë. Përveç shërbimit në Kishë, ndiqeni shembullin e Shpëtimtarit, i cili thjesht e “përshkoi vendin duke bërë mirë”.

Tani, ju mund të keni pyetje serioze rreth zgjedhjeve që janë përpara. Në vitet e mia të moshës madhore, unë kam kërkuar këshillë nga prindërit e mi dhe nga këshilltarë besnikë e të besuar. Njëri ishte një udhëheqës i priftërisë; tjetri një mësues që besoi tek unë. Të dy më thanë: “Nëse e do këshillën time, ji i përgatitur për ta marrë atë”. Unë e kuptova çfarë donte të thoshte ajo. Me lutje zgjidhni këshillues që shqetësohen sinqerisht për mirëqenien tuaj shpirtërore. Jini të kujdesshëm me marrjen e këshillave nga bashkëmoshatarët tuaj. Nëse dëshironi më shumë nga sa keni tani, zgjatuni lart, jo anash!

Mbani mend, askush nuk mund të zgjatet lart në vendin tuaj. Vetëm besimi juaj dhe lutjet tuaja do të bëjnë që ta ngrini veten dhe të keni ndryshimin e madh të zemrës. Vetëm vendosmëria juaj për të qenë të bindur mund ta ndryshojë jetën tuaj. Për shkak të sakrificës shlyese të Shpëtimtarit për ju, fuqia është në ju. Ju keni zgjedhjen tuaj të lirë, ju keni dëshmi të forta nëse jeni të bindur dhe mund të ndiqni Shpirtin që ju udhëheq.

Së fundi, një prodhues filmash i ri në moshë madhore tha se ai ndiente se ishte pjesë e një “brezi plangprishës” – një brez “që kërkon për shpresë dhe gëzim e përmbushje, por që kërkon në të gjithë vendet e gabuara dhe në mënyrat e gabuara”.

Në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit të djalit plangprishës, djali kishte shumë bekime që e prisnin, por, para se t’i merrte ato, ai duhej ta shikonte nga afër jetën e tij, zgjedhjet e tij dhe rrethanat e tij. Mrekullia që ndodhi më pas, përshkruhet në shkrimet e shenjta me një frazë të thjeshtë: “Ai erdhi në vete”. A mund t’ju nxit të vini në vete? Në Kishë, kur duhen marrë vendime të rëndësishme, ne shpesh mbajmë mbledhje të këshillit. Këshillat familjarë shërbejnë për një qëllim të ngjashëm. Ju mund të doni të mbani atë që do ta quaj një “këshill vetjak”. Pasi luteni, kaloni pak kohë vetëm. Mendoni për atë që është përpara. Pyeteni veten: “Cilat fusha të jetës sime dua të forcoj në mënyrë që të forcoj të tjerët? Ku dua të jem pas një viti, pas dy vitesh? Çfarë zgjedhjesh duhet të bëj që të shkoj aty?” Thjesht mbani mend, ju jeni piloti dhe ju jeni në drejtim. Ju dëshmoj se, teksa vini në vete, Ati i juaj Qiellor do të vijë te ju. Me anë të dorës ngushëlluese të Shpirtit të Tij të Shenjtë, Ai do t’ju ndihmojë edhe më tej.

Unë jap dëshminë time se Perëndia jeton. Unë jap dëshminë time të veçantë se Shpëtimtari ju do. “A nuk do të vazhdojmë në kauzën [e Tij të] të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa.” Teksa ju e ndiqni Atë, Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju mbështetë. Ai do t’ju sjellë lart te shtëpia juaj më e lartë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.