2010–2019
Përse Kisha
Tetor 2015


15:34

Përse Kisha

Ia vlen të ndalemi për të marrë parasysh arsyen përse Jezu Krishti zgjedh që të përdorë një kishë, Kishën e Tij, për të kryer veprën e Tij dhe veprën e Atit të Tij.

Gjatë gjithë jetës sime, konferencat e përgjithshme të Kishës kanë qenë ngjarje shpirtërore gjallëruese dhe vetë Kisha ka qenë një vend për të arritur që ta njoh Zotin. E kuptoj se ka nga ata njerëz të cilët e konsiderojnë veten fetarë ose shpirtërorë e megjithatë nuk e pranojnë pjesëmarrjen në një kishë ose edhe nevojën për një institucion të tillë. Për ta, praktika fetare është krejtësisht vetjake. Prapëseprapë, Kisha është krijimi i Atij në të cilin përqendrohet shpirtshmëria jonë – Jezu Krishtit. Ia vlen të ndalemi për të marrë parasysh arsyen përse Ai zgjedh që të përdorë një kishë, Kishën e Tij, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, për të kryer veprën e Tij dhe veprën e Atit të Tij që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.

Duke filluar me Adamin, ungjilli i Jezu Krishtit u predikua dhe ordinancat thelbësore të shpëtimit, si pagëzimi, u administruan nëpërmjet një rendi të priftërisë të bazuar te familja. Ndërkohë që shoqëritë u bënë më të ndërlikuara duke u përbërë jo vetëm nga familjet e zgjeruara, Perëndia gjithashtu thirri profetë, lajmëtarë dhe mësues të tjerë. Në kohën e Moisiut, ne lexojmë për një strukturë më formale, përfshirë pleqtë, priftërinjtë dhe gjykatësit. Në historinë e Librit të Mormonit, Alma themeloi një kishë me priftërinj dhe mësues.

Më pas, në meridianin e kohës, Jezusi e organizoi punën e Tij në një mënyrë të tillë që ungjilli të mund të krijohej njëherësh në kombe të shumta dhe midis njerëzve të ndryshëm. Ajo organizatë, Kisha e Jezu Krishtit, u mbështet mbi “apostuj dhe … profetë, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes”. Ajo përfshiu drejtues të tjerë, si të shtatëdhjetë, pleq, peshkopë, priftërinj, mësues dhe dhjakë. Pas Ringjalljes së Vet, Jezusi në mënyrë të ngjashme e themeloi Kishën në Hemisferën Perëndimore.

Pas braktisjes dhe shpërbërjes së Kishës që Ai kishte organizuar ndërsa ishte në tokë, Zoti e rithemeloi Kishën e Jezu Krishtit edhe një herë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Qëllimi i dikurshëm vazhdon të jetë po ai: që është, të predikohet lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit dhe të administrohen ordinancat e shpëtimit – me fjalë të tjera, të sillen njerëzit te Krishti. Dhe tani, nëpërmjet përdorimit të organizimit të kësaj Kishe të rivendosur, premtimi i shëlbimit është i mundur të arrihet madje edhe nga shpirtrat e të vdekurve, të cilët në tërë jetën e tyre të vdekshme dinin pak ose aspak për hirin e Shpëtimtarit.

Si i plotëson Kisha e Tij qëllimet e Zotit? Është e rëndësishme të dihet se qëllimi kryesor i Perëndisë është përparimi ynë. Dëshira e Tij është që të vazhdojmë “nga hiri në hir, derisa [ne të marrim] një plotësi” të gjithçkaje që Ai mund të japë. Kjo kërkon më tepër sesa thjesht të jesh i sjellshëm ose të ndihesh shpirtëror. Ajo kërkon besim te Jezu Krishti, pendim, pagëzim nga uji e nga Fryma dhe durim deri në fund me besim. Një person nuk mund ta arrijë plotësisht këtë [duke qenë] i veçuar, ndaj një arsye madhore pse Zoti ka një kishë, është që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri-tjetrin në “shteg[un] e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme”.

“Dhe [Krishti] i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,

… për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit.”

Jezu Krishti është “autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]”. Bashkimi i trupit tonë me trupin e Krishtit – Kishën – është një pjesë e rëndësishme e marrjes së emrit të Tij mbi veten tonë. Neve na është thënë se Kisha e lashtësisë “mblidhej së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre”, “dhe për të dëgjuar fjalën e Zotit”. Kështu ndodh në Kishë sot. Të bashkuar në besim, ne japim mësim dhe e ngremë njëri-tjetrin moralisht dhe përpiqemi të arrijmë masën e plotë të dishepullimit, “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”. Ne përpiqemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të “njoh[im] … Biri[n e] Perëndisë”, deri në atë ditë kur “‘nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij … duke thënë: “Njihni Zotin”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi’, thotë Zoti”.

Në Kishë jo vetëm që mësojmë doktrinën hyjnore; ne gjithashtu përjetojmë vënien e saj në jetë. Si trupi i Krishtit, anëtarët e Kishës u japin shërbesë njëri-tjetrit në realitetin e jetës së përditshme. Të gjithë ne jemi të papërkryer; ne mund të fyejmë dhe të fyhemi. Ne shpesh e vëmë në provë njëri-tjetrin me huqet tona. Në trupin e Krishtit, ne duhet të shkojmë përtej koncepteve dhe fjalëve të bukura dhe të kemi një njohuri të vërtetë nga përvoja ndërsa mësojmë të “jeto[jmë] së bashku në dashuri”.

Kjo fe nuk ka të bëjë vetëm me veten; përkundrazi, ne të gjithë thirremi të shërbejmë. Ne jemi sytë, duart, koka, këmba dhe gjymtyrët e tjerë të trupit të Krishtit, dhe madje “[ato] gjymtyrë … që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme”. Ne kemi nevojë për këto thirrje dhe ne kemi nevojë të shërbejmë.

Një nga burrat në lagjen time jo vetëm që u rrit pa mbështetjen e prindërve, por me kundërshtimin e tyre për aktivizimin e tij në Kishë. Ai bëri këtë vërejtje në një mbledhje sakramenti: “Im atë nuk mund ta kuptojë përse ndokush duhet të shkojë në kishë kur ai mund të shkojë për ski, por mua me të vërtetë më pëlqen të shkoj në kishë. Në Kishë, ne të gjithë jemi në të njëjtin udhëtim dhe në atë udhëtim frymëzohem nga rinia e fortë, fëmijët e dëlirë dhe nga ajo që unë shoh e mësoj nga të rritur të tjerë. Jam i forcuar nga shoqërimi dhe i ngazëllyer nga gëzimi i të jetuarit e ungjillit.”

Lagjet dhe degët e Kishës ofrojnë një mbledhje çlodhjeje dhe ripërtëritjeje çdo javë, një kohë dhe vend për ta lënë botën pas – Shabatin. Ajo është një ditë për të “gje[tur] kënaqësinë tënde tek Zoti”, për të përjetuar shërimin shpirtëror që vjen me sakramentin, dhe për të marrë premtimin e ripërtërirë që Shpirti i Tij të jetë me ne.

Një nga bekimet më të mëdha të të qenit pjesë e trupit të Krishtit, ndonëse mund të mos duket si një bekim në çast, është të qortohesh për mëkatin dhe gabimin. Ne jemi të prirur për t’i justifikuar dhe arsyetuar fajet tona dhe ndonjëherë ne thjesht nuk e dimë se ku duhet të përmirësohemi ose si ta bëjmë atë. Pa ata të cilët mund të na qortojnë “në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxit[ën] nga Fryma e Shenjtë”, neve mund të na mungojë guximi për të ndryshuar dhe për ta ndjekur më përsosurisht Mësuesin. Pendimi është individual, por vëllazërimi në këtë shteg ndonjëherë të dhembshëm, është në Kishë.

Në këtë diskutim për Kishën si trupi i Krishtit, ne përherë duhet të mbajmë në mendje dy gjëra. E para, ne nuk mundohemi për t’u kthyer në besim te Kisha por te Krishti dhe ungjilli i Tij, një kthim në besim që na lehtësohet nga Kisha. Libri i Mormonit e shpreh më së miri kur thotë se njerëzit “u kthyen në besim te Zoti, dhe u bashkuan me kishën e Krishtit. E dyta, ne duhet të kujtojmë se në fillim, Kisha ishte familja, madje edhe sot si institucione të ndara, familja dhe Kisha i shërbejnë dhe e forcojnë njëra-tjetrën. Asnjëra nuk e zëvendëson tjetrën dhe, sigurisht, Kisha, edhe me përpjekjet më të mira, nuk mund t’i zëvendësojë prindërit. Qëllimi i mësimdhënies së ungjillit dhe ordinancave të priftërisë të administruara nga Kisha është që familjet të mund të kualifikohen për jetë të përjetshme.

Ka një arsye të dytë madhore pse Shpëtimtari punon nëpërmjet një kishe, Kishës së Tij, dhe ajo është që të arrijë gjërat e nevojshme që nuk mund të plotësohen nga individë ose grupe më të vogla. Një shembull i qartë është përballimi i varfërisë. Është e vërtetë se si individë dhe familje ne kujdesemi për nevojat fizike të të tjerëve, “duke i dhënë njëri-tjetrit si materialisht ashtu dhe shpirtërisht, sipas nevojave të tyre dhe kërkesave të tyre”. Por së bashku në Kishë, aftësia për t’u kujdesur për të varfrit dhe nevojtarët shumëfishohet për të plotësuar nevojën më të gjerë dhe mbështetja e shpresuar te vetja është bërë realitet për shumë anëtarë. Më tej, Kisha, Shoqatat e saj të Ndihmës dhe kuorumet e saj të priftërisë kanë aftësinë të ofrojnë ndihmë ndaj shumë njerëzve në shumë vende që preken nga katastrofat natyrore, lufta dhe përndjekja.

Pa aftësitë e Kishës së Tij në vend, porosia e Shpëtimtarit për ta çuar ungjillin në të gjithë botën nuk mund të realizohej. Nuk do të kishte çelësa apostolikë, strukturë, mjete financiare dhe përkushtim e sakrificë nga mijëra e mijëra misionarë që nevojiten për ta kryer punën. Kujtoni, “ky Ungjill i Mbretërisë [duhet] të predikohet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi”.

Kisha mund të ndërtojë dhe vërë në funksionim tempuj, shtëpitë e Zotit, ku ordinancat dhe besëlidhjet jetike të mund të administrohen. Jozef Smithi shpalli se synimi i Perëndisë nëpërmjet mbledhjes së popullit të Tij në çdo epokë është “ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulo[jë] popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mëso[jë] njerëzve udhën e shpëtimit; sepse ka disa ordinanca e parime që, kur mësohen e praktikohen, duhet të kryhen në një vend apo shtëpi të ndërtuar për atë qëllim”.

Nëse dikush beson se të gjitha rrugët të çojnë drejt qiellit ose se nuk ka kërkesa të veçanta për shpëtim, ai ose ajo nuk do ta shohë të nevojshme shpalljen e ungjillit ose të ordinancave dhe besëlidhjeve për shëlbimin qoftë të të gjallëve apo të të vdekurve. Por nuk flasim vetëm për pavdekësinë, por edhe për jetën e përjetshme dhe për këtë shkak shtegu i ungjillit dhe besëlidhjet e ungjillit janë thelbësore. Dhe Shpëtimtari ka nevojë për një kishë që t’ua mundësojë këto të gjithë fëmijëve të Perëndisë – si të gjallëve edhe të vdekurve.

Arsyeja e fundit që do të përmend pse Zoti e krijoi Kishën e Tij, është arsyeja më e pashoqe – Kisha është, para së gjithash, mbretëria e Perëndisë në tokë.

Ndërsa Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po themelohej në vitet 1830, Zoti i tha Profetit Jozef Smith: “Gëzohuni në zemër dhe ngazëllehuni, sepse për ju mbretëria ose, me fjalë të tjera, çelësat e kishës janë dhënë”. Me të drejtën e përdorimit të këtyre çelësave, drejtuesit e priftërisë të Kishës ruajnë pastërtinë e doktrinës së Shpëtimtarit dhe paprekshmërinë e ordinancave të Tij shpëtuese. Ata i ndihmojnë të përgatiten njerëzit që dëshirojnë t’i marrin ato, gjykojnë kualifikimin dhe denjësinë e atyre që i përdorin, dhe më pas i kryejnë ato.

Me çelësat e mbretërisë, shërbëtorët e Zotit mund të përcaktojnë si të vërtetën edhe pavërtetësinë dhe sërish të shpallin me autoritet: “Kështu thotë Zoti”. Me keqardhje, disa e kanë zët Kishën sepse duan të përkufizojnë të vërtetat e tyre vetjake, por në të vërtetë është një bekim i pakrahasueshëm të marrësh “dituri për gjërat siç janë [në të vërtetë] dhe siç ishin, dhe siç do të jenë”, derisa Zoti dëshiron t’i zbulojë ato. Kisha i ruan dhe i bën publike zbulesat e Perëndisë – kanunin e shkrimit të shenjtë.

Kur Danieli e interpretoi ëndrrën e mbretit të Babilonisë, Nebukadnetsarit, duke i bërë të njohur mbretit “atë që do të ndodhë ditët e fundit”, ai shpalli se “Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë … mbretëri[të e tjera], dhe do të ekzistojë përjetë”. Kisha është ajo mbretëri e profetizuar e ditëve të mëvonshme, jo e krijuar nga njeriu, por e ngritur nga Perëndia i qiellit dhe që rrokulliset si guri që “shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut” për të mbushur tokën.

Fati i saj është të krijojë Sionin si përgatitje për kthimin dhe sundimin mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Përpara asaj dite, nuk do të jetë një mbretëri në ndonjë kuptim politik – siç tha Shpëtimtari: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”. Përkundrazi, ajo është burimi i autoritetit të Tij në tokë, administruesja e besëlidhjeve të Tij të shenjta, kujdestarja e tempujve të Tij, mbrojtësja dhe shpallësja e së vërtetës së Tij, vendi i mbledhjes për Izraelin e shpërndarë dhe një “mbrojtje e … strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”.

E mbyll me kërkesën dhe lutjen e Profetit:

“Lutjuni Zotit, që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë, në të cilat Biri i Njeriut do të zbresë në qiell, i veshur me shkëlqimin e lavdisë së tij, për të takuar mbretërinë e Perëndisë që është ngritur mbi tokë.

Prandaj, u përhaptë mbretëria e Perëndisë, që mbretëria e qiellit të mund të vijë, që ti, O Perëndi, të mund të përlëvdohesh në qiell si dhe në tokë, që armiqtë e tu të mund të mposhten; sepse i yti është nderi, fuqia dhe lavdia, përherë e përgjithmonë.”

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.