2010–2019
Një Brez që i Bën Ballë Mëkatit
Prill 2017


11:23

Një Brez që i Bën Ballë Mëkatit

Teksa u jepni mësim, i udhëhiqni dhe i doni fëmijët, ju mund të merrni zbulesë vetjake që do t’ju ndihmojë në krijimin dhe armatosjen e fëmijëve të guximshëm që i bëjnë ballë mëkatit.

Një vit e gjysmë më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson foli rreth nevojës “për të dhënë mësim dhe për të ndihmuar në rritjen e një brezi që i bën ballë mëkatit”. Ajo frazë – “një brez që i bën ballë mëkatit” – më preku thellë shpirtërisht.

Ne i nderojmë fëmijët që përpiqen fort për të jetuar një jetë të pastër dhe të bindur. E kam dëshmuar forcën e shumë fëmijëve anembanë botës. Ata qëndrojnë të papërkulur, “të qëndrueshëm dhe të palëvizur” në një mori rrethanash dhe mjedisesh sfiduese. Këta fëmijë e kuptojnë identitetin e tyre hyjnor, e ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta dhe kërkojnë t’i binden vullnetit të Tij.

Megjithëkëtë, ka fëmijë të cilët hasin vështirësi për të qenë “të qëndrueshëm dhe të palëvizur” dhe mendjet e brishta të të cilëve po plagosen. Ata po sulmohen nga çdo anë prej “shigjeta[ve të] flakta të kundërshtarit” dhe kanë nevojë për përforcim e përkrahje. Ata janë një nxitje mbisunduese për ne që të ngrihemi e të zhvillojmë një luftë kundër mëkatit në përpjekjen tonë për t’i sjellë fëmijët tanë te Krishti.

Dëgjojini fjalët e Plakut Brus R. Mek-Konki gati 43 vjet më parë:

“Si anëtarë të Kishës, ne përfshihemi në një konflikt të fuqishëm. Jemi në luftë. Jemi rekrutuar në kauzën e Krishtit për të luftuar kundër Luciferit. …

Lufta e madhe që zien në çdo anë dhe e cila, për fat të keq, po sjell si rrjedhojë shumë viktima, disa deri në vdekje, nuk është diçka e re. …

… Tani as nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë njeri të paanshëm në këtë luftë.”

Sot lufta vazhdon me fuqi gjithnjë e në rritje. Beteja na prek ne të gjithëve dhe fëmijët tanë janë në rreshtat e parë duke u përballur me forcat kundërshtare. Prandaj, shtohet nevoja për ne që t’i forcojmë strategjitë tona shpirtërore.

Forcimi i fëmijëve që t’i bëjnë ballë mëkatit, është një detyrë dhe një bekim për prindërit, gjyshërit e gjyshet, pjesëtarët e familjes, mësuesit dhe udhëheqësit. Secili prej nesh mban përgjegjësinë për të ndihmuar. Sidoqoftë, Zoti i ka udhëzuar veçanërisht prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre “të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë” dhe “të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit”.

Mënyra se si t’i “rris[im] fëmijët [tanë] në dritë e të vërtetë” mund të jetë një çështje sfiduese, pasi është e individualizuar për secilën familje dhe secilin fëmijë, por Ati Qiellor na ka dhënë udhëzime të gjithësishme që do të na ndihmojnë. Shpirti do të na frymëzojë për mënyrat më të efektshme se si mund t’i vaksinojmë shpirtërisht fëmijët tanë.

Si fillim, është thelbësore të kemi një largpamësi të rëndësisë së kësaj përgjegjësie. Duhet të kuptojmë identitetin dhe qëllimin tonë hyjnor – dhe të tyret – përpara se të mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të shohin se kush janë dhe përse janë këtu. Duhet t’i ndihmojmë ata të dinë pa asnjë dyshim se janë bij e bija të një Ati të dashur Qiellor dhe se Ai pret gjëra hyjnore prej tyre.

Së dyti, të kuptuarit e doktrinës së pendimit është thelbësor që t’i bëjmë ballë mëkatit. T’i bësh ballë mëkatit nuk do të thotë të jesh pa mëkat, por nënkupton që të jesh vazhdimisht i penduar, vigjilent dhe i guximshëm. Ndoshta bërja ballë mëkatit merret si bekim kur i bëjmë ballë mëkatit në mënyrë të përsëritur. Sikurse tha Jakobi: “Kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju”.

Luftëtarët djalosharë “ishin jashtëzakonisht trima, për sa i përket guximit … ; por vini re, kjo nuk ishte e gjitha – ata qenë … të besuar në çdo kohë, në çdo gjë që u besohej. Po, ata ishin … mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij.” Këta të rinj shkuan në luftë duke mbartur si armë ndaj kundërshtarëve të tyre virtyte si ato të Krishtit. Presidenti Tomas S. Monson na kujtoi se “thirrja për guxim i vjen vazhdimisht secilit prej nesh. Në çdo ditë të jetës sonë nevojitet guxim – jo vetëm për ngjarjet madhështore, por shumë më shpesh kur ne marrim vendime ose reagojmë ndaj rrethanave përreth nesh.”

Fëmijët tanë e veshin armaturën shpirtërore teksa formojnë modele të dishepullimit të përditshëm vetjak. Ndoshta ne i nënvlerësojmë aftësitë e fëmijëve për ta kuptuar konceptin e dishepullimit të përditshëm. Presidenti Henri B. Ajring na këshilloi që ta “fillojmë herët dhe të jemi të qëndrueshëm”. Kështu, një zgjidhje e tretë për t’i ndihmuar fëmijët që t’i bëjnë ballë mëkatit, është ta fillojmë me dashuri, që në moshat më të vogla, për t’iu mësuar doktrinat dhe parimet bazë të ungjillit – nga shkrimet e shenjta, Nenet e Besimit, broshura Për Forcën e Rinisë, këngët e Fillores, himnet dhe vetë dëshmitë tona vetjake – që do t’i udhëheqin fëmijët drejt Shpëtimtarit.

Krijimi i zakoneve të vazhdueshme të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta, mbrëmjes familjare të shtëpisë dhe adhurimit në Shabat çojnë drejt të qenit të shëndetshëm shpirtërisht, palëkundshmërisë brenda vetes dhe vlerave të forta morale – me fjalë të tjera, drejt integritetit shpirtëror. Në botën e sotme ku integriteti moral pothuajse është zhdukur, fëmijët tanë e meritojnë të kuptojnë se çfarë është integriteti i vërtetë moral dhe përse është kaq i rëndësishëm – veçanërisht ndërkohë që i përgatitim të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta në pagëzim dhe në tempull. Sikurse na mëson udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim: “Mbajtja e zotimeve i përgatit njerëzit [përfshirë fëmijët shumë të vegjël] të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjet e shenjta”.

Plaku Xhefri R. Holland na mësoi: “Kur flasim rreth mbajtjes së besëlidhjeve, ne flasim rreth thelbit të qëllimit tonë jetik në vdekshmëri”. Ka fuqi të pazakontë në bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve me Atin tonë Qiellor. Kundërshtari e di këtë gjë, prandaj ai e ka errësuar konceptin e bërjes së besëlidhjeve. Të ndihmuarit e fëmijëve që të kuptojnë, bëjnë e mbajnë besëlidhje të shenjta është një tjetër zgjidhje në krijimin e një brezi që i bën ballë mëkatit.

Si i përgatitim fëmijët tanë që të bëjnë e mbajnë besëlidhje të shenjta, kur hyjnë dhe përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve? Të mësuarit e fëmijëve se si t’i mbajnë premtimet e thjeshta kur janë të vegjël, do t’i fuqizojë ata që të mbajnë besëlidhje të shenjta më vonë në jetë.

Më lejoni të tregoj një shembull të thjeshtë: Në një mbrëmje familjare, një baba pyeti: “Si po ia kalojmë së bashku si familje?” Lizi pesëvjeçare u ankua se vëllai i saj i madh, Kevini, po e përqeshte shumë dhe po ia lëndonte ndjenjat. Me ngurrim Kevini pranoi se Lizi kishte të drejtë. Nëna e Kevinit e pyeti atë se çfarë mund të bënte ai që të shkonte më mirë me motrën e tij. Kevini mendoi dhe vendosi se do t’i premtonte Lizit që do të kalonte një ditë të tërë pa e përqeshur.

Në fund të ditës së nesërme, teksa të gjithë u mblodhën për lutjen familjare, babai e pyeti Kevinin se si ia kishte dalë mbanë. Përgjigjja e Kevinit ishte: “Babi, e mbajta premtimin!” Lizi pohoi me gëzim dhe familja e përgëzoi Kevinin.

Më pas nëna e Kevinit sugjeroi që, në qoftë se ai mund ta mbante premtimin e tij për një ditë, përse nuk mund ta mbante për dy ditë? Kevini ra dakord ta provonte sërish. Dy ditë kaluan, Kevini pati sukses në mbajtjen e premtimit të tij dhe Lizi ishte edhe më mirënjohëse! Kur babai i tij e pyeti se përse po i mbante kaq mirë premtimet e tij, Kevini tha: “E mbajta premtimin se thashë që do ta mbaja”.

Një vazhdueshmëri e premtimeve të vogla, të mbajtura me sukses, çon drejt integritetit moral. Ushtrimi i vazhdueshëm i mbajtjes së premtimit është një përgatitje shpirtërore për fëmijët që të marrin besëlidhjen e tyre të parë të pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë, në të cilën ata lidhin besë për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Premtimet dhe besëlidhjet janë të pandashme.

Në librin e Danielit ne mësojmë për Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon që nuk pranuan ta adhuronin idhullin e mbretit Nebukadnetsar. Mbreti i paralajmëroi se do të hidheshin në furrën me zjarr përvëlues nëse nuk i bindeshin. Ata nuk pranuan dhe thanë:

“Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur. …

Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua.”

“Por edhe sikur të mos e bënte.” Merreni parasysh kuptimin e këtyre fjalëve dhe mënyrën se si lidhen ato me mbajtjen e besëlidhjeve. Këta tre të rinj nuk po e bazonin bindjen e tyre te shpëtimi. Edhe sikur të mos shpëtoheshin, ata do ta mbanin premtimin e tyre ndaj Zotit ngaqë thanë se do ta mbanin. Mbajtja e besëlidhjeve tona është gjithmonë e pavarur nga gjendja jonë. Këta tre të rinj, sikurse luftëtarët djalosharë, janë për fëmijët tanë shembuj të mrekullueshëm se si t’i bëjnë ballë mëkatit.

Si gjejnë zbatim këta shembuj në shtëpitë tona dhe në familjet tona? “Rresht pas rreshti, parim pas parimi”, ne i ndihmojmë fëmijët ta shijojnë suksesin në kafshata të vogla. Kur i mbajnë premtimet, ata e ndiejnë Shpirtin në jetën e tyre. Plaku Jozef B. Uirthlin na mësoi se “shpërblimi më i lartë i integritetit moral është shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë”. Atëherë do të forcohet “vetëbesimi [i fëmijëve tanë] në prani të Perëndisë”. Nga pusi i integritetit moral buron një brez i fuqizuar që i bën ballë mëkatit.

Vëllezër e motra, mbajini të vegjlit tuaj pranë – kaq pranë sa ta shohin sjelljen tuaj të përditshme fetare dhe t’ju vëzhgojnë duke i mbajtur premtimet dhe besëlidhjet tuaja. “Fëmijët janë imitues të mëdhenj, prandaj jepuni diçka të madhe për ta imituar.” Vërtet ne po ndihmojmë për të mësuar e rritur për Zotin një brez që i bën ballë mëkatit, premtim pas premtimi dhe besëlidhje pas besëlidhjeje.

Dëshmoj se Jezu Krishti e udhëheq këtë Kishë. Teksa i mësoni, udhëhiqni dhe i doni fëmijët sipas mënyrës së Shpëtimtarit, ju mund të merrni zbulesë vetjake që do t’ju ndihmojë për të krijuar dhe armatosur fëmijë të guximshëm që i bëjnë ballë mëkatit. Lutja ime është që fëmijët tanë do t’i përsëritin fjalët e Nefit: “A do të më bësh që unë të dridhem që në shfaqjen e mëkatit?” Ju dëshmoj që Shpëtimtari ynë shleu për mëkatet e botës – pasi tha se Ai do të shlyente – dhe që Ai na do më shumë sesa ne njerëzit e vdekshëm madje mund ta kuptojmë – pasi tha se Ai do të na donte. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.