2022
Zhvillohet për Herë të Parë një Ceremoni Diplomimi për Frekuentuesit e Seminarit pas Pandemisë
Janar/Shkurt 2022


Faqet Vendore

Zhvillohet për Herë të Parë një Ceremoni Diplomimi për Frekuentuesit e Seminarit pas Pandemisë

Prej pothuajse një viti, që kur nisi pandemia nga COVID-19, Kisha në Shqipëri nuk kishte organizuar aktivitete me anëtarë të pranishëm në një grumbullim. Data 12 qershor 2021 shënoi diplomimin e nxënësve të seminarit pas një viti të vështirë. Për muaj të tërë, secili prej tyre e ndoqi seminarin përmes internetit. Mësuesit e seminarit zhvilluan orë të përditshme seminari nëpërmjet programeve të krijuara për mbledhje e takime në internet. Ata e përshtatën programin mësimor të seminarit për vitin 2020-2021 duke mundësuar përfundimin me sukses të tij deri në diplomimin e pjesëmarrësve.

Në ceremoninë e diplomimit që u zhvillua në ndërtesën kishtare të Elbasanit, morën pjesë rreth 30 të rinj e të reja dhe 7 udhëheqës dhe mësues të seminarit. Të rinjtë dhe të rejat që morën pjesë në këtë ceremoni, ishin nga distrikti dhe nga kunji i Tiranës, Shqipëri.

Kishte kaluar më shumë se një vit nga çasti kur çdo veprimtari e Kishës u ndërpre. Më në fund kishte ardhur koha kur të rinjtë e të rejat mund të takoheshin përsëri me masat e duhura. Dukej se të gjithë i kishte marrë malli për njëri-tjetrin pas një periudhe të gjatë izolimi. Ndërsa të rinjtë e të rejat mblidheshin në ndërtesën kishtare, gëzoheshin që do të ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Për disa prej tyre, ky ishte aktiviteti i parë i seminarit kur merrnin pjesë qëkurse kishin filluar të frekuentonin seminarin një vit më parë. Gjatë veprimtarive të ndryshme përpara ceremonisë, ata patën mundësi të njihnin pjesëmarrësit e tjerë të seminarit nga qytete të ndryshme.

Aktiviteti filloi me fjalët e hapjes të bashkërendueses së Seminarit dhe Institutit, Juliana Konstandini. Pas fjalës së saj, të rinj dhe të reja, frekuentues të seminarit nga kunji dhe distrikti dhanë dëshmi për përvojën dhe ndjesitë e tyre rreth pjesëmarrjes në seminar gjatë këtij viti ndryshe nga të tjerët. Dy prej folësve, Remzie Shehu dhe Ermelinda Troka kishin përfunduar rrugëtimin e tyre me seminarin duke shënuar kështu fundin e periudhës katërvjeçare të studimit në këtë program. Dy të rejat u diplomuan me sukses nga seminari.

Mësueset e seminarit dhanë mendimet e tyre në lidhje me rëndësinë dhe rolin e seminarit në jetën e të rinjve dhe të rejave. Ato shprehën ndjesinë se seminari ka qenë bekim i madh për vetë ato. Pas këtyre bisedave, të rinjtë dhe të rejat e seminarit patën mundësi të argëtoheshin dhe ta njihnin më mirë njëri-tjetrin nëpërmjet lojërave të organizuara për zbavitjen e tyre në mjediset e ndërtesës kishtare të Elbasanit.

Pas çasteve çlodhëse, të rinjtë u rikthyen në sallë për të dëgjuar fjalët udhëzuese të presidentit të kunjit të Tiranës, Shqipëri, Presidentit Hysi, dhe presidentit të distriktit të Elbasanit, Shqipëri, Presidentit Mene. Ata i përgëzuan të rinjtë dhe të rejat për studimin me besnikëri dhe përkushtim duke u premtuar që, nëse vazhdojnë ta studiojnë fjalën e Perëndisë me qëndrueshmëri dhe vazhdimësi, bekimet e këtyre katër vjetëve do t’i ndiqnin për një kohë të gjatë në jetën e tyre.

Në fund të fjalëve të udhëheqësve, u shpërndanë certifikatat dhe diplomat. Së bashku me to, të rinjtë dhe të rejat morën dhurata simbolike me emblemën e tempullit. Kjo emblemë iu dhurua të rinjve e të rejave si një rikujtim i vendmbërritjes së tyre përfundimtare dhe qëllimit që ka çdo orë mësimore e seminarit që zhvillohet në Kishë: t’i sjellë të rinjtë e të rejat më pranë Krishtit dhe ta forcojë dëshminë dhe vendosmërinë e tyre në mënyrë që të mund të bëjnë zgjedhje e të marrin vendime që do ta bekojnë jetën e tyre përgjithmonë.