Shërbimi gjatë një Kohe të Jashtëzakonshme, Sfidat dhe Bekimet
Gjatë një telefonate në orën 06:30 të mëngjesit, morëm një mesazh nga asistentët e presidentit të misionit që na njoftonte se në orën 07:00 do të kishim një telefonatë urgjente me Presidentin e Misionit. Kur pashë mesazhin e njoftimit urgjent, e mora me mend se për çfarë mund të bëhej fjalë. Duke parë gjatë takimeve në rrugë që çdo ditë e më shumë biznese po mbylleshin në qytetin e Londrës, po kuptoja se pasojat nga Covid-19 po bëheshin më të rënda.
Në telefonatë, Presidenti nisi të tregonte historinë e Jozef Smithit nga DeB seksionet 121-123. Pas leximit dhe tregimit të ngjarjes në këto seksione, lajmi i parapritur erdhi. Ne nuk mund të dilnim më për të bërë takime në rrugë, për të bërë punën misionare normale. Pas mbylljes së telefonatës me të, u ndjeva jashtëzakonisht e zhgënjyer që nuk mund të dilja më e të shihja fytyrat e njerëzve në Londër dhe të mund t’iu ofroja një kopje të Librit të Mormonit, me besimin se zemrat e tyre do të hapeshin për ta larguar renë e mjegullt e cila i pengon të marrin dritën e lavdishme të së vërtetës që vjen nga vetë Krishti. Pas disa minutash heshtjeje pas njoftimit përfundimtar, m’u rikujtua dhe njëherë seksioni të cilin Presidenti sapo e tregoi nga DeB seksionet 121-123. Profeti Jozef Smith vuajti kur ishte në burgun e Libertisë në Misuri, por asgjë nuk e bëri këtë djalosh të ri që të humbiste besimin e tij dhe ai vazhdoi t’i shkruante zbulesat të cilat po i merrte në mënyrë të vazhdueshme, për mua dhe të gjithë fëmijët e tjerë të Atit Qiellor. Së bashku me shoqen time me të cilën po shërbeja në atë kohë, vendosëm të gjunjëzoheshim për të pyetur Atin:
“Cili ishte plani i Tij për ne? Çfarë duhet të bënim ne për përhapjen e ungjillit?”
Dhe përgjigjja e Tij erdhi në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky ishte plani të cilin Ai e kishte përgatitur për ne. Këtë plan Ai na e kishte bërë të ditur përpara se ne të vinim në tokë dhe unë e kam pranuar këtë plan për të qenë pjesë e një misioni shumë më ndryshe nga sa e njeh historia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai më kishte përgatitur së bashku me shoqen time për t’u thirrur në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe për të qëndruar si dëshmitare e Tij, për shkak se unë e kam pranuar të vërtetën duke marrë mbi vete emrin e Birit të Tij Jezu Krishtit. Ajo çfarë duhet të kujtoja gjatë kësaj kohe e tutje, ishte e vërteta në vargun në vijim:
“Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).
Pas marrjes së kësaj përgjigjeje të drejtë, asgjë nuk mund të ma ndalonte vullnetin, entuziazmin dhe dashurinë time për përhapjen e ungjillit në qytetin e Londrës, si dhe përballjen me situata të papritura, pasi e dija se Ati ishte me mua për të më drejtuar e forcuar për çfarë duhet të bëja. Kështu unë nisa një mision shumë më ndryshe nga misionet e tjera normale.
Çdo gjë nisi të bëhej në internet. Çdo ditë e ndieja se kishte një arsye përse ne nisëm punën misionare të përqendruar në Facebook dhe Instagram. Çdo ditë bisedoja me njerëz të cilët lumturoheshin të dinin se si mund të luteshin apo se Ati Qiellor i do fëmijët e Tij. Pas një disfate që po shihnim çdo ditë në jetët e tyre, një ditë në Facebook po bisedoja me një kërkuese e cila kishte një besim shumë të madh në Zot dhe ishte pagëzuar në katër Kisha të ndryshme. Ajo quhej Ester dhe kishte një njohuri shumë të mirë rreth Biblës. Sigurisht që mësimet me të nuk ishin më të lehtat që mund të kisha hasur gjatë misionit tim. Dhe pse ndonjëherë ishte shumë e vështirë për ta bindur atë se ajo çka ne po tregonim ishte e vërtetë, përsëri e ndieja që ajo do të pagëzohej për të parën herë në Kishën e vërtetë me autoritetin e dhënë nga vetë Krishti. Pas një muaji mësimi me të, një mëngjes teksa po planifikonim mësimin, e ndiem të ofronim ftesën për të menduar pagëzimin në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pas mësimit e pyetëm Esterin: “Ester, a do ta ndjekësh dritën e Krishtit nëpërmjet autoritetit të vërtetë në tokë duke u pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?” Përgjigjja e saj ishte shumë direkte: “Jo!” E mërzitur, përsëri diçka më shtyu ta ftoja atë të lutej në darkë dhe të pyeste Atin Qiellor, me besimin se Ai do t’i përgjigjej. Ditën e nesërme, përpara se të nisnim mësimin tonë me të, e pyetëm nëse kishte pasur mundësi të lutej në mbrëmje dhe Esteri u përgjigj duke thënë: “Po, u luta. Ishte një lutje shumë e bukur dhe unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë pasi e mora atë pohim mbrëmë. Mbrëmë unë mora përgjigjen e pyetjes që kam pasur me vite për Librin e Mormonit, teksa po e lexoja atë. E di se Profeti Jozef Smith i përktheu fletët e arta dhe se pa Atin dhe Birin. Unë dua të pagëzohem.”
Për një misionar nuk ka asnjë dhuratë më të bukur sesa të marrë një përgjigje të tillë plot besim dhe dëshmi nga kërkuesi. Pasi caktuam datën e pagëzimit, Esteri u vë në kontakt me ne gjatë javëve në vijim duke thënë se donte që pagëzimi i saj të ishte më përpara se dita që kishim caktuar dhe kështu ndodhi. Sot ajo vazhdon ende të jetë aktive me dëshminë e saj të bukur.
Kjo ishte një ndër mrekullitë e punës në internet në Facebook. Ati Qiellor ka krijuar mundësi të reja për ne shenjtorët e ditëve të mëvonshme për të gjetur delet e Tij të humbura, pasi vetë Krishti thotë: “Pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj” (Alma 5:33).
Puna në mediat shoqërore Facebook dhe Instagram jo vetëm më ndihmoi për përhapjen e ungjillit dhe për të gjetur delet e humbura, por më bekoi me më shumë talente të cilat nuk i dija më parë. Çdo ditë, teksa ne krijonim materialet filmike për mediat Facebook dhe Instagram, merrja një mesazh nga dikush i cili më thoshte: “Faleminderit për këtë mesazh, ishte ajo çfarë kisha nevojë të dëgjoja sot”. Kjo ndodh sepse Ati kujdeset edhe për hollësitë e punës së Tij. Ai na njeh shumë mirë. Ai kujdeset për ne. Ai u kujdes shumë për mua në përvojën time “jetëndryshuese” dhe vazhdon çdo ditë ashtu si një prind qëndron pas fëmijës së tij kur fëmija nis të hedhë hapat e para me duart rreth prindit për të mos rënë, por për të vazhduar dhe mësuar për të ecur, duke i dhënë mbështetje: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10).
Jam shumë mirënjohëse për kohën që kalova duke shërbyer në misionin e Anglisë në Londër. Përvoja ime në mision jo vetëm më rriti në pjekuri, por më dhuroi talente dhe aftësi të reja të cilat nuk i dija më parë. Mbi të gjitha, dhurata më e çmueshme që mora, ishte të njihja Shpëtimtarin tim, të provoja 1% të vuajtjes që Ai vuajti për mua. Teksa njoha Krishtin më shumë, arrita të krijoja një marrëdhënie tjetër me Atin Qiellor. E dua Krishtin po aq sa ungjillin e Tij.
Po aq mirënjohëse jam për Profetin Rasëll M. Nelson, për shembullin e tij, forcën e tij gjatë kësaj kohë pandemie. Ai nuk ka reshtur së dërguari mesazhet e mrekullueshme që Ati ia ka komunikuar atij për ne. Ati Qiellor nuk do që ne të ndihemi vetëm. Ai do që ne t’i hapim zemrat tona dhe ta lejojmë Atë të triumfojë në jetën tonë pasi Ai është me ne. Ne kemi njëri-tjetrin. Një shembull i kësaj ka qenë programi “Eja, Më Ndiq” që na ka bërë të ndihemi më afër me njëri-tjetrin si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, edhe pse mund të jemi në largësi. Libri i Mormonit është themeli ynë. E di se puna misionare mbahet në duar të sigurta nga vetë Ati.
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.