2022
Të Pastrojmë Vendin tonë në Kohë Pandemie
Janar/Shkurt 2022


Të Pastrojmë Vendin tonë në Kohë Pandemie

Kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë që të rinjtë nuk shiheshin dhe nuk shërbenin së bashku, për shkak të kohës shumë të vështirë nga COVID-19 që gjithë bota po e përjeton tashmë. Mbasi pamë pak “dritë në fund të tunelit” vendosëm të kishim një aktivitet shërbimi me të rinjtë në moshë madhore beqarë të Kunjit Tiranë, Shqipëri. Në datën 10 korrik 2021 vendosëm të bënim një projekt shërbimi në një nga zonat turistike të zonës së Durrësit, në Kepin e Rodonit, nën drejtimin dhe idenë e dy organizatorëve Pamela Gjonça dhe Eriseld Dervishi dhe gjithashtu të Këshillit të Institutit. Kjo gjë u realizua menjëherë.

“Kjo ide u prit shumë mirë nga të rinjtë, madje mezi pritën që të zhvillohej, sepse do të mblidheshin së bashku pas një kohe të gjatë, dhe pse jo, edhe të mbronin natyrën e vendit të tyre duke e pastruar mjedisin së bashku gjithashtu”, – u shpreh Pamela.

“Siç e dimë, Zoti na ka këshilluar që të kujdesemi për tokën ku jetojmë dhe duke parë që këto vende ishin shumë të ndotura, vendosëm të kryenim këtë lloj aktiviteti. Duke u mbledhur me njëri-tjetrin ne mund të bëjmë gjëra të mëdha”, - u shpreh Eriseldi.

Në Librin e Mormonit te Mosia 2:17 thuhet: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”. Ne si të rinj në moshë madhore beqarë, e vumë re këtë gjatë shërbimit që bëmë. Të gjithë ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të gjithë donim që të ndihmonim në këtë aktivitet shërbimi. Kishte njerëz rreth e përqark që na shihnin të habitur nga ajo çfarë po bënim, por kishte gjithashtu shumë të tjerë që na përgëzonin. Pra me këtë aktivitet ne mund të shihnim se çfarë ndikimi patëm në komunitet dhe jo vetëm. Patëm ndikim pozitiv edhe në veten tonë.

Gjithashtu, ne i kishim nxitur të rinjtë që të ftonin edhe miqtë e tyre të cilët nuk i përkisnin besimit tonë, që të kontribuonin në shërbimin tonë, dhe kjo ndodhi. Ata i kishin ftuar dhe kishim tre miq të rinj që u bashkuan me ne. Duke i pyetur që të tre se si u ndien, ata thanë që u ndien shumë mirë dhe që kishin pasur një ndjesi të mirë gjatë gjithë kohës. Njëri prej këtyre ishte dhe një kërkues, i cili sapo ishte pagëzuar, dhe ai tha që e ka ndier Shpirtin në këto lloj aktivitetesh.

Në fund të aktivitetit ne hëngrëm ushqime dhe bëmë disa lojëra si zakonisht. Ishte një kohë argëtimi ku ne treguam talentet tona dhe patëm mundësi të flisnim me njëri-tjetrin, gjë që na kishte munguar shumë. “Më pëlqen historia e mbretit Beniamin në Librin e Mormonit dhe shembulli i vetëmohimit, shërbimit që ai jep (Mosia 2:12). Mund ta shikoja atë shembull aty, atë ditë, mes atyre të rinjve që në vend të një fundjave vere që mund të kishin kaluar me familjen ose miqtë e tyre, zgjodhën të jenë vetëmohues si mbreti Beniamin dhe të shërbejnë pa asnjë shpërblim për veten e tyre. Por unë jam e sigurt që Ati Qiellor ka bekime shpirtërore për ata dhe kjo është e mjaftueshme”, – u shpeh Pamela.

“Nga kjo mund të shikojmë se kur punojmë me zell, jo vetëm që marrim bekime, por ne jemi dritë për të tjerët”, – u shpreh Eriseldi. Ashtu siç kërkon Shpëtimtari nga ne te DeB 4:2, të shërbejmë “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” tonë.