Mësimi 19
Ai u Ringjall
Hyrje
“[Jezu] Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur (1 Korintasve 15:20). Si Zot i ringjallur Ai vizitoi ata që i kish dashur në jetë.” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Ky mësim do të japë doktrinën dhe ngjarjet e lidhura me Ringjalljen e Jezu Krishtit. Teksa studentët e rritin të kuptuarin dhe dëshminë e tyre për Ringjalljen, ata do të fitojnë largpamësi dhe shpresë ndërsa hasin sfidat e vdekshmërisë.
Lexim Konteksti
-
D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 111–114.
-
Dallin H. Oaks, “Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 14–16.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Korintasve 15:12–29
Ringjallja e Jezu Krishtit
Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Profeti Jozef Smith (1805–1844), dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 52).
Diskutoni me studentët për pyetjen që vijon:
-
Si mendoni, përse të gjitha parimet e tjera të ungjillit janë “shtojca” të vdekjes varrimit dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit?
Ftojini studentët të lexojnë Isaian 25:8; Mosian 16:7–8; dhe Almën 33:22 në heshtje, duke kërkuar atë që profetizuan profetët e lashtë rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Kërkojuni të raportojnë atë që zbulojnë.
Kopjojeni në tabelë pasqyrën përmbledhëse në vijim:
Për shkak se Jezusi u ngjall së vdekuri, … |
Nëse Jezusi nuk do të ngjallej së vdekuri, atëherë … |
Ftojeni gjysmën e klasës të studiojë fragmentet e shkrimeve të shenjta në kolonën e majtë të tabelës, duke kërkuar bekimet që marrim si rrjedhojë e Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ftojeni gjysmën tjetër të klasës të studiojë fragmentet e shkrimeve të shenjta në kolonën e djathtë, duke kërkuar atë që do të kishte ndodhur nëse Jezusi nuk do të ngjallej së vdekuri. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkoni vullnetarë që të shpjegojnë atë që mësuan. Ndihmojini studentët të pohojnë një doktrinë të dhënë mësim në këto fragmente duke bërë pyetjet në vijim:
-
Sipas 1 Korintasve 15:20, Apostulli Pal pohoi se Jezusi ishte “fryti i parë i atyre që kanë fjetur”. Çfarë kuptimi ka kjo frazë? (Jezusi ishte personi i parë që u ringjall.)
Kërkojuni studentëve të lexojnë te 1 Korintasve 15:22 sërish. Më pas, pyetni:
-
Si do ta përmblidhnit bekimin e përbotshëm që marrim ne ngaqë Jezu Krishti u ringjall? (Studentët duhet të shprehin doktrinën vijuese: Për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë ata që lindin në vdekshmëri do të ringjallen.)
Ftojeni një student të lexojë thëniet që vijojnë nga President Hauard W. Hanter (1907–1995) dhe Presidenti Marion G. Romni (1897–1988), të Presidencës së Parë:
“Pa Ringjalljen, ungjilli i Jezu Krishtit bëhet një përsëritje e mërzitshme e disa thënieve të mençura e disa mrekullive me sa duket të pashpjegueshme – por thënie dhe mrekulli me asnjë ngadhënjim përfundimtar. Jo, ngadhënjimi përfundimtar është në mrekullinë përfundimtare: për herë të parë në historinë e njerëzimit, dikush që kishte vdekur e ngriti veten në jetë në pavdekësi. Ai ishte Biri i Perëndisë, Biri i Atit tonë të pavdekshëm në Qiell dhe ngadhënjimi i tij mbi vdekjen fizike dhe shpirtërore është lajmi i mirë që duhet të thotë çdo gjuhë e krishterë” (Howard W. Hunter, “An Apostle’s Witness of the Resurrection”, Ensign, maj 1986, f. 16).
“Ai u ringjall, nuk është këtu.” (Marku 16:6.) Këto fjalë, shprehëse në thjeshtësinë e tyre, njoftuan ngjarjen më domethënëse të historisë së regjistruar ” (Marion G. Romney, “The Resurrection of Jesus”, Ensign, maj 1982, f. 6).
-
Si mendoni ju, përse Ringjallja e Jezu Krishtit është “ngjarja më e rëndësishme e të gjithë historisë së regjistruar”?
-
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni duke e ditur se për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të lindur në tokë do të ringjallen?
Shpjegoni se Ringjallja na shëlbon, jo vetëm nga vdekja fizike, por edhe nga vdekja shpirtërore. Nëse nuk do të kishte ringjallje, atëherë të gjithë njerëzit do të bëheshin në përfundim si djalli (shih 2 Nefi 9:6–9).
Dëshmoni se Ringjallja e Jezu Krishtit e përfundoi Shlyerjen dhe e bëri të mundur që të gjithë fëmijët e Perëndisë të kthehen në praninë e Tij.
Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20
Dëshmitë për Jezu Krishtin e ringjallur
Sigurojuani studentëve tabelën vijuese si fletushkë:
Shfaqjet në Dhiatën e Re të Jezu Krishtit të Ringjallur
Referenca |
Njerëzit që u Vizituan |
Data ose Koha |
Vendndodhja |
Çfarë ndodhi |
---|---|---|---|---|
Caktojini secilit student një ose dy rreshta nga tabela. Kërkojuni t’i studiojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta në rreshtat që u janë caktuar dhe të përcaktojnë se kë vizitoi Shpëtimtari i ringjallur. Pas një kohe të mjaftueshme, vërini studentët të raportojnë atë që kanë zbuluar. Për shkak të kufizimeve kohore, nxitini studentët që t’i kenë të shkurtra raportimet. Pastaj diskutoni për pyetjet vijuese:
-
Në këtë veprimtari, çfarë mësoni rreth shfaqjeve të shumta të Shpëtimtarit të ringjallur dhe mbi atë që përjetoi çdo individ?
-
Përveç këtyre fragmenteve, çfarë dëshmish të tjera për Jezu Krishtin e ringjallur gjenden në shkrimet e shenjta? (Studentët mund të përmendin dëshmitë e nefitëve ose të Profetit Jozef Smith.)
-
Përse është e rëndësishme të dimë që ka pasur shumë dëshmi për Shpëtimtarin e ringjallur? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë të vërtetën vijuese: Ngaqë shumë individë kanë qenë dëshmitarë të Jezu Krishtit të ringjallur, ne mund ta kemi sigurinë se Ai jeton dhe se, edhe ne, do të jetojmë përsëri pasi të vdesim.)
Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë më mirë nënkuptimet doktrinore të Ringjalljes së Shpëtimtarit dhe arsyen përse, sikurse dha mësim Jozef Smithi, të gjitha parimet e tjera janë shtojca të vdekjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, jepini çdo studenti një kopje të thënies vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë.
“Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabbi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.
Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë [shih Enosi 1:6].
Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha [shih, për shembull, 3 Nefi 9:15].
Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim [shih, për shembull, DeB 76].
Prandaj, ka një botë shpirtrash që Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij [shih DeB 138].
Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt [shih Veprat e Apostujve 1:10–11], dhe ‘të mbretërojë personalisht mbi tokë’ [Nenet e besimit 1:10; shih edhe Udhëzuesin Tematik, “Jezu Krishti, Mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit”].
Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë [shih, për shembull, 2 Nefi 9:15].
Për shkak se Ringjallja e Krishtit është realitet, dyshimet rreth plotfuqisë, gjithëdijenisë dhe mirëdashjes së Perëndisë, Atit – i cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur për shëlbimin e botës – janë të pabazuara. Dyshimet rreth domethënies dhe qëllimit të jetës janë të pathemelta. Jezu Krishti është në fakt i vetmi emër apo udhë nëpërmjet të cilës njerëzimit mund t’i vijë shpëtimi. Hiri i Krishtit është i vërtetë, duke i siguruar edhe falje, edhe pastrim mëkatarit të penduar. Besimi është në të vërtetë më tepër sesa përfytyrim apo shpikje psikologjike. Ka të vërtetë themelore e të përbotshme dhe ka standarde të paanshme e të pandryshueshme morale sikurse u dhanë mësim prej Tij.
Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, pendimi për çdo shkelje të ligjit dhe urdhërimeve të Tij, është sa i mundur aq edhe i ngutshëm. Mrekullitë e Shpëtimtarit janë të vërteta, ashtu siç është premtimi i Tij ndaj dishepujve të Tij që ata të mund të bënin vepra të njëjta e madje edhe më të mëdha [shih Gjoni 14:12]. … Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, vdekja nuk është fundi ynë dhe megjithëse ‘krimbat e lëkurës i shkatërrojnë trupat tanë, prapëseprapë në mishin tonë [ne] do ta shohim Perëndinë’ [Jobi 19:26]” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 113, 114).
-
Si e ilustron thënia e Plakut Kristoferson vendin qendror të Ringjalljes së Shpëtimtarit në Doktrinën e ungjillit të rivendosur?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë mënyrën se si vërtetësia e Ringjalljes mund t’i prekë ata vetë, shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“‘Shpresa e gjallë’ që na jepet nga ringjallja është bindja jonë se vdekja nuk është përfundimi i identitetit tonë, por thjesht një hap i nevojshëm në kalimin e paracaktuar nga vdekshmëria në pavdekësi. Kjo shpresë e ndryshon të gjithë këndvështrimin e jetës në vdekshmëri. …
Siguria e ringjalljes na jep forcë dhe këndvështrim për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë të hasura nga secili prej nesh dhe nga ata që i duam, gjëra të tilla si mangësi fizike, mendore ose emocionale që i sjellim me vete në lindje ose që i fitojmë gjatë jetës në vdekshmëri. Për shkak të ringjalljes, ne e dimë se këto mangësi të vdekshmërisë janë thjesht të përkohshme!
Kjo siguri e ringjalljes na jep edhe një shtysë të fuqishme për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë gjatë jetës sonë në vdekshmëri” (“Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 15).
-
Përse është e rëndësishme për secilin prej nesh që të zhvillojë një dëshmi për vërtetësinë e Ringjalljes? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne mund të kemi shpresë dhe një këndvështrim të përjetshëm ndërsa hasim sfidat dhe sprovat e jetës.)
-
Në çfarë mënyrash kuptueshmëria e Ringjalljes ju ka sjellë shpresë ose gëzim juve apo dikujt që ju e njihni?
Jepeni thënien vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek–Kei (1873–1970):
Për dy vjet e gjysmë ata i kishte mbështetur dhe frymëzuar prania e Krishtit. Por tani Ai kishte ikur. Ata ishin lënë të vetëm dhe dukeshin të hutuar, të papërkrahur. …
Çfarë ishte ajo që papritmas i ndryshoi këta dishepuj në predikues të vetësigurt, të patrembur, heroikë të ungjillit të Jezu Krishtit? Ishte zbulesa se Krishti ishte ngritur nga varri” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 62).
Ftojini studentët të përsiaten për dikë që e njohin i cili mund të jetë forcuar nga dëgjimi i mesazhit të Ringjalljes. Nxitini studentët të gjejnë një kohë në të ardhmen e afërt për t’i diskutuar ndjenjat dhe dëshminë e tyre me atë njeri.
Leximet e Studentëve
-
Dallin H. Oaks, “Resurrection”, Ensign, maj 2000, f. 14–16.