Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Libri i Mormonit – Gurthemeli i Besimit Tonë


Kapitulli 9

Libri i Mormonit – Gurthemeli i Besimit Tonë

“A nuk ka diçka thellë në zemrat tona që ka mall për t’u afruar më pranë Perëndisë? … Nëse është kështu, atëherë Libri i Mormonit do të na ndihmojë ta bëjmë këtë më shumë se çfarëdo libër tjetër.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Më 5 janar 1986, Presidenti Ezra Taft Benson kryesoi në një konferencë kunji në Enëndejll të Virxhinias – konferenca e tij e parë e kunjit si President i Kishës. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme të pranishëm u “prekën dukshëm” kur e dëgjuan atë t’u fliste. Në fjalimin e tij, “ai dha dëshmi për fuqinë e Librit të Mormonit që të ndryshonte jetë dhe që t’i udhëhiqte njerëzit te Krishti”. Ai hodhi një “sfidë të zjarrtë [për ta] studiuar këtë libër të shkrimit të shenjtë”1.

Ky mesazh nuk ishte i ri në shërbesën e Presidentit Benson. Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai shpesh i kishte nxitur shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ta studionin Librin e Mormonit dhe t’i ndiqnin mësimet e tij.2 Por, si President i Kishës, ai u frymëzua që ta theksonte mesazhin edhe më shumë. Ai tha: “Zoti e frymëzoi shërbëtorin e Tij, Lorenco Snoun, që të ritheksonte parimin e së dhjetës për ta shpenguar Kishën nga skllavëria financiare. … Tani, në kohën tonë, Zoti ka zbuluar nevojën për të ritheksuar Librin e Mormonit.”3 Presidenti Benson dëshmoi për Librin e Mormonit kudo që shkoi: në mbledhjet e misionarëve, në konferencat e kunjeve dhe të krahinave, në konferencat e përgjithshme dhe në mbledhjet me Autoritetet e Përgjithshme.4

Në fjalimin e tij të parë si President i Kishës në konferencën e përgjithshme, Presidenti Benson dha një arsye për nevojën e ngutshme të këtij mesazhi. “Në qoftë se nuk e lexojmë Librin e Mormonit dhe nuk ua vëmë veshin mësimeve të tij”, paralajmëroi ai, “Zoti ka shpallur në seksionin 84 të Doktrina e Besëlidhjeve se e tërë Kisha është nën dënim: ‘Dhe ky dënim qëndron mbi fëmijët e Sionit madje të gjithë’ [DeB 84:56]. Zoti vazhdon: ‘Dhe ata do të mbeten nën këtë dënim derisa të pendohen dhe të kujtojnë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit dhe urdhërimet e mëparshme që iu kam dhënë, jo vetëm për t’i thënë, por për të vepruar sipas asaj që kam shkruar’ [DeB 84:57].”5

Citimet e mëposhtme, që të gjitha nga predikimet që dha Presidenti Benson si President i Kishës, japin një shembull të paralajmërimeve dhe premtimeve të tij lidhur me Librin e Mormonit:

“Tani ne nuk kemi nevojë vetëm që të themi më shumë rreth Librit të Mormonit, por kemi nevojë që të bëjmë më shumë me të. Përse? Zoti përgjigjet: ‘Që ata të mund të sjellin fryte të përshtatshme për mbretërinë e Atit të tyre; përndryshe aty ngelet një ndëshkim dhe gjykim për t’u derdhur mbi fëmijët e Sionit’ [DeB 84:58]. Ne e kemi ndier atë ndëshkim dhe gjykim!

“… Libri i Mormonit nuk ka qenë, as nuk është ende, qendra e studimit tonë vetjak, e mësimdhënies sonë në familje, e predikimit dhe punës sonë misionare. Për këtë ne duhet të pendohemi.”6

“Ne nuk jemi duke e përdorur siç duhet Librin e Mormonit. Shtëpitë tona nuk janë aq të forta, në qoftë se nuk po e përdorim atë për t’i sjellë fëmijët tanë te Krishti. Familjet tona mund të korruptohen nga prirjet dhe mësimet e botës, në qoftë se nuk e dimë se si ta përdorim librin për të nxjerrë në pah dhe luftuar gjërat e rreme. … Misionarët tanë nuk janë aq të frytshëm, në qoftë se nuk po [japin mësim] me të. Të kthyerit në besim për arsye shoqërore, morale, kulturore apo arsimore nuk do të mbijetojnë nën nxehtësinë e kohës, në qoftë se rrënjët e tyre kryesore nuk zbresin drejt plotësisë së ungjillit, të cilën e përmban Libri i Mormonit. Orët mësimore të Kishës sonë nuk janë aq të mbushura me Shpirtin, në qoftë se nuk e ngremë atë lart si standard.”7

“Ju bekoj me një kuptueshmëri të shtuar të Librit të Mormonit. Ju premtoj se nga ky çast e më tej, në qoftë se ne vërtet do të ushqehemi çdo ditë nga faqet e tij dhe do të jetojmë sipas porosive të tij, Perëndia do të derdhë mbi secilin fëmijë të Sionit dhe mbi Kishën një bekim të panjohur deri më sot – dhe ne vërtet do t’i përgjërohemi Zotit që Ai do të fillojë ta ngrejë dënimin – ndëshkimin dhe gjykimin. Për këtë unë jap dëshmi solemne.”8

“Unë nuk e di tërësisht përse Perëndia ma ka ruajtur jetën deri në këtë moshë, por këtë vërtet e di: Që për kohën e tanishme Ai më ka zbuluar nevojën absolute që ne ta lëvizim përpara Librin e Mormonit tani, në një mënyrë të mrekullueshme. Ju duhet të ndihmoni me këtë barrë dhe me këtë bekim që Ai e ka vendosur mbi të gjithë Kishën, madje mbi të gjithë fëmijët e Sionit.

Moisiu kurrë nuk hyri në tokën e premtuar. Jozef Smithi kurrë nuk e pa Sionin të shëlbuar. Disa prej nesh mund të mos jetojnë për aq kohë sa ta shohin ditën kur Libri i Mormonit e përmbyt tokën dhe kur Zoti e ngre dënimin e Tij. (Shih DeB 84:54–58.) Por, dashtë Perëndia, unë kam si qëllim t’i kaloj të gjitha ditët që më kanë ngelur me atë përpjekje të lavdishme.”9

Portrait of Joseph Smith Jr. standing and holding a copy of the Book of Mormon.

Profeti Jozef Smith tha se Libri i Mormonit është “gurthemeli i besimit tonë”.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë.

Sa i rëndësishëm është Libri i Mormonit? Jozef Smithi e quajti atë “gurthemeli i besimit tonë”. (History of the Church, [Historia e Kishës], 4:461.) “Hiqni Librin e Mormonit dhe zbulesat”, tha ai, “dhe ku është feja jonë? Ne nuk kemi asgjë.” (History of the Church, [Historia e Kishës] 2:52.)10

Një gurthemel është guri qendror në një hark. Ai i mban të gjithë gurët e tjerë në vend dhe, nëse hiqet, harku shkatërrohet.

… Ashtu si harku shkatërrohet nëse i hiqet gurthemeli, po kështu e gjithë Kisha qëndron ose bie me vërtetësinë e Librit të Mormonit. Armiqtë e Kishës e kuptojnë këtë qartësisht. Kjo është arsyeja përse ata shkojnë kaq larg në përpjekje për ta hedhur poshtë Librin e Mormonit, sepse, nëse ai mund të zhvlerësohet, Profeti Jozef Smith zhvlerësohet bashkë me të. Po kështu edhe pretendimi ynë për çelësat e priftërisë, dhe zbulesën, dhe Kishën e rivendosur. Por, në të njëjtën mënyrë, nëse Libri i Mormonit është i vërtetë – dhe miliona njerëz tashmë kanë dëshmuar se kanë marrë dëshminë e Shpirtit që ai është padyshim i vërtetë – atëherë një njeri duhet t’i pranojë pretendimet e Rivendosjes dhe gjithçka që e shoqëron atë.11

Ndoshta nuk ka asgjë që dëshmon më me qartësi për rëndësinë e këtij libri të shkrimit të shenjtë sesa ajo që Zoti Vetë ka thënë rreth tij.

Nëpërmjet vetë gojës së Tij, Ai ka dhënë dëshmi 1) se ai është i vërtetë (DeB 17:6), 2) se ai përmban të vërtetën dhe fjalët e Tij (DeB 19:26), 3) se u përkthye me anë të fuqisë nga lart (DeB 20:8), 4) se ai përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit (DeB 20:9; 42:12), 5) se ai u dha me anë të frymëzimit dhe u konfirmua me anë të shërbesës së engjëjve (DeB 20:10), 6) se ai jep provë që shkrimet e shenjta janë të vërteta (DeB 20:11) dhe 7) se ata që e marrin atë me besim, do të marrin jetë të përjetshme (DeB 20:14).12

2

Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe na sjell më pranë Perëndisë.

Misioni madhor i Librit të Mormonit, sikurse shënohet te faqja e tij e titullit, është “për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”.

Kërkuesi i ndershëm i së vërtetës mund ta fitojë dëshminë se Jezusi është Krishti, ndërkohë që i përsiat me lutje fjalët e frymëzuara të Librit të Mormonit.13

A e kujtojmë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit? Në Bibël, ne kemi Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Fjala testament është varianti anglisht i një fjale greke që gjithashtu mund të përkthehet si besëlidhje. A është kjo çfarë donte të thoshte Zoti kur Ai e quajti Librin e Mormonit “besëlidhja e re”? Ai është me të vërtetë një testament ose dëshmi tjetër e Jezusit. Kjo është një nga arsyet përse kohët e fundit i kemi shtuar titullit të Librit të Mormonit fjalët “Një Tjetër Dëshmi e Jezu Krishtit”. …

Libri i Mormonit është gurthemeli në dëshminë tonë për Jezu Krishtin, i cili është Vetë guri i qoshes së çdo gjëje që bëjmë. Ai [libër] dëshmon për realitetin e Tij me fuqi dhe qartësi. Ndryshe nga Bibla, që kaloi përmes brezave të kopjuesve, përkthyesve dhe fetarëve të korruptuar që e ngatërruan tekstin, Libri i Mormonit erdhi nga shkruesi te lexuesi vetëm me një hap të frymëzuar të përkthimit. Si rrjedhim, dëshmia e tij për Mësuesin është e qartë, e padobësuar dhe plot me fuqi. Por bën edhe më shumë. Shumica e botës së krishterë sot e hedh poshtë hyjninë e Shpëtimtarit. Ata e vënë në pikëpyetje lindjen e Tij të mrekullueshme, jetën e Tij të përsosur dhe vërtetësinë e ringjalljes së Tij të lavdishme. Libri i Mormonit na mëson me terma të qarta dhe të pagabueshme rreth të vërtetës së këtyre të gjithave. Ai gjithashtu na jep shpjegimin më të plotë të doktrinës së Shlyerjes. Me të vërtetë, ky libër i frymëzuar në mënyrë hyjnore është gurthemel për t’i dhënë dëshmi botës se Jezusi është Krishti.14

This is the right side of the painting, "The Bible and the Book of Mormon Testify of Christ" which displays Christ visiting the Nephites in the Americas. Christ is showing the wounds in His hands to the people.

Në Librin e Mormonit, dëshmia e Jezu Krishtit është “e qartë, e padobësuar dhe plot me fuqi”.

Profeti Jozef Smith … tha: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër” [History of the Church, 4:461]. … A nuk ka diçka thellë në zemrat tona që ka mall për t’u afruar më shumë me Perëndinë, për të qenë më shumë si Ai në ecjen tonë të përditshme, për ta ndier vazhdimisht praninë e Tij me ne? Nëse është kështu, atëherë Libri i Mormonit do të na ndihmojë ta bëjmë këtë më shumë sesa çfarëdo libër tjetër. …

Vëllai ynë i dashur, Presidenti Marion G. Romni, … i cili e di vetë fuqinë që qëndron në këtë libër, dëshmoi për bekimet që mund të vijnë në jetën e atyre që do ta lexojnë dhe studiojnë Librin e Mormonit. Ai tha:

“Ndihem i sigurt që, nëse në shtëpitë tona, prindërit do të lexojnë nga Libri i Mormonit plot lutje dhe rregullisht, si më vete ashtu edhe me fëmijët e tyre, shpirti i atij libri të madhërishëm do të arrijë t’i përshkojë shtëpitë tona dhe të gjithë ata që banojnë aty. Shpirti i nderimit do të rritet; respekti dhe interesimi i përbashkët për njëri-tjetrin do të rriten. Shpirti i grindjes do të largohet. Prindërit do t’i këshillojnë fëmijët e tyre me dashuri e urtësi më të madhe. Fëmijët do t’i përgjigjen më mirë këshillës së prindërve të tyre dhe do të jenë më të bindur ndaj saj. Drejtësia do të rritet. Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore – dashuria e pastër e Krishtit – do të gëlojnë në shtëpitë tona dhe në jetën tonë, duke sjellë menjëherë pas tyre paqe, gëzim dhe lumturi” (Ensign, maj 1980, f. 67).

Këto premtime – dashuri dhe harmoni e shtuar në shtëpi, respekt më i madh ndërmjet prindit dhe fëmijës, shpirtshmëri dhe drejtësi e shtuar – nuk janë premtime boshe, por pikërisht ato që kishte si qëllim Profeti Jozef Smith kur tha se Libri i Mormonit do të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Perëndinë.15

3

Libri i Mormonit na mëson doktrinën e vërtetë, ngatërron doktrinën e rreme dhe nxjerr në pah armiqtë e Krishtit.

Zoti Vetë ka thënë se Libri i Mormonit përmban “plotësi[në e] ungjillit të Jezu Krishtit” (DeB 20:9). Kjo nuk do të thotë se ai përmban çdo mësim, çdo doktrinë të zbuluar ndonjëherë. Në të kundërt, do të thotë se në Librin e Mormonit ne vërtet do të gjejmë plotësinë e atyre doktrinave që kërkohen për shpëtimin tonë. Dhe ato na mësohen thjesht dhe qartë, me qëllim që edhe fëmijët të mund t’i mësojnë udhët e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Libri i Mormonit ofron kaq shumë saqë e zgjeron kuptueshmërinë tonë për doktrinat e shpëtimit. Pa të, shumica e asaj që na mësohet në shkrimet e tjera të shenjta, nuk do të ishte aspak kaq e qartë dhe e çmuar.16

Për sa i përket predikimit të ungjillit, Libri i Mormonit përmban shpjegimin më të qartë, më të përmbledhur dhe më të plotë. Nuk ka asnjë anal tjetër që krahasohet me të. Në cilin anal mund të gjeni një kuptueshmëri të tillë, të plotë të natyrës së Rënies, të natyrës së vdekjes fizike dhe shpirtërore, të doktrinës së Shlyerjes, të doktrinës së drejtësisë dhe mëshirës, dhe si lidhet me Shlyerjen, dhe të parimeve e ordinancave të ungjillit? Libri i Mormonit përmban rrëfimin më të kuptueshëm të këtyre doktrinave themelore.17

Libri i Mormonit … e vërteton dhe e qartëson Biblën. Ai i heq blloqet penguese, rivendos shumë gjëra të qarta dhe të çmueshme. Ne dëshmojmë se, kur përdoren së bashku, Bibla dhe Libri i Mormonit i ngatërrojnë doktrinat e rreme, u japin fund grindjeve dhe vendosin paqe. (Shih 2 Nefi 3:12.)18

Ne … duhet ta njohim Librin e Mormonit më mirë se çfarëdo libër tjetër. Jo vetëm që duhet të dimë se cilat histori dhe ngjarje që nxitin besimin përmban ai, por ne duhet t’i kuptojmë mësimet e tij. Nëse me të vërtetë e bëjmë detyrën tonë të studimit dhe i afrohemi Librit të Mormonit nga ana doktrinore, ne mund t’i nxjerrim në pah gabimet dhe t’i gjejmë të vërtetat për të luftuar shumë teori dhe filozofi të tanishme, të rreme, të njerëzve.

Unë kam vënë re brenda Kishës një ndryshim në dallim, këndvështrim, bindje dhe shpirt midis atyre që e njohin dhe e duan Librin e Mormonit dhe atyre që nuk e njohin dhe nuk e duan atë. Ai libër është një shoshitës i madh.19

Libri i Mormonit i nxjerr në dukje armiqtë e Krishtit. Ai i ngatërron doktrinat e rreme dhe i jep fund grindjes. (Shih 2 Nefi 3:12.) Ai i forcon ndjekësit e përulur të Krishtit kundër synimeve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë. Llojet e braktisësve në Librin e Mormonit janë të ngjashëm me llojet që kemi sot. Perëndia, me njohurinë e tij paraprake të pafundme, i dha formë në mënyrë të tillë Librit të Mormonit që ne të mund ta kuptojmë gabimin dhe të dimë se si t’i luftojmë konceptet e rreme arsimore, politike, fetare dhe filozofike të kohës sonë.20

4

Doktrina e Besëlidhje është hallka lidhëse midis Librit të Mormonit dhe punës së vazhdueshme të Rivendosjes.

Do të doja të flisja në mënyrë të veçantë rreth Librit të Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhjeve. Këta dy libra të madhërishëm të shkrimit të shenjtë të ditëve të mëvonshme lidhen së bashku si zbulesa nga Perëndia i Izraelit për qëllimin e mbledhjes dhe të përgatitjes së popullit të Tij për ardhjen e dytë të Zotit. …

Profetit Jozef Smith Zoti i tha: “Ky brez do ta ketë fjalën time nëpërmjet teje” (DeB 5:10). Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje janë pjesë e përmbushjes së atij premtimi. Së bashku, këto dy vepra të madhërishme të shkrimit të shenjtë i sjellin bekime të madhërishme këtij brezi. …

Secili prej këtyre dy shkrimeve të shenjta, të madhërishme, të ditëve të mëvonshme jep dëshmi të fuqishme dhe bindëse për Zotin Jezu Krisht. Praktikisht çdo faqe, si e Doktrina e Besëlidhjeve, ashtu edhe e Librit të Mormonit, na mëson rreth Mësuesit – dashurisë së Tij të madhe për fëmijët e Tij dhe sakrificës së Tij shlyese – dhe na mëson se si të jetojmë që të mund të kthehemi tek Ai dhe tek Ati ynë Qiellor.

Secili prej këtyre dy librave të madhërishëm, të shkrimit të shenjtë të ditëve të mëvonshme përmban diturinë dhe fuqinë për të na ndihmuar që të jetojmë jetë më të mirë në një kohë ligësie dhe keqdashjeje të madhe. Ata që me kujdes dhe lutje i hetojnë faqet e këtyre librave, do të gjejnë ngushëllim, këshillim, udhërrëfim dhe fuqinë e heshtur për ta përmirësuar jetën e tyre.21

Doktrina e Besëlidhje është hallka lidhëse midis Librit të Mormonit dhe punës së vazhdueshme të Rivendosjes nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe pasuesve të tij.

Në Doktrina e Besëlidhje ne mësojmë për punën në tempull, familjet e përjetshme, shkallët e lavdisë, organizimin e Kishës dhe shumë të vërteta të tjera të madhërishme të Rivendosjes. …

Libri i Mormonit është “gurthemeli” i besimit tonë dhe Doktrina e Besëlidhje është guri kulmor, me zbulesën e vazhdueshme të ditëve të mëvonshme. Zoti e ka vendosur vulën e Tij të miratimit si mbi gurin e themelit, ashtu edhe mbi gurin kulmor.22

Doktrina e Besëlidhje është një libër i lavdishëm i shkrimit të shenjtë, i dhënë drejtpërsëdrejti për brezin tonë. Ai përmban vullnetin e Zotit për ne në këto ditë të fundit, të cilat paraprijnë ardhjen e dytë të Krishtit. Ai përmban shumë të vërteta dhe doktrina të pazbuluara plotësisht në shkrimin tjetër të shenjtë. Sikurse Libri i Mormonit, ai do t’i forcojë ata që studiojnë me përkujdesje dhe lutje prej faqeve të tij.

A e çmojmë ne si thesar, si shenjtorë të Perëndisë Më të Lartë, fjalën që Ai e ka ruajtur për ne me një çmim kaq të lartë? A po i përdorim këta libra të zbulesës së ditëve të mëvonshme që ta bekojmë jetën tonë dhe t’u bëjmë ballë fuqive të të ligut? Ky është qëllimi për të cilin u dhanë ata. Si mund të mos mbetemi nën dënim përpara Zotit nëse i trajtojmë ata në mënyrë të shkujdesur, duke i lënë të mos bëjnë më shumë sesa të zënë pluhur në raftet tona?

Të dashur vëllezër dhe motra të mia, ju jap dëshminë time solemne se këta libra përmbajnë mendjen dhe vullnetin e Zotit për ne në këto ditë sprove dhe mundimi. Ata qëndrojnë së bashku me Biblën që të na japin dëshmi për Zotin dhe veprën e Tij. Këta libra përmbajnë zërin e Zotit për ne në këto ditë të mëvonshme. U kthefshim tek ata me qëllim të plotë të zemrës dhe i përdorshim ata sipas mënyrës që Zoti dëshiron të përdoren.23

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ndërsa lexoni mësimet e Presidentit Benson rreth Librit të Mormonit që është gurthemeli i besimit tonë (shih pjesën 1), mendoni rreth vendit të tij në jetën tuaj. Çfarë mund të bëjmë për ta bërë Librin e Mormonit më qendror në përpjekjet tona për ta jetuar ungjillin?

  • Presidenti Benson tha se Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe na sjell më pranë Perëndisë (shih pjesën 2). Cilat janë disa gjëra që keni mësuar rreth Shpëtimtarit, ndërkohë që keni studiuar Librin e Mormonit? Si ju ka sjellë Libri i Mormonit ju dhe familjen tuaj më pranë Perëndisë?

  • Përse duhet “ta njohim Librin e Mormonit më mirë se çfarëdo libër tjetër”? Si ju kanë forcuar doktrinat në Librin e Mormonit kundrejt “doktrinave të djallit në kohën tonë”? (Shih pjesën 3.)

  • Në çfarë mënyrash veprojnë së bashku Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje për të na forcuar? (Shih pjesën 4.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 29:9–18; 1 Nefi 13:35–41; 2 Nefi 25:23, 26; 29:6–9; DeB 1:17–29

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shumica e manualeve të mësimit ju japin pyetje që t’i filloni diskutimet dhe t’i vazhdoni ato. Ju mund t’i përdorni këto pyetje dhe të përgatitni tuajat. Bëni pyetje që nxitin komente plot mendim dhe që i ndihmojnë me të vërtetë individët për ta përsiatur ungjillin” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 63).

Shënime

  1. Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 489.

  2. Shih, për shembull, “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 63–65; “A New Witness for Christ”, Ensign, nëntor 1984, f. 6–8; shih edhe Ezra Taft Benson: A Biography, f. 491–493.

  3. “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 78; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou (2012), f. 157–160.

  4. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 495.

  5. “Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 5.

  6. “Cleansing the Inner Vessel”, f. 5–6.

  7. “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 5.

  8. “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 78; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  9. “Flooding the Earth with the Book of Mormon”, Ensign, nëntor 1988, f. 6.

  10. “A New Witness for Christ”, f. 6.

  11. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 5, 6.

  12. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 4.

  13. “Come unto Christ”, Ensign, nëntor 1987, f. 83.

  14. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 4, 5.

  15. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 7. Presidenti Marion G. Romni shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë nga korriku i vitit 1972 deri në nëntor të vitit 1985.

  16. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 6.

  17. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 56.

  18. “A New Witness for Christ”, f. 8.

  19. “Jesus Christ – Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4.

  20. “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 3.

  21. “The Gift of Modern Revelation”, Ensign, nëntor 1986, f. 79.

  22. “The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 83.

  23. “The Gift of Modern Revelation”, f. 80.