Eja, Më Ndiq Veprimtaritë
Për mbrëmjen e shtëpisë, studimin e shkrimeve të shenjta ose thjesht për argëtim.
Asgjë s’Është e Pamundshme!
Historia: Elizabeta dhe Zakaria donin të kishin një fëmijë, por Elizabeta ishte tepër e moshuar. Një ditë, një engjëll i tha Zakarias se ata do të kishin një bir. Biri i tyre ishte Gjon Pagëzori. Elizabeta dhe Zakaria mësuan se me Perëndinë, asgjë s’është e pamundshme. (Shih Lluka 1:11–14, 37.)
Kënga: “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7)
Veprimtaria: Provoje këtë detyrë të “pamundshme”! Fillimisht, përkule nga brenda gishtin tënd të mesit. Pastaj vendose dorën mbi një tryezë, me pëllëmbën përmbys. Tani përpiqu të ngresh lart gishtin e unazës. Pastaj kërkoji dikujt që ta ngrejë atë për ty. Si të ka ndihmuar Ati Qiellor të bësh diçka që duket e pamundshme?
Një Histori Krishtlindjeje
Historia: Jezu Krishti u lind në një grazhd në qytetin e Bethlehemit. Barinjtë, engjëjt dhe Dijetarët erdhën për ta parë Atë. Mund të lexosh më shumë për Dijetarët në faqen 46.
Kënga: “Jezusi Dikur një F’mij’ Ishte” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 34)
Veprimtaria: Bëjeni me radhë që të tregoni një histori rreth lindjes së një pjesëtari të familjes. Mund të flisni për vendin ku u lind, kur lindi, cilët ishin prindërit e tij/saj ose gjëra të tjera që i dini rreth lindjes së tij/saj.
Drita e Vërtetë
Për kapitullin Gjoni 1
Historia: Jezu Krishti ndonjëherë quhet “drita e vërtetë” (Gjoni 1:9). Shkrimet e shenjta na mësojnë se ne duhet t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe ta ndjekim Atë. Atëherë ne do të kemi “pushtetin të bëhe[mi] bij [dhe bija] të Perëndisë” (Gjoni 1:12).
Kënga: “Jezusi Më Ësht’ Drit’” (faqe 23)
Veprimtari: Vizato një figurë të një synimi që ke. Bëj që dikush ta fshehë figurën tënde diku në dhomë dhe t’i fikë dritat. Tani merr një dritë të vogël dhe ndriço me të rreth e rrotull dhomës. A mund ta gjesh figurën tënde tani? Flit për mënyrën se si mund të të ndihmojë Jezu Krishti që të arrish synimet e tua.
Shtegu i Besëlidhjeve
Për kapitujt Mateu 3; Marku 1; Lluka 3
Historia: Jezu Krishti shkoi te Gjon Pagëzori për t’u pagëzuar, që Ai të mund të “përmbush[te] çdo drejtësi” (Mateu 3:15). Jezusi u pagëzua për të dhënë një shembull të bindjes ndaj Atit Qiellor. Ne mund ta ndjekim Jezusin duke u pagëzuar gjithashtu.
Kënga: “Eja, Më Ndiq” (Himne, nr. 60)
Veprimtaria: Shko te faqja 9 për të mësuar rreth shtegut të besëlidhjeve. Pastaj bëj veprimtarinë. Në këtë faqe, çdo muaj, ti do të mësosh rreth një bekimi për ty teksa ndjek shtegun për t’u kthyer tek Ati Qiellor!