“Bëj një Lutje, Helaman”
Ishte dita e parë e shkollës për Helamanin. Ai veshi këmishën e tij të parapëlqyer dhe kishte një laps të ri. Mësuesja e tij e re e la që të ulej në tryezë me shokët e tij, Silvesterin, Horhen dhe Migelin. Ishte një ditë e mirë.
“Hiqini gjërat tuaja”, – tha zonja Martinez. “Është koha për të ngrënë drekë.”
Familja e Helamanit gjithmonë lutej së bashku përpara vakteve. Ai ngriti dorën. “Zonja Martinez, a do të lutemi para se të hamë?”
Zonja Martinez buzëqeshi me Helamanin. “Nëse do, ti mund të bësh një lutje për ushqimin tënd.”
Helamani dhe shokët e tij hapën pakot me drekën e tyre.
“Çfarë është një lutje?” – pyeti Silvesteri.
“Do të thotë të flasësh me Atin Qiellor”, – tha Helamani. “Është mënyra se si e falënderojmë Atë për ushqimin tonë.”
“A mund të bësh një lutje për të gjithë ne?” – pyeti Migeli.
Helamani mblodhi krahët. Edhe tre miqtë e tij i mblodhën krahët e tyre. Helamani i mbylli sytë dhe përkuli kokën. Miqtë e tij bënë të njëjtën gjë.
Pastaj Helamani bëri një lutje, ashtu siç bënte familja e vet. Ai e falënderoi Atin Qiellor për ditën e mirë që po kalonin dhe për drekën e tyre. I kërkoi një bekim për ushqimin e tyre. E përfundoi në emër të Jezu Krishtit dhe tha “Amen”.
Silvesteri, Horheja dhe Migeli panë lart.
“Edhe ju mund të thoni amen”, – tha Helamani.
Miqtë e tij buzëqeshën dhe thanë “Amen”.
Të nesërmen në kohën e drekës, Silvesteri tha: “Bëj një lutje, Helaman”.
“Po, bëj një lutje, Helaman”, – tha Migeli. Horheja pohoi me kokë.
Kështu që Helamani u lut përsëri. Këtë herë ai tha se ishte tepër mirënjohës që mami i vet i kishte bërë një sanduiç me proshutë derri dhe djathë, i parapëlqyeri i tij. Ai i kërkoi Atit Qiellor që t’i ndihmonte të mësonin në klasë atë ditë.
Çdo ditë për drekë, miqtë e Helamanit thoshin: “Bëj një lutje, Helaman”. Dhe çdo ditë Helamani bënte një lutje. Ai u lut me miqtë e tij çdo ditë për një javë.
Të hënën vijuese në kohën e drekës, Migeli tha: “Sot do të lutem unë”.
Helamani u befasua. Ai i mblodhi krahët, i mbylli sytë, e përkuli kokën dhe mbajti vesh ndërkohë që Migeli lutej.
Migeli filloi duke thënë: “Atë i dashur Qiellor”. Ai e falënderoi Atë për ushqimin dhe i kërkoi që ta bekonte atë. E përfundoi në emër të Jezu Krishtit dhe tha “Amen”.
“Amen”, – thanë Helamani dhe Horheja.“Amen”
, – tha Silvesteri. “Nuk e dija se mund të luteshe.”
“Mësova duke dëgjuar Helamanin”, – tha Migeli. “I pyeta prindërit a mund të bëja një lutje për vaktet tona në shtëpi. Ata thanë po, kështu që lutem ashtu siç lutet Helamani.”
“Uau”, – tha Silvesteri. “Mendoj t’i pyes edhe unë prindërit e mi nëse mund të bëj një lutje për vaktet tona.”
“Edhe unë”, – tha Horheja.
Helamani buzëqeshi. Ishte i gëzuar që kishte mundur t’i ndihmonte miqtë e tij të mësonin të flisnin me Atin Qiellor. E dinte se Ati Qiellor e donte atë dhe Ati Qiellor i donte edhe miqtë e tij.