Kaq Shumë Zhurmë!
Gjithçka ishte kaq e zhurmshme. Ku mund të gjente paqe Luka?
Luka rënkoi. Gjithçka ishte kaq e zhurmshme. Vëllezërit e tij, Tadi dhe Xhoni, po ziheshin sërish. Edhe nga poshtë korridorit, ai mund të dëgjonte të bërtiturat përmes derës së dhomës së tyre. Dhe motra e tij, Lizi, e kishte ngritur sërish muzikën. Bum. Bum. Bum. Ai mund ta dëgjonte gjithmonë ritmin e vazhdueshëm të notave të ulëta.
Luka u përpoq që t’u kërkonte vëllezërve të tij të ndalonin. “Largohu”, – i tha Tadi atij. Pastaj Luka i kërkoi Lizit ta ulte muzikën. Ajo vetëm sa e ngriti edhe më lart muzikën.
Luka donte të shkonte jashtë ku mund të mendonte. Por po binte shi.
Megjithatë, ekzistonte një vend i qetë ku Luka mund të shkonte. Dje prindërit e tij i dhanë një dhomë të vetën, të cilën nuk kishte pse ta ndante me Tadin dhe Xhonin. Ishte në katin e nëndheshëm. Ishte mjaftueshëm e madhe për një shtrat dhe një tryezë. Por në dhomën e tij, Luka mund ta mbyllte derën dhe t’i largohej zhurmës.
Luka shkoi poshtë në dhomën e tij të re. Hodhi vështrimin përreth te kutitë që kishte sjellë më herët. Pa një fotografi të Jezusit që dukej nga një kuti. Luka e kishte marrë atë fotografi ditën që u pagëzua. Të parit e saj gjithmonë e bënte të ndiente paqe.
Luka e nxori fotografinë nga kutia. E vendosi në tryezë. Pastaj u gjunjëzua që të lutej. “Atë Qiellor”, – tha Luka, – “ndonjëherë këtu ka kaq shumë zhurmë. Të lutem më ndihmo të gjej pak paqe.”
Luka u shtri në shtratin e tij. Mendoi për Jezusin. Në Fillore ai kishte mësuar se Jezusi mund të ishte gjithmonë pranë tij. Dhe Fryma e Shenjtë mund të sillte gjithmonë paqe.
Shpejt mami dhe babi do të ktheheshin në shtëpi nga puna. Ata do të flisnin me Tadin dhe Xhonin. Grindja do të ndalonte. Për njëfarë kohe. Ata do të flisnin me Lizin. Lizi do ta ulte muzikën. Për njëfarë kohe. Derisa mami dhe babi largoheshin sërish.
Por për tani, Luka u shtri në shtrat. Ai pa fotografinë e Jezusit. “Të lutem, Atë Qiellor”, – pëshpëriti Luka. “Të lutem më ndihmo të ndiej paqe pavarësisht nga ajo që po ndodh në pjesën tjetër të shtëpisë.”
Më vonë, ra dera e dhomës së tij të gjumit. “A mund të futem?” – pyeti mami. “Si po ia kalon?”
“Tadi dhe Xhoni po grindeshin sërish”, – tha Luka. “Dhe Lizi, e kishte ngritur shumë muzikën.”
“E di! E vështirë, apo jo?” – tha mami. “Babi është duke biseduar me vëllezërit e tu tani. Dhe unë do të flas me Lizin sonte. Por fillimisht, doja të shihja se si je.”
“Jam mirë. Jam i lumtur që e kam këtë dhomë”, – tha Luka.
“Edhe unë”, – tha mami. “Shoh që ke vënë një fotografi të Jezusit mbi tryezë.”
Luka buzëqeshi. “Po, e vura. Dhe Ai do të më ndihmojë që ta bëj dhomën time një vend paqeje.”