Drita, Kamera, Shërbim!
Të qenit në shtëpi nuk i ndaloi ato që të shërbenin.
Antonelës dhe Marianës i pëlqente shumë që të shkonin në kishë çdo javë. Por tani ato nuk mund të shkonin në kishë fizikisht për shkak të pandemisë nga Covid-19. Ato e bënin klasën e Fillores në internet, por thjesht nuk ishte e njëjta gjë.
Antonelën dhe Marianën i merrte malli që të shkonin në Fillore fizikisht. Një vit më parë, familja e tyre ishte shpërngulur nga Kili në Kanada. Pandemia e bëri të vështirë që të zinin shoqe dhe shokë të rinj. I merrte malli që të mund të mësonin rreth historive në shkrimet e shenjta me fëmijë të tjerë. Dhe i merrte malli që t’i bënin mësimet në spanjisht siç bënin në Kili.
Një ditë, pasi bënë kishë në shtëpi, Antonela dhe Mariana kërkuan në internet për diçka që t’i ndihmonte në studimin e manualit Eja, Më Ndiq.
“Sikur të mund të gjenim më shumë materiale filmike në spanjisht”, – tha Antonela. Ajo u mendua për një çast. Pastaj i erdhi një ide e shkëlqyer. “Ne mund të bëjmë materialet tona filmike çdo javë për programin Eja, Më Ndiq.”
“Po, dhe mund t’i bëjmë ato në spanjisht”, – tha Mariana. “Më pas mund t’ua tregojmë edhe fëmijëve të tjerë.”
Mama dhe Papa thanë se mund të ndihmonin. E gjithë familja ishte e emocionuar!
Fillimisht, familja lexonte shkrimet e shenjta për mësimin e javës. Vajzat planifikonin se për çfarë do të flisnin. Pastaj ato filluan të bënin materiale filmike. Antonela dhe Mariana e regjistronin me radhë veten e tyre ndërsa flisnin për histori në Librin e Mormonit. Në fund të çdo materiali filmik, njëra prej tyre tregonte diçka që ato e mësuan nga mësimi. Pastaj Mama dhe Papa i ndihmonin që materialet filmike t’i publikonin në internet.
Fillimisht, ato nuk dinin gjithmonë se çfarë të thoshin. Por leximi i shkrimeve të shenjta dhe të mësuarit më shumë rreth mësimeve i ndihmoi ato.
Një të diel, Antonela dhe Mariana u ulën përpara kompjuterit për klasën e tyre të Fillores. Mësimi i kësaj jave ishte për luftëtarët e rinj në Librin e Mormonit. “Përse luftëtarët e rinj shkuan për të luftuar?” – pyeti mësuesja.
Mariana e hapi mikrofonin. “E di unë!” – tha ajo. Ajo dhe Antonela kishin bërë një material filmik për atë histori javën e kaluar. “Etërit e tyre i premtuan Perëndisë se ata nuk do të luftonin, kështu që në vend të tyre shkuan bijtë e tyre.”
Antonela pohoi me kokë. “Dhe nënat e tyre u kishin mësuar se nëse kishin besim, Perëndia do t’i mbronte.” Ajo i buzëqeshi Marianës. Ishte argëtuese t’i studionin së bashku shkrimet e shenjta.
Atë natë gjatë darkës, Mama pyeti: “Si ishte Fillorja?”
“Mirë”, – tha Antonela. “Bërja e materialeve filmike më ka ndihmuar të mësoj shumë më tepër rreth shkrimeve të shenjta.”
“Edhe mua”, – tha Mariana. “Unë mund t’u përgjigjem shumë pyetjeve në Fillore. Dhe ne i njohim më mirë historitë në shkrimet e shenjta.”
“Jam i lumtur që materialet filmike ju kanë ndihmuar”, – tha Papa. “Mendoj se kanë ndihmuar edhe shumë njerëz të tjerë!”
“Ashtu është”, – tha Mama. “Të tregosh atë që ke mësuar dhe se si ndihesh rreth ungjillit, është një mënyrë e shkëlqyer për të shërbyer!”
Mariana buzëqeshi. “Më pëlqen që mund të shërbejmë në këtë mënyrë”, – tha ajo. Pastaj u kthye nga Antonela. “Le të fillojmë të planifikojmë materialin filmik të javës së ardhshme.”