Mënyra se si Sieda u Bë e Guximshme
Sieda ishte shumë e frikësuar që të fliste me shokët dhe shoqet e klasës.
Sieda mori frymë thellë dhe u fut në klasën e saj të re. Ishte dita e saj e parë në klasën e katërt.
Vitin e kaluar, Sieda ishte në klasën e dytë. Ajo doli kaq mirë me nota sa shkolla e lejoi që ta kapërcente klasën e tretë. Sieda ishte e emocionuar që do të bënte problema matematike më të vështira dhe do të lexonte më shumë libra në klasën e katërt. Por nuk ishte e lumtur që do të largohej nga shokët dhe shoqet e saj të vjetra.
Teksa hodhi vështrimin përreth dhomës, Sieda u ndje e vogël. Të gjithë shokët dhe shoqet e saj të reja në klasë dukeshin më të mëdhenj dhe më të gjatë sesa ajo. Po sikur të mos gjente përkatësi atje?
Zgjodhi një bankë dhe u ul. Një vajzë e gjatë u ul pranë saj. “Përshëndetje!” – tha Sieda.
“Çfarë po bën këtu?” – e pyeti vajza. “Mendova se duhej të ishe në klasën e tretë.”
“Shkolla më kaloi një klasë më lart”, – tha Sieda me ankth.
Vajza shtrembëroi fytyrën. “Epo, s’më intereson sa e zgjuar je. Je ende fëmijë.”
Sieda u ndje tmerrësisht keq brenda vetes. Për pjesën e mbetur të javës, ajo ishte tepër e frikësuar të fliste me ndonjë nga shokët dhe shoqet e saj të klasës. Sa herë që e dëgjonte ndonjë të qeshte apo të pëshpëriste, ajo vrenjtej. Ndoshta ata po thoshin diçka të keqe për të.
Pikërisht kur mendonte se gjërat nuk mund të shkonin më keq, Sieda mori rezultatin e një provimi në matematikë. Kur pa pikët, ajo donte të qante. Matematika ishte lënda e saj e parapëlqyer. Nuk kishte marrë kurrë kaq pak pikë në një provim më parë.
Kur mbërriti në shtëpi, Sieda nuk mund t’i mbante lotët. “Nuk kam asnjë shok ose shoqe”, – u tha ajo prindërve të saj. “Nuk i përkas klasës së katërt. Nuk jam aq e zgjuar sa duhet.”
“Më vjen keq që është kaq e vështirë”, – tha mami i Siedas. “Por ti je e zgjuar. Dhe ende po mëson.”
Sieda fshiu sytë. “Përkundrazi, sa do të doja të shkoja në klasën e tretë!”
Babi qëndroi në heshtje për një çast. “A do të doje një bekim priftërie?” – pyeti ai.
Sieda pohoi me kokë. Ndoshta një bekim nga babi do ta ndihmonte të ndihej më mirë.
Sieda u ul në karrige dhe babi i vendosi duart mbi kokën e saj.
“Të bekoj që të mos kesh frikë”, – tha babi. “Dhe të bekoj që t’i duash shokët dhe shoqet e reja të klasës. Ndërsa arrijnë të të njohin, edhe ata do të të duan.”
Një ndjenjë e qetë e pushtoi Siedan. Ajo ndjeu se fjalët e babit të saj ishin ato që Ati Qiellor donte që ajo të dëgjonte.
Pas bekimit, mami e ndihmoi Siedan të punonte me problemat e saj të matematikës. Shpejt Sieda po ndihej pak më mirë.
Ditën vijuese në shkollë, Sieda kujtoi bekimin e saj dhe u përpoq të ishte e guximshme. Ajo u buzëqeshi shokëve dhe shoqeve të klasës. Kur tregonte dashuri, ajo ndihej më pak e frikësuar prej tyre. Disa prej tyre madje ishin vërtet të sjellshëm. Ajo punoi fort për të mësuar dhe shpejt notat e saj u përmirësuan.
Deri në fund të vitit shkollor, Sieda zuri shumë miq. Ajo ishte e lumtur që Ati Qiellor e kishte ndihmuar të ishte e guximshme. Dhe ajo ishte mirënjohëse që mund të kishte gjithmonë bekimin e fuqisë së priftërisë që ta ndihmonte atë.