2010–2019
Po, Ne Mund dhe Do Të Fitojmë!
Prill 2015


Po, Ne Mund dhe Do Të Fitojmë!

Ne duhet të mbahemi edhe më fort te dëshmia jonë për ungjillin e Jezu Krishtit. Atëherë ne i fitojmë betejat e përditshme kundër ligësisë.

Të dashur vëllezër, ndihem i përulur nga privilegji që kam sot për t’ju folur juve, mbajtësve të priftërisë së Perëndisë anembanë Kishës.

Presidenti Tomas S. Monson dikur tha:

“Bota ndonjëherë mund të jetë një vend i frikshëm për të jetuar. Coha morale e shoqërisë duket se po shthuret me një shpejtësi alarmuese. Askush – qoftë i ri ose i vjetër apo midis – nuk përjashtohet nga ekspozimi ndaj atyre gjërave që kanë potencialin të na çojnë poshtë dhe të na shkatërrojnë. …

… Por nuk duhet të dëshpërohemi. … Ne po shpallim një luftë me mëkatin. … Është një luftë që ne mund dhe do ta fitojmë. Ati ynë në Qiell na ka dhënë mjetet që na nevojiten për ta bërë këtë.”

Ne të gjithë, të rinj e të moshuar, po ndeshemi çdo ditë me luftën e përmendur nga Presidenti Monson. Armiku dhe engjëjt e tij po përpiqen të na e tërheqin vëmendjen. Qëllimi i tyre është të na nxitin që ne të largohemi nga besëlidhjet që i kemi bërë me Zotin, duke na shkaktuar që ta humbasim këndvështrimin e jetës sonë të përjetshme. Ata e dinë mirë planin e Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij, sepse ata ishin të pranishëm me ne në atë Këshill të madhërishëm në Qiell, kur u paraqit gjithçka. Ata përpiqen të përfitojnë nga dobësitë dhe pavendosmëritë tona, duke na mashtruar me “mjegullat e errësirës …, të cilat verbojnë sytë dhe ngurtësojnë zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe i çojnë ata nëpër udhë të gjëra, që ata të humbasin dhe të mbarojnë”.

Pavarësisht nga kundërshtimi që hasim, sikurse na ka mësuar Presidenti Monson, kjo është një luftë që ne mund dhe do ta fitojmë. Zoti ka besim te aftësia dhe vendosmëria jonë për ta bërë këtë.

Shkrimet e shenjta përmbajnë shembuj të panumërt të atyre që i kanë fituar luftërat e tyre edhe në mes të gjendjeve shumë armiqësore. Një prej këtyre shembujve është Kapiten Moroni në Librin e Mormonit. Ky i ri i mrekullueshëm pati kurajën ta mbronte të vërtetën në një kohë kur pati shumë përçarje dhe luftëra, të cilat e vunë në rrezik vetë mbijetesën e tërë kombit nefit. Edhe pse ai ishte i shkëlqyer në ushtrimin e përgjegjësive të tij, Moroni mbeti i përulur. Ky tipar dhe tipare të tjera e bënë atë një mjet të jashtëzakonshëm në duart e Perëndisë në atë kohë. Libri i Almës shpjegon që, nëse të gjithë njerëzit do të kishin qenë si Moroni, “fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; [dhe] djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve”. Të gjitha tiparet e Moronit buronin nga besimi i tij i madh te Perëndia e te Zoti Jezu Krisht dhe te vendosmëria e tij e patundur për të ndjekur zërin e Perëndisë dhe profetët e Tij.

Në mënyrë figurative, ne të gjithë kemi nevojë të shndërrohemi në njerëz të ngjashëm me Kapiten Moronin bashkëkohor, me qëllim që t’i fitojmë luftërat kundër ligësisë. Njoh një dhjak të ri, shumë besnik, i cili e shndërroi veten në një Kapiten Moroni bashkëkohor. Sa herë që është përpjekur ta ndjekë këshillën e prindërve dhe të udhëheqësve të tij të Kishës, besimi dhe vendosmëria e tij janë vënë në provë çdo ditë, madje që në moshën e tij të re. Më tregoi se një ditë ai u befasua nga një situatë shumë e vështirë dhe e parehatshme – shokët e tij po shihnin pamje pornografike në telefonat e tyre celularë. Pikërisht në atë çast, ky i ri duhej të merrte vendim se çfarë ishte më e rëndësishme – fama e tij apo drejtësia e tij. Brenda pak sekondave që pasuan, ai u mbush me kurajë dhe u tha shokëve të tij se po bënin diçka që s’ishte e drejtë. Për më tepër, u tha atyre se duhej ta ndalonin atë që po e bënin ose do të bëheshin robër të saj. Shumica e shokëve të tij të klasës u tallën me këshillën e tij, duke thënë se ishte pjesë e jetës dhe se nuk kishte asgjë që s’shkonte me të. Megjithatë, pati një shok mes tyre që e dëgjoi këshillën e atij të riu dhe vendosi ta ndalte atë që po bënte.

Shembulli i këtij dhjaku pati një ndikim për mirë tek të paktën njëri prej shokëve të tij të klasës. Pa dyshim, ai dhe shoku i tij u ndeshën me tallje dhe përndjekje për shkak të atij vendimi. Nga ana tjetër, ata e kishin ndjekur këshillën e Almës drejtuar popullit të tij, kur ai tha: “Dilni nga të këqijat dhe veçohuni dhe mos [i] prekni gjërat e tyre të papastra”.

Broshura Për Forcën e Rinisë përmban këshillën vijuese, të miratuar nga Presidenca e Parë për rininë e Kishës: “Ju jeni përgjegjës për zgjedhjet që bëni. Perëndia ju njeh e kujdeset për ju dhe do t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira edhe nëse familja dhe miqtë tuaj e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra jo të duhura. Edhe nëse ju duhet të qëndroni vetëm, kini kurajën morale që të mos pranoni ta ndryshoni vendimin tuaj për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë. Ndërsa e bëni këtë, ju vendosni një shembull për t’u ndjekur nga të tjerët.”

Lufta e së mirës kundër së ligës do të vazhdojë gjatë gjithë jetës sonë, përderisa qëllimi i kundërshtarit është t’i bëjë të gjithë njerëzit po aq të mjeruar sa është ai. Satani dhe engjëjt e tij do të përpiqen të na i errësojnë mendimet tona dhe të sigurojnë kontroll duke na tunduar që të mëkatojmë. Nëse munden, ata do ta prishin gjithçka që është e mirë. Sidoqoftë, është thelbësore të kuptojmë se ata do të kenë pushtet mbi ne vetëm në qoftë se ua lejojmë atë.

Shkrimet e shenjta gjithashtu përmbajnë mjaft shembuj të atyre njerëzve që ia dhanë atë lejim kundërshtarit dhe përfunduan duke u bërë të pështjelluar dhe madje u shkatërruan sikurse Nehori, Korihori dhe Sheremi. Na nevojitet që të jemi vigjilentë ndaj këtij rreziku. Nuk mund ta lejojmë veten tonë që të pështjellohet nga mesazhet e shumënjohura, të cilat pranohen lehtësisht nga bota dhe të cilat bien në kundërshtim me doktrinën dhe parimet e vërteta të ungjillit të Jezu Krishtit. Shumë prej këtyre mesazheve të botës nuk përfaqësojnë asgjë më shumë sesa një përpjekje të shoqërisë sonë për ta justifikuar mëkatin. Na nevojitet të kujtojmë që, në përfundim, ne të gjithë do të qëndrojmë përpara Krishtit që të gjykohemi për veprat tona, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga. Kur ndeshemi me këto mesazhe të botës, kurajë e madhe dhe një dituri e qëndrueshme për planin e Atit tonë Qiellor do të kërkohen për të zgjedhur të drejtën.

Ne të gjithë mund të marrim forcë që të zgjedhim të drejtën, në qoftë se e kërkojmë Zotin dhe e vendosim të gjithë mirëbesimin dhe besimin tonë tek Ai. Por, sikurse na mësojnë shkrimet e shenjta, neve na nevojitet “një zemër [e] sinqertë” dhe një “qëllim [i] vërtetë”. Atëherë Zoti, në mëshirën e Tij të pafundme, “do [të na e] tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, [ne] mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave.”

Kjo dituri, e fituar nëpërmjet Frymës së Shenjtë, nuk është asgjë më shumë sesa dëshmia jonë që e përshpejton besimin dhe vendosmërinë tonë për t’i ndjekur mësimet e ungjillit të rivendosur në këto ditë të mëvonshme, pavarësisht nga mesazhet e shumënjohura që i dëgjojmë nga bota. Dëshmia jonë duhet të jetë mburoja jonë për të na mbrojtur kundër shigjetave të zjarrta të kundërshtarit në përpjekjet e tij për të na sulmuar. Ajo do të na drejtojë në mënyrë të sigurt përmes errësirës dhe pështjellimit që ekzistojnë në botë sot.

E mësova këtë parim kur shërbeva si një i ri në mision. Shoku im dhe unë po shërbenim në një degë shumë të vogël dhe të largët të Kishës. U përpoqëm të flisnim me çdo njeri në qytet. Ata na prisnin shumë mirë, por donin të debatonin për shkrimet e shenjta dhe na pyesnin për prova të dukshme lidhur me vërtetësinë e asaj që po u mësonim.

Sjell ndërmend se, sa herë që shoku im dhe unë fillonim të përpiqeshim t’ua vërtetonim diçka njerëzve, Shpirti i Perëndisë na largohej dhe ndiheshim tërësisht të humbur e të pështjelluar. Ne e ndiem se, në mënyrë më të fuqishme, duhej t’i përputhnim dëshmitë tona me të vërtetat e ungjillit që po i jepnim mësim. Që nga ajo kohë, më kujtohet se, kur jepnim dëshmi me gjithë zemrën tonë, një fuqi e heshtur pohuese, e ardhur nga Fryma e Shenjtë, e mbushte dhomën dhe nuk kishte vend për pështjellim apo diskutim. Mësova se asnjë forcë e ligë nuk ekziston, që është e aftë për të pështjelluar, mashtruar apo ngatërruar fuqinë e një dëshmie të sinqertë të një dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit.

Sikurse na mësoi Shpëtimtari Vetë, kundërshtari dëshiron që të na shoshitë si grurin, duke na shkaktuar ta humbasim aftësinë tonë për ta ndikuar botën për mirë.

Vëllezërit e mi të dashur, për shkak të valës së pështjellimit dhe dyshimit që po përhapet anembanë botës sot, ne duhet të mbahemi edhe më fort te dëshmia jonë për ungjillin e Jezu Krishtit. Atëherë do të rritet gjerësisht aftësia jonë për t’i mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Ne vërtet do t’i fitojmë betejat e përditshme kundër ligësisë dhe, në vend që të biem në fushëbetejat e jetës, ne do të grumbullojmë njerëz të tjerë rreth standardeve të Mësuesit.

I ftoj të gjithë të gjejnë siguri te mësimet që përmbahen në shkrimet e shenjta. Kapiten Moroni e përputhi besimin e tij te Perëndia dhe dëshminë e tij për të vërtetën me diturinë dhe urtësinë që gjenden në shkrimet e shenjta. Në këtë mënyrë, ai pati besim se do t’i merrte bekimet e Zotit dhe se do të arrinte shumë fitore, që është, në fakt, ajo që ndodhi.

I ftoj të gjithë të gjejnë siguri te fjalët e urta të profetëve tanë të tanishëm. Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Ne që jemi shuguruar në priftërinë e Perëndisë, mund të sjellim një ndryshim. Kur e ruajmë pastërtinë tonë vetjake dhe e nderojmë priftërinë tonë, ne bëhemi shembuj të drejtë për t’u ndjekur nga të tjerët … [dhe ne] ndihmoj[më] për ta ndriçuar një botë gjithnjë e më të zymtë.”

I ftoj të gjithë të mirëbesojnë te meritat dhe Shlyerja e Jezu Krishtit. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, ne mund të marrim kurajë për t’i fituar të gjitha luftërat e kohës sonë, madje në mes të vështirësive, sfidave dhe tundimeve tona. Mirëbesofshim te dashuria dhe fuqia e Tij për të na shpëtuar. “Krishti Vetë tha:

“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”.

“Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”

“Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën.”

Unë jap dëshmi për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.