2019
Eja, Më Ndiq – Strategjia Kundërvepruese dhe Plani Paraveprues i Zotit
Nëntor 2019


Eja, Më Ndiq – Strategjia Kundërvepruese dhe Plani Paraveprues i Zotit

Zoti e përgatit popullin e Tij ndaj sulmeve të kundërshtarit. [Programi] Eja, Më Ndiq është strategjia kundërvepruese dhe plani paraveprues i Zotit.

Ne gëzohemi kur mblidhemi së bashku në këtë konferencë të përgjithshme të mrekullueshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Është një bekim të marrim mendjen dhe vullnetin e Zotit nëpërmjet mësimeve të profetëve dhe apostujve të Tij. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i gjallë i Zotit. Sa mirënjohës jemi për këshillën dhe drejtimin e tij të frymëzuar që morëm sot.

Unë u shtoj dëshminë time atyre që u thanë më parë. Unë dëshmoj për Perëndinë, Atin tonë të Amshuar. Ai jeton dhe na do e na mbron. Plani i lumturisë i Tij na siguron bekimin e kësaj jete në vdekshmëri dhe kthimin tonë përfundimtar në praninë e Tij.

Unë gjithashtu jap dëshmi për Jezu Krishtin. Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë. Ai na shpëtoi nga vdekja dhe Ai na shëlbon nga mëkati ndërsa ushtrojmë besim tek Ai dhe pendohemi. Flijimi i Tij i pafund shlyes në emrin tonë sjell bekimin e pavdekësisë dhe të jetës së përjetshme. Me të vërtetë, “i qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka bërë duke na dhënë Birin e Tij hyjnor” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, maj 2017, brenda kapakut të përparmë.)

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme rreth e qark botës janë të bekuar që ta adhurojnë Jezu Krishtin në tempujt e Tij. Një prej këtyre tempujve është aktualisht në ndërtim e sipër në Uinipeg të Kanadasë. Unë dhe bashkëshortja ime, En Mari, patëm mundësinë ta vizitonim kantierin e ndërtimit në gusht të këtij viti. Tempulli është projektuar bukur dhe me siguri që do të jetë madhështor kur të përfundojë. Sidoqoftë, nuk mund të kesh një tempull madhështor në Uinipeg, apo kudo tjetër, pa një themel të fortë e të qëndrueshëm.

Cikli i ngrirjes e shkrirjes dhe gjendja e bymyer e dheut në Uinipeg, e bënë sfiduese përgatitjen e themelit të tempullit. Prandaj, u vendos që themeli për këtë tempull do të përbëhej nga 70 shtylla çeliku të veshura me beton. Këto shtylla janë 18 metra të gjata dhe e kanë diametrin 30 deri në 50 centimetra. Ato futen në tokë derisa arrijnë shtratin shkëmbor, rreth 15 metra nën sipërfaqe. Në këtë mënyrë, të 70 shtyllat sigurojnë një themel të fortë e të qëndrueshëm për atë që do të jetë tempulli i bukur i Uinipegut.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne kërkojmë një themel të ngjashëm, të qëndrueshëm e të sigurt në jetën tonë – një themel shpirtëror të nevojshëm për udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë dhe në rrugën e kthimit drejt shtëpisë sonë qiellore. Ky themel është ngritur mbi shtratin shkëmbor të kthimit tonë në besim te Zoti Jezu Krisht.

Ne risjellim në kujtesë mësimet e Helamanit nga Libri i Mormonit: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës … nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Fatmirësisht, jetojmë në një kohë kur profetët dhe apostujt na japin mësim për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Ndjekja e këshillës së tyre na ndihmon të ngremë një themel të qëndrueshëm në Krishtin.

Një vit më parë, në fjalën e tij të hapjes në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson dha këtë deklaratë dhe paralajmërim: “Qëllimi afatgjatë i Kishës është t’u japë ndihmesë të gjithë anëtarëve që ta rritin besimin e tyre te Zoti ynë Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, t’u japë ndihmesë atyre për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tyre me Perëndinë, si dhe për t’i forcuar dhe vulosur familjet e tyre. Në këtë botë të ndërlikuar sot, kjo nuk është e lehtë. Kundërshtari po i rrit sulmet e tij mbi besimin dhe mbi ne dhe familjet tona me një shkallë eksponenciale. Që të mbijetojmë shpirtërisht, kemi nevojë për strategji kundërvepruese dhe plane paravepruese” (“Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 7–8; theksimi i shtuar).

Pas mesazhit të Presidentit Nelson, Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paraqiti materialin burimor Eja, Më Ndiq për individët dhe familjet. Fjalët e tij përfshinë pohimet vijuese:

  • “Materiali i ri burimor për studimin në shtëpi, Eja, Më Ndiq … është hartuar që t’i ndihmojë anëtarët ta mësojnë ungjillin në shtëpi.”

  • “‘Ky burim është për çdo individ dhe familje në Kishë’” [Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet (2019), f. vi].

  • “Qëllimi ynë është t’i baraspeshojmë përvojat në Kishë dhe në shtëpi në një mënyrë që do ta rritë shumë besimin e shpirtshmërinë dhe do ta thellojë kthimin në besim tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht.” (“Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Liahona, nëntor 2018, f. 9–10).

Duke filluar nga janari i këtij viti, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë botën filluan të studionin Dhiatën e Re, me materialin burimor Eja, Më Ndiq si udhëzuesin e tyre. Me një program të përjavshëm, manuali Eja, Më Ndiq na ndihmon të studiojmë shkrimet e shenjta, doktrinën e ungjillit dhe mësimet e profetëve e të apostujve. Ai është një burim i mrekullueshëm për të gjithë ne.

Pas nëntë muajsh të kësaj përpjekjeje mbarëbotërore për studimin e shkrimeve të shenjta, çfarë shohim? Ne shohim shenjtorë të ditëve të mëvonshme kudo, që po rriten në besim e përkushtim ndaj Zotit Jezu Krisht. Ne shohim që individët dhe familjet po lënë mënjanë kohë gjatë gjithë javës për të studiuar fjalët e Shpëtimtarit tonë. Ne shohim përmirësim në udhëzimin për ungjillin në orët tona mësimore të së dielës teksa i studiojmë shkrimet e shenjta në shtëpi dhe i tregojmë pikëpamjet tona në kishë. Ne shohim gëzim dhe unitet më të madh familjar teksa kemi kaluar nga thjesht leximi i shkrimeve të shenjta në studimin e shkrimeve të shenjta në një mënyrë të thellë.

Ka qenë privilegji im të vizitoj shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe të dëgjoj drejtpërdrejt përvojat e tyre me manualin Eja, Më Ndiq. Shprehjet e tyre të besimit e mbushin zemrën time me gëzim. Këtu janë vetëm disa nga komentet që kam dëgjuar nga anëtarë të ndryshëm të Kishës në pjesë të ndryshme të botës:

  • Një baba tregoi: “Më pëlqen manuali Eja, Më Ndiq, pasi më ofron mundësinë për t’u dëshmuar fëmijëve të mi për Shpëtimtarin”.

  • Në një shtëpi tjetër, një fëmijë tha: “Kjo është një mundësi për t’i dëgjuar prindërit e mi të japin dëshmitë e tyre”.

  • Një nënë tregoi: “Ne jemi frymëzuar për mënyrën se si ta vendosim Perëndinë të parin. Koha që [menduam] se ‘nuk e kishim’ është [mbushur] me shpresë, gëzim, paqe dhe sukses në mënyra që nuk e dinim se ishin të mundshme.”

  • Një çift vërejti: “Ne po i lexojmë shkrimet e shenjta krejtësisht ndryshe nga sa i kemi lexuar ndonjëherë më parë. Po mësojmë shumë më tepër sesa kemi mësuar ndonjëherë më parë. Zoti dëshiron që ne t’i shohim gjërat ndryshe. Zoti po na përgatit.”

  • Një nënë tha: “Më pëlqen shumë fakti që ne po mësojmë të njëjtat gjëra së bashku. Më parë, ne e lexonim atë. Sot, ne jemi duke e mësuar atë.”

  • Një motër shprehu këtë këndvështrim të mprehtë: “Më parë, ju bënit mësimin dhe shkrimet e shenjta e plotësonin atë. Tani, ju keni shkrimet e shenjta dhe mësimi i plotëson ato.”

  • Një motër tjetër komentoi: “Ndiej një lloj ndryshimi kur e bëj atë [krahasuar me] kur nuk e bëj. E kam më të lehtë të flas me të tjerët për Jezu Krishtin dhe bindjet tona.”

  • Një gjyshe tha: “Unë thërras fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia të dielave dhe ndajmë së bashku pikëpamje nga manuali Eja, Më Ndiq”.

  • Një motër vërejti: “Manuali Eja, Më Ndiq më jep ndjesinë sikur Shpëtimtari po më jep shërbesë mua personalisht. Ai është i frymëzuar nga qielli.”

  • Një baba komentoi: “Kur përdorim manualin Eja, Më Ndiq, ne jemi si bijtë e Izraelit, duke shenjuar shtalkat e dyerve tona, duke i mbrojtur familjet tona nga ndikimi i shkatërruesit”.

Vëllezër e motra, është një gëzim të takohem me ju dhe të dëgjoj se si përpjekjet tuaja me manualin Eja, Më Ndiq po e bekojnë jetën tuaj. Ju faleminderit për përkushtimin tuaj.

Studimi i shkrimeve të shenjta me manualin Eja, Më Ndiq si një udhëzues po e forcon kthimin tonë në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Ne nuk po shkëmbejmë thjesht një orë më pak në kishë të dielën për një orë më shumë studim të shkrimeve të shenjta në shtëpi. Mësimi i ungjillit është një përpjekje e vazhdueshme gjatë gjithë javës. Ashtu si më tha një motër me mprehtësi: “Qëllimi nuk është ta bëjmë kishën një orë më të shkurtër; është ta bëjmë kishën gjashtë ditë më të gjatë!”

Tani, merreni sërish në shqyrtim paralajmërimin e profetit tonë, Presidentit Nelson, që e dha ndërsa hapi konferencën e përgjithshme të tetorit 2018:

“Kundërshtari po i rrit sulmet e tij mbi besimin dhe mbi ne dhe familjet tona me një shkallë eksponenciale. Që të mbijetojmë shpirtërisht, kemi nevojë për strategji kundërvepruese dhe plane paravepruese” (Fjalët e Hapjes”, f. 7–8).

Më pas (gati 29 orë më vonë) të dielën pasdite, ai e mbylli konferencën me këtë premtim: “Teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit … ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113).

Si mund të rriten në mënyrë eksponenciale sulmet e kundërshtarit ndërkohë që në të njëjtën kohë ndikimi i kundërshtarit në të vërtetë po zvogëlohet? Mund të ndodhë dhe po ndodh në të gjithë Kishën, sepse Zoti e përgatit popullin e Tij ndaj sulmeve të kundërshtarit. Eja, Më Ndiq është strategjia kundërvepruese dhe plani paraveprues i Zotit. Ashtu siç dha mësim Presidenti Nelson: “Programi i ri dhe i harmonizuar mësimor, i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha ka fuqinë ta çlirojë forcën e familjeve”. Megjithatë, kjo kërkon dhe do të kërkojë përpjekjet tona më të mira; ne kemi nevojë të “vijo[jmë] me vetëdije dhe me kujdes që ta shndërroj[m]ë shtëpinë [tonë] në një shenjtërore besimi” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, f. 113).

Mbi të gjitha, ashtu siç e tha edhe Presidenti Nelson: “Secili prej nesh është përgjegjës për rritjen tonë shpirtërore vetjake” (“Fjalët e Hapjes”, f. 8).

Me materialin burimor Eja, Më Ndiq, Zoti po na përgatit “për kohët e rrezikshme me të cilat përballemi tani” (Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin [tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht]”, f. 10). Ai po na ndihmon të vendosim atë “bazë [të] sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12) – themeli i një dëshmie të ankoruar fort në shtratin shkëmbor të kthimit tonë në besim te Zoti Jezu Krisht.

Na forcofshin përpjekjet tona të përditshme për studimin e shkrimeve të shenjta dhe na provofshin të denjë për këto bekime të premtuara. Unë lutem kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.