T’i Japim Shpirtit Tonë Kontroll mbi Trupin Tonë
Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të mësojmë në këtë jetë, është se si të nxjerrim në pah natyrën tonë të përjetshme e shpirtërore dhe t’i vëmë nën kontroll dëshirat tona të liga.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, teksa po afrohej konferenca e përgjithshme e tetorit vitin e kaluar, e përgatita bisedën time të konferencës për të theksuar 100‑vjetorin e vegimit për botën e shpirtrave, që iu dha Presidentit Jozef F. Smith më 3 tetor 1918.
Disa ditë pasi e kisha dorëzuar bisedën time për përkthim, shoqja ime e dashur, e përjetshme, Barbara, e përfundoi kohën e provës së saj në vdekshmëri dhe kaloi në botën e shpirtrave.
Ndërsa ditët janë shndërruar në javë, më pas në muaj dhe tani, një vit që nga ikja e Barbarës, shikoj që vetë unë e vlerësoj më plotësisht këtë shkrim të shenjtë: “Jeto së bashku në dashuri, kështu që ti duhet të vajtosh për humbjen e atyre që vdesin”1. Unë dhe Barbara u bekuam që të “jet[onim] së bashku në dashuri” për 67 vjet. Por kam mësuar në një mënyrë shumë reale se çfarë do të thotë të “vajto[jmë] për humbjen” e njerëzve që i duam. O, sa e dua dhe më mungon!
Mendoj që shumica prej nesh nuk arrijnë ta vlerësojnë plotësisht atë që bëjnë të tjerët për ne, derisa ata ndërrojnë jetë. E dija që Barbara ishte përherë e zënë me punë, por nuk i kuptoja plotësisht kërkesat e vazhdueshme të familjes, Kishës dhe komunitetit për kohën e saj. Kishte çdo ditë përpjekje të përkushtuara, të përsëritura me mijëra herë përgjatë viteve, të cilat bënë që familja jonë të vazhdonte të funksiononte. Dhe pavarësisht gjithçkaje, askush në familjen tonë nuk e dëgjoi ndonjëherë atë ta ngrinte zërin apo të thoshte një fjalë të ashpër.
Gjatë vitit të kaluar një mori kujtimesh vërshuan në mendjen time. Kam menduar për zgjedhjen e vështirë fizike që bëri ajo për të qenë nënë e shtatë fëmijëve. Të qenit shtëpiake ishte e vetmja karrierë që deshi ndonjëherë dhe ajo ishte në çdo aspekt një profesioniste e përsosur.
Shpesh e kam pyetur veten se si e ndiqte ajo ecurinë time dhe të fëmijëve tanë. Vetëm përgatitja e vakteve ishte një detyrë vërtet e frikshme, për të mos përmendur veprimtari të tilla si larja e pirgjeve me rroba që familja jonë krijonte çdo javë, dhe veshja e fëmijëve me këpucë e rroba në madhësinë e duhur. Ne të gjithë i drejtoheshim asaj për një mori çështjesh të tjera që ishin të rëndësishme për ne. Dhe për shkak se ato ishin të rëndësishme për ne, ato ishin gjithashtu të rëndësishme për të. Ajo ishte, me një fjalë, e mrekullueshme – si grua, si nënë, si mike, si fqinjë dhe si bijë e Perëndisë.
Tani që ajo ka kaluar në jetën tjetër, jam i lumtur që zgjodha të ulesha pranë saj kur kthehesha në shtëpi nga zyra gjatë muajve të fundit të jetës së saj, për t’ia mbajtur dorën teksa shikonim fundin e disa prej filmave muzikorë të saj të parapëlqyer – herë pas here, sepse sëmundja e Alzheimerit nuk e lejonte të mbante mend se i kishte parë ato filma vetëm një pasdite më parë. Kujtimet e atyre çasteve të veçanta kur i mbanim duart të lidhura së bashku, tani janë shumë të çmuara për mua.
Vëllezër e motra, ju lutem, mos e humbisni mundësinë për t’i vështruar me dashuri pjesëtarët e familjes suaj. Fëmijë e prindër, afrojuni njëri‑tjetrit dhe shprehini dashurinë dhe vlerësimin tuaj. Ashtu si unë, disa prej jush mund të zgjohen një ditë për të zbuluar se ka kaluar koha për një komunikim kaq të rëndësishëm. Jetoni çdo ditë së bashku me zemra të mbushura me mirënjohje, kujtime të mira, shërbim dhe shumë dashuri.
Gjatë vitit të kaluar, kam përsiatur me më shumë qëllim sesa ndonjëherë më parë lidhur me planin e Atit tonë Qiellor. Kur po mësonte të birin, Koriantonin, Alma e përmendi atë si “planin e madh të lumturisë”2.
Fjala që vazhdon të më vijë në mendje tani kur e marr në shqyrtim planin, është “ribashkim”. Është një plan, i hartuar nga Ati ynë i dashur në Qiell, që ka në qendër të tij mundësitë madhështore dhe të lavdishme të ribashkimit familjar – për t’i ribashkuar përjetësisht bashkëshortët e bashkëshortet, prindërit e fëmijët, brez pas brezi në vatrën familjare të Perëndisë.
Ky mendim më sjell ngushëllim dhe sigurinë se do të jem përsëri me Barbarën. Megjithëse ajo vuajti fizikisht nga fundi i jetës së vet, shpirti i saj ishte i fortë, fisnik dhe i kulluar. Ajo ishte e përgatitur në të gjitha gjërat, kështu që, kur të vijë dita, ajo mund të qëndrojë para “shufrës së kënaqshme të Perëndisë”3, plot vetëbesim dhe siguri të paqtë. Por ja ku jam, për dy ditë do të bëhem 91 vjeç dhe ende e pyes veten: “A jam gati? A po bëj gjithçka që më nevojitet të bëj që të mund ta mbaj edhe një herë dorën e saj?”
Siguria më e thjeshtë, themelore e jetës është kjo: Ne të gjithë do të vdesim. Pavarësisht nëse vdesim të moshuar apo të rinj, me lehtësi apo vështirësi, të pasur apo të varfër, plot dashuri apo të vetmuar, askush nuk i shpëton vdekjes.
Disa vjet më parë, Presidenti Gordon B. Hinkli tha diçka që është veçanërisht domethënëse rreth kësaj: “Sa e ëmbël është siguria, sa ngushëlluese është paqja që vjen nga dija se, në qoftë se ne bëjmë martesë të drejtë dhe jetojmë me drejtësi, marrëdhënia jonë do të vazhdojë, pavarësisht nga siguria e vdekjes dhe kalimi i kohës”4.
Unë sigurisht që u martova me njeriun e duhur. Për këtë nuk mund të ketë dyshim. Por kjo nuk është e mjaftueshme, sipas Presidentit Hinkli. Unë gjithashtu duhet të jetoj në mënyrën e duhur.5
Sot, “të jetuarit në mënyrën e duhur” mund të jetë një koncept mjaft pështjellues, veçanërisht nëse shpenzoni shumë kohë në mediat shoqërore, ku çdokush mund të shpallë të vërteta reale apo koncepte të rreme për Perëndinë dhe planin e Tij për fëmijët e Tij. Fatmirësisht, anëtarët e Kishës kanë parime përjetësisht të vërteta të ungjillit, që të dinë se si të jetojnë në mënyrë që të mund të jenë më të përgatitur kur [të vijë koha] të vdesin.
Vetëm disa muaj përpara se të lindja, gjyshi im, i cili ishte Apostull, Plaku Melvin J. Ballard, dha një bisedë që, për disa njerëz, kapi thelbin e asaj që do të thotë të jetosh në mënyrën e duhur. E titulluar “Lufta për Shpirtin”, biseda e tij u përqendrua te beteja e vazhdueshme midis trupit tonë fizik dhe shpirtit tonë të përjetshëm.
Ai tha: “Konflikti më i madh që çdo burrë apo grua do të ketë ndonjëherë, … do të jetë beteja që ka pasur me veten”, duke shpjeguar se Satani “armiku i shpirtrave tanë”, na sulmon nëpërmjet “epsheve, orekseve, ambicieve të mishit”6. Pra, beteja kryesore është midis natyrës sonë hyjnore e shpirtërore dhe njeriut të natyrshëm prej mishi. Vëllezër e motra, mbani mend, ne mund të marrim ndihmë shpirtërore nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë që mund t’ju “mësojë çdo gjë”7. Ndihma mund të vijë gjithashtu nëpërmjet fuqisë dhe bekimeve të priftërisë.
Tani, pyes: “Si po e lufton betejën secili prej jush?”
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Ekzistenca tokësore e njeriut nuk është veçse një provë nëse ai do t’i përqendrojë përpjekjet e tij, mendjen e tij, shpirtin e tij, te gjërat që kontribuojnë në rehatinë dhe të kënaqurit e natyrës së tij fizike, apo nëse ai do ta vendosë si qëllimin e jetës së tij përvetësimin e cilësive shpirtërore”8.
Kjo betejë midis natyrës sonë prej mishi dhe natyrës sonë shpirtërore nuk është një gjë e re. Në predikimin e tij të fundit drejtuar popullit të vet, mbreti Beniamin dha mësim se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”9.
Apostulli Pal dha mësim se “ata që rendin pas mishit, e çojnë mendjen te gjërat e mishit; por ata që rendin pas Shpirtit, te gjërat e Shpirtit.
Pasi, të kesh një mendje të kontrolluar nga mishi është vdekje; por të kesh një mendje të kontrolluar nga shpirti është jetë dhe paqe.”10
Duket qartë për mua se një nga gjërat më të rëndësishme që mund të mësojmë në këtë jetë, është se si të nxjerrim në pah natyrën tonë të përjetshme e shpirtërore dhe t’i vëmë nën kontroll dëshirat tona të liga. Kjo nuk duhet të jetë kaq e vështirë. Mbi të gjitha, shpirti ynë, që ka ekzistuar për më shumë kohë se trupi ynë fizik, ka qenë tashmë i suksesshëm në zgjedhjen e së drejtës mbi të ligën në mbretërinë paratokësore. Para se të formohej kjo tokë, ne jetuam në botën e shpirtrave si bij dhe bija të Prindërve Qiellorë, të cilët na donin dhe vazhdojnë të na duan tani.
Dhe po, në atë mbretëri paratokësore na u desh të merrnim vendime dhe të bënim zgjedhje që e ndryshojnë jetën. Çdo person që ka jetuar ndonjëherë ose do të jetojë ndonjëherë në këtë planet, mori një vendim thelbësor që të zgjidhte ta pranonte planin e Atit Qiellor për shpëtimin tonë. Kështu që të gjithë ne erdhëm në tokë me një të kaluar të një natyre shpirtërore e të suksesshme dhe një fati të përjetshëm.
Mendoni rreth kësaj për një çast. Kjo është ajo që ju dhe unë jemi në të vërtetë dhe që keni qenë gjithmonë: një bir ose bijë e Perëndisë, me rrënjë shpirtërore në përjetësi dhe një të ardhme të tejmbushur me mundësi të pafundme. Ju jeni – fillimisht, kryesisht dhe gjithmonë – një qenie shpirtërore. Dhe kështu, kur zgjedhim ta vendosim natyrën tonë prej mishi përpara natyrës sonë shpirtërore, ne po zgjedhim diçka që është në kundërshtim me veten tonë reale, të vërtetë, të mirëfilltë shpirtërore.
Prapë, nuk ka dyshim se mishi dhe prirjet tokësore e ndërlikojnë vendimmarrjen. Me një vel harrese të vendosur midis botës shpirtërore paratokësore dhe kësaj bote në vdekshmëri, ne mund të mos i japim rëndësi marrëdhënies sonë me Perëndinë dhe natyrës sonë shpirtërore dhe natyra jonë prej mishi mund t’i japë përparësi asaj që duam pikërisht tani. Të mësojmë të zgjedhim gjërat e Shpirtit mbi gjërat e mishit, është një nga arsyet kryesore pse kjo përvojë tokësore është pjesë e planit të Atit Qiellor. Është gjithashtu arsyeja pse plani është ndërtuar mbi themelin e fortë, të sigurt të Shlyerjes së Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, në mënyrë që mëkatet tona, përfshirë gabimet që bëjmë kur i hapim udhë mishit, të mund të kapërcehen nëpërmjet pendimit të vazhdueshëm dhe ne mund të jetojmë të përqendruar shpirtërisht. Tani është koha për t’i vënë nën kontroll orekset tona trupore që të përputhen me doktrinën shpirtërore të Krishtit. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet ta shtyjmë ditën e pendimit tonë.11
Pendimi, pra, bëhet një armë e pazëvendësueshme në betejën tonë kundrejt vetvetes. Pikërisht në konferencën e fundit të përgjithshme, Presidenti Rasëll M. Nelson e përmendi këtë betejë dhe na kujtoi se “kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!”12
Çdo natë, teksa shqyrtoj ditën time në lutje me Atin tim në Qiell, kërkoj të falem nëse bëra ndonjë gjë të gabuar dhe premtoj të përpiqem që të jem më i mirë të nesërmen. Besoj se ky pendim i rregullt, i përditshëm e ndihmon shpirtin tim që t’i kujtojë trupit tim se kush e ka përgjegjësinë për mua.
Një burim tjetër është mundësia e përjavshme që ne të gjithë kemi për ta rifreskuar veten tonë shpirtërisht duke marrë sakramentin në kujtim të Shlyerjes dhe të dashurisë së përsosur që Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, ka për ne.
Vëllezër e motra, ju inkurajoj ta ngadalësoni pak hapin dhe të mendoni se ku jeni tani me nënshtrimin e natyrës suaj prej mishi dhe fuqizimin e natyrës suaj hyjnore e shpirtërore, kështu që kur të vijë koha, ju të mund të kaloni në botën e shpirtrave për një ribashkim të gëzueshëm me njerëzit tuaj të dashur – për të cilin unë dëshmoj dhe lutem përulësisht në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.