Mos më Mashtro
Ndërsa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ne do të drejtohemi gjithmonë në udhën e duhur dhe nuk do të mashtrohemi.
Sot, drejtoj fjalë këshille për cilindo, por veçanërisht për ju, brezi i ri – fëmijë të Fillores, të rinj dhe të reja. Profeti i Zotit për kohën tonë, Presidenti Rasëll M. Nelson ka një dashuri të thellë për ju – kaq shumë saqë u foli shumë prej jush në një transmetim të veçantë të takimit shpirtëror mbarëbotëror për rininë vitin e kaluar, që titullohet “Shpresa e Izraelit”1. Ne shpesh e dëgjojmë Presidentin Nelson që ju quan pikërisht kështu – “shpresa e Izraelit”, brezi i ri dhe e ardhmja e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.
Miqtë e mi të rinj, do të doja ta filloja duke treguar dy histori familjare.
Dalmati i 102‑të
Vite më parë, arrita në shtëpi nga puna dhe shtanga kur pashë bojë të bardhë të spërkatur kudo – përtokë, në derën e garazhit dhe në shtëpinë tonë me tulla të kuqe. E këqyra skenën më nga afër dhe zbulova se boja ishte ende e njomë. Një shteg me bojë drejtonte për tek oborri i pasmë dhe kështu që e ndoqa. Atje, e gjeta tim bir pesëvjeçar me një furçë boje në dorë, duke ndjekur qenin tonë. Labradori ynë i zi dhe i bukur ishte spërkatur thuajse në gjysmën e trupit me bojë të bardhë.
“Çfarë po bën?” e pyeta me një zë kumbues.
Im bir ndaloi, i hodhi sytë nga unë, i hodhi sytë nga qeni, pa furçën e bojës që pikonte bojë, dhe tha: “Unë thjesht dua që ai të duket si qentë me pulla të zeza te filmi – e di ti, ai filmi me 101 dalmatët”.
Më pëlqente shumë qeni ynë. Mendoja se ishte i përsosur, por atë ditë, im bir kishte një ide të ndryshme.
Kotelja me Vija
Historia ime e dytë përqendrohet te xhaxha Groveri që jetonte në një shtëpi në fshat, larg nga qyteti. Xhaxha Groveri ishte shumë i vjetër në moshë. Ne menduam që bijtë tanë duhet ta takonin përpara se ai të ndërronte jetë. Kështu që, një pasdite, ne udhëtuam gjatë me makinë deri te shtëpia e tij e përulur. U ulëm së bashku për vizitë dhe e njohëm atë me bijtë tanë. Pa filluar mirë biseda, dy djemtë e mi të vegjël, ndoshta pesë dhe gjashtë vjeç, dëshironin të dilnin jashtë dhe të luanin.
Xhaxha Groveri, kur e dëgjoi kërkesën e tyre, u përkul duke afruar fytyrën e tij me të tyren. Fytyra e tij ishte kaq e moshuar dhe e panjohur saqë djemtë u frikësuan pak prej tij. Ai u tha atyre me një zë të gërvishtur: “Kini kujdes – se ka shumë qelbës përjashta”. Kur e dëgjuam këtë, Lesa dhe unë u alarmuam së tepërmi, ishim të shqetësuar se mos ata spërkateshin nga një qelbës! Djemtë shpejt dolën jashtë për të luajtur ndërsa ne e vazhduam vizitën.
Më vonë, kur hipëm në makinë për të shkuar në shtëpi, i pyeta djemtë: “A patë ndonjë qelbës?” Një nga ata u përgjigj: “Jo nuk pamë asnjë qelbës, por pamë një kotele të zezë me një vijë të bardhë te kurrizi!”
Mashtruesi i Madh
Këto histori rreth fëmijëve të pafajshëm që zbulojnë diçka rreth jetës dhe realitetit, mund ta bëjnë të buzëqeshë secilin nga ne, por ato ilustrojnë gjithashtu një koncept më të thellë.
Në historinë e parë, djali ynë i vogël kishte një qen të bukur si kafshë shtëpiake; megjithatë, ai rrëmbeu një kuti me bojë dhe, me një furçë boje në dorë, vendosi ta krijonte vetë realitetin e tij imagjinar.
Tek tregimi i dytë, djemtë ishin lumturisht të pavetëdijshëm për rrezikun me erë të keqe nga një qelbës, me të cilin u përballën. Duke mos qenë në gjendje ta identifikonin siç duhej atë që kishin hasur në të vërtetë, ata rrezikuan që të vuanin disa pasoja fatkeqe. Këto janë tregime për ngatërrimin e identitetit – duke e marrë gjënë e vërtetë për diçka tjetër. Në secilin rast, pasojat ishin të vogla.
Megjithatë, shumë njerëz sot përleshen me të njëjtat probleme në një shkallë shumë më të gjerë. Ata ose nuk janë në gjendje t’i shohin gjërat siç janë në të vërtetë ose janë të pakënaqur nga e vërteta. Për më tepër, ekzistojnë forca që veprojnë sot, të krijuara enkas për të na larguar nga e vërteta absolute. Këto mashtrime dhe gënjeshtra shkojnë përtej ngatërrimit të patëkeq të identitetit dhe shpesh kanë pasoja të tmerrshme e jo të vogla.
Satani, ati i gënjeshtrave dhe mashtruesi i madh, do që ne t’i vëmë në pikëpyetje gjërat ashtu siç janë në të vërtetë dhe, ose t’i shpërfillim të vërtetat e përjetshme, ose t’i zëvendësojmë ato me diçka që duket më e kënaqshme. “Ai u shpall luftë shenjtorëve të Perëndisë”2 dhe ka kaluar mijëvjeçarë duke e llogaritur dhe ushtruar aftësinë për t’i bindur fëmijët e Perëndisë që të besojnë se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë.
Ai ka krijuar një nam për veten duke ua mbushur mendjen njerëzve të vdekshëm që qelbësit janë thjesht kotele ose që, po të përdorësh bojën, ti mund ta kthesh një labrador në një dalmat!
Tani le të kthehemi te një shembull pikërisht i këtij parimi që gjendet në shkrimet e shenjta kur profeti i Zotit Moisiu u përball personalisht me të njëjtin problem. “Moisiu u çua në një mal tepër të lartë[;] … ai pa Perëndinë ballë për ballë e foli me të.”3 Perëndia e mësoi Moisiun për identitetin e tij të përjetshëm. Edhe pse Moisiu ishte njeri i vdekshëm dhe i papërsosur, Perëndia dha mësim se Moisiu ishte “në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit tim; dhe i Vetëmlinduri im … do të jetë Shpëtimtari”4.
Për ta përmbledhur, në këtë vegim të mrekullueshëm, Moisiu pa Perëndinë dhe ai mësoi gjithashtu diçka të rëndësishme për veten: ai ishte njëmend një bir i Perëndisë.
Dëgjojeni me kujdes atë që ndodhi ndërsa ky vegim i mahnitshëm përfundoi. “Dhe ndodhi që … Satani erdhi ta tundonte”, duke thënë: “Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua”5. Moisiu u përgjigj me guxim: “Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit të tij; dhe ku është lavdia jote, që unë të të adhuroj ty?”6
Me fjalë të tjera, Moisiu tha: “Ti nuk mund të më mashtrosh, pasi unë e di se kush jam. Unë u krijova sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ti nuk e ke dritën dhe lavdinë e Tij. Kështu që, përse duhet të të adhuroj ty apo të bie pre e mashtrimit tënd?”
Tani, kushtojini vëmendje mënyrës se si përgjigjet Moisiu më tej. Ai shpall: “Largohu këtej, Satan; mos më mashtro”7.
Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga përgjigjja e fuqishme e Moisiut ndaj tundimit nga kundërshtari. Unë ju ftoj të reagoni në të njëjtën mënyrë kur ndiheni të prekur nga tundimi. Urdhërojeni armikun e shpirtit tuaj duke i thënë: “Largohu!” Ti nuk ke lavdi. Mos më tundo apo mos më gënje! Pasi unë e di se jam një fëmijë i Perëndisë. Dhe do t’i thërras gjithmonë Perëndisë tim për ndihmë.”
Kundërshtari, sidoqoftë, nuk i braktis lehtë qëllimet e tij shkatërruese për të na mashtruar dhe poshtëruar. Sigurisht që nuk veproi kështu me Moisiun, por përkundrazi ai dëshironte të bënte që Moisiu ta harronte se kush ishte ai përjetësisht.
Me shpërthimin e një inati prej fëmije, “Satani bërtiti me zë të lartë e ulëriu mbi tokë dhe urdhëroi, duke thënë: Unë jam i Vetëmlinduri, adhuromë mua”8.
Le ta shqyrtojmë. A e dëgjuat atë që sapo ai tha? “Unë jam i Vetëmlinduri. Adhuromë mua!”
Mashtruesi i madh, zëre se tha: “Mos u shqetëso, nuk do të të bëj keq – nuk jam një qelbës, jam thjesht një kotele e pafajshme bardhë e zi”.
Moisiu pastaj i bëri thirrje Perëndisë dhe mori forcën e Tij hyjnore. Edhe pse kundërshtari u drodh dhe toka u tund, Moisiu nuk u dorëzua. Zëri i tij ishte i sigurt dhe i qartë. “Largohu prej meje, Satan”, shpalli ai, “sepse vetëm këtë Perëndi unë do ta adhuroj, i cili është Perëndia i lavdisë.”9
Më në fund, ai “u largua … nga prania e Moisiut”10.
Pasi Zoti iu shfaq dhe e bekoi Moisiun për bindjen e tij, Zoti tha:
“Bekuar je ti, Moisi, sepse… ti do të bëhesh më i fortë se shumë ujëra. …
Dhe ja, unë jam me ty, madje deri në fund të ditëve të tua.”11
Rezistenca e Moisiut ndaj kundërshtarit është një shembull i gjallë dhe dritëdhënës për secilin prej nesh, pavarësisht fazës sonë në jetë. Është një mesazh i fuqishëm për ju personalisht – që të dini se çfarë të bëni kur ai përpiqet t’ju mashtrojë. Pasi ju, sikurse Moisiu, jeni bekuar me dhuratën e ndihmës qiellore.
Urdhërimet dhe Bekimet
Si mund ta gjeni këtë ndihmë qiellore, madje ashtu siç e gjeti Moisiu, dhe të mos mashtroheni apo t’i dorëzoheni tundimit? Një kanal i pastër për ndihmë hyjnore u rivërtetua në këtë periudhë ungjillore nga Vetë Zoti kur Ai shpalli: “Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime”12. Duke përdorur fjalë më të thjeshta, ne mund të themi se Zoti, i cili e njeh “mbarimin që nga fillimi”13, i di vështirësitë e pashembullta të kohës sonë. Prandaj, Ai ka siguruar një udhë që ne t’u bëjmë ballë sfidave dhe tundimeve, shumë nga të cilat vijnë si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ndikimeve mashtruese të kundërshtarit dhe sulmeve të tij.
Udha është e thjeshtë. Nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, Perëndia na flet ne, fëmijëve të Tij, dhe na jep urdhërime. Ne mund ta rishprehim vargun që sapo citova, që të thotë: “Unë, Zoti, … thirra shërbëtorin tim [Presidentin Rasëll M. Nelson] dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime”. A nuk është kjo një e vërtetë e lavdishme?
Unë jap dëshmi solemne se Zoti i foli me të vërtetë Jozef Smithit nga qielli, duke filluar me Vegimin e Parë të madhërishëm. Ai gjithashtu i flet Presidentit Nelson në kohën tonë. Unë dëshmoj se Perëndia u foli profetëve në epokat e kaluara dhe u dha atyre urdhërime të hartuara për t’i udhëhequr fëmijët e Tij drejt lumturisë në këtë jetë dhe drejt lavdisë në jetën tjetër.
Perëndia vazhdon t’i japë urdhërime profetit tonë të gjallë sot. Ka një mori shembujsh; një baraspeshë më e përqendruar te shtëpia, e përkrahur nga Kisha për udhëzimin e ungjillit, zëvendësimi i vizitave mësimore dhe të shtëpisë me dhënien e shërbesës, përshtatje për procedurat dhe ordinancat e tempullit dhe programin e ri për Fëmijët dhe Rininë. Mrekullohem nga mirësia dhe dhembshuria e një Ati të dashur Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, të cilët e rivendosën Kishën e Shpëtimtarit në tokë edhe njëherë dhe kanë thirrur një profet në kohën tonë. Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit i kundërpërgjigjet kohëve të vështira me plotësinë e kohërave.
Ligësia Kurrë Nuk ka Qenë Lumturi
Bindja ndaj urdhërimeve që i janë dhënë profetit tonë, është një çelës jo vetëm për shmangien e ndikimit të mashtruesit, por edhe për përjetimin e gëzimit dhe lumturisë që zgjat. Kjo formulë hyjnore është mjaft e thjeshtë: drejtësia ose bindja ndaj urdhërimeve sjell bekime dhe bekimet sjellin lumturi ose gëzim në jetën tonë.
Megjithatë, në të njëjtën mënyrë se si kundërshtari u përpoq ta mashtronte Moisiun, ai kërkon t’jua punojë edhe juve. Ai gjithmonë është shtirur sikur është diçka që nuk është. Ai përpiqet gjithmonë ta fshehë se kush është në të vërtetë. Ai pretendon se bindja do ta bëjë jetën tuaj të mjerueshme dhe se do t’ju vjedhë lumturinë.
A mund të sillni ndërmend disa nga dredhitë e tij për të mashtruar? Për shembull, ai i maskon pasojat shkatërruese të drogave ose pijeve të paligjshme dhe në vend të saj sugjeron se ato do të sjellin kënaqësi. Ai na zhyt në elemente të shumta negative që mund të ekzistojnë në mediat shoqërore, përfshirë krahasimet molisëse dhe realitetin e idealizuar. Përveç këtyre, ai i kamuflon përmbajtjet e tjera të errëta, dëmtuese që gjenden në internet, të tilla si pornografia, sulmet e hapura ndaj të tjerëve nëpërmjet ngacmimeve në internet dhe mbjellja e lajmeve të pavërteta që na shkaktojnë dyshim dhe frikë në zemrat e mendjet tona. Ai pëshpërit me dinakëri: “Thjesht më ndiq dhe sigurisht që do të jesh i lumtur”.
Fjalët e shkruara kaq shekuj më parë nga një profet i Librit të Mormonit, janë veçanërisht me vend për kohën tonë: “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”14. I dallofshim mashtrimet e Satanit ashtu siç ato janë! U bëfshim ballë dhe i dallofshim gënjeshtrat dhe ndikimet e atij që kërkon të na shkatërrojë shpirtin dhe të na vjedhë gëzimin tonë të tanishëm dhe lavdinë e ardhshme!
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne duhet të vazhdojmë të jemi besnikë dhe syçelë, pasi kjo është e vetmja mënyrë se si ta dallojmë të vërtetën dhe ta dëgjojmë zërin e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. “Pasi Shpirti flet të vërtetën dhe nuk gënjen. … Këto gjëra janë shfaqur te ne qartësisht, për shpëtimin e shpirtrave tanë. … Pasi Perëndia gjithashtu ua tregoi ato profetëve të kohëve të vjetra.”15 Ne jemi shenjtorët e Perëndisë së Gjithëfuqishëm, shpresa e Izraelit. A do të ngurrojmë? “A do i shmangemi luftës? Jo! … Zoti urdh[ë]ron, zemrën dhe dor[ë]n, besnik’, t’vërtet’ do qëndrojm’ gjithmon’.”16
Unë jap dëshminë time për të Shenjtin e Izraelit – madje për emrin e Jezu Krishtit. Unë dëshmoj për dashurinë, të vërtetën dhe gëzimin e Tij të përhershëm që janë bërë të mundura me anë të flijimit të Tij të pafundmë dhe të përjetshëm. Ndërsa u bindemi urdhërimeve të Tij, ne do të drejtohemi gjithmonë në udhën e duhur dhe nuk do të mashtrohemi. Në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.