Pas Provës së Besimit Tonë
Teksa e ndjekim zërin e Perëndisë dhe shtegun e Tij të besëlidhjeve, Ai do të na forcojë në sprovat tona.
Kur isha fëmijë, Frenk Telli, një anëtar i Kishës deshi ta ndihmonte familjen time që të udhëtonte me avion nga Porto-Riko drejt Solt-Lejk-Sitit që të mund të vuloseshim në tempull, por shpejt pengesa filluan të shfaqeshin. Një nga motrat e mia, Marivida, u sëmur. Të shqetësuar, prindërit e mi u lutën se ç’të bënin dhe prapëseprapë ndien nxitje për ta bërë udhëtimin. Ata mirëbesonin se teksa e ndiqnin besnikërisht nxitjen e Zotit, familja jonë do të ruhej e do të bekohej – dhe kështu ndodhi.
Pavarësisht nga pengesat me të cilat përballemi në jetë, ne mund të mirëbesojmë se Jezu Krishti do të përgatitë një udhë përpara nesh teksa ecim me besim. Perëndia ka premtuar se të gjithë ata që jetojnë sipas besëlidhjeve që kanë bërë me Të, në kohën e Tij, do t’i marrin të gjitha bekimet e premtuara prej Tij. Plaku Xhefri R. Holland na mësoi: “Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë”.1
Moroni na mësoi se “besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen; prandaj mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”2.
Pyetja jonë është: “Çfarë duhet të bëjmë për t’i kaluar më së miri sprovat që na dalin përpara?”
Në fjalimin e tij të parë publik si President i Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi: “Si Presidencë e re, ne dëshirojmë të fillojmë me përfundimin në mendje. Për këtë arsye, ne po ju flasim sot nga një tempull. Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme. Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.”3
Teksa e ndjekim zërin e Perëndisë dhe shtegun e Tij të besëlidhjeve, Ai do të na forcojë në sprovat tona.
Udhëtimi i familjes sime për në tempull, vite më parë qe i vështirë, por ndërsa iu afruam tempullit në Solt-Lejk-Siti të Jutës, nëna ime, plot besim dhe gëzim tha: “Do të jemi mirë; Zoti do të na mbrojë”. Ne u vulosëm si familje dhe motra ime e mori veten. Kjo ndodhi vetëm pas provës së besimit të prindërve të mi dhe ndjekjes së nxitjeve të Zotit.
Ky shembull i prindërve të mi ndikon ende sot te familja jonë. Shembulli i tyre na mësoi arsyen pse e kemi doktrinën e ungjillit dhe na ndihmoi të kuptojmë domethënien, qëllimin dhe bekimet që sjell ungjilli. Të kuptuarit e arsyes pse e kemi ungjillin e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë edhe që të përballemi me sprovat tona me besim.
Përfundimisht, gjithçka që Perëndia na fton e na urdhëron të bëjmë është një shprehje e dashurisë së Tij për ne dhe e dëshirës së Tij për të na i dhënë bekimet e ruajtura për besnikët. Ne nuk mund ta marrim me mend se fëmijët tanë do të mësojnë ta duan ungjillin vetë; është përgjegjësia jonë t’ua mësojmë atyre. Teksa i ndihmojmë fëmijët tanë të mësojnë se si ta përdorin me urtësi lirinë e tyre të zgjedhjes, shembulli ynë mund t’i frymëzojë ata që të bëjnë zgjedhje të drejta të tyret. Kur ata të jetojnë me drejtësi, kjo një ditë do t’i ndihmojë fëmijët e tyre që ta dinë të vërtetën e ungjillit vetë.
Të rinj dhe të reja, dëgjojeni profetin sot tek ju flet. Kërkoni t’i mësoni të vërtetat hyjnore dhe kërkoni ta kuptoni vetë ungjillin. Kohët e fundit, Presidenti Nelson na këshilloi: “Çfarë urtësie ju mungon? … Ndiqni shembullin e Profetit Jozef. Gjeni një vend të qetë. … Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje.”4 Ndërsa kërkoni udhërrëfim nga Ati juaj i dashur Qiellor, duke e dëgjuar këshillin e profetëve të gjallë dhe duke parë shembullin e prindërve të drejtë, edhe ju mund të bëheni një hallkë lidhëse e fortë besimi në familjen tuaj.
Prindër, fëmijët e të cilëve janë larguar, kthehuni prapa me dhembshuri. Ndihmojini ata t’i kuptojnë të vërtetat e ungjillit. Fillojeni tani, nuk është kurrë tepër vonë.
Shembulli ynë i të jetuarit me drejtësi mund të sjellë një ndryshim të madh. Presidenti Nelson ka thënë: “Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, jemi mësuar ta mendojmë ‘kishën’ si diçka që ndodh në shtëpitë tona të mbledhjeve, e përkrahur nga ajo që ndodh në shtëpi. Kemi nevojë për një përshtatje të këtij modeli. Është koha për një Kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit.”5
Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”6.
Aty thuhet edhe: “Dhe tani, pasi predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë—po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre—prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë”7.
Tregohet një histori për një grua që qe e mërzitur se djali i saj hante shumë karamele. Pavarësisht se sa herë i kishte thënë atij të mos i hante, ai vazhdonte ta kënaqte nepsin e tij për ëmbëlsira. Tërësisht e acaruar, ajo vendosi ta çonte të birin të takohej me një dijetar që ai e respektonte.
Ajo iu afrua atij dhe tha: “Zotëri, djali im ha shumë karamele. Të lutem, a do t’i thuash që të mos i hajë më?”
Ai dëgjoi me kujdes dhe i tha birit të saj: “Shko në shtëpi dhe kthehu pas dy javësh”.
E kapi për dore të birin dhe shkoi në shtëpi, e shastisur pse ai nuk i kishte kërkuar djalit që të mos hante aq shumë karamele.
Dy javë më vonë ata u kthyen. Dijetari e pa drejt e në sy djalin dhe i tha: “Djalë, duhet të ndalosh së ngrëni kaq shumë karamele. Nuk të bëjnë mirë për shëndetin.”
Djali pohoi me kokë dhe premtoi se nuk do hante më karamele.
Nëna e djalit pyeti: “Pse nuk ia the këtë dy javë më parë?”
Dijetari buzëqeshi. “Dy javë më parë, edhe unë vetë po haja shumë karamele.”
Ky burrë jetonte me një integritet të tillë moral, saqë e dinte që këshilla e tij do të jepte efekt vetëm nëse ai vetë do ta zbatonte këshillën që do t’i jepte tjetrit.
Ndikimi që kemi te fëmijët tanë është më i fuqishëm kur ata na shohin të ecim besnikërisht në shtegun e besëlidhjeve. Profeti Jakob i Librit të Mormonit është shembull i një drejtësie të tillë. Biri i tij, Enosi, shkroi për ndikimin e mësimeve të të atit:
“Unë, Enosi, duke ditur se ati im ishte një burrë i drejtë – pasi ai më mësoi mua në gjuhën e tij dhe gjithashtu në kujdesin dhe këshillën e Zotit – dhe bekuar qoftë emri i Perëndisë tim për këtë …
… dhe fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time.”8
Nënat e djemve luftëtarë e jetonin ungjillin dhe fëmijët e vet qenë plotësisht të bindur për të. Udhëheqësi i tyre raportoi:
“Nënat u kishin mësuar se, në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte.
Dhe më përsëritën fjalët e nënave të tyre, duke thënë: Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë.”9
Enosi dhe djemtë luftëtarë u forcuan nga besimi i prindërve të tyre, gjë që i ndihmoi ata t’i kalonin provat e tyre vetjake të besimit.
Ne jemi bekuar me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në kohën tonë, i cili na ngre shpirtërisht kur ndihemi të shkurajuar ose të trazuar. Ne sigurohemi që përpjekjet tona do të japin fryte në kohën e duhur të Zotit nëse shkojmë përpara gjatë provave të besimit tonë.
Gruaja ime dhe unë, me Presidencën e Zonës, kohët e fundit, e shoqëruam Plakun Dejvid A. Bednar në përkushtimin e Tempullit të Port-O-Prensit në Haiti. Djali ynë, Horheja i cili erdhi me ne tha për përvojën e tij: “E hatashme, Babi! Sapo Plaku Bednar e filloi lutjen përkushtuese, unë mund ta ndieja që dhoma u mbush me ngrohtësi dhe dritë. Lutja ma shtoi shumë kuptueshmërinë për qëllimin e një tempulli. Ai është vërtet shtëpia e Zotit.”
Në Librin e Mormonit, Nefi na mëson se, kur dëshirojmë ta dimë vullnetin e Perëndisë, Ai do të na forcojë. Ai shkroi: “Unë, Nefi, duke qenë shumë i ri … dhe gjithashtu duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im; prandaj unë nuk ngrita krye kundër tij, si vëllezërit e mi.”10
Vëllezër e motra, le t’i ndihmojmë fëmijët tanë dhe të gjithë ata që janë përreth nesh që ta ndjekin shtegun e besëlidhjeve të Perëndisë në mënyrë që Shpirti të mund t’u japë mësime dhe t’ua zbutë zemrën, që të dëshirojnë ta ndjekin Atë gjatë gjithë jetës.
Kur e marr në shqyrtim shembullin e prindërve të mi, e kuptoj se besimi ynë te Zoti Jezu Krisht do të na tregojë udhën në kthim për në shtëpinë tonë qiellore. Unë e di se mrekullitë vijnë pas provës së besimit tonë.
Jap dëshmi për Jezu Krishtin dhe sakrificën e Tij shlyese. E di se Ai është Shpëtimtari dhe Çliruesi ynë. Ai dhe Ati ynë Qiellor erdhën atë mëngjes, në pranverën e vitit 1820, tek i riu Jozef Smith, profeti i Rivendosjes. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i kohës sonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.