2019
Fjala e Mbylljes
Nëntor 2019


Fjala e Mbylljes

Denjësia vetjake kërkon një kthim të plotë në besim të mendjes dhe të zemrës për të qenë më shumë si Zoti.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërsa vijmë në fundin e kësaj konference historike, ne e falënderojmë Zotin që ka frymëzuar mesazhet dhe muzikën që na kanë lartësuar. Ne vërtet kemi shijuar një banket shpirtëror.

Ne e dimë se ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit do t’u sjellë shpresë dhe gëzim njerëzve që do ta dëgjojnë dhe do t’ia vënë veshin doktrinës së Tij. Ne e dimë gjithashtu që çdo shtëpi mund të bëhet një shenjtërore e vërtetë besimi, ku paqja, dashuria dhe Shpirti i Zotit të mund të banojnë.

Sigurisht, guri i çmuar kurorëzues i Rivendosjes është tempulli i shenjtë. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të tij janë shumë të rëndësishme për përgatitjen e një populli që është gati ta mirëpresë Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë. Tani ne kemi 166 tempuj të përkushtuar dhe të tjerë po ndërtohen.

Një shtëpi e hapur do të mbahet përpara përkushtimit të secilit tempull të ri dhe të restauruar. Shumë miq jo të besimit tonë do të marrin pjesë në vizita në ata tempuj dhe do të mësojnë diçka mbi bekimet e tempullit. Dhe disa nga këta vizitorë do të preken shpirtërisht që të dinë më shumë. Disa do të pyetin sinqerisht se si mund të kualifikohen për bekimet e tempullit.

Si anëtarë të Kishës, na nevojitet të jemi të përgatitur që t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre. Ne mund të shpjegojmë se bekimet e tempullit janë në dispozicion për secilin njeri dhe për të gjithë njerëzit që do të përgatiten. Por përpara se të mund të hyjnë në një tempull të përkushtuar, ata kanë nevojë të kualifikohen. Zoti dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të marrin bekimet e përjetshme që janë në dispozicion në tempullin e Tij. Ai ka udhëzuar se çfarë duhet të bëjë secili person që të kualifikohet për të hyrë në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Një vend i mirë ku ne ta fillojmë një mundësi të tillë mësimdhënieje, është të tërheqim vëmendjen te fjalët e gdhendura në pjesën e jashtme të tempullit: “Shenjtëri Zotit: Shtëpia e Zotit”. Mesazhi i Presidentit Henri B. Ajring sot dhe shumë të tjerë na kanë frymëzuar që të bëhemi më të shenjtë. Secili tempull është një vend i shenjtë; secili pjesëmarrës në tempull përpiqet fort që të bëhet më i shenjtë.

Të gjitha kërkesat për të hyrë në tempull lidhen me shenjtërinë vetjake. Për ta vlerësuar atë gatishmëri, secili person që dëshiron të gëzojë bekimet e tempullit, do të ketë dy intervista: së pari me një peshkop, këshilltar peshkopi ose president dege; së dyti me një president kunji ose misioni apo me njërin nga këshilltarët e tij. Në këto intervista, do të bëhen disa pyetje.

Kohët e fundit, disa prej këtyre pyetjeve janë redaktuar për t’i qartësuar. Dëshiroj t’i rishikoj ato për ju tani:

  1. A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?

  2. A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?

  3. A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?

  4. A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues dhe zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë të autorizuar që t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë?

    A i mbështetni anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues?

    A i mbështetni Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe udhëheqësit vendorë të Kishës?

  5. Zoti ka thënë se gjithçka duhet të “bëhet … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41).

    A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj?

    A i bindeni ligjit të dëlirësisë?

  6. A i ndiqni mësimet e Kishës së Jezu Krishtit në sjelljen tuaj më vete dhe publike me pjesëtarët e familjes suaj dhe të tjerët?

  7. A përkrahni ose nxitni ndonjë mësim, praktikë ose doktrinë në kundërshtim me ato të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

  8. A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në Kishë; të merrni pjesë në mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni me denjësi atë; dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?

  9. A përpiqeni fort të jeni i/e ndershëm/e në gjithçka bëni?

  10. A jeni pagues/e i/e së dhjetës së plotë?

  11. A e kuptoni dhe i bindeni Fjalës së Urtësisë?

  12. A keni ndonjë detyrim financiar ose detyrime të tjera ndaj një bashkëshorti/eje të mëparshëm/me apo ndaj fëmijëve?

    Nëse po, a jeni i/e rregullt në përmbushjen e këtyre detyrimeve?

  13. A i mbani besëlidhjet që bëtë në tempull, përfshirë mbajtjen e veshjeve të brendshme të tempullit siç u udhëzuat te dhurimi?

  14. A ka mëkate të rënda në jetën tuaj që nevojitet të zgjidhen me autoritetet e priftërisë si pjesë e pendimit tuaj?

  15. A e konsideroni veten të denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit dhe për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit?

Nesër, këto pyetje të rishikuara për rekomandim tempulli, do t’u shpërndahen udhëheqësve të Kishës në mbarë botën.

Përveç përgjigjes me ndershmëri ndaj këtyre pyetjeve prej tij/saj, nënkuptohet që çdo pjesëmarrës/e në tempull në moshë madhore do t’i mbajë veshjet e brendshme, të shenjta të priftërisë poshtë veshjeve të tij/saj të zakonshme. Kjo është simbolikë e një zotimi të brendshëm për t’u përpjekur fort çdo ditë që të bëhemi më shumë si Zoti. Kjo gjithashtu na kujton të mbetemi besnikë çdo ditë ndaj besëlidhjeve të bëra dhe të ecim çdo ditë në shtegun e besëlidhjeve në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë.

Tani, vetëm për një çast, dëshiroj t’u flas të rinjve e të rejave tona. Ne ju nxitim që të kualifikoheni për rekomandime tempulli me përdorim të kufizuar. Juve do t’ju bëhen vetëm ato pyetje që gjejnë zbatim për ju në përgatitjen tuaj për ordinancat e pagëzimeve dhe konfirmimeve me mëkëmbës. Ne jemi shumë mirënjohës për denjësinë dhe gatishmërinë tuaj që të merrni pjesë në atë punë të shenjtë në tempull. Ne ju falënderojmë!

Denjësia vetjake për të hyrë në shtëpinë e Zotit kërkon shumë përgatitje shpirtërore vetjake. Por me ndihmën e Zotit, asgjë s’është e pamundur. Nga disa anë, është më e lehtë të bësh një tempull sesa të bësh një popull të përgatitur për një tempull. Denjësia vetjake kërkon një kthim të plotë në besim të mendjes dhe të zemrës për të qenë më shumë si Zoti, për të qenë një qytetar i ndershëm, për të qenë një shembull më i mirë dhe për të qenë një njeri më i shenjtë.

Unë dëshmoj se një punë e tillë përgatitore sjell bekime të panumërta në këtë jetë dhe bekime të papërfytyrueshme për jetën që do të vijë, përfshirë vazhdimësinë e njësisë suaj familjare në mbarë përjetësinë “në një gjendje lumturie të pafund”1.

Tani dëshiroj të kthehem te një temë tjetër: te planet për vitin e ardhshëm. Në pranverën e vitit 2020 do të bëhen saktësisht 200 vjet që kur Jozef Smithi përjetoi teofaninë [shfaqjen e Perëndisë te njeriu], që ne e njohim si Vegimi i Parë. Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozefit, një të riu 14‑vjeçar. Ajo ngjarje shënoi fillimin e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij, saktësisht siç u paratha në Biblën e Shenjtë.2

Pastaj erdhën një varg vizitash nga lajmëtarë qiellorë, përfshirë Moronin, Gjon Pagëzorin dhe Apostujt e hershëm Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Të tjerë vijuan, përfshirë Moisiun, Eliasin dhe Elijan. Secili solli autoritet hyjnor për të bekuar edhe një herë fëmijët e Perëndisë në tokë.

Mrekullisht, ne kemi marrë gjithashtu Librin e Mormonit – Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, një shkrim i shenjtë shoqërues për Biblën e Shenjtë. Zbulesat e botuara te Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe gjithashtu e kanë pasuruar së tepërmi kuptueshmërinë tonë për urdhërimet e Perëndisë dhe të vërtetën e përjetshme.

Janë rivendosur çelësat dhe detyrat e priftërisë, përfshirë detyrat e Apostullit, Të Shtatëdhjetit, patriarkut, priftit të lartë, plakut, peshkopit, priftit, mësuesit dhe dhjakut. Dhe gratë që e duan Zotin, shërbejnë trimërisht në Shoqatën e Ndihmës, Fillore, Të Rejat, Shkollën e së Dielës dhe thirrje të tjera në Kishë – të gjitha pjesë jetike të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij.

Pra, viti 2020 do të përcaktohet si viti i dyqindvjeçarit. Konferenca e përgjithshme prillin e ardhshëm do të jetë e ndryshme nga cilado konferencë e mëparshme. Në gjashtë muajt e ardhshëm, unë shpresoj se çdo anëtar dhe çdo familje do të përgatitet për një konferencë të pashoqe që do të kremtojë pikërisht themelet e ungjillit të rivendosur.

Ju mund të dëshironi ta filloni përgatitjen tuaj duke e lexuar rishtas rrëfimin e Jozef Smithit për Vegimin e Parë siç është shënuar te Perla me Vlerë të Madhe. Kursi ynë i studimit për vitin e ardhshëm në programin Eja, Më Ndiq, është Libri i Mormonit. Ju mund të dëshironi të përsiateni për pyetje të rëndësishme, të tilla si: “Si do të ndryshonte jeta ime nëse njohuria ime e fituar nga Libri i Mormonit do të hiqej befas?” ose “Çfarë ndryshimi sollën për mua dhe njerëzit e mi të dashur ngjarjet që pasuan Vegimin e Parë?” Gjithashtu, materialet filmike të Librit të Mormonit që po vihen në dispozicion tani, ju mund të dëshironi t’i bëni pjesë të studimit tuaj vetjak dhe familjar.

Përzgjidhini pyetjet tuaja vetjake. Hartojeni planin tuaj vetjak. Zhyteni veten në dritën e lavdishme të Rivendosjes. Teksa i bëni këto, konferenca e përgjithshme prillin e ardhshëm do të jetë jo vetëm e shënuar; ajo do të jetë e paharrueshme.

Tani në mbyllje, ju lë dashurinë time dhe bekimin tim që secili prej jush të mund të bëhet më i lumtur dhe më i shenjtë për çdo ditë që kalon. Ndërkohë, ju lutem, jini të sigurt se zbulesa vazhdon në Kishë dhe do të vazhdojë nën drejtimin e Zotit derisa “qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”3.

Kështu ju bekoj, duke e ripohuar dashurinë time për ju, me dëshminë time se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij dhe ne jemi populli i Tij. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.