2019
Urdhërimi i Dytë i Madh
Nëntor 2019


Urdhërimi i Dytë i Madh

Gëzimi ynë më i madh vjen ndërsa i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit për gjithçka që po bëni për të ndihmuar të mblidhet Izraeli në të dyja anët e velit, për t’i forcuar familjet tuaja dhe për ta bekuar jetën e njerëzve që janë në nevojë. Faleminderit që jetoni si pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.1 Ju i njihni dhe doni shumë t’u bindeni dy urdhërimeve të Tij të mëdha, për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur të afërmit tuaj.2

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Motra Nelson dhe unë kemi takuar mijëra shenjtorë ndërsa kemi udhëtuar në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në ishujt e Paqësorit dhe në qytete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara. Kur udhëtojmë, shpresa jonë është të ndërtojmë besimin tuaj. Prapëseprapë, ne gjithmonë kthehemi me besimin tonë të forcuar nga anëtarët dhe miqtë që takojmë. A mund të tregoj për tri çaste domethënëse nga përvojat tona më të fundit?

Presidenti Nelson në Zelandën e Re
Presidenti Nelson në Zelandën e Re

Në maj, Motra Nelson dhe unë udhëtuam me Plakun Gerit W. Gong dhe Motrën Suzana Gong për në Paqësorin Jugor. Ndërkohë që ishim në Okland të Zelandës së Re, patëm nderin të takoheshim me imamë nga dy xhami në Krajstçërç të Zelandës së Re, ku vetëm dy muaj më parë, adhurues të pafajshëm ishin qëlluar me armë në një akt dhune të tmerrshme.

Ne u shprehëm keqardhjen tonë këtyre vëllezërve të një besimi tjetër dhe ripohuam zotimin tonë të përbashkët për lirinë fetare.

Ne gjithashtu u ofruam punë vullnetare dhe ndihmë financiare modeste për të rindërtuar xhamitë e tyre. Takimi ynë me këta udhëheqës myslimanë ishte i mbushur me shprehje të dhembshura vëllazërie.

Marrës të karrigeve me rrota në Argjentinë
Marrës të karrigeve me rrota në Argjentinë

Në gusht, së bashku me Plakun Kuentin L. Kuk dhe Motrën Meri Kuk, Motra Nelson dhe unë u takuam me individë në Buenos-Ajres të Argjentinës – shumica prej tyre jo të besimit tonë – jeta e të cilëve ka ndryshuar nga karriget me rrota, të cilat u janë siguruar atyre nëpërmjet Latter-day Saint Charities [Shoqatës sonë Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]. Ne u frymëzuam teksa ata shprehën mirënjohje plot gëzim për aftësinë e sapogjetur që të lëviznin sërish.

Një çast i tretë i çmuar ndodhi vetëm disa javë më parë këtu në Solt‑Lejk-Siti. Erdhi nga një letër unike që mora për ditëlindjen time nga një e re, të cilën do ta quaj Meri – mosha 14 vjeçe.

Meri shkroi për gjërat që unë dhe ajo i kishim të përbashkëta: “Ju keni 10 fëmijë. Ne jemi 10 fëmijë. Ju flisni gjuhën mandarine. Shtatë nga fëmijët në familjen time, përfshirë dhe mua, u birësuam nga Kina, kështu që gjuha mandarine është gjuha jonë e parë. Ju jeni kirurg zemre. Motra ime ka bërë dy [operacione] me zemër të hapur. Juve ju pëlqen kisha dyorëshe. Neve na pëlqen kisha dyorëshe. Ju keni tonin e përsosur në të kënduar. Edhe vëllai im ka një ton të përsosur në të kënduar. Ai është i verbër si unë.”

Fjalët e Merit më prekën thellë, duke nxjerrë në pah jo vetëm shpirtin e saj të madh, por edhe përkushtimin e nënës dhe të babait të saj.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ashtu si me pasuesit e tjerë të Jezu Krishtit, janë gjithmonë duke kërkuar mënyra për t’i ndihmuar, për t’i lartësuar dhe për t’i dashur të tjerët. Ata që janë të gatshëm të quhen populli i Zotit, “j[anë] të gatshëm të mba[jnë] barrat e njëri-tjetrit … të vajto[jnë] me ata që vajtojnë … dhe të ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”3.

Ata vërtet përpiqen tʼi jetojnë urdhërimin e parë dhe të dytë të madh. Kur e duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, Ai i kthen zemrat tona drejt mirëqenies së të tjerëve në një cikël të bukur, të virtytshëm.

Do të ishte e pamundur të llogaritet sasia e shërbimit që japin shenjtorët e ditëve të mëvonshme anembanë botës çdo ditë të çdo viti, por është e mundur të llogaritet e mira që bën Kisha si organizatë për të bekuar burrat e gratë – djemtë e vajzat – të cilët kanë nevojë për një dorë ndihmëtare.

Programi humanitar i Kishës filloi në vitin 1984. Më pas u mbajt një agjërim në mbarë Kishën për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar njerëzit që po vuanin nga një thatësirë shkatërruese në Afrikën Lindore. Anëtarët e Kishës dhuruan 6,4 milionë dollarë në atë ditë të vetme agjërimi.

Me titullin Plak në atë kohë, [M.<nb/>Rasëll] Ballardi në Etiopi

Me titullin Plak në atë kohë, M. Rasëll Ballardi dhe Vëllai Glen L. Pejs u dërguan në Etiopi për të vlerësuar se si mund të përdoreshin më së miri ato fonde të përkushtuara. Kjo përpjekje dëshmoi se ishte fillimi i asaj që më vonë do të njihej si Latter-day Saint Charities [Shoqata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme].

Që nga ajo kohë, Latter-day Saint Charities [Shoqata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] ka siguruar më shumë se dy miliardë dollarë ndihmë për t’ju gjendur pranë njerëzve nevojtarë anembanë botës. Kjo ndihmë u ofrohet marrësve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, kombësia, raca, orientimi seksual, gjinia apo bindjet politike.

Kjo nuk është e gjitha. Për të ndihmuar anëtarët e Kishës së Zotit që po vuajnë, ne e duam dhe e jetojmë ligjin e lashtë të agjërimit.4 Ne nuk hamë që të ndihmojmë të tjerët të cilët janë të uritur. Një ditë çdo muaj, ne nuk hamë ushqim dhe e dhurojmë koston e atij ushqimi (dhe më shumë) për të ndihmuar njerëzit nevojtarë.

Nuk do ta harroj kurrë vizitën time të parë në Afrikën Perëndimore në vitin 1986. Në mbledhjet tona erdhi një numër shumë i madh shenjtorësh. Megjithëse ata kishin pak për sa u përket pasurive materiale, shumica erdhën të veshur me rroba të bardha akull.

E pyeta presidentin e kunjit se si kujdesej për anëtarët që kishin aq pak. Ai u përgjigj se peshkopët e tyre i njihnin mirë njerëzit e tyre. Nëse anëtarët mund të përballonin dy vakte në ditë, nuk kishte nevojë për ndihmë. Por nëse mund të përballonin vetëm një vakt ose më pak – madje edhe me ndihmën e familjes – peshkopët siguronin ushqim, të financuar nga ofertat e agjërimit. Pastaj ai shtoi këtë fakt të jashtëzakonshëm: kontributet e tyre të ofertës së agjërimit zakonisht i tejkalonin shpenzimet e tyre. Më pas teprica e ofertave të agjërimit u dërgohej njerëzve gjetkë, nevojat e të cilëve i tejkalonin nevojat e këtyre. Ata shenjtorë të paepur afrikanë më dhanë një mësim të madh rreth fuqisë së ligjit dhe frymës së agjërimit.

Si anëtarë të Kishës, ne ndiejmë një lidhje të ngushtë me ata që vuajnë në çfarëdo mënyre.5 Si bij dhe bija të Perëndisë, të gjithë ne jemi vëllezër e motra. Ne ia vëmë veshin këshillës së Dhiatës së Vjetër: “Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfrit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj”6.

Ne gjithashtu përpiqemi fort për t’i jetuar mësimet e Zotit Jezu Krisht, siç shënohen te Mateu 25:

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit. …

… Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.”7

Më lejoni të përmend vetëm disa shembuj se si i ndjek Kisha këto mësime të Shpëtimtarit.

Shtëpia e ruajtjes së peshkopëve

Për të ndihmuar në lehtësimin e urisë, Kisha ka në funksion 124 shtëpi të ruajtjes së peshkopëve anembanë botës. Nëpërmjet tyre, gati 400 000 kërkesa për ushqime u jepen çdo vit individëve në nevojë. Në vendet ku nuk ekziston shtëpia e ruajtjes [së peshkopit], peshkopët dhe presidentët e degëve tërheqin nga fondet e ofertave të agjërimit të Kishës për të siguruar ushqim e furnizime për anëtarët e tyre nevojtarë.

Sidoqoftë, sfida e urisë shkon përtej kufijve të Kishës. Ajo po rritet anembanë botës. Një raport i kohëve të fundit i Kombeve të Bashkuara tregoi se numri i njerëzve të kequshqyer në botë tani i kalon 820 milionë njerëz – ose pothuajse një në nëntë veta prej banorëve të tokës.8

Çfarë statistike rrëqethëse! Sa mirënjohës jemi për kontributet tuaja. Falë bujarisë tuaj zemërgjerë, miliona njerëz në të gjithë botën do të marrin ushqimin që nevojitet së tepërmi, veshje, strehim të përkohshëm, karrige me rrota, ilaçe, ujë të pastër dhe shumë më tepër.

Shumë sëmundje në të gjithë botën shkaktohen prej ujit të papastër. Deri më tani, nisma humanitare e Kishës ka ndihmuar në sigurimin e ujit të pastër në qindra komunitete në 76 vende.

Një projekt në Luputa të Republikës Demokratike të Kongos, është një shembull i shkëlqyer. Me një popullsi që i tejkalon 100 000 njerëz, qyteti nuk kishte ujë të rrjedhshëm. Qytetarëve iu duhej të ecin në largësi të mëdha për burime uji të pijshëm. Një burim malor u zbulua 29 kilometra larg, por banorët e qytetit nuk mund ta përdornin atë ujë rregullisht.

Duke gërmuar një kanal për ujë

Kur misionarët tanë humanitarë mësuan për këtë sfidë, ata punuan me udhëheqësit e Luputës duke u dhënë furnizime me materiale dhe duke bërë trajnime se si ta çonin me tubacione ujin në qytet. Banorët e Luputës shpenzuan tre vjet duke gërmuar një kanal një metër të thellë përmes shkëmbinjve dhe xhunglës. Duke punuar së bashku, dita e lumtur më në fund erdhi kur uji i freskët e i pastër ishte në dispozicion për të gjithë njerëzit në atë qytet.

Duke mbajtur ujë

Kisha ndihmon gjithashtu refugjatët, qofshin ata nga konfliktet civile, nga shkatërrimet e natyrës apo nga përndjekja fetare. Më shumë se 70 milionë njerëz janë shpërngulur tashmë nga shtëpitë e tyre.9

Duke u dhënë shërbesë refugjatëve

Vetëm në vitin 2018, Kisha siguroi furnizime të ngutshme për refugjatët në 56 vende. Përveç kësaj, shumë anëtarë të Kishës e japin vullnetarisht kohën e tyre për t’i ndihmuar refugjatët që të përfshihen në komunitete të reja. E falënderojmë secilin prej jush që bën një përpjekje për të ndihmuar ata që po përpiqen të krijojnë shtëpi të reja.

Shpërndarja e veshjeve

Nëpërmjet dhurimeve bujare në dyqanet e Deseret Industries në Shtetet e Bashkuara, miliona kilogramë veshje mblidhen dhe seleksionohen çdo vit. Ndërkohë që peshkopët vendorë e përdorin këtë sasi të madhe veshjesh dhe të mirash të tjera për t’i ndihmuar anëtarët në nevojë, pjesa më e madhe u dhurohet organizatave të tjera bamirëse të cilat i shpërndajnë artikujt anembanë botës.

Dhe vetëm vitin e kaluar, Kisha siguroi programin e kujdesit për sytë për më shumë se 300 000 njerëz në 35 vende, kujdesin për të porsalindurit për mijëra nëna e foshnja në 39 vende dhe karrige me rrota për më shumë se 50 000 njerëz që jetojnë në dhjetëra vende.

Kisha është e mirënjohur për faktin se është ndër të parat që reagon kur godet tragjedia. Madje përpara se një uragan të godasë, udhëheqësit dhe personeli i Kishës në vendet e prekura po hartojnë plane për mënyrën se si do t’u ofrojnë furnizime ndihmash dhe ndihmë vullnetare atyre që do të preken.

Shërbimi me Duart Ndihmëtare

Vetëm vitin e kaluar, Kisha vuri në zbatim më shumë se 100 projekte për lehtësimin nga katastrofat në të gjithë botën, duke ndihmuar viktimat e uraganeve, zjarreve, përmbytjeve, tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera. Kurdoherë që është e mundur, anëtarët e Kishës sonë të veshur me jelekët e verdhë të Duarve Ndihmëtare mobilizohen në një numër të madh për të ndihmuar ata që janë prekur nga katastrofa. Ky lloj shërbimi, i dhënë nga kaq shumë prej jush, është vetë thelbi i dhënies së shërbesës.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, veprimtaritë që kam përshkruar, janë thjesht një pjesë e vogël e programit të mirëqenies dhe humanitar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i cili po rritet.10 Dhe ju jeni ata që e bëni të gjithë këtë të mundur. Për shkak të jetës suaj shembullore, zemrave tuaja bujare dhe duarve tuaja ndihmëtare, nuk është çudi që shumë komunitete dhe udhëheqës qeveritarë po i lavdërojnë përpjekjet tuaja.11

Që kur u bëra President i Kishës, jam mahnitur se sa presidentë, kryeministra dhe ambasadorë më kanë falënderuar sinqerisht për ndihmën tonë humanitare ndaj njerëzve të tyre. Dhe ata kanë shprehur gjithashtu mirënjohje për forcën që anëtarët tanë besnikë i sjellin vendit të tyre si qytetarë besnikë e kontribues.

Unë jam mrekulluar gjithashtu kur udhëheqës botërorë janë takuar me Presidencën e Parë duke shprehur shpresën e tyre që Kisha të themelohet në vendet e tyre. Përse? Ngaqë ata e dinë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të ndihmojnë për ndërtimin e familjeve dhe të komuniteteve të forta, duke e bërë jetën më të mirë për të tjerët kudo ku ata jetojnë.

Pavarësisht se ku jetojnë, anëtarët e Kishës kanë ndjenja të forta për atësinë e Perëndisë dhe vëllazërinë midis njerëzve. Pra, gëzimi ynë më i madh vjen ndërsa i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona, pavarësisht se ku jetojmë në këtë botë të mrekullueshme.

Dhënia e ndihmës ndaj të tjerëve – bërja e një përpjekjeje të ndërgjegjshme për t’u kujdesur për të tjerët po aq ose më shumë sesa kujdesemi për veten tonë – është gëzimi ynë. Veçanërisht, mund të shtoj, kur nuk është e volitshme dhe kur na nxjerr nga zona jonë e rehatisë. Të jetuarit e atij urdhërimi të dytë të madh është çelësi për t’u bërë një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju jeni shembuj të gjallë të fryteve që vijnë nga ndjekja e mësimeve të Jezu Krishtit. Ju falënderoj! Ju dua!

Unë e di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kisha e Tij është rivendosur në këto ditë të mëvonshme për të përmbushur qëllimet e saj hyjnore. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.