2019
Udhëheqësit Paraqitin Përpjekjen e Re Fëmijët dhe Rinia
Nëntor 2019


Udhëheqësit Paraqitin Përpjekjen e Re Fëmijët dhe Rinia

Programi Fëmijët dhe Rinia do të vihet në zbatim në janar të 2020‑ës për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që ta ndjekin Shpëtimtarin ndërkohë që rriten nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale. Për fjalimet në këtë revistë që diskutojnë mbi programin Fëmijët dhe Rinia, shihni faqet 40 dhe 53.

“Koha ka ardhur për një metodë të re, të hartuar për të ndihmuar fëmijët dhe rininë e sotme anembanë botës”, tha Presidenti Rasëll M. Nelson në një transmetim të veçantë më 29 shtator 2019.

“Në vend që t’u japim shumë detyra specifike”, u tha ai fëmijëve dhe rinisë, “ne ju ftojmë të këshilloheni me Zotin se si të mund të rriteni në një mënyrë të baraspeshuar. Do të jetë shpërblyese dhe argëtuese, por gjithashtu do të kërkojë përpjekje nga ana juaj. Do t’ju nevojitet të kërkoni zbulesë vetjake. Do t’ju nevojitet të zgjidhni për veten tuaj se si të veproni rreth saj. Ndonjëherë Shpirti mund t’ju nxitë të bëni gjëra që janë të vështira. Unë mendoj se ju jeni të aftë për t’u përballur me këtë sfidë. Ju mund të bëni gjëra të vështira.”

Presidenti Nelson tha gjithashtu se prindërit duhet të luajnë një rol thelbësor. “Ju lutem, ndërtoni marrëdhënie të forta me fëmijët dhe të rinjtë e të rejat tuaja”, tha ai. “Udhëheqësit në kishë mund të ndihmojnë, por këta janë fëmijët tuaj. Asnjë nuk mund të ketë ndikim më të madh në suksesin e tyre sesa ju. Jepini atyre dashuri, kurajë dhe këshillë, por bëjini ballë tundimit që ta bëni ju vetë në vend të tyre. Ata do të bëjnë më të mirën ndërsa ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes.

Kjo këshillë është dhe për udhëheqësit/et dhe mësuesit/et tanë të mrekullueshëm të fëmijëve dhe të rinjve e të rejave”, vazhdoi Presidenti Nelson. “Ne kemi nevojë t’i lemë të rinjtë dhe të rejat të udhëheqin, veçanërisht ata që janë thirrur dhe veçuar për të shërbyer në presidencat e klasave dhe të kuorumeve. Autoriteti i priftërisë do t’u jetë deleguar atyre. Ata do të mësojnë se si të marrin frymëzim për të udhëhequr klasat ose kuorumet e tyre.”

Në të njëjtën paraqitje, Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paraqiti objektivin e programit Fëmijët dhe Rinia: “Për të forcuar besimin e brezit të ri në Jezu Krishtin dhe për t’i ndihmuar fëmijët, të rinjtë e të rejat dhe familjet e tyre të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve ndërsa përballen me sfidat e jetës”1. Ai tha se “t’i ndihmosh fëmijët dhe rininë për të fituar një dëshmi për Jezu Krishtin, do t’i bekojë ata dhe të gjithë ne gjatë gjithë jetës sonë”.

Pasi të rinjtë dhe të rejat e pranishëm në transmetim u bashkuan në një veprimtari për të demonstruar përdorimin e Udhëzuesit Parashtrues për Fëmijët dhe Rininë, Presidenti Ballard tha: “Ky është vetëm fillimi. Sot, ne sapo e filluam në këtë veprimtari. Kjo është diçka që do të vazhdojë në familjet tuaja dhe ndërsa punoni së bashku. Ju ftojmë ta vazhdoni veprimtarinë. … Prindër, ju lutemi, vazhdojeni këtë në shtëpi”. Ai theksoi se “ky është një program i përqendruar te shtëpia, i përkrahur nga Kisha” dhe se “familjet janë të përfshira së bashku në këtë program. Kjo është ajo që do ta bëjë atë kaq të mrekullueshëm”.

Në shumë zona të botës, prindërit dhe udhëheqësit gjithashtu morën udhëzuesin e tyre vetjak parashtrues. Zona të tjera do ta kenë programin Fëmijët dhe Rinia të përkthyer në gjuhët e tyre më vonë gjatë vitit 2020.

Të mësuarit e ungjillit, shërbimi e aktivitetet dhe zhvillimi vetjak (përfshirë vendosjen dhe arritjen e synimeve) do të jenë pjesët kyç të programit Fëmijët dhe Rinia dhe rinia duhet të udhëheqë në planifikim. Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat kërkojnë zbulesë vetjake ndërsa përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve, me përkrahjen e familjes, të udhëheqësve dhe të të tjerëve. Presidenti Ballard vuri në dukje se programi Fëmijët dhe Rinia është një përpjekje mbarëbotërore dhe, si rrjedhim, përshtatet sipas “vendit se ku jetoni dhe rrethanave tuaja familjare”.

Hollësi dhe burime shtesë do të sigurohen gjatë një transmetimi Ballë për Ballë për fëmijët dhe rininë, më 17 nëntor 2019, ku i pranishëm do të jetë Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftohen të marrin pjesë fëmijët, të rinjtë e të rejat nga ata që mbushin moshën 8 vjeç e deri tek ata që mbushin moshën 18 vjeç gjatë vitit 2020, prindërit e tyre, udhëheqëset e Të Rejave, këshilluesit e Priftërisë Aarone dhe udhëheqëset e Fillores. Dorëzojini Plakut Gong pyetjet tuaja rreth programit Fëmijët dhe Rinia te facetoface.ChurchofJesusChrist.org. Pas ngjarjes së drejtpërdrejtë, e cila do të transmetohet në 18 gjuhë, materiali filmik do të arkivohet në mënyrë që të mund të transmetohet në internet ose të shkarkohet në çfarëdo kohe.

Shënim

  1. Fëmijët dhe Rinia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Një Udhëzues Parashtrues për Prindërit dhe Udhëheqësit (2019), f. 1.