Mësimi 16
Shpëtimtari Shleu për Mëkatet e të Gjithë Njerëzimit
Hyrje
“[Jezu Krishti] dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit. Ai ishte një dhuratë madhështore e dhënë për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë në tokë.” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Plaku Riçard G. Skot i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim se “Shlyerja është ai element thelbësor i planit të lumturisë të Atit në Qiell pa të cilën ai plan nuk do mund të ishte vënë në veprim” (“Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij! Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 76). Ky mësim do të përqendrohet te vuajtja e thellë e Shpëtimtarit, që filloi në Gjetseman dhe arriti kulmin në kryq dhe do të përshkruajë se si Jezu Krishti mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë mëkatet tona dhe të na forcojë në jetën tonë të përditshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
Lexim Konteksti
-
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.
-
Jeffrey R. Holland, “The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 32–38.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 14:33–36; Lluka 22:39–44; 2 Nefi 9:21
Jezu Krishti e vuajti me gatishmëri agoninë e Shlyerjes
Merrni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ftuar studentët të këndojnë “Qëndroj Plot Habi” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22) ose një himn tjetër rreth Shpëtimtarit. Pastaj, kur të fillojë mësimi, pyetini:
-
Si ju përgatit këndimi i himnit ”Qëndroj Plot Habi“ (apo i një himni tjetër rreth Shpëtimtarit) për ta studiuar Shlyerjen e Jezu Krishtit?
Ftojini studentët ta lexojnë Markun 14:33–36 në heshtje, duke kërkuar fraza që e përshkruajnë vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman. Renditni në tabelë frazat që përcaktojnë studentët.
-
Çfarë domethënie ju përçojnë këto fraza?
Ftojini studentët të lexojnë Llukën 22:39–44; 2 Nefin 9:21; dhe Mosian 3:7 për hollësi shtesë rreth vuajtjes së Shpëtimtarit gjatë sakrificës së Tij shlyese. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i bëjnë referenca kryq këto fragmente në shkrimet e tyre të shenjta.
-
Çfarë të vërtetash të rëndësishme na mësojnë këto fragmente rreth vuajtjes që Jezusi duroi për ne? (Përgjigjet duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Vuajtja e Jezu Krishtit në Gjetseman bëri që Atij t’i dilte gjak nga çdo por.)
Vërjuani në dukje studentëve se Shlyerja e Jezu Krishtit përfshiu vuajtjen e Tij për mëkatet tona në Gjetseman dhe në kryq, derdhjen e gjakut të Tij, vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij nga varri. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek–Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ne nuk e dimë, nuk mund ta kuptojmë, asnjë mendje e vdekshme nuk mund ta konceptojë rëndësinë e plotë të asaj që bëri Krishti në Gjetseman.
Ne e dimë se Ai nxori pika të mëdha gjaku nga çdo por kur zbrazi llumin e asaj kupe të hidhur që Ati i Tij ia kishte dhënë Atij.
Ne e dimë që Ai vuajti, si në trup dhe në shpirt, më shumë sesa është e mundur të vuajë njeriu, përveçse në vdekje. …
Ne e dimë se Ai u shtri i kapitur përtokë kur dhembjet dhe agonia e një barre të pafund e bëri Atë të dridhej dhe të dëshironte që të mos e pinte kupën e hidhur” (“The Purifying Power of Gethsemane”, Ensign, prill 2011, f. 57).
-
Cilat janë ndjenjat tuaja rreth vuajtjes që Jezu Krishti duroi në Gjetseman dhe në kryq?
Gjoni 15:13; 1 Pjetrit 3:18; Doktrina e Besëlidhje 19:15–19
Jezusi vuajti që neve të mos na duhet të vuajmë sikurse Ai
Bëni pyetjen vijuese:
-
Përse mendoni se Jezusi qe i gatshëm të vuante kaq shumë për ne?
Ftojini studentët të studiojnë Gjonin 15:13; 1 Pjetrin 3:18; dhe Doktrinën e Besëlidhjet 19:15–19 në heshtje, duke kërkuar arsyet përse Jezu Krishti i vuajti me gatishmëri dhembjet e Shlyerjes. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini studentët se çfarë kanë zbuluar. Teksa studentët përgjigjen, merrni parasysh t’i përmblidhni përgjigjet e tyre në tabelë sikurse vijon:
Ndërsa i bëni pyetjet e mëposhtme, jepuni studentëve kohë që t’i përsiatin përgjigjet e tyre përpara se t’i ftoni të përgjigjen. (Kujtojuni studentëve se ndërsa mësojnë t’i përsiatin ato që zbulojnë në shkrimet e shenjta, Shpirti i Shenjtë shpesh do t’u zbulojë atyre të vërteta shtesë .)
-
Çfarë ju mësojnë rreth Tij këto arsye për vuajtjen e Jezu Krishtit?
-
Si ju përkasin vetë juve këto arsye?
Theksojuni studentëve që nëpërmjet Shlyerjes, Jezu Krishti u bë Zëvendësi ynë – Ai zuri vendin tonë, Ai mori përsipër barrën tonë, Ai vuajti për mëkatet tona. Apostulli Pal e shprehu në këtë mënyrë: “Sepse ai [Perëndia, Ati] bëri të jetë mëkat për ne ai [Krishti, Biri] që nuk njihte mëkat [që do të thotë se Jezusi nuk njihte mëkat]; që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21). Është njësoj sikur Zoti e Shpëtimtari ynë t’ia kishte bërë secilit prej nesh ofertën vijuese: “Eja tek unë. Do të marr mëkatin tënd dhe do të të jap drejtësinë time.”
Dëshmoni që për shkak se Jezu Krishti e kreu Shlyerjen, ne mund të falemi për mëkatet tona nëse pendohemi. Për shkak të sakrificës së Tij në emrin tonë, udha është përgatitur për ne që të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor në një njësi të përjetshme familjare. Jezu Krishti iu nënshtrua Shlyerjes për shkak të dashurisë së Tij të madhe për Atin Qiellor dhe për ne. Nxitini studentët të përsiatin se si mund t’i kërkojnë dhe gëzojnë më me efektshmëri bekimet e Shlyerjes në jetën e tyre.
Alma 7:11–13
Shlyerja e Jezu Krishtit na e zgjat neve hirin ose fuqinë e Tij aftësuese
Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
“Kur agonia erdhi në plotësinë e saj, ishte kaq e shumtë, shumë më e rëndë nga sa e kishte përfytyruar madje edhe intelekti i tij i pashoq! …
Pesha e grumbulluar e të gjitha mëkateve tokësore – të kaluara, të tashme e të ardhme – e shtypi atë Shpirt të përsosur, të pamëkat e të ndjeshëm! Të gjitha pafuqitë dhe sëmundjet tona janë gjithashtu, në një farë mënyre, një pjesë e asaj aritmetike të tmerrshme të Shlyerjes. (Shih Alma 7:11–12; Isaia 53:3–5; Mateu 8:17.) …
… Vuajtja e Tij – si të ishte, skajshmëri e shumëzuar me pafundësi – shkaktoi britmën e Tij të mëvonshme që i doli nga shpirti në kryq dhe ishte një britmë braktisjeje. (Shih Mateu 27:46.)” (“Willing to Submit”, Ensign, maj 1985, f. 72–73).
-
Çfarë mendoni se donte të thoshte Plaku Maksuell me “aritmetikën e tmerrshme të Shlyerjes”?
-
Përveç mëkateve tona, çfarë tjetër përcaktoi Plaku Maksuell si faktor që i shtoi vuajtjet e Shpëtimtarit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Alma 7:11–13. Kërkojini pjesës tjetër të klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë gjendje të tjera të vdekshmërisë për të cilat vuajti Shpëtimtari. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që përcaktuan dhe renditini përgjigjet e tyre në tabelë. (Përgjigjet duhet të përfshijnë dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet, pafuqitë dhe vdekjen.) Diskutoni për domethënien e këtyre gjendjeve dhe për mënyrën se si Jezu Krishti mund të na bekojë nëpërmjet Frymës së Shenjtë kur i përjetojmë ato.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shpëtimtari ka vuajtur jo vetëm për paudhësitë tona, por edhe për pabarazinë, padrejtësinë, dhembjen, vuajtjen dhe mundimet emocionale që aq shpesh na rrethojnë. Nuk ka dhembje fizike, ankth të shpirtit, vuajtje të shpirtit, sëmundje ose dobësi që unë dhe ju do të përjetojmë ndonjëherë gjatë udhëtimit të vdekshëm që nuk e përjetoi më parë Shpëtimtari. Unë dhe ju, kur ndihemi të dobët, mund të bërtasim me hidhërim: ‘Askush nuk e kupton. Askush nuk e di.’ Ndoshta, asnjë qenie njerëzore nuk e di. Por Biri i Perëndisë e di dhe e kupton përso[su]risht, sepse Ai i ndjeu dhe i mbajti barrat tona përpara se ne ta bënim ndonjëherë. Dhe për shkak se Ai pagoi çmimin përfundimtar dhe e mbajti atë barrë, Ai mund të na kuptojë plotësisht dhe mund të shtrijë ndaj nesh krahun e Tij të mëshirës në shumë faza të jetës sonë. Ai mund të na arrijë, prekë, ndihmojë … e forcojë që të jemi më shumë sesa mund të ishim ndonjëherë dhe që të na ndihmojë të bëjmë atë që nuk mund ta bënim kurrë duke u mbështetur vetëm mbi vetë fuqinë tonë” (“Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 19).
Pyetini studentët se si do t’i përmblidhnin mësimet e Plakut Bednar. Më pas, pyetni:
-
Si na sigurojnë një udhë për t’u kthyer në praninë e Atit Qiellor, bekimet e mundësuara nëpërmjet Shlyerjes? (Teksa studentët përgjigjen, theksoni që falë Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të marrim ngushëllim dhe forcë nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të duruar “dhembje, pikëllime e tundime të çdo lloji” [Alma 7:11].)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë fuqinë aftësuese apo hirin, ftojini ata që t’i studiojnë më vete fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe të përgatiten ta tregojnë atë që mësojnë. Merrini parasysh t’i shkruani këto referenca në tabelë.)
Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:
-
Merrini parasysh mënyrat se si u forcuan nga Jezu Krishti nëpërmjet Shlyerjes njerëzit e përshkruar në fragmentet e shkrimeve të shenjta. Kur jeni forcuar ju ose dikush që e njihni në mënyrë të ngjashme?
-
Përse është e rëndësishme që ne ta kuptojmë se kemi të drejtën e fuqisë aftësuese të Jezu Krishtit?
Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Ka një nevojë të domosdoshme për secilin prej nesh që të forcojmë kuptimin e domethënies së Shlyerjes së Jezu Krishtit, në mënyrë që ajo të bëhet një themel i patundur mbi të cilin të ndërtojmë jetën tonë. …
Unë ju nxi[t] energjikisht që të hartoni një plan personal studimi për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë rrjedhimet e pakrahasueshme, të përjetshme dhe të pafundme të përmbushjes së përsosur të Jezu Krishtit të thirrjes së Tij të caktuar hyjnisht si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë” (“Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij! Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 77).
Ndërsa përfundoni, nxitini studentët të vendosin një plan vetjak studimor për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.
Leximet e Studentëve
-
Marku 14:33–36; Lluka 22:39–46; Gjoni 15:13; 1 Pjetrit 3:18; 2 Nefi 9:21; Mosia 3:7; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 19:15–20.
-
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.