2008
Shlyerja e Jezu Krishtit
Mars 2008


Shlyerja e Jezu Krishtit

Elder Jeffrey R. Holland

Në Kopshtin e Gjetsemanit

Kur ishte misionar i ri, Plaku Orson F. Uitni (1855–1931), i cili më vonë shërbeu në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, pa një ëndërr aq të fuqishme, sa ia ndryshoi jetën përgjithnjë. Më vonë ai shkroi:

“Një natë ëndërrova… që isha në Kopshtin e Gjetsemanit, si dëshmitar i agonisë së Shpëtimtarit. … Qëndroja prapa një peme në plan të parë. … Jezusi, me Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin erdhën nga një derëz e bërë me rripa druri në të djathtën time. Pasi i la të tre Apostujt atje, duke u thënë të binin në gjunjë e të luteshin, Ai kaloi nga ana tjetër, ku edhe Ai u gjunjëzua dhe u lut… : ‘Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do Ti’.

Ndërsa lutej, lotët rridhnin në fytyrën e Tij, e cila ishte [e kthyer] nga unë. Isha kaq i prekur me atë pamje, saqë edhe unë qava, nga ndjenja e keqardhjes së pastër për trishtimin e Tij të madh. E gjithë zemra ime ishte me Të. E desha Atë me gjithë shpirtin tim dhe aq digjesha të isha me Të, sa për asgjë tjetër.

Tani Ai u ngrit dhe shkoi aty ku Apostujt ishin në gjunjë – krejt të përgjumur! Ai i tundi butësisht, i zgjoi, dhe me tonin e një vërejtjeje të dhimbsur, pa ngjyrimin më të vogël të një zemërimi apo qortimi, i pyeti nëse nuk mund të vigjëlonin dot me Të për një orë. …

Pasi u kthye tek vendi i Tij, Ai u lut përsëri dhe pastaj u kthye dhe i gjeti ata sërish duke fjetur. Përsëri i zgjoi, i këshilloi ata dhe u kthye dhe u lut si më parë. Kjo ndodhi tre herë, gjersa unë u njoha plotësisht me pamjen e Tij – fytyrën, formën dhe lëvizjet. Ai kishte shtat fisnik dhe sjellje të madhërishme…, tamam Perëndia që Ai ishte dhe është, e megjithatë, aq zemërbutë dhe i përulur, si një fëmijë i vogël.

Befas situata u duk se ndryshoi. … Në vend të situatës përpara, tani ishte pas Kryqëzimit, dhe Shpëtimtari, me të tre Apostujt, tani qëndronin së bashku në një grup në të majtën time. Ata ishin gati të niseshin dhe të ngjiteshin në qiell. Nuk munda të qëndroj më. Nxitova që nga prapa pemës, rashë tek këmbët e Tij, e shtrëngova Atë rreth gjunjëve dhe iu luta të më merrte me vete.

Kurrë nuk do ta harroj mënyrën e sjellshme dhe të butë me të cilën Ai më ndali e më ngriti në këmbë dhe më përqafoi. Ishte aq e gjallë, aq reale, saqë ndjeva edhe ngrohtësinë e krahërorit të Tij mbi të cilin mbështetesha. Pastaj Ai tha: ‘Jo, biri im; këta e kanë përfunduar punën e tyre dhe mund të vijnë me mua; por ti duhet të qëndrosh e të përfundosh tënden’. Unë ende e shtrëngoja Atë fort. Duke vështruar sipër drejt fytyrës së Tij – pasi ishte më i gjatë se unë – ngulmova me sinqeritetin më të madh: ë, më premto që në fund do të vij tek Ty’. Ai buzëqeshi ëmbëlsisht dhe butësisht e u përgjigj: ‘Ajo do të varet krejtësisht nga ty’. U zgjova me një gulçimë në fyt dhe ishte mëngjes”1.

Përse Shlyerje?

Kjo skenë e ndier dhe personale mbi sakrificën e dashur të Shpëtimtarit, është parathënie e përshtatshme për kuptimin e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Në të vërtetë, Shlyerja e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, me trup prej mishi, është themeli vendimtar mbi të cilin qëndron gjithë doktrina e krishterë dhe është shprehja më e madhe e dashurisë hyjnore që i është dhënë përherë kësaj bote. Nuk e teprojmë asnjëherë kur shpallim rëndësinë e saj për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çdo parim, urdhërim dhe virtyt tjetër i ungjillit të rivendosur e merr domethënien e tij nga kjo ngjarje me rëndësi themelore2.

Shlyerja ishte akti i parashuguruar, por vullnetar, i Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, me të cilin Ai ofroi jetën dhe dhimbjen shpirtërore të Tij si pagesë shëlbuese për rezultatin e Rënies së Adamit mbi gjithë njerëzimin dhe për mëkatet vetjake të të gjithë atyre që pendohen.

Kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës anglisht Atonement dallohet vetiu: at-one-ment, të afrosh së bashku gjërat që ishin ndarë ose armiqësuar. Shlyerja e Jezu Krishtit ishte e domosdoshme për arsye të shkeljes ndarëse, ose Rënies, të Adamit, e cila solli dy lloje vdekjeje në botë kur Adami dhe Eva hëngrën nga fruti i pemës së njohurisë të së mirës dhe së keqes3. Vdekja fizike solli ndarjen e shpirtit nga trupi dhe vdekja shpirtërore solli ndarje të trupit e të shpirtit nga Perëndia. Si rezultat i Rënies të gjithë njerëzit që lindin në jetën e vdekshme, do të provojnë këto dy lloje vdekjeje. Por duhet të kujtojmë që Rënia ishte pjesë themelore e planit hyjnor të Atit Qiellor. Pa të, asnjë fëmijë i vdekshëm nuk do t’u lindte Adamit dhe Evës dhe nuk do të kishte pasur familje njerëzore për të provuar kundërshti dhe rritje, liri morale të zgjedhjes dhe gëzimin e ringjalljes, të shëlbimit e të jetës së përjetshme4.

Nevoja e kësaj Rënieje dhe e një shlyerjeje që të zhdëmtonte për të, u shpjegua në një Këshill Qiellor para jetës së vdekshme, në të cilin morën pjesë shpirtrat e të gjithë familjes njerëzore dhe mbi të cilin kryesoi Perëndia. Pikërisht në këtë mjedis të paralindjes, Krishti doli vullnetar të nderonte lirinë morale të zgjedhjes për të gjithë njerëzimin, madje edhe kur Ai të shlyente për mëkatet e tyre. Në këtë proces Ai do t’ia jepte Atit gjithë lavdinë e kësaj dashurie shëlbuese5.

Kjo Shlyerje e pafundme e Krishtit ishte e mundur për arsye se 1) Ai ishte vetmi njeri i pamëkat që do të jetonte ndonjëherë në këtë tokë dhe, prandaj, nuk i nënshtrohej vdekjes shpirtërore që rrjedh nga mëkati, 2) Ai ishte i Vetëmlinduri i Atit dhe, prandaj, zotëronte vetitë e hyjnisë që i jepte Atij fuqi mbi vdekjen fizike6 dhe 3) Ai siç duket ishte i vetmi në këshillin e paralindjes që ishte mjaft i përulur e i gatshëm të parashugurohej në atë shërbesë7.

Dhuratat e Shlyerjes së Krishtit

Disa dhurata që vijnë nga Shlyerja janë gjithëpërfshirëse, të pafundme dhe të pakushtëzuara. Ato përfshijnë pagesën e Tij për shkeljen e hershme të Adamit, që kështu asnjë pjesëtar i familjes njerëzore të mos quhej përgjegjës për atë mëkat8. Një tjetër dhuratë gjithëpërfshirëse është Ringjallja nga të vdekurit e çdo burri, gruaje dhe fëmije që jeton, ka jetuar apo do të jetojë ndonjëherë mbi tokë.

Vetitë e tjera të dhuratës shlyese të Krishtit janë të kushtëzuara. Ato varen nga zelli i një njeriu në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Për shembull, ndërkohë që të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore u jepet lirisht një lehtësim lidhur me mëkatin e Adamit, pa asnjë përpjekje nga ana e tyre, atyre nuk u jepet falje për mëkatet e tyre, po të mos premtojnë besim te Krishti, pendesë për ato mëkate, të pagëzohen në emrin e Tij, të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë e të konfirmohen në Kishën e Krishtit dhe të ecin përpara duke duruar besnikërisht në pjesën e mëpasshme të udhëtimit të jetës. Për këtë sfidë vetjake Krishti tha:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë.” 9

Gjithashtu, megjithëse Ringjallja e trupit është një dhuratë e lirshme dhe e përbotshme nga Krishti, një rezultat i fitores së Tij mbi vdekjen, natyra e trupit të ringjallur (ose “shkalla e lavdisë” që i jepet), ashtu edhe koha e Ringjalljes së një njeriu, ndikohet drejtpërdrejt nga besnikëria e tij në këtë jetë. Apostulli Pal e bëri të qartë, për shembull, se ata që zotohen plotësisht ndaj Krishtit, do të “ringjallen të parët”10 në Ringjallje. Zbulesa bashkëkohore qartëson rendet e ndryshme të trupave të ringjallur,11 duke u premtuar shkallën më të lartë të lavdisë atyre që zbatojnë parimet dhe ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit12.

Natyrisht, as bekimet e pakushtëzuara, as ato të kushtëzuara të Shlyerjes nuk janë të arritshme përveçse me anë të hirit të Krishtit. Duket që bekimet e pakushtëzuara të Shlyerjes nuk meritohen, por as ato të kushtëzuara nuk meritohen plotësisht. Duke jetuar me besnikëri e duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë, një njeri mund të marrë privilegje shtesë; por ato, megjithatë, jepen falas, nuk është se fitohen, në fakt. Libri i Mormonit deklaron prerazi se “nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë”13.

Nëpërmjet po të njëjtit hir Perëndia u siguron shpëtimin fëmijëve të vegjël, personave me defekte mendore, atyre që jetuan pa e dëgjuar ungjillin e Jezu Krishtit e kështu me radhë: ata shëlbohen me anë të fuqisë së gjithanshme të Shlyerjes së Krishtit dhe do të kenë mundësi të marrin plotësinë e ungjillit pas vdekjes, në botën e shpirtrave, ku banojnë shpirtrat ndërsa po presin Ringjalljen14.

Vuajtja dhe Triumfi

Për të plotësuar kërkesat e Shlyerjes, Krishti i pamëkat shkoi në Kopshtin e Gjetsemanit, siç e pa Plaku Uitni në ëndrrën e tij, që atje të duronte atë agoni të shpirtit që vetëm Ai mund ta duronte. Atë “filloi ta zërë frika dhe ankthi” duke u thënë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje”15. Përse? Sepse Ai vuajti “dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit”16. Përjetoi “tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë sesa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe [ishte] dhembja e tij”17.

Nëpërmjet kësaj vuajtjeje, Jezusi shëlboi shpirtrat e të gjithë burrave, grave dhe fëmijëve “që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”18. Duke vepruar ashtu Krishti “zbriti nën gjithçka” – përfshirë çdo lloj sëmundjeje, dobësie dhe dëshpërimi të zymtë të përjetuar nga çdo qenie e vdekshme – në mënyrë që Ai “[të kuptonte] të gjitha gjërat, që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës”19.

Vetmia e plotë dhe dhembja torturuese e Shlyerjes që nisi në Gjetseman, arriti kulmin e saj kur, pas një abuzimi të papërshkrueshëm në duart e ushtarëve romakë dhe të të tjerëve, Krishti thirri nga kryqi: “Eli, Eli, lama sabaktani?” që do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”20 Me dhembjet e atij anthi edhe vetë natyra u rrënqeth. “Errësira e mbuloi gjithë vendin. … Dielli u err”21. “Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë”22, duke bërë që shumë vetë të thërrisnin: “Perëndia i natyrës vuan”23. Në fund, edhe ajo që dukej e papërballueshme, u durua dhe Jezusi tha: “U krye!”24 “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”25 Ndonjë ditë dhe diku, çdo qenieje njerëzore do t’i kërkohet të pohojë ashtu si centurioni romak i cili dëshmoi të gjithë këtë: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!”26

Për një burrë ose grua të matur, është ”çështje e një çudie të pakrahasueshme”27 që sakrifica vullnetare dhe e mëshirshme e një qenieje të vetme të arrijë të përmbushë kërkesat e pakufishme dhe të përjetshme të drejtësisë, të shlyejë për çdo shkelje dhe keqbërje njerëzore dhe, në këtë mënyrë, ta hedhë gjithë njerëzimin në krahët përfshirëse të përqafimit të Tij të mëshirshëm. Por kështu është.

Për të cituar Presidentin Xhon Tejlor (1808–1887): “Në një mënyrë që për ne është e pakapshme dhe e pashpjegueshme, Ai mori peshën e mëkateve të mbarë botës; jo vetëm të Adamit, por edhe të pasardhësve të tij; dhe, duke bërë atë, hapi mbretërinë e qiellit, jo vetëm për të gjithë besimtarët dhe të gjithë ata që iu bindën ligjit të Perëndisë, por edhe për më shumë se gjysmën e familjes njerëzore të cilët vdiqën para se të arrinin moshën e përgjegjshmërisë si dhe për [ata] të cilët… [vdesin] pa ligjin”28.

Ashtu si u ndie Plaku Uitni ndaj kësaj dhurate madhështore dhe ndaj dhuruesit të saj, qoftë e mundur të ndihemi dhe ne ashtu: “Isha kaq i prekur me atë [dhuratë], saqë… unë qava, nga ndjenja e keqardhjes së pastër. E gjithë zemra ime ishte me Të. E desha Atë me gjithë shpirtin tim dhe aq digjesha të isha me Të, sa për asgjë tjetër.” Meqenëse tashmë e ka ofruar Shlyerjen për ne, Krishti ka bërë pjesën e Tij për ta kthyer në realitet atë dëshirim. Pjesa tjetër do të varet krejtësisht nga ne.

Shënime

  1. “The Divinity of Jesus Christ,” Improvement Era, janar 1926, fq. 224–225; shih edhe Liahona, dhjetor 2003, fq. 16; përdorimi i shenjave të pikësimit, i shkronjave të mëdha dhe drejtshkrimi i fjalëve është bërë sipas rregullave standarde.

  2. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), fq. 49.

  3. Shih Zanafilla 2:9; 3.

  4. Shih 2 Nefi 2:22–27; Moisiu 5:11.

  5. Shih Zbulesa 13:8; Moisiu 4:1–2; Abrahami 3:22–27.

  6. Shih Gjoni 5:26–29; 2 Nefi 9:5–12; Alma 34:9–14.

  7. Shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të (1916), fq. 21–22.

  8. Shih Nenet e Besimit 1:2.

  9. DeB 19:16–17.

  10. 1 Thesalonikasve 4:16.

  11. Shih DeB 76:50–113; krahaso me 1 Korintasve 15:40–42.

  12. Shih DeB 76:50–70; 88:4, 27–29; 132:21–24.

  13. 2 Nefi 2:8.

  14. Shih Alma 40:11; DeB 138; krahaso me Lluka 23:43; Gjoni 5:25.

  15. Marku 14:33–34.

  16. 2 Nefi 9:21.

  17. Mosia 3:7.

  18. Alma 7:12.

  19. DeB 88:6.

  20. Mateu 27:46.

  21. Lluka 23:44–45.

  22. Mateu 27:51.

  23. 1 Nefi 19:12.

  24. Gjoni 19:30.

  25. Lluka 23:46.

  26. Mateu 27:54.

  27. James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. 12-të (1924), fq. 77.

  28. The Mediation and Atonement (1882), fq. 148–149; me përdorimin e rregullave standarde të përdorimit të germës së madhe.