Besimi i Emilios
Një dhjak më tregoi mua – peshkopit të tij – çdo të thotë “të [kesh] besim për t’u shëruar”.
Pak muaj më parë, Emilio, një nga dhjakët në lagjen tonë, papritur u sëmur shumë. Mjekët nuk ishin në gjendje të përcaktonin çfarë kishte. Edhe ai, edhe nëna e tij u trembën, sepse po dobësohej dhe po keqësohej me shpejtësi. Nëna e tij e çoi në spital disa herë, por nuk ia doli të merrte ndonjë përgjigje.
Nëna e Emilios e solli për një bekim priftëror në ndërtesën e mbledhjeve. Një nga anëtarët e kuorumit të pleqve dhe unë, peshkopi i tij, patëm privilegjin ta bekonim dhe ai fjeti mirë për herë të parë nga shumë net.
Megjithatë, pak ditë më vonë mësova se Emilio kishte përjetuar një rikthim në sëmundje dhe ndodhej sërish në spital. Një vëlla tjetër dhe unë shkuam shpejt në spital, ku arritëm të hynim në dhomën e tij dhe të takoheshim me të. Duke kujtuar se Emilio do të ishte ndoshta i shkurajuar nga rëndimi i gjendjes së tij, unë mora një frymëzim të veçantë nga ajo që ndodhi pastaj.
Ne folëm për Jezu Krishtin dhe i shpjegova se Shpëtimtari ka fuqinë të kapërcejë çfarëdoqoftë, sipas vullnetit të Tij. Përgjigjja e Emilios preku thellësisht zemrën tonë: “Peshkop, kjo është veçse një provë më shumë. Kam besim që do të kalojë shpejt, sepse kam besim tek Jezu Krishti.” Ne i vendosëm duart mbi kokën e tij dhe përsëri i dhamë bekim.
Pas asaj nate Emilio arriti një shërim të pabesueshëm dhe të plotë. Ai ishte në gjendje të rikthehej pa vështirësi në veprimtaritë e tij të përditshme dhe në kishë.
Emilio kishte ushtruar besimin e nevojshëm që Shpëtimtari të kryejë po atë lloj mrekullie që Ai kryente kur ishte këtu në tokë. Për mua, Emilio është shembulli i atyre për të cilët Zoti tha: “Disave u jepet të kenë besim për t’u shëruar” (DeB 46:19).
Është e mrekullueshme të kemi privilegjin e ushtrimit të priftërisë në jetën tonë dhe të dimë se kemi një Atë Qiellor i cili na do, dhe që nëpërmjet besimit tonë tek Biri i Tij ne mund të përjetojmë mrekulli në këto ditë të mëvonshme.