2008
Ne Besojmë
Mars 2008


Ne Besojmë

Këtu ka disa përgjigje të shkurtra për disa pyetje që u bëhen shpesh anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Çfarë besojnë shenjtorët e ditëve të mëposhtme rreth Jezu Krishtit? A u ringjall Ai vërtet nga vdekja? A do të vijë Ai përsëri në tokë me lavdi? A është i nevojshëm hiri i Tij që të mund të shpëtohet një person?

Këto janë pak pyetje që shtrojnë shpesh njerëzit kur takojnë për herë të parë Kishën ose anëtarët e saj. Për t’iu përgjigjur pyetjeve anëtarët duhet që, para së gjithash, të jenë të përgatitur të dëgjojnë drejtimin e Frymës së Shenjtë. Por përgjigjet e shkurtra që vijojnë mund të japin material për ta mbajtur parasysh ndërsa përpiqemi të formulojmë përgjigjet.

A besoni tek Jezu Krishti si person historik që ka jetuar dhe ka lënë mësime në Tokën e Shenjtë, siç tregohet në Bibël?

Po. Ne besojmë se Jezusi lindi nga Maria, predikoi në Tokën e Shenjtë gjatë një shërbese që zgjati rreth tre vjet, vdiq në kryq dhe u ringjall nga vdekja, tamam siç kishin parathënë profetët gjatë shekujve përpara ardhjes së Tij (shih për shembull Zanafilla 49:10; Psalmet 2:6–7; 22:16–18; 118:22; Isaia 7:14; Mikea 5:2). Ne besojmë se Ai vuajti dhe shleu për mëkatet e të gjithë njerëzimit, duke bërë të mundur pendimin dhe faljen (shih Isaia 53:4–6). Ne besojmë se Ai e mposhti vdekjen dhe se nëpërmjet fuqisë së Tij çdo burrë dhe grua mund të ringjallet me trupa fizikë (shih Romakëve 6:5; 8:11). Ne besojmë se nëpërmjet bindjes ndaj parimeve të ungjillit të Tij çdo bir dhe bijë e Perëndisë që vjen në tokë, mund të fitojë shpëtimin dhe të kthehet për të jetuar me Atin tonë dhe Birin e Tij në mbretërinë e Tyre në qiell (shih 1 Pjetri 3:18; Nenet e Besimit 1:3).

A besoni se Zoti u ringjall vërtet nga vdekja?

Po. Ashtu si dëshmuan në Bibël Apostujt e Tij, Jezu Krishtin e panë me trupin e Tij të ringjallur qindra dëshmitarë (shih Lluka 24:39; Gjoni 20:20; 1 Korintasve 15:3–8). Si qenie e ringjallur, Ai shërbeu midis mijëra prej “[deleve] të tjera” (Gjoni 10:16) të Tij në kontinentin amerikan, duke u treguar atyre plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij dhe duke dhënë mësim mes tyre për shumë ditë (shih 3 Nefi 11–28).

Bashkë me Atin e Tij Ai iu shfaq Jozef Smith të Riut më 1820. Zoti e drejtoi këtë profet të ri të rivendoste Kishën dhe ungjillin e Tij, sepse ato ishin ndryshuar pas vdekjes së Apostujve të lashtë, duke përmbajtur idetë dhe teoritë e njerëzve. Jozef Smithi dhe një nga shokët e tij dhanë këtë dëshmi për Jezu Krishtin, në vitin 1832: “Ai jeton! Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit” (DeB 76:22–23).

A besoni se Ai do të vijë përsëri në tokë me lavdi?

Po. Siç dëshmojnë shkrimet e shenjta: “Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e Apostujve 1:11). “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë” (Jobi 19:25). “Ai do … të vijë në retë e qiellit për të mbretëruar në tokë mbi popullin e tij” (DeB 76:63).

Më tej, ne besojmë se në saje të Ringjalljes së Tij edhe ne do të marrim sërish trupa fizikë: “Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë” (Jobi 19:26). “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). “Vdekja e Krishtit do të zgjidhë rripat e kësaj vdekjeje të përkohshme, që të gjithë të ngrihen nga kjo vdekje e përkohshme. Shpirti dhe trupi do të bashkohen përsëri në formën e tij të përkryer” (Alma 11:42–43).

A besoni se hiri i Tij është i nevojshëm për shpëtimin tonë?

Patjetër. Pa hirin e Jezu Krishtit askush nuk mund të shpëtohet ose të marrë bekimet e përjetshme (shih Romakëve 3:23–24). Nëpërmjet hirit të Tij, të gjithë do të ringjallen dhe të gjithë ata që besojnë tek Ai dhe e ndjekin Atë, mund të kenë jetë të përjetshme (shih Gjoni 3:15). Për më tepër, nëpërmjet hirit të Tij, marrëdhëniet tona të shenjta me bashkëshortët dhe pjesëtarët e familjes mund të vazhdojnë në përjetësi (shih Mateu 16:19; 1 Korintasve 11:11; DeB 132:19). Këto bekime të përjetshme janë dhuratat e Tij për ne; nuk ka asgjë që ne mund të bëjmë të vetëm, e cila do të na bënte t’i meritonim apo t’i fitonim ato.

Megjithatë, shkrimet e shenjta e thonë qartë se ne i marrim bekimet e plota të hirit të Tij nëpërmjet besimit dhe bindjes ndaj mësimeve të Tij. Apostulli Pal na mësoi se ne nuk mund të shpëtojmë vetveten; ne kemi nevojë për hirin e Zotit: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:8–10).

Jakobi shpjegoi: “Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete. … Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi” (Jakobi 2:17, 24 [Bibla]). Kështu Shpëtimtari mund t’i thoshte të riut të pasur që kishte qenë i bindur dhe dëshironte jetë të përjetshme, se kishte ende për të bërë (shih Mateu 19:16–22; Lluka 18:18–23). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se hiri i Krishtit shtrihet me bollëkun e tij të plotë tek të gjithë ata që besojnë te Krishti dhe bëjnë punët që Ai mësoi. “Ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23; shtohet theksimi).

Ndonëse veprat tona të mira nuk mund të na pastrojnë nga mëkati, ato tregojnë sinqeritetin e besimit tonë tek Jezu Krishti dhe besnikërinë tonë për të ecur në shtegun ku Ai eci.

A besoni se Jozef Smithi është disi po aq i rëndësishëm si Jezu Krishti në ndihmën për të shpëtuar njerëzit?

Jo. Jozef Smithi ishte një profet i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Puna që ai bëri nën drejtimin hyjnor solli në botë bekime dhe njohuri që u ishin dhënë profetëve të Perëndisë dhe pasuesve të tyre në kohën e Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re, por që kishin humbur. Jozef Smithi, ashtu si ata profetë të lashtë, ishte një shërbëtor i Zotit Jezu Krisht, që na mësoi se shpëtimi dhe të gjithë bekimet e përjetësisë mund të vijnë vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit tonë: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”1. Në një rast tjetër Profeti na mësoi: “Kur mendojmë për shenjtërinë dhe përsosmërinë e Mësuesit tonë të madh, që na ka hapur një udhë nëpërmjet të cilës ne mund të shkojmë tek Ai, madje duke sakrifikuar veten, zemrat tona treten nga denjimi i Tij”2.

Shënime

  1. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), fq. 49.

  2. Teachings: Joseph Smith, fq. 54–55.