Shlyerja në Veprim
E dija se Zoti kishte një plan për birin tim, por, kur ky zgjodhi një udhë që unë doja të mos e zgjidhte, nuk isha e sigurt se në ç’mënyrë do të rikthehej.
U bashkova me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 1992 në Holandë. Megjithatë, im shoq nuk u anëtarësua dhe nuk deshi t’i lejonte fëmijët tanë, Aleksin dhe Petrën, të pagëzoheshin (emrat u janë ndryshuar). Por, megjithatë, ne të tre e frekuentonim kishën dhe kishim mbrëmje të rregullta familjare në shtëpi.
Gjithçka shkoi mirë për disa vjet, derisa Aleksi, atëherë 13 vjeç, u shpreh se nuk dëshironte më të shkonte në kishë ose të merrte pjesë në mbrëmjen familjare në shtëpi. Ndërsa rritej, gjërat përkeqësoheshin vazhdimisht. E kisha të vështirë t’i qëndroja Aleksit pranë, sepse ai jo vetëm që filloi të pinte pije alkoolike dhe cigare, por edhe gënjente lidhur me sjelljen e tij. Kjo më thyente zemrën dhe derdhja shumë lotë e ofroja shumë lutje kur i përgjërohesha Atit Qiellor të ndihmonte tim bir.
Pastaj, një natë, ndërsa qëndroja qetësisht e ulur brenda tempullit, pashë një pamje në mendje. Ishte pamja e një të riu që shpërndante sakramentin. Dukej sikur Zoti po më kujtonte vërtetësinë dhe fuqinë e Shlyerjes së Tij, duke më nxitur ta doja tim bir dhe t’i qëndroja përkrah.
Mirëpo, me kalimin e kohës, në fakt, jeta ashpërsohej. Pasi babai i Aleksit dhe unë u divorcuam, Aleksi ra në një mërzi të vërtetë. E dija se i nevojitej ndihmë, por ai nuk donte ndihmë nga unë dhe nuk më dëgjonte kur përpiqesha të bisedoja me të.
Një natë presidenti i degës sonë më pyeti nëse mund të vinte e të fliste me Aleksin. Kjo e bezdisi Aleksin, por ai pranoi të bisedonte. Pas takimit Aleksi u mërzit me presidentin e degës për nxitjen që i bëri të shërbente në një mision, duke thënë: “Nëse presidenti i degës do të ishte vërtet njeri i Perëndisë, do t’i kuptonte gjërat më mirë. Do ta dinte që unë nuk jam i denjë të shkoj – kështu që pse më ngacmon?” Atë natë unë kuptova se Zoti kishte një plan.
Plani filloi të merrte formë në një mënyrë të papritur, kur mua më telefonuan nga rajoni i policisë. Aleksin e kishin ndaluar. Bashkëshorti im i ri dhe unë veshëm palltot dhe në mes të natës morëm Aleksin nga rajoni i policisë. Ne nuk bëmë shamatë; njerku i Aleksit dhe unë faktikisht i folëm shumë pak.
Kur arritëm në shtëpi, Aleksi na tregoi si ndodhi kur ai dhe shoku i tij kishin vjedhur një motoçikletë. Ishte shumë i brengosur për atë që kishte bërë. Për të parën herë, pashë të riun e trishtuar.
Ndalimi ishte një pikë kthese për Aleksin, meqenëse filloi të kuptonte pasojat e veprimeve të tij dhe rrugën se ku po futej. Që nga ajo ditë bekime të shumta filluan të vinin tek ne.
Të nesërmen Aleksi na tregoi se ai i kishte thënë oficerit që të na telefononte, ngaqë e dinte se e donim. Gjithashtu e kuptonte se sa na kishte lënduar dhe e vlerësonte qëndrimin tonë të qetë.
Aleksi kishte disa shokë anëtarë të cilët iu afruan ta ndihmonin. Njëri e ftoi në aktivitetet e Kishës. Një tjetër i dha Librin e Mormonit dhe e nxiti ta lexonte. Dhe pavarësisht se vuante nga disleksia, shihja që Aleksi e lexonte atë herë pas here.
Bekimi tjetër – nëse vërtet do mund t’i numëroja – ishte që Aleksi na pyeti nëse do t’i blinim një kostum meqë kishte vendosur të shkonte në kishë me dëshirë. Mendova se e kishte fjalën vetëm për në Krishtlindje. Por, për habinë time të madhe, ai vazhdoi të shkonte edhe pas ditëve të festës.
Bekimi tjetër m’u duk pothuaj shumë i madh për t’u kuptuar. Aleksi njoftoi se do të pagëzohej. Atij nuk i nevojitej ndonjë ndihmë nga unë dhe përgatiti çdo gjë vetë, i ndihmuar nga miqtë e tij dhe nga misionarët që po e mësonin. Pothuaj nuk arrija t’u besoja syve të mi kur dita erdhi dhe pata mundësi të shihja tim bir në të bardha, duke bërë besëlidhjet e shenjta.
Kur tregonte më vonë historinë e kthimit të tij në besim, kuptova se dhimbja dhe trishtimi i Aleksit qenë të vështira, por ato gjithashtu e ndihmuan të përulej aq sa të binte në gjunjë dhe të kërkonte ndihmën. Aleksi shpjegonte: “Një natë, kur ngarkesa ime ishte shumë e rëndë që ta mbaja, m’u kujtuan fjalët e një miku të mirë i cili më kishte kujtuar se mund të lutesha përherë për ndihmë. Atë natë vendosa ta bëja provë. Nuk kishte asnjë derë tjetër të hapur për mua dhe, meqë mamaja më kishte mësuar si të lutesha, u gjunjëzova dhe mbylla sytë. Kur fillova të përgjërohesha për ndihmë, erdhi mbi mua ndjenja më e mrekullueshme. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjenjë; ndjeva dashurinë e pastër të Krishtit. Ndjeva se problemet m’u larguan. Ndjenjat e dëshpëruara nuk më janë kthyer më dhe jam bekuar me një dëshmi për Jezu Krishtin. Zemra ime ndryshoi dhe dëshiroja të shkoja pas Jezu Krishtit.”
Pas pagëzimit, konfirmimit dhe shugurimit në priftëri, Aleksit i kërkuan të shpërndante sakramentin – simbolet e shenjta të sakrificës së Shpëtimtarit. Atëherë, ajo që kisha parë në tempull aq shumë vite të shkuara, u bë realitet i gjallë mu përpara meje. Në heshtje falenderova Atin Qiellor për atë që po përjetoja. Ishte një çast i shenjtë për mua.
Kjo histori mund të kishte përfunduar këtu, por, fatmirësisht, nuk ka përfunduar. Që atëherë kam vënë re se si ka vazhduar të veprojë Shlyerja në jetën e birit tim. Ju kujtohet presidenti i frymëzuar i degës sonë? Dëshmia e tim biri ka vazhduar të rritet dhe ftesa që bëri presidenti i degës sonë u bë realitet. Para pak kohe Aleksi përfundoi së shërbyeri si misionar kohëplotë. Ai ka shpenzuar dy vjet duke u ardhur në ndihmë të tjerëve – ashtu si Zoti i erdhi atij në ndihmë.
Jam mirënjohëse që jam nëna e Aleksit, por edhe më mirënjohëse jam për Shlyerjen e Jezu Krishtit që vepron në jetën e të gjithëve ne.