2008
Një Festë e Papritur Pashke
Mars 2008


Një Festë e Papritur Pashke

Pashka ishte gjithmonë një festë e veçantë kur unë isha e vogël. Pas kishës, prindërit e mi do t’i mësonin familjes një mësim mbi Shlyerjen dhe Ringjalljen dhe në mbrëmje kishim një gosti mjaft të shijshme. Miqtë zakonisht bashkoheshin me ne për darkë, e cila ishte si e gëzueshme ashtu edhe mjaft e shijshme. Për shkak të këtyre traditave, Pashka u bë festa ime e preferuar – një kohë e shenjtë me familjen për të kremtuar Ringjalljen e Shpëtimtarit.

Një vit, ndërsa po studioja në Londër, u gjeta e vetme ditën e Pashkës. Lagjja jonë mblidhej vonë pasdite, kështu që orët e mëngjesit mezi kalonin. Mendova për familjen time, milje larg, duke festuar atë ditë pa mua dhe zemra ime u ndie bosh dhe e trishtuar.

Në fillim desha të zhytesha në keqardhje për veten, por më pas fillova të pyes veten se çfarë mund të bëja për ta bërë atë ditë më kuptimplote. Mendja ime u kthye tek njerëzit me të cilët ndeshesha përditë në metrotë e zhurmshme. Ashtu si në shumë qytete të mëdha, metrotë shpesh strehonin burra dhe gra të pastrehë që kishin nevojë për ndihmë. Zemra ime ishte prekur shpesh nga nevoja e tyre dhe e kuptova se nuk isha e vetmja në Londër që po e kalonte Pashkën vetëm. Të ndihmoja të panjohurit menjëherë m’u duk si një ide e mirë për të treguar mirënjohjen time ndaj Pashkëve të mrekullueshme që kisha gëzuar kur isha fëmijë.

Bëra disa qese me ushqime të cilat përmbanin sanduiçe, fruta, biskota dhe pije. Më pas iu drejtova metrosë, duke kërkuar njerëz të cilëve ndonjëherë u isha shmangur. Shumica ishin me të vërtetë mirënjohës për ushqimin. Secilit i thashë: “Gëzuar Pashkën!”

Kur më kishte mbetur një qese me ushqim, iu afrova një burri i cili dukej veçanërisht i rënë moralisht. Rrobat e tij ishin të fëlliqura, fytyra e tij pasqyronte vuajtje dhe sytë e tij mbanin trishtim të thellë. Ndërsa i ofrova ushqimin, ai më pa me habi.

“Çfarë është kjo?” tha ai.

“Është ushqim, zotëri” iu përgjigja.

“Faleminderit, faleminderit shumë”, tha ai. Shprehja e tij menjëherë ndryshoi në gëzim dhe mirënjohje. Ai e shtrëngoi fort qesen, duke e mbajtur sikur të ishte një thesar i çmuar.

“Ju lutem”, i thashë, e prekur nga pamja në fytyrën e tij. “Gëzuar Pashkën, zotëri.”

“Gëzuar Pashkën”, u përgjigj.

Ndërsa eca për në shtëpi, fjalët e Mbretit Beniamin më erdhën në mendje: “Pasi vini re, a nuk jemi ne të gjithë lypësa?” (Mosia 4:19). E kuptova se pa Shpëtimtarin, të gjithë ne do të dëboheshim, shtypeshim dhe do të ishim lënë vetëm. Por Shpëtimtari na shtrin dorën dhe na ofron diçka që e duam jashtë mase: shpresën se mund të bëhemi të pastër, se do të jetojmë përsëri dhe se do të kthehemi tek Ai një ditë.

E përballur me mëkatin dhe vdekjen, unë gjithashtu qëndroj para Shpëtimtarit si një lypës. Ai më shtrin dorën, duke më ofruar mëshirë. Një ditë kur të qëndroj para Tij, fytyra ime do të pasqyrojë mirënjohje të thellë, të cilën e kisha parë për vetëm një çast, në një masë të vogël, në fytyrën e këtij njeriu të përulur.

Duke ecur për në shtëpi, fillova të qaj. Vetmia ime ishte larguar, e zëvendësuar me gëzim dhe një kuptim më të thellë për fjalët e Mbretit Beniamin dhe mëshirën e Shpëtimtarit. Qetësisht e falenderova Zotin për dhuratën e papritur të këtij burri për mua. Unë i kisha dhuruar një drekë të thjeshtë; ai më kishte kthyer një festë të vërtetë të Pashkës.