2008
Krishti i Gjallë
Mars 2008


Krishti i Gjallë

Dëshmia e Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, që daton më 1 janar 2000, u nënshkrua nga Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ajo u botua në Liahonën e muajit prill 2000.

Ndërsa përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit dy mijë vjet më parë, ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe virtytit të pafund të sakrificës së Tij madhështore shlyese. Asnjë tjetër nuk ka patur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë.

Ai ishte Jehova i Madh i Dhiatës së Vjetër, Mesia i Dhiatës së Re. Nën drejtimin e të Atit, Ai ishte krijuesi i tokës. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij… dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:3). Edhe pse pa mëkat, Ai u pagëzua për të përmbushur çdo drejtësi. Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38), por megjithatë u përbuz për këtë. Ungjilli i Tij qe një mesazh paqeje dhe vullneti të mirë. Ai i luti të gjithë të ndiqnin shembullin e Tij. Ai eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngjallur të vdekurit. Ai dha mësim për të vërtetat e përjetësisë, realitetin e ekzistencës sonë para lindjes, qëllimin e jetës sonë në tokë dhe potencialin e bijve dhe bijave të Perëndisë në jetën që vjen.

Ai vendosi sakramentin për të na kujtuar sakrificën e Tij madhështore e shlyese. Ai u arrestua dhe u dënua me akuza të rreme, u fajësua për të kënaqur një turmë dhe u dënua të vdiste në kryqin e Kalvarit. Ai dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit. Ai ishte një dhuratë madhështore mëkëmbëse e dhënë për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë në tokë.

Ne dëshmojmë solemnisht se jeta e Tij, e cila është qendra e gjithë historisë njerëzore, as nuk filloi në Betlehem, as nuk mbaroi në Kalvar. Ai ishte i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës.

Ai u ngrit nga varri dhe “është fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20). Si Zot i ringjallur Ai vizitoi ata që i kish dashur në jetë. Ai gjithashtu shërbeu midis “deleve të tjera” (Gjoni 10:16) të Tij në Amerikën e lashtë. Në botën moderne Ai dhe i Ati iu shfaqën të riut Jozef Smith, duke nisur “periudhën e plotësisë së kohërave” (Efesianëve 1:10) të premtuar prej kohësh.

Profeti Jozef Smith shkroi për Krishtin e Gjallë: “Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së Tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës, duke thënë:

‘Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin’” (DeB 110:3–4).

Për Të Profeti gjithashtu shpalli: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!

Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit—

Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:22–24).

Ne shpallim solemnisht që priftëria dhe Kisha e Tij është rivendosur në tokë – “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20).

Ne dëshmojmë se një ditë Ai do të kthehet në tokë. “Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë” (Isaia 40:5). Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve e do të mbretërojë si Zoti i Zotërve dhe çdo gju do të gjunjëzohet e çdo gjuhë do të pohojë me adhurim para Tij. Secili nga ne do të qëndrojë për t’u gjykuar prej Tij për veprat dhe dëshirat e zemrave tona.

Ne dëshmojmë, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet – që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. Ai është i madhi Mbreti Emanuel, i cili qëndron sot në të djathtë të Atit të Tij. Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka bërë duke na dhënë Birin e Tij hyjnor.