2008
Të Vërteta të Thjeshta dhe të Çmuara
Mars 2008


Të Vërteta të Thjeshta dhe të Çmuara

Ne jemi bekuar të kemi shkrime të shenjta të ditëve të mëvonshme si edhe Biblën për të na mësuar për Jezu Krishtin dhe për të dëshmuar për Të. Më poshtë janë 25 të vërteta rreth Shpëtimtarit, bashkë me shkrime të shenjta dhe mësime të profetëve të ditëve të mëvonshme korresponduese. (Kjo tabelë nuk është një listë e plotë e mësimeve mbi këto tema. Për më shumë mbi këto tema, shih “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, në faqen 42 të këtij botimi).

Doktrina

Nga Bibla

Nga Shkrime dhe Profetë të Ditëve të Mëvonshme

1 Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tre personazhe të veçantë dhe individualë.

“Tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një” (1 Gjoni 5:7; shih gjithashtu Mateu 3:16–17; Veprat e Apostujve 7:55).

“Gjithmonë kam shpallur se Perëndia është një personazh më vete, Jezu Krishti një personazh individual dhe i veçantë nga Perëndia, Ati, dhe se Fryma e Shenjtë është një personazh më vete dhe një Shpirt: dhe këta të tre përbëjnë tre personazhe më vete dhe tre Perëndi” (Joseph Smith, Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), fq. 41–42).

2 Ati dhe Biri kanë trupa prej mishi e kocke; Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit.

“Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Lluka 24:39; shih gjithashtu Zanafilla 5:1; Gjoni 14:9; Filipianëve 3:21).

“Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne” (DeB 130:22; shih gjithashtu 3 Nefi 11:13–15).

3 Të tre anëtarët e Kreut-Perëndi janë përsosmërisht të bashkuar në qëllim.

“O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne” (Gjoni 17:11).

“Ata janë qenie të dallueshme, por janë një në qëllim dhe përpjekje. Ata janë bashkuar në një të vetëm për të realizuar planin e madh hyjnor të shpëtimit dhe të ekzaltimit për fëmijët e Perëndisë” (Gordon B. Hinkli, “Unë Besoj Tek Këta të Tre”, Mesazhi i Presidencisë së Parë, korrik 2006 (nr. 26767); shih gjithashtu 3 Nefi 11:27).

4 Vepra dhe lavdia e Perëndisë është t’i sjellë pavdekshmërinë dhe jetën e përjetshme njeriut.

“Dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit” (2 Timoteut 1:10; shih gjithashtu Gjoni 3:16–17; 1 Korintasve 15:22; Hebrenjve 9:11–12, 28).

“Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39; shih gjithashtu DeB 29:43).

5 Jezu Krishti ishte në fillim me Atin dhe është i Parëlinduri.

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë” (Gjoni 1:1–2; shih gjithashtu Romakëve 8:29; Hebrenjve 1:5–6).

“Unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri” (DeB 93:21; shih gjithashtu 3 Nefi 9:15; Moisiu 2:26).

6 Në botën para lindjes, Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin për të qenë Shpëtimtari.

“[Krishti i] paranjohur përpara krijimit të botës, por [i] shfaqur kohët e fundit për ju” (1 Pjetri 1:20; shih gjithashtu Zbulesa 13:8).

“Biri im i Dashur, që ishte i Dashuri dhe i Zgjedhuri im që nga fillimi, më tha: Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2; shih gjithashtu Ethëri 3:14).

7 Nën drejtimin e të Atit të Tij, Jezusi ishte Krijuesi i tokës.

“Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:3; shih gjithashtu Isaia 40:28; Kolosianëve 1:16).

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Unë krijova qiejt dhe tokën dhe të gjitha gjërat që janë në to” (3 Nefi 9:15; shih gjithashtu Mosia 3:8; Moisiu 1:33).

8 Jezu Krishti është Jehova i Dhiatës së Vjetër.

“Jezusi u tha atyre: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam’” (Gjoni 8:58; shih gjithashtu Zanafilla 22:14; 1 Korintasve 10:1–4).

“Ne mbartim në zemrat tonë një bindje të fortë e të patundur të misionit hyjnor të Zotit Jezu Krisht. Ai ishte Jehova i madh i Dhjatës së Vjetër, Krijuesi i cili, nën drejtimin e Atit të Tij, i bëri të gjitha gjërat” (Gordon B. Hinkli, “Një Stinë Mirënjohjeje”, Mesazhi i Presidencisë së Parë, dhjetor 1997, nr. 97772; shih gjithashtu Abrahami 2:8).

9 Jezusi është i Vetëmlinduri i Atit në mish.

“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14, shih gjithashtu Gjoni 3:16).

“E di që Jezu Krishti do të vijë, po, Biri, i Vetëmlinduri i Atit, plot hir dhe mëshirë dhe vërtetësi. Dhe vini re, është ai që vjen për të marrë mëkatet e botës, po, mëkatet e çdo njeriu që beson vendosmërisht në emrin e tij” (Alma 5:48; shih gjithashtu Alma 9:26; DeB 93:11).

10 Jezusi është shembulli i përkryer për njerëzimin.

“Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju” (Gjoni 13:15; shih gjithashtu 1 Pjetri 2:21).

“Një nga qëllimet kryesore të ekzistencës sonë është që ne të mund të përshtatemi me shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e atij i cili eci në mish, i patëmetë – i kulluar, i pastër dhe i panjollë! Krishti nuk erdhi vetëm për të shlyer për mëkatet e botës, por për të vendosur një shembull para të gjithë njerëzve dhe për të vendosur standardin e përsosmërisë së Perëndisë, të ligjit të Perëndisë dhe të bindjes ndaj Atit” (Joseph F. Smith, Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], 151; shih gjithashtu 2 Nefi 31:16; 3 Nefi 18:16).

11 Kur Zoti filloi shërbesën e Tij të vdekshme, Ai themeloi Kishën e Tij.

“Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit” (Efesianëve 4:11–12; shih gjithashtu Mateu 16:18; Lluka 6:13).

“Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën Primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë e kështu me radhë” (Nenet e Besimit 1:6; shih gjithashtu 3 Nefi 12:1).

12 Shpëtimtari dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzimit.

“Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve” (Mateu 26:28; shih gjithashtu Isaia 53:5–6; 1 Gjoni 2:1–2).

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; …

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve” (DeB 19:16, 18–19; shih gjithashtu 1 Nefi 11:32–33).

13 Vetëm Jezusi kishte mundësi të shpaguante dënimin për mëkatet tona.

“Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).

“Ai ishte i aftë të përmbushte misionin e Tij sepse Ai ishte Biri i Perëndisë dhe zotëronte fuqinë e Perëndisë. …

Asnjë qenie e vdekshme nuk kishte fuqinë apo aftësinë për të shëlbuar të gjithë njerëzit e tjerë të vdekshëm nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë, dhe as nuk mundte dikush tjetër që me vullnet të humbte jetën dhe me këtë të sillte ringjallje universale për të gjithë të vdekshmit e tjerë.

Vetëm Jezu Krishti ishte i aftë dhe i gatshëm të përmbushte një vepër dashurie të tillë shëlbuese” (Ezra Taft Benson, “Jesus Christ – Our Savior and Redeemer”, Tambuli, dhjetor 1990, fq. 5; shih gjithashtu Alma 34:8–10).

14 Jezusi ka zgjidhur rripat e vdekjes.

“Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20; shih gjithashtu Gjoni 14:19; 1 Korintasve 15:54).

“Tani, ka një vdekje e cila quhet vdekje e përkohshme; dhe vdekja e Krishtit do të zgjidhë rripat e kësaj vdekjeje të përkohshme, që të gjithë të ngrihen nga kjo vdekje e përkohshme” (Alma 11:42; shih gjithashtu Mosia 16:7–8; Alma 22:14).

15 Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.

“Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës” (1 Gjoni 4:14; shih gjithashtu Lluka 2:11).

“Ai vjen në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij; pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë” (2 Nefi 9:21; shih gjithashtu DeB 66:1; Moisiu 1:6).

16 Jezusi është Mesia i Dhiatës së Re.

“Gruaja i tha: ‘Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë’.

Jezusi i tha: ‘Unë jam, ai që po të flet!’” (Gjoni 4:25–26; shih gjithashtu Lluka 4:16–21).

“Po, madje gjashtëqind vjet nga koha që ati im u largua nga Jeruzalemi, një profet, Zoti Perëndi do të nxjerrë nga mesi i Judenjve – madje një Mesia, ose me fjalë të tjera një Shpëtimtar të botës” (1 Nefi 10:4; shih gjithashtu 2 Nefi 2:26; Moisiu 7:53).

17 Zoti shërbeu midis “[deleve] të tjera” të Tij në Amerikën e lashtë.

“Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm” (Gjoni 10:16).

“Dhe në të vërtetë, unë ju them juve se ju jeni ata për të cilët thashë: Dele të tjera unë kam që nuk janë të kësaj vathe; ato gjithashtu duhet t’i sjell dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim; dhe do të ketë një vathë dhe një bari” (3 Nefi 15:21; shih gjithashtu 3 Nefi 19:2–3; 26:13, 15).

18 Jezusi është Ndërmjetësi dhe Avokati ynë me Atin.

“Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5; shh gjithashtu 1 Gjoni 2:1).

“Gëzohuni në zemrat tuaja e ngazëllehuni, sepse unë jam në mes tuaj dhe jam avokati juaj me Atin” (DeB 29:5; shih gjithashtu 2 Nefi 2:27–28; DeB 45:3–5).

19 Zoti është Drita dhe Jeta e botës.

“Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ‘Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës’” (Gjoni 8:12; shih gjithashtu Psalmin 27:1; Gjoni 1:9).

“Sepse në të vërtetë ju them se unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, drita dhe jeta e botës – një dritë që shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë” (DeB 45:7; shih gjithashtu Mosia 16:9: DeB 12:9).

20 Jezusi mund t’i vijë në ndihmë popullit të Tij sipas dobësive të tyre.

“Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18; shih gjithashtu Isaia 53:5).

“Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12; shih gjithashtu DeB 62:1).

21 Shpëtimtari mund të ndryshojë natyrën njerëzore.

“Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17; shih gjithashtu 1 Gjoni 5:4).

“Mos u mrekullo, se i gjithë njerëzimi, po, burra dhe gra, të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe popujt duhet të lindin rishtas; po, të lindin nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij;

Dhe kështu ata bëhen krijesa të reja; dhe në qoftë se nuk e bëjnë këtë, ata, në asnjë mënyrë, nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Mosia 27:25–26; shih gjithashtu Mosia 5:2, 7; Alma 5:14).

22 Zoti ka rivendosur Kishën e Tij fillestare në ditët e mëvonshme.

“Dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,

të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës” (Veprat e Apostujve 3:20–21; shih gjithashtu Mateu 17:11).

“Dhe gjithashtu ata, të cilëve iu dhanë këto urdhërime, të mund të kishin fuqi për të ngritur themelin e kësaj kishe dhe për ta nxjerrë atë nga terri dhe errësira, të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi faqen e tërë dheut, me të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur” (DeB 1:30; shih gjithashtu DeB 20).

23 Jezusi e udhëheq Kishën e Tij me anë të profetëve të Tij të zgjedhur.

“[Ju jeni] ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20).

“Kreu i Kishës është Zoti Jezu Krisht. Është Kisha e Tij. Por kreu ynë tokësor është profeti ynë” (Gordon B. Hinckley, “The Church Is on Course”, Ensign, nëntor 1992, fq. 53, shih gjithashtu DeB 21:1–5).

24 Jezusi do të kthehet një ditë në tokë.

“Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat e Apostujve 1:11; shih gjithashtu 1 Thesalonikasve 4:16; Zbulesa 1:7).

“Sepse unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe, me gjithë ushtritë e tij, dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet e të ligjtë nuk do të durojnë dot” (DeB 29:11; shih gjithashtu DeB 34:6; Moisiu 7:62–64).

25 Zoti do ta gjykojë botën në drejtësi.

“Ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën” (Veprat e Apostujve 17:31; shih gjithashtu Psalmin 9:8; Isaia 11:3–4).

“Kushdo që pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, do të mbushet; dhe në qoftë se duron gjer në fund, vini re, atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën” (3 Nefi 27:16; shih gjithashtu DeB 19:1–3).