Kush Është Jezu Krishti?
Kur u takua me të Dymbëdhjetët në krahinën e Cezaresë së Filipit, Jezusi bëri pyetjen: “Kush thoni se jam unë?” Simon Pjetri, kryeapostulli iu përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:15–16). Pjetri më vonë dëshmoi se Jezusi “[u paranjoh] përpara krijimit të botës” (1 Pjetri 1:20). Ai ishte “në fillim me Atin dhe [është] i Parëlinduri” (DeB 93:21).
Kur u prezantua plani i Atit (shih Alma 42:5, 8)—plani i shpëtimit dhe i lumturisë (shih Alma 34:9), dikush duhet të shlyente për të siguruar shëlbim dhe mëshirë ndaj të gjithë atyre që e pranuan planin (shih Alma 34:16; 39:18; 42:15). Ati pyeti: “Kë të dërgoj?” Ai që do të njihej më vonë si Jezusi, lirisht dhe me vullnet zgjodhi të përgjigjej: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abrahami 3:27). “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2).
Në përgatitje të kësaj, toka u krijua: “Me anë të Birit [e] krijova [tokën], që është i Vetëmlinduri im”, shpalli Ati (Moisiu 1:33; shih gjithashtu Efesianëve 3:9; Helamani 14:12; Moisiu 2:1).
Titujt e Jezu Krishtit
Ai njihej si Jehova nga profetët e Dhjatës së Vjetër (shih Abrahami 1:16; Eksodi 6:3). Profetëve iu shfaq ardhja e Tij: “Shiko Qengjin e Perëndisë, po, madje Birin e Atit të Amshuar!” (1 Nefi 11:21; shih gjithashtu Gjoni 1:14). Nënës së tij iu tha: “Do t’ia vesh emrin Jezus. … Ai do të … quhet Biri i Shumë të Lartit” (Lluka 1:31–32).
Shumë tituj dhe emra e përshkruajnë misionin dhe shërbesën e Tij hyjnore. Ai vetë na mësoi: “Unë jam drita dhe jeta e botës. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi” (3 Nefi 9:18). “Unë jam … avokati juaj me Atin” (DeB 29:5; shih gjithashtu DeB 110:14). “Unë jam bariu i mirë” (Gjoni 10:11). “Unë jam Mesia, Mbreti i Sionit, Shkëmbi i Qiellit” (Moisiu 7:53). “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri [ose] etje” (Gjoni 6:35). “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari” (Gjoni 15:1). “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25). “Unë jam … ylli i ndritshëm i mëngjesit” (Zbulesa 22:16), “Jezu [Krishti, Shëlbuesi juaj, i Madhi] Unë Jam” (DeB 29:1).
Ai është Ndërmjetësi (shih 1 Timoteut 2:5), Shpëtimtari (shih Lluka 2:11), Shëlbuesi (shih DeB 18:47), Kreu i Kishës (shih Efesianëve 5:23), Guri i Qoshes i saj (shih Efesianëve 2:20). Në ditën e fundit, “Perëndia do të gjykojë … [njerëzit] me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit” (Romakëve 2:16; shih gjithashtu Mormoni 3:20).
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16); “kështu që, shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi” (2 Nefi 2:6).
Profetit Jozef Smith i bëhej shpesh pyetja: “Cilat janë parimet themelore të besimit tuaj?”
“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe e Profetëve për Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit përsëri ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; të gjitha gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë shtesa të kësaj”1.
Përulësia e Jezu Krishtit
Në kohën e arrestimit të Tij përpara Kryqëzimit, Zoti kishte ardhur nga Gjetsemani. Në çastin e tradhëtisë, Pjetri nxori shpatën kundër Malkut, shërbëtorit të kryepriftit. Jezusi tha:
“Ktheje shpatën në vendin e vet …
A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?” (Mateu 26:52–53).
Gjatë gjithë përqeshjes, abuzimit, fshikullimit dhe torturës përfundimtare të kryqëzimit, Zoti qëndroi i heshtur dhe i nënshtruar—përveç një çasti të një skene momentale e cila zbulon vetë thelbin e doktrinës së krishterë. Ai çast ndodhi gjatë gjykimit. Pilati, tani i frikësuar, i tha Jezusit: “S’po më flet? Ti s’e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?” (Gjoni 19:10).
Dikush vetëm mund ta përfytyrojë madhështinë e qetë të Zotit kur foli: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti” (Gjoni 19:11). Ajo që ndodhi më pas nuk erdhi sepse Pilati kishte fuqi ta shkaktonte, por sepse Zoti pati vullnetin për ta pranuar atë.
“Unë e lë jetën time”, tha Zoti, “që ta marr përsëri.
Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri” (Gjoni 10:17–18).
Shlyerja e Jezu Krishtit
Para Kryqëzimit dhe më pas, shumë njerëz kanë dhënë me gatishmëri jetën e tyre në akte vetëmohuese heroizmi. Por askush nuk është ballafaquar me atë që Krishti duroi. Mbi Të ishte barra e të gjitha shkeljeve njerëzore, i gjithë faji njerëzor. Dhe duke qëndruar e papërfunduar, ishte Shlyerja. Nëpërmjet veprës së Tij të vullnetshme, mëshira dhe drejtësia mund të pajtoheshin, ligji i përjetshëm të vazhdonte dhe ajo ndërmjetësi të arrihej, pa të cilën njerëzit e vdekshëm nuk mund të shëlbeheshin.
Me zgjedhjen e Tij pranoi ndëshkimin në emër të gjithë njerëzimit, për të gjithë ligësinë dhe mëkatet e botës; për vrazhdësinë, imoralitetin, çoroditjen dhe prishjen; për varësinë; për vrasjet, dhe torturat, dhe terrorin—për gjithçka që ka ndodhur ose do të ndodhë mbi këtë tokë. Duke zgjedhur kështu, Ai u përball me fuqinë e tmerrshme të të ligut, i cili nuk ishte kufizuar në mish dhe as subjekt i dhimbjeve të vdekshmërisë. Ky ishte Gjetsemani!
Se si u krye Shlyerja, ne nuk e dimë. Asnjë njeri nuk e pa ndërsa e liga u largua dhe u fsheh nga Drita e asaj qenieje të kulluar. E gjithë ligësia nuk mund ta shuante atë Dritë. Kur u krye ajo që u krye, çmimi i shpengimit u pagua. Si vdekja ashtu edhe ferri i braktisën pretendimet mbi të gjithë ata që do të pendoheshin. Më në fund njerëzit ishin të lirë. Atëherë çdo shpirt që kishte jetuar ndonjëherë mund të zgjidhte ta prekte atë Dritë dhe të shëlbehej.
Nëpërmjet kësaj sakrifice të pafundme, “nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit” (Nenet e Besimit 1:3).
“Shlyerja” në Shkrimet e Shenjta
Fjala anglisht atonement (shlyerje), është në të vërtetë tre fjalë: at-one-ment, që do të thotë të bësh një, një me Perëndinë; të pajtosh, paqësosh, të vësh në vend.
Por a e dini që fjala shlyerje shfaqet vetëm një herë në Dhjatën e Re në versionin anglisht? Vetëm një herë! Citoj nga letra e Palit drejtuar romakëve:
“Krishti vdiq për ne.
… U pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin” (Romakëve 5:8, 10–11, theksi i shtuar; në versionin anglisht fjala “pajtimin” i përket fjalës “shlyerje”).
Vetëm një herë shfaqet fjala shlyerje në Dhjatën e Re në versionin anglisht. Shlyerja, nga të gjitha fjalët e tjera! Nuk ishte një fjalë e panjohur, sepse ishte përdorur shumë në Dhjatën e Vjetër në lidhje me ligjin e Moisiut, por vetëm një herë në Dhjatën e Re. Më duket mbresëlënëse.
Di vetëm një shpjegim për këtë. Për të kthehemi tek Libri i Mormonit. Nefi dëshmoi se Bibla një herë “përmbante plotësinë e ungjillit të Zotit, për të cilin dymbëdhjetë apostujt dëshmojnë” dhe se “pasi [fjalët] dalin nëpërmjet dorës së dymbëdhjetë apostujve të Qengjit nga Judenjtë te Johebrenjtë, ti shikon formimin e asaj kishe të madhe dhe të neveritshme, e cila është më e neveritshmja mbi të gjitha kishat e tjera; pasi vini re se ato kanë hequr prej ungjillit të Qengjit shumë pjesë të cilat janë të qarta dhe më të çmueshmet dhe gjithashtu shumë besëlidhje të Zotit ato i kanë hequr” (1 Nefi 13:24, 26).
Jakobi e përcaktoi kishën e madhe dhe të neveritshme me këto fjalë: “Kështu që, ai që lufton kundër Sionit, si Jude ashtu dhe Johebre, si i lidhur ashtu dhe i lirë, si burrë ashtu dhe grua, do të mbarojë; pasi ata janë ata të cilët janë lavirja e të gjithë tokës, pasi ata që nuk janë me mua, janë kundër meje, thotë Perëndia ynë” (2 Nefi 10:16).
Nefi gjithashtu tha: “Për shkak të shumë gjërave të qarta dhe të çmueshme që u hoqën nga libri, … një shumicë jashtëzakonisht e madhe njerëzish ngatërrohen, po, aq shumë, sa Satani ka fuqi të madhe mbi ta” (1 Nefi 13:29). Ai më pas profetizoi se gjërat e çmueshme do të rivendoseshin (shih 1 Nefi 13:34–35).
Dhe ato u rivendosën. Në Librin e Mormonit fjala shlyej shfaqet 39 herë në forma dhe zgjedhime të ndryshme. Po citoj vetëm një varg nga Alma: “Dhe tani, plani i mëshirës nuk mund të realizohej, nëse nuk bëhej një shlyerje; prandaj Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm” (Alma 42:15; theksimi i shtuar).
Vetëm një herë në Dhjatën e Re por 39 herë në Librin e Mormonit. A ka dëshmi më të mirë se Libri i Mormonit është me të vërtetë një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit?
Dhe kjo nuk është e gjitha. Fjalët shlyej, shlyen dhe shlyerje gjenden pesë herë tek Doktrina e Besëlidhje dhe dy herë tek Perla me Vlerë të Madhe. Dyzet e shtatë referenca me një rëndësi të pamasë. Dhe kjo nuk është e gjitha! Qindra vargje të tjera ndihmojnë në shpjegimin e Shlyerjes.
Liria e Zgjedhjes
Çmimi i Shlyerjes u pagua nga Zoti pa detyrim, sepse liria e zgjedhjes është një parim sundues. Sipas planit, liria e zgjedhjes duhet të nderohet. Ishte kështu që nga fillimi, nga Edeni.
“Zoti i tha Enokut: Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur” (Moisiu 7:32).
Çfarëdo tjetër që ndodhi në Eden, në momentin e tij më të madh të provës, Adami bëri një zgjedhje. Pasi Zoti e urdhëroi Adamin e Evën të shumëzoheshin dhe të mbushnin tokën dhe i urdhëroi të mos hanin nga pema e njohurisë të së mirës dhe së ligës, Ai tha: “Megjithatë, ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty; por, kujto që unë ta ndaloj atë, sepse në ditën që do të hash prej saj, ti me siguri do të vdesësh” (Moisiu 3:17).
Shumë gjëra viheshin në diskutim nëse njeriu sillej në vdekshmëri me detyrim. Kjo do të dhunonte vetë ligjin që ishte thelbësor për planin. Plani siguroi që secili fëmijë shpirtëror i Perëndisë do të merrte një trup fizik dhe secili do të provohej. Adami e kuptoi se duhet të ndodhte kështu dhe e bëri zgjedhjen e tij. “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25).
Adami dhe Eva shkuan para për t’u shumëzuar dhe mbushur tokën siç u urdhëruan të bënin. Krijimi i trupit të tyre sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, si një krijim më vete, ishte vendimtar për planin. Rënia e tyre e mëpasshme ishte thelbësore për të sjellë gjendjen e vdekshmërisë dhe që plani të vepronte.
Nevoja e Shlyerjes
Nefi e përshkroi atë që do t’i ndodhte trupit dhe shpirtit tonë nëse nuk bëhej një “shlyerje [e] pafund”. “Shpirtrat tanë” tha ai, “do të bëheshin si [djalli]”. (Shih 2 Nefi 9:7–10.)
Unë rrallë e përdor fjalën absolutisht. Rrallëherë është me vend. Po e përdor tani—dy herë:
Për shkak të Rënies, Shlyerja ishte absolutisht thelbësore që të ndodhte ringjallja dhe për të mposhtur vdekjen fizike.
Shlyerja ishte absolutisht thelbësore që njerëzit ta pastronin veten nga mëkati dhe të mposhtnin vdekjen e dytë, vdekjen shpirtërore, e cila është ndarja nga Ati ynë në Qiell, sepse shkrimet e shenjta na tregojnë tetë herë se asnjë gjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e Perëndisë (shih 1 Nefi 10: 21; 15:34; Alma 7:21; 11:37; 40:26; Helamani 8:25; 3 Nefi 27:19; Moisiu 6:57).
Ato fjalë nga shkrimi i shenjtë: “Ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty” (Moisiu 3:17), e njohën Adamin dhe Evën dhe pasardhësit e tyre me të gjitha rreziqet e vdekshmërisë. Në vdekshmëri njerëzit janë të lirë të zgjedhin dhe çdo zgjedhje sjell një pasojë. Zgjedhja e Adamit e vuri në lëvizje ligjin e drejtësisë, i cili kërkonte që ndëshkimi i mosbindjes të ishte vdekja.
Por ato fjalë të folura në gjyq: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti” (Gjoni 19:11), provuan se mëshira ishte po aq e rëndësishme. Një shëlbues u dërgua për të paguar borxhin dhe për t’i çliruar njerëzit. Ky ishte plani.
Koriantoni, biri i Almës, mendoi se ishte e padrejtë që dënimi duhet të ndiqte mëkatin e të kishte ndëshkim. Në një fjalim domethënës, Alma i mësoi planin e shëlbimit birit të tij dhe neve. Alma foli për Shlyerjen dhe tha: “Tani, pendimi nuk mund të vinte mbi njerëzit po të mos kishte një dënim” (Alma 42:16).
Nëse ndëshkimi është çmimi që kërkon pendimi, kjo është një ujdi e volitshme. Pasojat, madje edhe ato të dhimbshmet, na mbrojnë. Një gjë aq e thjeshtë sa e qara e një fëmije kur gishti i tij prek zjarrin, mund të na e mësojë këtë. Nëse nuk do të ekzistonte dhimbja, fëmija mund të digjej plotësisht.
Bekimet e Pendimit
Me gatishmëri rrëfej se nuk do të gjeja paqe, as lumturi apo siguri, në një botë pa pendim. Nuk e di çfarë duhet të bëja nëse nuk do të kishte një mënyrë që të fshija mëkatet e mia. Agonia do të ishte më e madhe sesa mund të duroja. Mund të jetë ndryshe për ju, por jo për mua.
Shlyerja u krye. Përherë e përgjithmonë ofron amnisti për shkeljen dhe vdekjen, nëse do të pendohemi. Në të, pendimi është kushti i çlirimit. Pendimi është kyçi me të cilin mund ta hapim derën e burgut nga brenda. Ne e mbajmë atë çelës në duar dhe zgjedhja e lirë është e jona për ta përdorur.
Sa jashtëzakonisht e çmueshme është liria; sa plotësisht e vlefshme është zgjedhja e lirë.
Luciferi me metoda të zgjuara manipulon zgjedhjet tona, duke na mashtruar rreth mëkatit dhe pasojave. Ai dhe engjëjt e tij na tundojnë të jemi të padenjë, madje të ligj. Por ai nuk mund – në gjithë përjetësinë nuk mund, me të gjithë fuqinë e tij ai nuk mund – të na shkatërrojë plotësisht, jo pa vetë miratimin tonë. Nëse zgjedhja e lirë do t’i vinte njeriut pa Shlyerjen, do të kishte qenë një dhuratë vdekjeprurëse.
Të Krijuar sipas Shembëlltyrës së Tij
Mësohemi tek Zanafilla, tek Moisiu, Abrahami, në Librin e Mormonit dhe në indaument se trupi i vdekshëm i njeriut u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë në një krijim të veçantë. Nëse Krijimi do të kishte ndodhur në një mënyrë të ndryshme, nuk do të kishte patur Rënie.
Nëse njerëzit do të ishin thjesht kafshë, atëherë logjika të çon tek liria pa përgjegjshmëri.
E di shumë mirë se ndër njerëzit e mësuar ka nga ata që kërkojnë tek krijimet inferiore si kafshët dhe gurët për të gjetur origjinën e njeriut. Ata nuk shohin brenda vetes për ta gjetur shpirtin atje. Ata e trajnojnë veten për t’i matur gjërat me kohën, me mijëra dhe miliona dhe thonë se këto kafshë të quajtura njerëz erdhën nga rastësia. Dhe kjo është e lirë që ta bëjnë, sepse e kanë lirinë e zgjedhjes.
Por liria e zgjedhjes është e jona gjithashtu. Ne shohim lart dhe në univers shohim punën e duarve të Perëndisë dhe i masim gjërat me epoka, amshime, periudha ungjillore e përjetësi. Gjërat e shumta që nuk i dimë, i pranojmë me besim.
Por këtë gjë e dimë! Ishte e gjitha e planifikuar “përpara se bota të krijohej” (DeB 38:1; shih gjithashtu DeB 49:17; 76:13, 39; 93:7; Abrahami 3:22–25). Ngjarjet nga Krijimi deri në skenën finale dhe përfundimtare, nuk bazohen në rastësi; ato bazohen në zgjedhje! U planifikua në këtë mënyrë.
Këtë gjë e dimë! Këtë të vërtetë të thjeshtë! Në qoftë se nuk do të kishte patur Krijim dhe as Rënie, nuk do të kishte patur nevojë për ndonjë Shlyerje, dhe as një Shëlbues për të ndërmjetësuar për ne. Atëherë as Krishti nuk do të kishte patur nevojë të ishte.
Simbolet e Shlyerjes
Në Gjetseman dhe Golgotë gjaku i Shpëtimtarit u derdh. Shekuj më parë Pashka ishte prezantuar si një simbol dhe model i gjërave që do të vinin. Ishte një ordinancë që duhej mbajtur përgjithmonë. (Shih Eksodi 12.)
Kur plaga e vdekjes u caktua mbi Egjiptin, çdo familje izraelite u urdhërua të merrte një qengj—të parëlindur, mashkull, pa të meta. Ky qengj pashke vritej pa i thyer ndonjë kockë dhe me gjakun e tij lyhej hyrja në çdo shtëpi. Zoti premtoi se engjëlli i vdekjes do të kalonte tutje shtëpive të lyera në atë mënyrë dhe nuk do t’i vriste njerëzit brenda. Ata u shpëtuan nga gjaku i qengjit.
Pas Kryqëzimit të Zotit, ligji i sakrificës kërkonte të mos kishte më derdhje gjaku. Sepse ajo u bë, siç Pali i mësoi Hebrenjtë: “një herë për të gjithë … për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet” (Hebrenjve 10:10, 12). Sakrifica atëherë do të ishte një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar—pendimi.
Dhe Pashka do të kujtohej gjithmonë si sakramenti, në të cilin përtërijmë besëlidhjen tonë të pagëzimit dhe e marrim në kujtim të trupit të Qengjit të Perëndisë dhe gjakut të Tij, i cili u derdh për ne.
Nuk është diçka e vogël që simboli rishfaqet në Fjalën e Urtësisë. Përveç premtimit se shenjtorët në këtë brez të cilët binden do të marrin shëndet dhe thesare të mëdha diturie, është kjo: “Unë, Zoti, u jap atyre një premtim se engjëlli shkatërrues do të kalojë pranë tyre, sikurse me fëmijët e Izraelit, dhe nuk do t’i vrasë” (DeB 89:21).
Nuk mund t’ju flas për Shlyerjen pa u prekur. Ajo prek ndjenjat më të thella të mirënjohjes dhe detyrimit. Shpirti im shkon pas Atij që e kreu atë—atij Krishti, Shpëtimtarit tonë, për të cilin unë jam një dëshmitar. Unë dëshmoj për Të. Ai është Zoti ynë, Shëlbuesi ynë, Avokati ynë me Atin. Ai na çliroi me gjakun e Tij.
Me përulësi unë pretendoj nga Shlyerja e Krishtit. Unë nuk kam turp të gjunjëzohem në adhurim ndaj Atit tonë dhe Birit të Tij. Sepse liria e zgjedhjes është e imja, dhe këtë unë zgjedh të bëj!