2008
KUSH THONI SE JAM UNË?
Mars 2008


“KUSH THONI SE JAM UNË?”

Shpëtimtari ia bëri këtë pyetje dishepujve të Tij dhe Pjetri u përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (shih Mateu 16:15–16). Këtu më poshtë kemi përgjigje ndaj kësaj pyetje nga adoleshentë dhe të rinj në moshë madhore nga e gjithë bota:

Jezu Krishti ka bërë shumë për mua. Ai më ka dhënë familjen time dhe ungjillin. Ai më ka ndihmuar në mësimet e mia. Unë kam marrë disa bursa studimi dhe besoj se ato ishin bekime nga Ai. Nëse nuk do të vinte për të na mësuar si të jetonim, nuk do të ishim në gjendje të ktheheshim tek Ati ynë Qiellor.

Brajën N., 13 vjeç, Honduras

E di se nëpërmjet vuajtjes, vdekjes dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të ringjallemi dhe mund të shëlbehemi shpirtërisht dhe fizikisht. Për shkak të besimit dhe pendimit, kam mësuar se mund të falemi për mëkatet tona.

Joan O., 19 vjeçe, Filipine

Shumë kohë më parë një burrë eci në këtë tokë, një burrë veprimet dhe fjalët e të cilit kanë prekur miliona jetë—përfshirë timen. Ai është Jezu Krishti. Sakrifica e Tij shlyese vazhdon të ndikojë jetën time përditë. Sa mahnitëse është të dish se nëpërmjet vragave të Tij, vragat tona mund të shërohen. Për shkak se e di se Jezusi është Krishti, po përgatitem për të shërbyer një mision me kohë të plotë dhe t’ia përhap ungjillin e Tij njerëzve nëpër botë të cilët akoma nuk e kanë ndier dashurinë e Tij të pafund. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i shpirtit tim.

Kristian M., 24 vjeç, Kroaci

Jezu Krishti ka bërë për ne atë që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Për mua, marrja e Priftërisë Aarone ishte një çast i mrekullueshëm sepse e dija se ishte ajo që Zoti donte që unë të bëja. Unë po ndiqja shembullin e Tij. E di se Ai do të vazhdojë të më udhëheqë dhe të më mësojë udhën.

Limhi G., 17 vjeç, Meksikë

Pasi nëna ime vdiq, jeta dukej shumë e rëndë. Më në fund iu drejtova peshkopit për këshillë. Ajo që më tha nuk ishte pikërisht ajo që prisja, por ndryshoi jetën time. Ai më ftoi të mbështetesha tek Ati Qiellor nëpërmjet lutjes, leximit të shkrimeve të shenjta dhe të besoja se Shpëtimtari do të më qëndronte pranë— të kisha aq shumë besim tek Ai saqë të ndieja barrat e mia të lehtësoheshin. Dy vjet e gjysmë më pas, unë e di se është e mundur një paqe e vazhdueshme për të gjithë ne, për shkak të asaj se kush është Shpëtimtari ynë dhe çfarë Ai bëri për ne.

Uitni W., 19 vjeçe, Arizona, SHBA

E di se Jezu Krishti jeton. Ai më do dhe dha jetën e Tij për mua. Ai është miku im. Nëpërmjet mësimeve të Tij, mësoj se si të bëhem si Ai. Ai është i drejtë, i mirë, i përkryer dhe plot dashuri hyjnore. Ai vuajti për të gjithë në Gjetseman. Unë e di se Ai është Krishti i Gjallë, Shpëtimtari, Shkëmbi dhe Zoti im.

Klaudia R., 25 vjeçe, Meksikë

Duke u rritur në Kishë dhe duke vajtur në Fillore, kam mësuar për Jezu Krishtin që kur isha një vajzë e vogël. Dhe dëshmia ime është rritur mjaft që atëherë. Tani që jam në mision, më pëlqen mundësia që kam për të përhapur ungjillin dhe të dëshmoj për Jezu Krishtin çdo ditë.

Ndërsa mendoj për Shpëtimtarin dhe të gjitha gjërat që Ai ka bërë për mua, dua të jem më pranë Atij. Po personalizoj gjërat që kam mësuar kur isha fëmijë. Më pëlqen që kam mundësinë të ndihmoj njerëzit të ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kjo dëshmi nuk është vetëm diçka që them—ajo vjen nga zemra ime.

Suzana V., 21 vjeçe, Tonga